Nga Irfan DASHI*

Me penën e zemrës dhe ngjyrat e shpirtit në krijimtarinë tënde ke promovuar vlera duke bërë të lumtur shumë njerëz. Ndërkohë që, sot jetojmë në një botë ku njerëzit po largohen për ditë e më shumë nga njeri-tjetri.
Uroj me shpirt që:

  • Pasioni dhe enegjia për të shkruar të mbeten të pashtershme tek ti.

Të nderuar pjesëmarrës!
I nderuar miku im Halil!
Në këtë event po kremtojmë dy gëzime tuaja; 65 vjetorin e lindjes dhe promovimin e librit 30-të.
Në moshë më të re të gjithë kemi ëndrra, ndërsa në këtë moshë kemi kujtime. Më të rinj vraponim pas jetës, ndërsa vjen një kohë që ndalemi për ta kujtuar atë.
Kur arrin në këtë moshë jo vetëm bëhesh nostalgjik për kohën që ka ikur, por dhe përpiqesh të bësh një bilanc të asaj se çfarë ke bërë në jetë.
Njeriu duhet të përpiqet të lërë një shenjë në jetë.
Varet si e ke jetuar jetën. Jo sa vjet ke jetuar. Dhe ju i dashur Halil keni se për çfarë të krenoheni, sepse këtë bilanc e keni me plot arritje, pasi keni lënë gjurmën e vulën tuaj.
Keni lënë një emër të mirë dhe një vepër të krijuar me shumë punë, mund dhe sakrifica.
Suksesi është misioni yt. Dhe për ta arritur atë këmbëngulja është arma jote. “Masa e vlerës së një njeriu është puna dhe jo pasuria”- ka thënë Benxhamin Fraklin.
Dhe ju jeni mëshirimi më i mirë i kësaj thënie.
Profesionistë të fushës me skrupulozitet e bënë analizën e krijimtarisë tuaj.
Në këtë drejtim ju e keni krijuar profilin tuaj si në gazetari dhe në letërsi.
Prandaj për mua si dashamirës i letërsisë ose le të themi si një lexues i vëmendshëm nuk më mbetet gjë të them, përveçse ta konsumoj atë.
Por si dëshmitar në vetë të parë i procesit të ngjizjes e krijimit të pothuajse të gjithë krijimtarisë së Halilit, që nga monografitë dhe deri tek libri që promovojmë sot “Oda Dibrane” ku në qendër të tij është poezia,
kjo gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat e frymëzimi shprehen në vargje mund të dëshmoj për pasionin, zellin e përkushtimin me të cilin Halili punon.
Por unë dua të them dy fjalë për një dimension tjetër shumë të rëndësishëm të jetës Halilit, atë të qenit njeri, profesionist dhe koleg.
Çfarë do të thotë të jesh njeri?!
Po mjaftohem të citoj profesorin e shkencave kompjuterike Raundy Pausch (Rendi Paush), i cili në librin e tij “Leksioni i fundit” shkruan:
“E para në jetë është të jesh njeri dhe zerot pas, të aftësive dhe dhuntive të tjera i shtojnë vlerën njëshit.
Nëse nuk je njeri, pra mungon njëshi në fillim, të gjitha zerot pas tij nuk kanë asnjë vlerë”.
Dhe ti Halil para sëgjithash je njeri.
Po ku më mirë se në marrëdhënie pune mund ta njohësh një njeri?!
Në punë e njeh tjetrin 360 gradë.
Them se ne e njohim njeri-tjetrin mirë.
Prej vitesh jemi kolegë. Nuk kemi mbetur vetëm të tillë, por jemi bërë shokë e madje miq të mirë. Ndajmë shumëçka bashkë.
Nuk flasim vetëm për problematikat e punës, por bisedojmë edhe për letërsinë e shumë çështje të tjera që na preokupojnë.
Po si do ta përshkruaja unë Halilin si profesionist, si koleg e bashkëpunëtor?!
Pa hezitim do të thoja: Halili është një nëpunës ekselent.
Ai është një profesionist i aftë, një njeri tepër korrekt dhe i përkushtuar në punë. Bashkëpunues, luajal dhe i gatshëm për të ndihmuar kolegët më të rinj.
Profesionalizmi, integriteti, dinjiteti, kolegjialiteti e luajaliteti janë cilësi, të cilat është vështirë ti gjesh të mishëruara sot ndër nëpunësit e administratës publike.
Çdo gjë e ka një shpjegim pse ndodh. Dhe pse Halili manifeston këto cilësi e ka patjetër një shpjegim.
Është edukata familjare që ka trashëguar si edhe formimi e shkollimi i tij që e kanë formësuar si të tillë.
Halili ka krijuar prej kohësh personalitetin e tij me punë. Ai është dinjitoz. Halili është person me histori personale.
Për këto flet jeta dhe vepra e tij.
Në sektorin ku punojmë sëbashku jemi përpjekur të bëjmë më të mirën për funksionimin e Njësive
Administrative të Bashkisë Tiranë.
Nuk kemi anashkaluar apo neglizhuar asgjë. Aq më pak të kemi vegjetuar.Shpresojmë e besojmë se kemi vendosur një gur themeli veçanërisht në formësimin e strukturave komunitare në qytet dhe fshat.
Ndjehem me fat që në udhëtimin tim të jetës kam takuar një personalitet si Halili.
Respekti meritohet, ndershmëria vlerësohet dhe besnikëria shpërblehet.
Të shpreh gjithë mirënjohjen time për bashkëpunimin korrekt që kemi patur.

I dashur Halil!
Me kalimin e moshës pamja mund të zbehet, flokët mund të thinjen, por personaliteti nuk ndryshon kurrë.
Me penën e zemrës dhe ngjyrat e shpirtit në krijimtarinë tënde ke promovuar vlera duke bërë të lumtur shumë njerëz. Ndërkohë që, sot jetojmë në një botë ku njerëzit po largohen për ditë e më shumë nga njeri-tjetri.
Uroj me shpirt që:

  • Pasioni dhe enegjia për të shkruar të mbeten të pashtershme tek ti.
  • Shumë urime për 65 vjetorin e lindjes.
  • Festofsh edhe 100 vite të tjera!
  • Qofsh një bashkëshort, baba e gjysh i lumtur!

Ju faleminderit!

*Fjalë përshëndetje me rastin e 65 vjetorit të lindjes dhe promovimit të librit të 30-të të Halil Ramës.