Mijëra shqiptarë në protestë, mesazh Gjykatës Speciale nga Tirana: Drejtësi për ish-krerët e UÇK-së! Moisiu e Ali Ahmeti: Akuza të fabrikuara
- Tirana, pasditen e 17 Tetorit 2025 u kthye në kryeqytetin e shqiptarisë, ku mijëra qytetarë për 1 orë bënë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që prej 5 vitesh mbahen në qeli në Hagë. Protesta nisi me himnin kombëtar dhe sheshi “Skëndërbej” u vesh me ngjyrat kuqezi. Nga Prishtina erdhi edhe djali i Hashim Thaçit.
TIRANË, 17 TETOR 2025 – “Unë jam UÇK”. Kjo thirrje bëri bashkë mijëra shqiptarë në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Imazhi i ish-presidentit Hashtim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit u shfaq krah bustit të heroit kombëtar Gjergj Skënderbeu, ndërsa përballë tij mijëra shqiptarë jehuan me thirrjet “liri dhe drejtësi për çlirimtarët”.
Protesta u zhvillua për 1 orë dhe nisi me himnin kombëtar shqiptar dhe bëri bashkë mijëra shqiptarë të cilët që prej orëve të para të mëngjesit vërshuan në kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranën, për t’i dhënë mesazhin e qartë Gjykatës Speciale, se çlirimtarët e Kosovës po i mban padrejtësisht në qeli.
Këngët patriotike nuk munguan në protestë, ndërsa veteranët e UÇK-së udhëtuan nga Kosova të veshur me uniformën ushtarake, si dëshmi e gjallë e luftës për liri.
I pari që çeli protestën qe Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati
“Tirana sot është kryeqendra e Shqiptarëve. Sot nga kjo tokë i themi botës se nuk ishim kriminelë, por bijtë e këtij kombi që dhanë gjithçka për atdhe”, tha ai.
Megjithëse me një shëndet të rënduar, ish-Presidenti Alfred Moisiu mbajti fjalimin e tij para mijëra shqiptarëve në shesh, ku tha se liria nuk u dhurua, por u fitua me gjak. Akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së, bashkë me Ali Ahmetin i quajti të fabrikuara
“Është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin sa më lart për të ngritur vendin tonë. Nuk mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, është fituar me gjak, me sakrifica dhe vendosmëri. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten për t’u bërë mësim të gjithëve”, tha Ahmeti.
Ndërsa Mesazhi i Ali Ahmetit ishte i drejtpërdrejtë për qeverinë e Prishtinës, që në këtë protestë mungoi.
“Ka akoma në mesin tonë ca të pavetëdijshëm që i shërbejnë axhendave ruso-serbe në marrëdhëniet ndërshqiptare dhe mbjellin ndasi duke shpërndarë propagandën dashakeqe pa qenë fare të vetëdijshëm se po i shërbejnë Beogradit dhe Moskës. Liria e Kosovës nuk është arenë për politika individuale, partiake dhe zgjedhore. Liria e Kosovës nuk është pushkë për ndasi ndërshqiptare”, tha ai.
Djali i Hashim Thaçit, Endriti, e ndoqi nga afër, në krah të Taulant Ballës, kryebashkiakut të Prishtinës Përparim Rama dhe Ogerta Manastirliut.
‘Ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen, dua të falenderojë edhe zotin Rama që ka mbështetur këtë protestë dhe zotin Balla që është angazhuar dhe ka dhënë përkrahjen e tij maksimale’, tha ai.
Nga kjo protestë, një thirrje për t’i nderuar 4 liderët e UÇK-së iu bë edhe dy presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Dua t’ju bëj një propozim publik se, përveç thirrjeve, duhen edhe akte konkrete. I propozoj presidentit Begaj që djemtë që ndodhen në Hagë të nderohen me Urdhrin e Flamurit. I propozoj presidentes Vjosa Osmani t’i nderojë me titullin më të lartë që ia jep Kushtetuta, si dhe Këshillit Kombëtar të Malit të Zi dhe atij në Preshevë,” deklaroi Haklaj.
Zemrat e pjesëmarrësve u ngritën herë pas here peshë nga këngët patriotike.
Kryeministri Edi Rama nuk ishte pjesë e tubimit, por një dhuratë e UÇK-së e solli figurën e tij në mes të sheshit. Reagimin e tij e pati në distancë, ku ndau një video nga protesta me mesazhin e shkurtër “zemra mal”.
Përfaqësuesit e lartë të opozitës munguan gjithashtu. I vetmi që u pa në thyerje të rregullit ishte Bujar Leskaj i Vlorës, si edhe Fatmir Mediu.
Pas tubimeve në Tiranës, Prishtinë e Hagë, mbështetja për 4 liderët e UCK-së do t’i mbledhë shqiptarët edhe në Shkup.
Protestuesit në sheshin ‘Skënderbej’: Gjykata Speciale
na ka vjedhur Presidentin dhe kreun e Kuvendit
Protestuesit në sheshin ‘Skënderbej’ kanë bërë thirrje për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët mbahen prej vitesh në Hagë.
Një protestues tha për mediat se Gjykata Speciale i ka vjedhur Kosovës dhe Presidentin dhe kreun e Kuvendit.
“Ata janë gjithçka për Kosovën, janë arkitekte për Kosovën. Ne pa ta nuk jemi as të formuar as si shtet. Kjo është diçka shumë e vogël që në mund të bëjmë që ata të jenë shumë shpejt në mesin tonë dhe të jenë aty ku u takon. Na e kanë vjedhur presidentin dhe kreun e Kuvendit. Nuk ka shtet pa ta. Ju e shihni sot, nuk kemi qeveri, nuk kemi as shtet”, tha ai.
Ndërsa një tjetër protestues, tha se Kosova është shtet falë drejtuesve të UÇK-së. Ndërsa më tej hodhi akuza ndaj Gjykatës Speciale se po i mban drejtuesit e UÇK-së me dëshmi të falsifikuara.
“Falë tyre kemi shtet, falë tyre sot Kosova lëviz lirshëm. Falë tyre, fëmija im sot në shkollë. Çdo arritje që është bërë sot në Kosovë, është bërë falë tyre, duke filluar nga ushtria, policia etj. Një herë e përgjithmonë, drejtësia te shkojë në vendin e vet. Ne kemi pasur padrejtësira të tjera ndaj drejtuesve të UÇK-së. Të gjithë i kanë marrë në mënyrë të padrejtë në pyetje. Tani kjo Gjykatë Speciale me dëshmi të falsifikuar prej Serbisë”, tha ai.
Gjithashtu një pjesëmarrës në protestë tha se nuk kishte ardhur për politikanët në protestë.
“Nuk kam ardhur për politikanët shqiptarë, se janë të gjithë të korruptuar, por kam ardhur si gjak shqiptari”, tha ai.
Një protestues tjetër bëri thirrje për lirimin e krerëve të UÇK-së.
“Flas në emrin tim dhe në emrin e këtyre, le të lirohen të pafajshmit”, tha ai.
Ndërsa një tubues tjetër për pjesë marrje në protestë.
‘Iu bëj thirrje të gjithë atyre që janë shqiptarë, të na bashkëngjiten në protestë’
Mijëra shqiptarë kërkojnë drejtësi, ja për çfarë akuzohen
ish-krerët e UÇK-së dhe çfarë po ndodh me gjyqin në Hagë
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, figura qendrore të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen prej 5 vitesh të arrestuar në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa procesi ndaj tyre nisi vetëm në vitin 2023.
Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli drejtoi shërbimin e inteligjencës, Krasniqi ishte zëdhënës. ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.
Ndërsa gjithshka nisi nën pretendimet për trafik organesh, që nuk u vërtetuan kurrë, ndaj të katërve u ngritën akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Krime të cilat dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë. Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.
Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve. Procesi në Hagë po shkon drejt përfundimit, pasi muajin e kaluar mbrojtja e Thaçit thirri dëshmitarët e parë.