U krijua në Ditën e Flamurit për të mbajtur të papërlyer Flamurin e Skënderbeut e Ismail Qemalit
- Komandanti i Përgjithshëm Spiro Moisiu i dorëzoj flamurin luftarak komandantit të Brigadës Beqir Balluku. Kjo ditë u kthye në një ditë feste ku nuk pushuan këngët partizane e patriotike dhe vallet popullore. Brigada II Sulmuese, jo rastësisht u formua në Shqipërinë e Mesme, në afërsi të kryeqytetit, në zemrën e reaksionit më të tërbuar
Historia e Brigadës II Sulmuese është historia e luftës dhe e përpjekjeve të atyre bijve dhe bijave shqiptarë që erdhën në gjirin e kësaj njësie nga zona dhe krahina të ndryshme të Tiranës, Elbasanit, Gjirokastrës, Mallakastrës, Kurveleshit, Kolonjës, Librazhdit etj. Këta bij e bija të thjeshtë të popullit vullnetarisht lanë vatrat e ngrohta qetësinë e tyre familjare dhe u bashkuan me familjen e madhe partizane ku luftuan me trimëri e vetmohim në emër të çështjes të çlirimit kombëtar dhe shoqëror të popullit, për të mbajtur të papërlyer Flamurin e Skënderbeut e Ismail Qemalit, për një jetë më të mirë pa shtypje dhe shfrytëzim, për të cilën dhanë kontributin e tyre të çmuar.
Brigada II Sulmuese është një nga formacionet e para e më të mëdha partizane. Ajo u krijua me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ SH, më 28 Nëntor 1943, në fshatin Skrep të Shëngjergjit në rrethin e Tiranës. U krijua pikërisht në ditën simbol të kombin tonë, në ditën e shpalljes së pavarësisë që të luftonte për të shporrur pushtuesit fashistë e pr të fituar lirinë e munguar e pavarësinë e humbur. Në inaugurimin e Brigadës mori pjesë vetë udhëheqësi i Luftës, Enver Hoxha, i cili përshëndeti partizanët dhe popullin e Shëngjergjit e fshatrave të tjerë përreth me një fjalim shumë të rëndësishëm i cili ngriti peshë zemrat e partizanëve, masës se popullatës, sidomos të rinisë të kësaj zone. Komandanti i Përgjithshëm Spiro Moisiu i dorëzoj flamurin luftarak komandantit të Brigadës Beqir Balluku. Kjo ditë u kthye në një ditë feste ku nuk pushuan këngët partizane e patriotike dhe vallet popullore. Brigada II Sulmuese, jo rastësisht u formua në Shqipërinë e Mesme, në afërsi të kryeqytetit, në zemrën e reaksionit më të tërbuar. Koha, vendi dhe situata në të cilën lindi Brigada II Sulmuese karakterizohej nga një sërë vështirësi serioze. Ishte Dimër dhe zona ku vepronin partizanët ishte ndër më të varfërat. Ishte pragu i Operacionit të madh të Dimrit, të cilin pushtuesit nazistë dhe tradhtarët e Ballit Kombëtar e të Legalitetit e kishin përgatitur prej kohësh duke patuar si qëllim që, me anën e tij, të zhduknin Shtabin e Përgjithshëm, të shkatërronin Ushtrinë NÇSH dhe të shuanin krejt luftën partizane e cila ishte bërë tmerr për armiqtë dhe shpresë për popullin.
Pavarësisht vështirësive, që nga dita e krijimit e deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë Brigada II kreu aksione të njëpasnjëshme kundër pushtuesve nazistë. Ajo përshkoi territore e zona të tëra në gjithë Shqipërinë dhe çliroi një sërë krahinash e qytetesh. Ajo përshkoj një rrugë plot sakrifica, e heroizëm. Ajo mbajti gjithnjë lidhje të ngushta me popullin, luftoi me heroizëm dhe u bëri ballë operacioneve naziste – gjermane dhe reaksionit më të madh e të egër të Shqipërisë së Mesme në dimrin e vitit 1943-1944. Në aktivitetin e saj luftarak Brigada II Sulmuese ka një varg veprimesh të rëndësishme luftarake e politike. Ajo zhvilloj luftime kundër pushtuesve në krahinën e Dibrës, Çermenikë, në krahinën e Tiranës; Priskë, Brar, Pezë, Fushë-Krujë, Ishëm, në rrethinat dhe brenda në Tiranë. Një nga aksionet brenda në kryeqytet ajo kreu aksionin kundër forcave mercenare në “Shkollën e Kuqe”, më 17 janar 1944 ku njësia partizane e komanduar me zgjuarsi, zotësi e trimëri të rrallë nga komisari i batalionit të parë Kozma Naska, i cili hyri në oborrin e “Shkollës së kuqe” ku ishte vendosur një repart i Regjimentit Kosovar të drejtuar nga Xhafer Deva dhe i shpartalloi… Ky aksion tronditi thellë kundërshtarët dhe entuziazmoi opinionin e popullit të Tiranës, rriti më tej besimin e tij te populli dhe krijoi bindjen se vetëm partizanët, bijtë e tij, do të sjellin çlirimin e kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë.
Brigada II Sulmuese kalo vështirësi e peripeci të ndryshme, të diktuar nga kushtet e motit dhe të agresioni i tmerrshëm armik kundër dhe u shpërnda, po nuk ja ulin aspak lavdinë. Ajo u shpërnda për t’u riorganizuar në Korçë. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm Brigada II, në pranverën e vitit 1944, kaloi nga Shqipëria e Mesme në Qarkun e Korçës ku u plotësua dhe u riorganizua me forca të reja. Në qarkun e Korçës Brigada u dyfishuan: nga 600 në 1400 partizanë, pjesa më e madhe ishin të rinj, që i dhanë gjallëri të madhe Brigadës, sollën freski, trimëri e guxim rinor. Kjo bëri që në aksionet e njëpasnjëshme luftarake që pasuan njëri-tjetrin të kishte me shumë rini dhe vetëm fitore. Janë ta paharruara luftimet në Qafën e Qarrit, Devoll, Bozhigrad, Vithkuq, në fushën e Korçës, në Pojan e Zëmblak etj.. Në këto zona për gati 6 muaj me radhë partizanët e Brigadës II, së bashku me njësitet guerile të fshatrave i dhanë goditje të fuqishme e të pandërprera forcave gjermane të përqendruara në qytete dhe në garnizone të fortifikuara. Një nga aksionet e suksesshme të Brigadës qe ai i 17 shtatorit 1944 ku në bashkëpunim me batalionin “Skënder Çaçi”, në afërsi të fshatit Dëshnicë, sulmuan forcat gjermane që ishin përqendruar në garnizonin e Korçës. Aksioni ishte i fuqishëm dhe krijoi panik te nazistët të cilët nga zjarri partizan u shpartalluan dhe u tërhoqën.
Gjatë muajve shtator-tetor partizanët e Brigadës II çliruan Leskovikun, Ersekën, Bilishtin. Në bashkëpunim me Brigadën IX S dhe një batalion të Brigadës XX S çliruan Korçën më 24 tetor 1944. Luftimet për çlirimin e qytetit të Korçës vazhduan tri ditë e tri netë rresht. Në këtë aksion forcat naziste e bashkëpunëtorët e tyre pësuan dëme të mëdha.
Pas çlirimit të Korçës brigada vazhdoi aksionet për ndjekjen e forcave gjermane gjatë rrugës Strugë, Qafë Thanë, Përrenjas, Hotolisht, Librazhd etj. Në aksionet e shumta përgjatë kësaj rruge pësoi dëme në njerëz e materiale luftarake.
Në të gjitha këto aksione brigada diti të koordinojë mirë bashkëpunimin me popullin, rininë e forcat e terrenit, ku jo vetëm shpartalloi armiqtë dhe reaksionin, por luajti një rol të madh në ngritjen e Këshillave NAÇ dhe në propagandimin e LANÇ, si e vetmja mundësi për çlirimin e vendit.
Brigada II S u rreshtua në Divizionin VI S së bashku me Brigadën IX dhe Brigadën XX duke marrë pjesë në Korparmatën II dhe pas çlirimit të vendit në Korpusin II me qendër në Berat. Familja e madhe partizane e brigadës u kthye në një shkollë edhe për edukimin ushtarak e edukimin e përgjithshëm moralo-politik të partizanëve. Ishte kjo familje partizane që ngriti lart frymën patriotike e atdhetare. Midis partizanëve lindi dhe u kalit ndenja e solidariteit, kolektivitetit e sakrificës dhe miqësisë. Partizanët ndanin me njëri-tjetrin edhe kafshatën e gojës.
Sot, në 82 vjetorin e Brigadës së tyre partizanët që janë gjallë, bashkë me pasardhësit e veteranëve përulen me respekt ndaj asaj lufte heroike për çlirimin e Atdheut, përulen para gjakut e veprës së 43 partizanëve e partizaneve të kësaj brigade që ranë në fushën e betejës si për të mos vdekur kurrë si: Heroi i Popullit Kozma Naska, Besim Imami, Alqi Kondi, Shejnaze Juka, Kostandina Gaçe, Neshat Kondi, Kleanthi Manastirliu, Nazmi Gaba, Raqi Themeli, Sul Misiri, Llazar Mango, Jaçe Hormova, Ymer Demiri etj.
LANÇ është një nga vlerat më të shkëlqyera të historisë së popullit tonë, është e papërsëritshme dhe e patjetërsueshme. Ajo Luftë që e lidhi popullin tonë me aleatët më të mëdhenj të koalicionit antifashist të Luftës II Botërore, është vlerësuar me notën shkëlqyeshëm nga gjithë shtetet e popujt progresistë që luftuan kundër murtajës nazifashiste.
Kushdo që guxon të hedhë baltë mbi LANÇ, të bëjë histori mbi histori nuk ja arrin dot. Historia nuk kthehet pas. Ajo është shtruar njëherë e përgjithmonë. Le ta mësojë brezi më i ri i vendit, se me gënjeshtra e hipokrizi nuk ka histori. Historia e vërtetë është e partizanëve dhe jo e ballistëve që u shitën te fashizmi e shitën Shqipërinë ashtu siç po bëjnë edhe sot.