Org.Bashkuar e Veteranëve të LANÇ dhe Pasardhësve, mesazh urimi për Prof. Hakon

Nga Pano Hallko

…Në orën e caktuar sipas takimeve që ka lënë, me skrupulozitetin e një nëpunësi teknokrat, i cili kushedi se kur do të (ri) duket në këtë shtet, ai ndodhet në tavolinë, në Misionin e tij si Kryetar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ. Nis kështu, në mëngjesin e çdo dite “që ka falur zoti”, një luftë-vija e frontit të së cilës është në gjatësi fizike 95 vjeçare…

Shikimi i tij teksa të flet, tretet diku larg edhe kur ndodhesh vetëm një metër larg tij, zëri i buçet në bisedë e sipër, jo rrallë shpërthen kundër padrejtësive që ka parë e përjetuar në këtë vend gjatë… plot 95 viteve!

Për ata që e njohin nga afër, mund të përcaktohet edhe si përjashtim biologjik, pasi njëri nga parametrat kryesorë të njeriut, te profesor Hulusi Hako, pra Kujtesa, ecën kundër ligjeve të natyrës dhe në përpjesëtim të zhdrejtë me parametrat e tjerë.

Kujtesa e tij-pa e tepruar aspak do të thoshim e rrallë për realitetin shqiptar, nuk do t`ia dijë për datëlindjen e largët të tij, përkundrazi, ajo “mprehët”, në “kaishin” e madh e të pafund të kohës, freskohet vazhdimisht, kushedi se në çfarë mënyre të rigjenerimit të neuroneve, rend ndër vite, deri në historinë e luftërave të padrejta që iu imponuan kombit tonë.

Meqenëse shkruesi i këtyre radhëve bën pjesë ndër ata që patën fatin ta kishin pedagog në kohën kur në këtë vend bëhej shkollë, nuk mund të mos ta uronte sot, publikisht, në jubileun e 95-të të datëlindjes së tij.

Profesor Hulusi Hako përbën sot, pa asnjë lloj zmadhimi një pasuri kombëtare, një kapital të patundshëm, e pse jo, edhe një pikë reference për krenarinë kombëtare, në të gjithë hapësirën shqiptare…

Më 20 Tetor 2025 Hulusi Hako mbush 95 vjeç. E veçanta e tij qëndron në faktin se është ndër të rrallët personalitete shqiptare, i cili ka jetuar në katër regjime të ndryshme. Edhe sikur ai të ishte “njëri nga ne të tjerët”-sa i takon mençurisë dhe potencialit intelektual, si dëshmitar okular e përjetues i kthesave më dramatike që ka përshkuar kombi ynë qysh pas shpalljes së Pavarësisë e gjer më sot, ai-vetiu e pa diskutim, do të ishte “Monument Natyre” e duhej të mbrohej nga shteti-të cilit kushedi se kur do t`ia shohim fotografinë në kuptimin e sipërpërmendur.

Nuk ka rëndësi se ku lind një djalë shqiptar, në buzën e detit, apo në fushën e Myzeqesë, në Bjeshkët e larta, apo në vende kodrinore-malore si Delvina. Geni i fuqishëm trashëgon në mënyrë besnike gjithçka të mirë dhe e transmeton me të njëjtën besnikëri në brezat pasardhës.

Thuhet kjo, sepse në kushte të tjera e vende të tjera, do të ishte si “parakusht” që një njeri i cili në jetën e tij do jepte kaq kontribute shoqërore, shkencore dhe intelektuale, “duhej të kishte lindur, e vitet e vegjëlisë dhe të adoleshencës, t`i kishte kaluar në një shtëpi mondane me libra të shumtë e të rëndë nga pesha e kapakëve të lëkurtë”, etj. etj. si këto.

Me shqiptarët nuk ndodh kështu, pra nuk është i vlefshëm ky parakusht. Edhe kur djali lind në majë të malit apo buzë një lumi, Kodi i veçantë që kanë kombet në transmetimin e tipareve, ndërmjet sinjaleve të tjera i çon në vesh e në mendje dhe mëpastaj u jep misionin e tyre në fushën e duhur, shoqëruar edhe me “detyrën” për të…gjatëjetuar!

Profesorit, iu ngarkua misioni për të qenë një mësues i madh, e një veprimtar shoqëror i rrallë. Mision, të cilin ai po e kryen përditë, si pak të tjerë dhe me përpikëri e fuqi shpirtërore të rrallë.

ME PUSHKË, E

Më datën 8 të këtij muaji, gazeta “Dita” siç ishte në nderin e saj, botoi një shkrim të tjetërllojtë me firmën e profesor Hulusi Hakos. Me titullin “Të festojmë, duke mos harruar”. Ishte ky shkrim shumëplanësh për luftën e bërë për çlirimin e Delvinës dhe Sarandës.

Aq sa ishte një kujtesë e përmbledhur e ngjarjeve dhe një Homazh i shkëlqyer për të rënët në atë luftë, po aq, ishte edhe thirrje e përmbledhur për shtetin dhe për shoqërinë shqiptare. Një thirrje, në kushtet ku ndodhet bota sot, e doemos Shqipëria.

Besoj se kur ka nënvizuar “duke mos harruar”, ai ka pasur parasysh disa raste në historinë tonë të largët…

Në Betejën e Pelionit në vitin 335 p.e.s. që e ka përshkruar në mënyrë të shkëlqyer Akademik Neritan Ceka, biri i Bardhylit-Kliti, luftonte me trupat e Aleksandrit diku në malësitë e Pogradecit, në Pelion. I thyen kundërshtarët bijtë e Shqipes, e armiku u largua. Por Aleksandri që nuk ishte edhe aq “i largët” në breza fisnorë me ta, u tha vartësve të tij: -Shkoni përsëri atje mbas 24 orësh, se do ta keni të lehtë, pasi do t`i gjeni duke festuar”. Armiku erdhi, i gjeti duke festuar, e i përzuri shqiptarët nga vija që mbronin këta tanët.

Po kështu edhe në Berat me otomanët, pasi forcat e Skënderbeut i thyen armiqtë, e njëjta gjë ndodhi. Kuptohet, Skënderbeu ndodhej në Krujë dhe i porositi komandantët që nisi atje: -“Kujdes pas betejës, se e di që do fitoni”… Po ku mbahemi ne, kur fitojmë? Ia nisim “betejës” me verën (atëherë kishte plot nga ajo e uruar, pa sot pijmë “verë” pa kartë identiteti dhe.. e pagëzojmë “verë Lundre”, e prodhuar nga vreshtat që u shkulën para 25 vitesh, e u mbollën vilat në atë vend…

Profesori i nderuar, jepte me finesë mesazhet e tij për politikën, doemos mesazhe për ushtarakët, kur përmendte komandantin e postës së Sarandës në 7 Prill të vitit 1939…
I jepte këto mesazhe, sepse ai e përjetoi luftën, madje duke luftuar edhe ai, në kushtet dhe moshën që kishte.

Ndoshta do ishte mirë, që link-u i atij shkrimi të ishte në rrjetet e shumta që na marrin frymën me njëmijë e ca…“lajme”!

ME PENË…

Personalitete të këtyre përmasave, kanë të drejtën t`i shikojnë të gjithë drejt në sy, sepse janë misionarë që nuk dinë të pushojnë së përpjekuri dhe luftuari, në fushën e edukimit dhe të ruajtjes së vlerave të larta njerëzore, shoqërore dhe kombëtare.

Profesori prodhoi vepër të madhe edukative dhe kombëtare në shërbim të edukimit të brezave.
Tridhjetë e pesë vite pedagog, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në brezat e studentëve që kanë kaluar në auditorë. Një ligjërues i rrallë e me sqimë i Shqipes.

Mbresat më të fuqishme në shkollimin e tij, ai i përjetoi në gjimnazin e Gjirokastrës “Asim Zeneli”. Kanë mbetur në kujtesën e njerëzve fjalët e tij të urimit para gjimnazit, në 100 vjetorin e asaj shkolle: -“Këto klasa janë 100 vjeçare. Por vetë gjimnazi, është 20 vjeç, është aq vjeç sa isha unë, kur u diplomova këtu. Është aq vjeç, sa janë maturantët e tij të sivjetmë”…

Ai ishte bashkënxënës me Dritëroin e madh. Qysh kur ishte në bankat e asaj shkolle, atij iu ngarkua të mbulonte aktivitetet kulturore. E jo vetëm në gjimnaz, por në gjithë fshatrat e rrethit, fshatrat e atyre viteve… Dhe ai shkëlqeu.

Në vitet e para të së ashtuquajturës demokraci allashqiptarçe, profesorin e sulmoi vulgu i këtij vendi, se ai na paskej cenuar besimet fetare me librat e tij. Do ishte e pa vend, të merremi me këtë “krim” që paska bërë ai, e mjafton të sjellim vetëm një shembull.

Dikur, në mesvitet `70-të, në sezonin e provimit në Universitet, shkon përpara komisionit për t`u përgjigjur, një vajzë, të parët e së cilës i takonin besimit katolik.

Vajza u përgjigj relativisht mirë në pyetjen “Roli i feve në Shqipëri”.

Dhe u vlerësua nga komisioni, me notë të mirë. Mbasi mori librezën e notave në dorë, vajza duke u ngritur, i drejtohet profesor Hulusiut: -“Profesor, a mundem të vij t`ju them diçka nga afër”? -Patjetër, ia pret ky. Dhe studentja i thotë në vesh me zë të ulët: -Profesor, unë e kam mësuar për notë lëndën, por në fakt besoj”…

Profesori u ngrit në këmbë, e përqafoi dhe i tha me zë të lartë: -“Vazhdo të besosh, bija ime. Nuk është faji yt, ky fakt. Është pa aftësia ime, që nuk të binda dot, për të kundërtën”…

Ja pra, ky ishte ateisti që “vrau dhe preu” në këtë vend!

Leksionin e parë të ateistit, ai e mësoi nga nëna e tij, në vitet `30-të të shekullit të kaluar, në moshën 7 vjeç, teksa dëgjonte nënën, kur thoshte:

-“Do hamë për darkë, ç´të na japë xhiko perëndia”. Por dominues në gjykimin e saj, ka qenë skepticizmi i shfaqur me arsyetimet:-“Gjithë këto vuajtje, sëmuren dhe vdesin fëmijë, bëhen luftëra e padrejtësi, ku është ky zoti, që nuk ndërhyn dhe nuk vë dorë?”

Citohet ky çast nga Kujtimet e profesorit, për të treguar një fakt të madh. Që ateizmin, e kryesisht skepticizmin për besimet fetare, shqiptarëve nuk ua solli Hulusi Hako. Ai “e gjeti mes tyre” dhe thjesht e vendosi në shinat e shkencës, e në logjikën e shëndoshë…

Janë të shumtë librat e profesorit edhe pas viteve `90-të. Besoj se e vlen të veçohet libri i tij me titull “Kosova-ëndrra ime” (Komb-shteti i shqiptarëve, vepër e atdhetarëve të përkushtuar e vizionarë), i botuar në vitin 2012, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Ky njeri me gërmë të madhe, ka rreth tre vite që është në krye të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it. Nga sa ka ndjekur shkruesi i këtyre radhëve nëpër media dhe portale, e vetmja që mbetet të thuhet, është: -Për tani, në këtë moshë, i mbetën vuajtjet këtij njeriu?!

Hulusi Hakon do ta kishte për nder ta kishte Kryetar, cilado shoqatë apo organizatë e ngjashme, kudo në botë. Mirëpo nuk ndodh kështu tek ne. Sepse kështu ka ndodhur (që të mos ndodhë ajo që duhet të ndodhë tek ne), ndër kohëra!

Nejse, le t`ua lemë “rivalëve” të padenjë këto, që të mos prishim gëzimin, në këtë datëlindje të 95-të të tij…

Diku në shkrimin e tij të datës 8 të muajit në vazhdim, botuar në këtë gazetë prestigjioze, profesori nënvizon: -“U linda në luftë dhe e përjetova atë ndjeshëm, në moshën që kuptoja dhe përjetoja gjithçka. Përjetova shpirtërisht si padrejtësi, çdo luftë që është bërë në çdo pikë të globit, në vitet që jam në jetë. E si çdo njeri që është në moshë të thyer, do dëshiroja që botën ta lija në paqe. Po ja, që nuk qenka e thënë”…

Edhe pa lejen e tij, me këtë merak që ka, jam qartazi kundër. Sepse profesori nuk ka dijeni për një fakt që ka ndodhur; Është bërë marrëveshje mes Kodit të tij gjenetik dhe gjithë shenjtorëve të të gjitha feve dhe imamëve, një Marrëveshje në të cilën është vendosur, se…Profesor Hulusi Hako, do jetojë gjatë!

Kështu që mund të ndodhë, që ai ta shikojë dhe ta lerë botën, në paqe të plotë. Pse jo? Ekziston një kohë, kur njerëzit mund të bëhen të mirë e të drejtë. Por kjo është në fuqi edhe për popujt, kombet, shtetet, kontinentet, për gjithë botën…

Jetëgjatë dhe mendje të freskët, i nderuar Profesor!