Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Në mbarim të takimit përkujtimor me rastin e 83 vjetorit të Konferencës së Pezës, vizita në kompleksin bujqësor e blegtoral, në Pezë të Madhe qe vërtetë mbresëlënëse.
Në atë parajsë përrallore, brenda 5-6 hektarëve, me stalla moderne lopësh e pulash, me foragjere e pemëtore, gjithkush do të ndjehej i magjepsur. Gjithshka e ideuar dhe realizuar sipas vizionit e arkitekturës së sipërmarrësit të suksesshëm Kadri Cani, që nga porta hyrëse, dy godinat e pusi 88 metra i thellë (nga i cili, siç pohon ai, ka furnizuar edhe dhjetra shtëpi pezakësh që vuajnë mungesën e ujit).
Deri këtu, duket se gjithshka shkon si në vaj.
Por thellë në qënien e Kadri Canit dallon shqetësimin e të vetmuarit. Dhe ai nuk e fsheh këtë shqetësim. Ndërsa ulemi para njërës godinë për të shijuar rrushin, kumbullat e mollët e sapovjelura dhe rakinë e sapozjerë, Kadriu s’ndjehet aspak i qetë.
“Kemi harru me qeshë”, na thotë në një moment. Dhe vijon: Sot m’u largua pa e nisur punën edhe i vetmi punëtor që munda të gjeja, duke i premtuar se do ta paguaja me 5 mijë lekë të reja dita si dhe siguracion ligjor. Dhe s’qe ndonjë punë e rëndë, i thashë të më ndihmonte të zieja rakinë nga rrushi i sapo vjelur.
Para disa ditësh mora edhe dy të huaj, (më duket se ishin bangladeshas), por edhe ata u larguan se nuk e përballonin punën… E kështu, i vetëm e kam tejet të vështirë të zhvilloj më tej këtë kompleks të ndërtuar me mund e djersë… dhe duke ja paguar shtetit të gjitha detyrimet një e më një….
Sa i trishtë ky realitet kur edhe një sipërmarrësi si ky i ka ngrirë buzëqeshja!