Karakteri atdhetar i luftërave të Skënderbeut, themelues i shtetit të parë kombëtar shqiptar

• Historiani i mirënjohur Prof. Dr. Kristo Frashëri, në veprën e vet “Skënderbeu, jeta dhe vepra” ka saktësuar se, “Skënderbeu nuk zhvilloi luftëra pushtuese, nuk shtypi popuj të ndryshëm dhe nuk krijoi perandori botërore. Ai luftoi me tërë pasionin e pafund dhe me tërë gjeninë e jashtëzakonshme për të mbrojtur atdheun e vet dhe në interes të popullit të vet, mbretërinë e lirisë, për të mbrojtur këtë mbretëri jo vetëm nga armiqtë e Lindjes, por edhe nga grabitësit dinakë të Perëndimit”

Prof. ALI HOXHA

….Por ajo që është më e pakonceptueshmja për ne, është fakti se karakterin atdhetar të luftës 25-vjeçare të Skënderbeut e ka mohuar edhe personi që aktualisht mban postin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z.Gramoz Ruçi, në fjalën e tij në Vatikan, në “Udiencën që mbajti Papa Francesku me rastin e Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të vdekjes, kur z.G.Ruçi e quajti Skënderbeun “Mbrojtës i Krishtërimit” dhe “Atlet i Krishtit” (“Telegraf”, datë 20 Nëntor 2018, fq.3).
Një vlerësim i tillë antishkencor, i pasaktë për Skënderbeun, nuk mund të shpjegohet ndryshe, përveçse me teorinë e globalizmit dhe me Sistemin shoqëror të Ekonomisë së Tregut ku, sipas tyre, për pak pragmatizës të çastit, u lejuaka që të bëhet tregti me gjithçka: deri edhe me shitjen apo faljen e heronjve të kombit të tjerëve, deri edhe në shtrembërimin e historisë.
Lidhur me nxjerrjen e konkluzioneve dhe interpretimin e ngjarjeve historike, mbi bazën e kronikave të ndryshme për Skënderbeun dhe luftën e tij, Prof. Kristo Frashëri, shkruan:
“Njoftimet kancelareske, kronikale, epistolare dhe memorialistike, janë subjektive… ata nuk vijnë nga një dorë e vetme…, por nga fronte të ndryshme të frymëzuara nga interesa të veçanta, sidoqoftë të pavarura njëri nga tjetri, madje në shumë raste, nga fronte kundërshtare midis tyre, disa tepër miqësore dhe disa tepër armiqësore ndaj Shqipërisë, ndaj luftës së shqiptarëve dhe ndaj politikës së Skënderbeut. Kështu, për shembull, letrat e papëve, sidomos ato të Kalikstit III drejtuar Skënderbeut, janë të gjitha me notë panegjirike. Papët e ngrenë lartë heroin shqiptar, e nxitin ta vazhdojë me vendosmëri luftën kundër sulltanit për mbrojtjen e krishterimit dhe nuk ngurojnë ta quajnë “athlet të Krishtit” (Athleta Christi) – atlet në kuptimin e luftëtarit të madh që mbron një çështje fisnike. Në bazë të këtyre letrave jo pak historianë e kanë vlerësuar Skënderbeun si një kapiten që luftoi për mbrojtjen e krishterimit. Përkundrazi, Republika e Venedikut nuk e cilëson asnjëherë përleshjen shqiptaro-turke si luftë fetare…” (Kristo Frashëri “Marin Barleti panegjirik, fjalimet e heronjve të trilluara”, te “Gazeta Shqiptare” dt. 17 shkurt 2012, f. 20-21).
Në këtë këndvështrim, nisur nga fakti se lufta çlirimtare dhe mbrojtëse e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut ka penguar, njëherësh, edhe kalimin e ushtrive osmane përtej Adriatikut, në Itali etj., kurrsesi nuk duhet të spekulohet me keqinterpretime subjektiviste të tilla, që për hir të interesave pragmatiste të çastit, të arrihet deri aty sa t’i ndryshohet edhe karakteri atdhetar i luftërave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut duke u dhënë atyre karakter fetar, sikur gjoja ata paskan pas prioritet mbrojtjen e krishterimit.
Lidhur me sa më sipër, theksojmë se deri më sot, pas më shumë se pesë shekuj nga vdekja e Skënderbeut, nuk është gjetur asnjë dokument historik që të flasë për Skënderbeun dhe ku ai të jetë shprehur me gojën e vet se ai ka qenë “mbrojtës i krishterimit”. E shprehur më qartë, nuk gjendet asnjë pohim që Skënderbeu të ketë pranuar se ai ka luftuar për të mbrojtur krishterimin.
Në këtë aspekt, në favor të mendimit tonë na vjen në ndihmë një dokument autentik i kohës së Skënderbeut, i panjohur deri më tani nga historiografia, por i zbuluar para pak kohësh nga historiani Oliver Yens Schmitt. Ai mbi bazën e atij dokumenti, si në veprën e vet kushtuar Skënderbeut, ashtu edhe në intervistën e tij, dhënë publicistit Fatos Lubonja para pak kohësh, ka konkluduar se “lufta e tij (e Skënderbeut-A.H) kundër Sulltanit s’ishte gjë tjetër veçse hakmarrje personale ndaj vrasjes së të atit”, e thënë ndryshe ai pohon se Lufta e Skënderbeut nuk ka pas karakter fetar, me të cilin jemi dakort. Ndërsa lidhur me pjesën e dytë të mendimit të tij “…për hakmarrje personale …” mendojmë krejt ndryshe nga Schmitt-i. Për të qenë i saktë dhe me qëllim që lexuesi të nxjerrë konkluzionet e veta objektive, po citojmë këtu disa fragmente nga intervista e Schmitt-it:
“Para së gjithash, nuk kemi pasur asnjë dokument mbi motivet personale të Skënderbeut, që, sikurse e kam theksuar që në fillim, nuk i japin, megjithatë, një shpjegim motivesh kryengritjes … Në fakt dokumenti në fjalë na jep informacion mbi politikën italiane dhe na përshkruan audiencën e ambasadorit të Skënderbeut në Romë. Skënderbeu quhet në këtë kontekst një “infide” (i pafe) (e thënë ndryshe, Skënderbeu konsiderohet mysliman-A.H.), një e dhënë kjo që u korrigjua nga i njëjti ambasador disa ditë më vonë në një raport të dytë, që e plotësoi të parin …
Për të gjykuar vlerën e burimit, duhet pasur parasysh edhe situata politike e atij momenti: Kostandinopoli kishte rënë disa muaj më parë dhe Papa Nikolla V po përpiqej dëshpërimisht të organizonte rezistencën kundër përparimit Osman. Në këtë moment, një ambasador nga Shqipëria kërkon ndihmë dhe thekson se zotëria i tij nuk po lufton për fenë e krishterë, por për “odio privato”. Thjesht, nuk ka arsye pse diplomatët milanezë të kenë sajuar një histori të tillë. Do të kishte qenë shumë më e lehtë që ata të kishin raportuar për një princ ballkanas që po kërkonte ndihmë në një luftë fetare kundër Perandorisë Osmane myslimane, argument ky që do t’u vinte shumë për shtat edhe ideve politike të papës dhe klimës politike në Italinë e asaj kohe. Ambasadorët e Skënderbeut duhet ta kenë kuptuar se pozicioni i tij ishte disi i pavolitshëm, sepse papa sigurisht do të ishte më i gatshëm të mbështeste një princ të krishterë që paraqiste veten si kampion të krishtërimit kundër islamit, sesa një fisnik që ishte përfshirë në një konflikt personal me sulltanin dhe ambasadorët e të cilit theksonin se feja nuk luante ndonjë rol në këtë ndeshje. Nuk është për t’u habitur që Skënderbeu ndërroi shumë shpejt strategji dhe u përpoq të sigurojë ndihmë si kampion i një lufte fetare, ide kjo që u zhvillua vite më vonë nga Papa Kaliksi III. Prandaj mendoj se një analizë e dokumentit dhe e kontekstit të tij shpie në përfundimin se ambasadorët milanezë thjesht kanë raportuar çfarë dëgjuan nga ambasadori i Skënderbeut. Ata s’kishin pse ta ndryshonin parashtrimin e tij që ishte mjaft i informuar edhe për sa i përket strategjisë detare të Mehmetit. Dhe s’është se ata kanë përçuar thashetheme, sepse kanë qenë vetë dëshmitarë të audiencës”. (Oliver Yens Schmitt: Lufta e Skënderbeut, hakmarrje personale”, “Panorama”, e hënë 08 tetor 2012, fq.18).
Faktet që mësojmë nga dokumenti i lartëpërmendur, se në raportin diplomatik të ambasadorëve italianë dërguar Selisë së Shenjtë, Skënderbeun e quajnë “infide” (të pafe) d.m.th. musliman, sepse çdo jo të krishterë, njerëzit e besimeve të tjera, Selia e Shenjtë i konsideronte “të pafe” (infide), si edhe fakti se komenti që bën vet Oliver Yens Schmitt, kur pohon se “një ambasador nga Shqipëria kërkon ndihmë dhe thekson se zotëria i tij (d.m.th. Skënderbeu-A.H) nuk po lufton për fenë e krishterë …” është një argument autentik dhe tepër bindës që vërteton se lufta e Skënderbeut kundër Sulltanit nuk ka pas asnjë karakter fetar por thjesht patriotik. Ndërsa lidhur me interpretimin e Schmitt-it, se Skënderbeu paska luftuar kundër Sulltanit për “odio privato” për hakmarrje ndaj vrasjes së të atit” (“Odio privato” mund të përkthehet si hakmarrje” – sqaron Schmitt, po aty, fq.19), e sqarojmë historianin gjerman Schmitt se në konceptin shqiptar mbrojtja e të drejtave dhe e hakut dhe marrja e gjakut për babanë dhe prindërit e vëllezërit etj, nuk është jashtë patriotizmit, por, bile, pikërisht këtu fillon patriotizmi. Theksojmë se fjala “atdhe” (term ky, sipas prof.E.Çabejt, i krijuar nga F.Konica) në gjuhën shqipe vjen nga fjalët “dheu i atit, i babës”, kurse fjala “mëmëdhe” që kanë pas përdorur rilindasit shqiptarë, vjen nga fjala: “dheu i mëmës, i nënës” (“Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka”, – ka shkruar A.Z.Çajupi). Në këtë këndvështrim theksojmë se atdheu e atdhedashuria fillojnë, së pari, nga babai e nëna, nga shtëpia e lagjja dhe pastaj më gjërë, atdhe quhet e gjithë sipërfaqja e tokës deri në piramidën e kufirit të shtetit amtar. Prandaj një njëri që nuk lufton për të mbrojtur të drejtat e prindërve të vet, ai kurrsesi nuk mund të mbrojë as atdheun dhe as të tjerët; së pari, njeriu duhet të jetë nacionalist në kuptimin patriot, pastaj internacionalist. Për pasojë, mendimi i Schmitt-it se lufta e Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane qenka bërë vetëm për “odio privato” (hakmarrje personale), është tepër subjektiv, alla Schmitt-çe.
Historiani i mirënjohur i ditëve tona, prof. Dr. Kristo Frashëri, në veprën e vet “Skënderbeu, jeta dhe vepra” ka saktësuar se, përderisa Skënderbeu luftoi jo vetëm kundër pushtuesve osmanë, por edhe kundër venedikasve, nuk mund të thuhet që ai luftoi si mbrojtës i krishterimit: “Skënderbeu nuk zhvilloi luftëra pushtuese, nuk shtypi popuj të ndryshëm dhe nuk krijoi perandori botërore. Ai luftoi me tërë pasionin e pafund dhe me tërë gjeninë e jashtëzakonshme për të mbrojtur atdheun e vet dhe në interes të popullit të vet, mbretërinë e lirisë, për të mbrojtur këtë mbretëri jo vetëm nga armiqtë e Lindjes, por edhe nga grabitësit dinakë të Perëndimit”. (Kristo Frashëri, “Skënderbeu…”, Tiranë 2002, f. 485).
Në përforcim të mendimit tonë se lufta e Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane nuk ka pas karakter fetar për të mbrojtur krishterimin perëndimor dhe se ai nuk ka qenë atlet i Krishtit, siç thonë disa të tjerë, ndihmon edhe pohimi i historianit tjetër të mirënjohur, z. Kasem Biçoku, kur shkruan: “Skënderbeu ka luftuar edhe kundër ushtrive të krishtera, si në vitet 1447-1448 kundër ushtrive veneciane, edhe në vite 1460-1461 kundër trupave të princit të Tarantit në Italinë e Jugut. Në radhët e ushtrisë shqiptare, përkrah njëri-tjetrit, kanë qenë luftëtarët e besimit të krishterë, katolikë e ortodoksë, por edhe të besimit mysliman, siç ka qenë vetë Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai… Skënderbeu dhe Hamzai kanë pasur deri në fund të jetës emra myslimanë”. (Kasem Biçoku, në “Tema”, 02 mars 2005, f. 9).Pra, argumentet flasin qartë se Skënderbeu ka qenë vetëm “atlet” i atdheut të vet. Por këtu, natyrshëm lind një pyetje: “Ku e mësoi ai këtë politikë dhe harmoni ndërfetare?”
Përgjigja e kësaj pyetje, për mendimin tonë, është vetëm kjo: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, vetëm pasi u bë Skënderbej, d.m.th. vetëm pasi u njoh me parimet e fesë islame, me Kuranin e shenjtë të myslimanëve dhe pasi e pranoi atë si fe të vetën, kur u njoh me ajete të tilla kuranore si ato ku theksohet ruajtja e identitetit personal e kombëtar, mbrojtja e lirive dhe e të drejtave të njeriut, jo vetëm si individ, por edhe si komb, si etni, pra të drejtat nacionale të kombeve e kombësive në përgjithësi dhe “nuk ka imponim në fe”, “ndalohet konvertimi në fe i tjetrit me dhunë”, atëherë atij iu zgjua ndjenja kombëtare dhe iu shtua më shumë ndjenja e mallit dhe e dashurisë për atdheun e vet, në momentin e përshtatshëm, kur iu krijuan kushtet për t’u kthyer në atdhe, në kohën e luftës së Sulltanit me J. Huniadin e Hungarisë, në nëntor të vitit 1443, Skënderbeu braktisi të gjithë titujt, ofiqet e nderet që gëzonte në oborrin e Sulltanit, ku ishte një nga gjeneralët më të lavdishëm të Perandorisë osmane dhe erdhi në Shqipëri. Së pari erdhi në Dibrën e vet, i pritur krahëhapur, prej nga ku bashkë me dibranët çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 dhe më pas, më 2 mars 1444, organizoi e drejtoi Kuvendin e Lezhës, nga ku me Beslidhjen e Lezhës krijoi dhe sanksionoi shtetin e parë kombëtar shqiptar, duke i bashkuar të gjithë principatat shqiptare në një shtet kombëtar. Me këtë akt, Skënderbeu, vuri në praktikë ajetet kuranore (urdhërat) të tilla që udhëzojnë për çlirimin e vendit, krijimin e shtetit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, si individ dhe si komb. Përndryshe, lind pyetja: “Atëherë, përse nuk e krijuan më parë shtetin shqiptar, ashtu siç bëri Skënderbeu në Kuvendin e Lezhës, asnjëri prej feudalëve shqiptarë të krishterë, bashkëkohës të Skënderbeut, siç ishin Aranitët, Balshajt, Dukagjinët, Muzakajt, Topiajt, Zahariajt, etj., të cilët jo vetëm ishin shumë më të pasur e më të fortë ekonomikisht sesa Skëndebeu e Kastriotët në atë kohë, por ata ishin dhe të lirë këtu, në Shqipëri, secili në pronën e në principatën e vet?!
Përgjigjja e kësaj pyetjeje retorike, dihet. Asnjëri prej princave shqiptarë të lartpërmendur të krishterë, as nuk e kishin konceptin e kombit shqiptar, por ata ishin të përçarë e të indoktrinuar nga ideja e globalizmit të krishterë dhe viktimë e politikës së Romës së vjetër “Përça dhe sundo!”
Ata nuk e njihnin fare përmbajtjen e fesë islame e të Kuranit, për të cilën, rilindësi i madh shqiptar, i krishteri, Anton Zako Çajupi, ka përcaktuar: “Ideja myslimane ishte e begatshme, instituive, spirituale.” (“Baba Tomorri”, Alis A. Z. Çajupi, “Rolet e besimeve fetare në Ballkan” (Cituar nga gazeta “Ballkani”, dt. 1 mars 2007, f. 17).
Mbështetur në gjithë sa sipër, kemi argumente të mjaftueshme që të konkludojmë se Skënderbeu është jo vetëm themelues i shtetit të parë kombëtar shqiptar, por njëherësh ai është edhe strategu dhe arkitekti i vënies në jetë të gurit themeltar në zbatimin e harmonisë ndërfetare në Shqipëri, ku shqiptarët muslimanë dhe të krishterë kanë bashkëjetuar në harmoni të plotë me njëri-tjetrin jo vetëm në kohë paqeje, por edhe në kohë lufte ata kanë qenë bashkëluftëtarë në të njëjtin front e në të njëjtën llogore në luftërat mbrojtëse kundër pushtuesve të atdheut tonë, qofshin ato kur vinin nga Lindja Islame, siç ishte ushtria e Perandorisë Osmane, qofshin kur pushtuesit vinin nga Perëndimi i krishterë, si në rastin kur Skënderbeu luftonte kundër ushtrive pushtuese veneciane. Për pasojë kjo traditë e vyer e popullit shqiptar vazhdon të jetojë edhe tani, në ditët tona, nga e cila habitet e gjithë bota.
Përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërkojnë të interpretojnë dhe t’i ndryshojnë karakterin atdhetar të luftës së Skënderbeut është konkluzioni shkencor i prof. Dr. Kristo Frashërit, i cili, në veprën e tij, përcakton: “Lufta çlirimtare një çerek shekullore me fitoret e saj të mahnitshme, e ndryshme prej kryengritjeve të mëparshme, është një nga veprat historike të Skënderbeut. Vepra e dytë historike, madje më e madhja për nga vlera historike është krijimi i shtetit me karakter kombëtar dhe jo partikularist.Vepra e tretë historike është, padyshim, kthimi i Shqipërisë në një gardh që pengoi kalimin e ushtrive osmane në Gadishullin Italik, duke mbrojtur qytetërimin evropiano-perëndimor”. (K. Frashëri, “Skënderbeu, jeta dhe vepra”, Tiranë 2002, f. 481, 482, 483). Përfundimisht, logjika e shëndoshë na çon në konkluzionin tonë se lufta e Skënderbeut ka karakter atdhetar. Ai krijoi shtetin e parë kombëtar me Besëlidhjen e Lezhës më 02 mars 1444 duke i bashkuar gjithë principatat shqiptare në një shtet kombëtar. Gjithë shqiptarët, muslimanë e të krishterë, nën udhëheqjen e Skëndëerbeut luftuan së bashku kundër pushtuesve, pa dallim feje, si ndaj atyre osmanë që ishin me shumicë muslimanë, ashtu edhe kundër pushtuesve venedikas që ishin të krishterë. Pikërisht për këto dhe shumë arsye të tjera, dy senatorët amerikanë, që iu drejtuan kongresit për një rezolutë në Kongres për Skënderbeun, e mbyllin kërkesën e tyre më këtë thirrje: “Të ftojmë qeverinë e SHBA-së që, në bashkëpunim me partnerë evropianë, ta përshpejtojnë integrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës së lirë në Bashkimin Evropian, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e madh dhe sakrificën e bërë nga Gjergj Kastrioti dhe populli
shqiptar për shpëtimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi osman”. (citimi sipas gazetës “tema”, datë 4 nëntor 2005, f. 9).
Sa aktual dhe i dobishëm është Skënderbeu për atdheun tonë, edhe tani, 550 vjet pas vdekjes së tij! Në këtë aspekt flet mjaft qartë intervista e ish-ambasadorit amerikan të SHBA-së në Shqipëri, z. Ëithers botuar në gazetën “Sot”, datë 19 janar 2012, f. 2, kur flet për zhvillimet politike aktuale në Shqipëri: “… Shqipëria ka një nga shembujt më të mëdhenj të udhëheqjes me gjithë historinë, që është Skënderbeu. Mjafton t’i hedhësh një sy modelit që ai ka lënë, pasi ai ishte një udhëheqës që solli bashkimin në Besëlidhjen e Lezhës në vitin 1444. Ai i bashkoi të gjithë palët rivale për interesa kombëtare. Udhëheqësit e sotëm nuk janë bashkues, janë përçarës… Shqipërisë i duhet një Skënderbe sot, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Por në Shqipërinë e sotme nuk ka Skënderbe dhe mua më vjen keq për një gjë të tillë”.

  • Ish-Kryetar i Shoqatës etno-kulturore “Çidhna dhe Kastriotët në mandatin e parë. (Ripunim, referuar në sesionin shkencor në Peshkopi më 25 Nëntor 2018, me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në 550-vjetorin e vdekjes)