OBVLP U KRIJUA NGA 64 PERSONALITETE, ISH-DREJTUES TË LANÇ, TË USHTRISË SHQIPTARE E STRUKTURAVE TJERA QEVERITARE
Nga Halil RAMA –
Mjeshtër i Madh*
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe pasardhësve (OBVLP), më 18 korrik 2024 mbushi 31 vjet nga krijimi i saj.
Në më shumë se tri dekada aktivitet intensiv, OBVLP u dëshmua para shqiptarëve si Organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare.
Që nga krijimi, mbi 15 mijë veteranë e pasardhës të tyre, milituan deri në vdekje dhe militojnë edhe aktualisht në këtë organizatë, në të mirë të demokracisë shqiptare dhe të së ardhmes së brezave, duke mbrojtur dhe promovuar vlerat e LANÇ të popullit shqiptar që e renditi Shqipërinë në krahun e fitimtarëve të Luftës së II-të Botërore.
Promotore e mbrojtjes së vlerave tona kombëtare
Rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989 dhe ndryshimet demokratike në Evropën Lindore u reflektuan edhe në Shqipëri me përmbysjen e diktaturës komuniste, duke sjellë ndryshimin e sistemit shoqëror dhe kalimin në demokracinë e bazuar në pluralizmin partiak dhe sigurimin e lirisë së njeriut. Por, drejtuesit e shtetit të ri mbetën politikanët me prejardhje nga diktatura komuniste, më e egra në Evropën Lindore dhe rrjedhimisht qeverisja e re nuk mund të ishte plotësisht demokratike. Në këto kushte veteranët e luftës që nuk kishin marrë pjesë në krimet e PPSH dhe Enver Hoxhës, u mblodhën para 31 viteve (korrik 1994) dhe krijuan Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës (OBVLP), që kishte për qëllim të mbështeste proceset demokratike dhe shtetin ligjor dhe t’i bashkonte veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar në një organizatë të vetme, për të ruajtur më mirë traditat e luftës dhe të drejtat e tyre.
Kësisoj, e krijuar para 31 vitesh me nismën e një grupi prej 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësisht të dënuar nga regjimi komunist, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVLP) do të bëhej promotore e mbrojtjes së vlerave tona kombëtare. Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane, mnistra e zv/ministra, siç ishin: Dr. Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, gjeneral Nexhip Vinçani; Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant – Hero i Popullit), gjeneral Muhamet Prodani, Skënder Malindi, Edip Ohri, Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo, dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVLPP: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVLPP) është një organizatë shoqërore atdhetare. Ajo u formua që të vlerësojë realisht historinë e luftës së lavdishme Nacional Çlirimtare, që të shmangë shtrembërimet e periudhës së regjimit totalitar, mohimet dhe politizimet e bëra si rezultat i regjimit diktatorial të E.Hoxhës, por edhe me qëllim të caktuar nga individë që kërkonin lavdi dhe pushtet të pamerituar. Në kurthin e tyre ranë me dëshirë dhe me servilizëm historianë të ndryshëm që e shtrembëruan historinë e LANÇ.Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ u shtri rrufeshëm në gjithë Shqipërinë. U krijuan dhe u konsoliduan degët tona në rrethet si vijon: Në Tiranë me kryetar z.Muhamar Spahiu, Korçë, me kryetar Z.Haxhi Runi, Elbasan me kryetar z.Sami Vinçani, Durrës, me kryetar z.Idriz Hoxha, Shkodër me kryetar z.Muharrem Bushati, Lushnjë me kryetar.z.Iliaz Ahmeti, Krujë me kryetar z.Fadil Veseli; Lezhë me kryetar z.Loro Gjeçi, Tropojë me kryetar z.Hamit Neziri; Fier me kryetar z.Nazif Ago, Mat me kryetar z.Ismail Muharremi, si dhe në të gjitha rrethet e vendit. Vlen të përmendet kontributi i veteranëve Fluturak Vinçani (Korçë), Genc Ballanca (Durrës), Osman Xhindoli (Shijak), Jorgji Terca (Tiranë), Xhemal Meçi (Pukë), Agim Dylgjeri(Elbasan), Ali Demushi(Shkodër) etj. Tre vitet e fundit OBVLP ka riorganizuar degët e saj në qarqet kryesore, si Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër e Dibër, në drejtimin e të cilave janë zgjedhur personalitete të njohura publike, si ish – ushtaraku Mazllum Parllaku (Tiranë); publicist dhe shkrimtari i mirënjohur Shpendi Topollaj (Durrës), studjuesi Ali Demushi me karrierë të gjatë si officer shembullor (Shkodër) mësuesi veteran, shkrimtari dhe publicist Mevlud Buci (Dibër) etj.
KATËR PERSONALITETE TË OBVLP-së “NDERI I KOMBIT”- TRI RRUGË NË TIRANË ME EMRAT E GJRNERAL PARLLAKUT, LIRI BELISHOVËS DHE EDIP OHRIT
Pikërisht për rolin që ka luajtur, si mbrojtëse dhe promovuese e vlerave më të mira kombëtare shqiptare, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftrave për Liri e Pavarësi të Popullit Shqiptar (OBVLP) është ndër organizatat më të vlerësuara nga institucionet shtetërore, me katër personalitete “Nderi i Kombit”.
Me këtë titull të lartë të akorduar nga ish-presidentët Nishani e Meta janë vlerësuar dy kryetarët e parë të OBVLP: Dr. Ymer Dishnica e gjeneral Rrahman Parllaku, si dhe gjeneralët Nexhip Vinçani e Veli Dedi.
Ndërkohë, me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” janë dekoruar ish-themeluesit dhe drejtuesit ndër vite të kësaj organizate: Ish-nënkryetari dhe kryetari i saj, kolonel Myfit Guxholli, ish-sekretari i Përgjithshëm Edip Ohri dhe anëtarët e kryesisë: Liri Belishova e Hamit Keçi. Po ashtu, me propozimin e OBVLP ju është akorduar “Dekorata e Artë e Shqiponjës” komandantit të Çetës së parë Partizane të Gollobordës, patriotit të madh me rrezatim mbarëkombëtar Ahmet Cami, si dhe ish-kuadrit të Brigadës së 18, Ismail Bara.
Në 10 vitet e fundit janë dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” drejtuesit aktualë të OBVLP: Sekretari i Përgjithshëm, akademik Halil Rama, nënkryetari Muharrem Gjoka dhe kryetari i Degës së OBVLP Pukë, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur Xhemal Meçi. Ndërkohë Këshilli i bashkisë Tiranë, me propozimin e Kryesisë së OBVLP ka vendosur që gjjerdanit të artë të vlerësimeve për personalitetet e OBVLP-së t’i shtohet edhe emërtimi i tri rrugëve kryesore të Tiranës me emrat e gjeneral Rrahman Parllakut, Liri Belishovës dhe Edip Ohrit.
ANËTARE E FEDERATAVE EUROPIANE DHE BOTËRORE TË VETERANËVE
Me një aktivitet intensiv në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave, dr. Dishnica dhe gjeneral Parllaku arritën ta bëjnë OBVLP-në anëtare të Federatave Evropiane dhe Botërore të Veteranëve. Me pjesëmarrjen në aktivitetet e këtyre Federatave, jo vetëm në Evropë, por edhe në Malajzi, në Johanesburg, Marok etj, OBVLP-ja ka bërë të njohur kontributin e popullit shqiptar në Luftën e II-të Botërore dhe në luftërat për liri të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e deri dhe kontributin që jep sot në mbrojtje të paqes në kuadrin e NATO-s. Nisur nga ky aktivitet intensive dhe vlerat që mbron e promovon, OBVLP vlerësohet për orientim e drejtë, për veprimtarinë e gjallë të saj, për vetëdijen dhe besimin e veteranëve dhe pasardhësve, anëtarë të organizatës, jo vetëm në luftë, por edhe në demokraci.
OBVLP DHE ORGANIZATA E VETERANËVE TË LANÇ TË KOSOVËS NË NJË FEDERATË TË PËRBASHKËT
Në një aktivitet të rëndësishëm në kuadrin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës (14 shkurt 2022) u finalizua krijimi i Federatës Shqiptare të Veteranëve të luftrave për liri e pavarësi të popullit shqiptar. Kështu, pas një pune intensive gati trevjeçare, OBVLP e Shqipërisë, trashëguese e denjë e themeluesve dhe drejtuesve të saj: Dr.Ymer Dishnica – “Nderi i Kombit” e gjeneral Parllaku- “Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit” dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës, e themeluar dhe drejtuar nga Heroi i Popullit FADIL HOXHA-ARKITEKT I KOSOVËS SË LIRË, finalizuan krijimin e kësaj federate.
Fokusi i saj, në përbërje të të cilës janë Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës dhe OBVLP të Shqipërisë, do të jetë edukimi atdhetar i rinisë, nisur nga tradita shekullore e popullit shqiptar, nga përvoja dhe programet e Federatave Botërore e Europiane të Veteranëve, si dhe në pikëpamjet e përbashkëta programore, të fokusuara në organizimin e veprimtarive të përbashkëta për: mbrojtjen e vlerave historike të popullit tonë nëpër shekuj; evidentimin dhe promovimin e ngjarjeve dhe datave historike; përkujtimin e datave të kuvendeve historike shqiptare, si Kuvendi i Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë, Konferenca e Pezës, Konferenca e Bujanit, Pavarësia e Kosovës etj.
Në Akademinë Jubilare që Federata organizoi në Gjakovë me rastin e 80-vjetorit të Fitores ndaj fashizmit (9 Maj 2025), kryetarja e OBVLP Tatjana Parllaku Çarkaxhiu, ndër të tjera tha se: “Na takon ne pasardhësve të veteranëve që vunë rininë e tyre në sherbim të lirisë dhe dhanë jetën në luftë me okupatorin nazifashist, të perçojmë te brezat e rinj patriotizmin dhe atdhedashurinë. Ne mbetemi të angazhuar totalisht për arritjen e bashkimit dhe pajtimit kombëtar sipas idealeve dhe mesazheve të Konferencës se Pezes që janë aktuale edhe në ditët e sotme…. Ne veteranët dhe pasardhësit, të bashkuar me frymën e mirëkuptimit dhe tolerancës do të promovojmë më mirë vlerat patriotike dhe traditat luftarake të LANC-it duke u transmetuar brezave mesazhin se interesat e atdheut qëndrojnë mbi interesat e Partive, ato janë të shenjta dhe mbrohen më mirë kur jemi të bashkuar….”
MBROJTËSE E FLAKTË E VLERAVE TË LIRISË
OBVLP, veteranët dhe pasardhësit e tyre, anëtarë të kësaj organizate ndjehen më krenarë se kurrë me historinë e saj të suksesshme 31 vjeçare dhe angazhohen për të ecur në shembullin e themeluesve, që organizata jonë të vazhdojë të funksionojë si mbrojtëse e flaktë e vlerave të lirisë. Mbrojtja, propagandimi, ruajtja, mbajtja gjallë e vlerave të historisë sonë kombëtare, e veçanërisht atyre të LANÇ-it, dhe transmetimi i tyre te brezat pasardhës është dhe mbetet qëllimi themelor i OBVLPsë.
Ne ndjehemi më krenarë se kurrë për faktin që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, meritë kjo e partizanëve shqiptarë, këtyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë.
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës (OBVLP) në 31 vjet veprimtari ka përmbushur misionin e saj historik, të ruajtjes, mbrojtjes e zhvillimit të vlerave të Luftës, nga më të lavdishmet për liri e pavarësi të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Ballkan, të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve fashistë italianë e nazistëve gjermanë.
OBVLP u themelua me përmbysjen e sistemit diktatorial enverian në përputhje me frymën e përpjekjeve për bashkim të shqiptarëve, shprehur në Konferencën e Pezës dhe Marrëveshjen e Mukjes, me program e statut gjithëpërfshirës. Ajo dha një kontribut të çmuar gjatë këtyre tri dekadave të periudhës së tranzicionit të brishtë, ende të papërfunduar në RSH.
OBVLP përfshiu në radhët e saj ushtarakë e veteranë të OUPLSH, të organizatave demokratike të veteranëve, shtresa veteranësh jashtë tyre dhe kreu veprimtari në lëvrimin e vlerave, të traditës e të legjislacionit, në dobi të veteranëve, të invalidëve e familjeve të dëshmorëve si dhe në hartimin e legjislacionit për këto shtresa. OBVLP, në veprimtarinë e saj u distancua nga sistemi totalitar i partisë-shtet. Ajo shtriu bashkëpunimin e saj me të gjitha shtresat, pa paragjykuar bindjet e tyre; me ata që përkrahën luftën, e mbështetën atë dhe e ndihmuan, e që sot ende nuk përfaqësohen me organizata të veçanta.OBVLP ka njohur shtetin ligjor; ka bashkëpunuar me institucionet e pavarura të tij dhe ka ndërmarrë nisma në dobi të veteranëve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve.
Në veprimtarinë e saj OBVLP nderoi kontributin e të përndjekurve politikë, sidomos të atyre të LANÇ e të ushtarakëve të spikatur që udhëhoqën luftën, por që padrejtësisht u pushkatuan, u burgosën, u dëbuan e internuan.
Gazeta “Veterani”, organ i OBVLP pasqyroi dhe pasqyron vazhdimisht veprimtarinë e kësaj organizate dhe ka ndihmuar në realizimin e objektivave dhe detyrave të saj.
Përveç 434 numrave të gazetës “Veterani” në këto 31 vjet, të shumta kanë qenë botimet e librave të veteranëve, të cilat jemi përpjekur ti promovojmë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
OBVLP, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të LANÇ të Kosovës, ka përgatitur dhe promovuar bujshëm edhe dy dokumentarët: “Rrahman Parllaku – Një legjendë në kufirin e tri kohëve” dhe “Fadil Hoxha – Arkitekti ï Kosovës së lirë”, dokumentarë këto që janë shfaqur si për publikun në sallën e Akademisë së Shkencave Tiranë dhe nga Radio Televizioni Publik Shqiptar (RTSH).
Në këtë 31-vjetor OBVLP vjen e konsoliduar, e bashkuar dhe me energji e vendosmëri për të lëvruar më tej, pasuruar më shumë historinë reale të LANÇ dhe për të dhënë kontributin e saj real për konsolidimin e demokracisë e të shtetit ligjor, për një Shqipëri anëatre e denjë e NATO-s që ecën vendosmërisht drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Halil RAMA
*Sekretar i Përgjithshëm i OBVLP