• “Kush e njeh Hito Fushëbardhë,/Jelekzhveshur, pallëlarë,/Ngrehu topat e kalanë,/Në kuti ia hodhi zjarrë,/E dogji su dha i gjallë,/Në kala, në Koqinovë,/Hito Kongoci me kordhë,/Bën dyfek ruan sinorë,/Me venedikt e arhonë,../Me junanë e me osmanë,/..

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Hito Kongoci ishte lindur në një truall luftarak dhe patriotik në pranverën e vitit 1810 në Fushëbardhë, por që tokat e fisit të tij të Kongoce ishin përtej qafës së Skërficës në Vërri. Në Fushëvërri kanë pasur tokat e tyre edhe shumë fise të tjera të njohura të Fushëbardhës si, Baho, Kazo, Kuci, Tefa, Shalari, Shkurti, Lagji, Këndezi, Deçka, Bello, Zervoi, Isaraj, Alidhima, Proda, Veliu, Kongoci, Golemi, Memushi, Cama, Rofi, Mullai, Resuli, Muho, etj. Jeta e Hito Muhamet Kongocit ishte një jetë e gdhendur në historinë e luftave të trevës labe. Familja e oxhakut të Kongoce kishte haurët sikurse gjithë fiset e tjera në Vërri, edhe pse është vështirë ti përcaktosh identitetin fshaçe. Hito Kongoci del përtej rajonizimit fshatçe është më shumë se krahinor, i përket Labërisë, Shqipërisë. Në dekadat që pasuan pas rënies heroike të Hitos, Kongocajt i gjejmë në Fushëbardhë, në Fushëvërri dhe në Kalasë por edhe në vende të tjera. Ishte koha kur pushtuesit osmanë kishin shtrirë sundimin në rajonet fushore e kodrinore dhe që egërsia e tyre në mbledhjen e taksave shkonte deri në rrëmbimin e kafshatës së fundit të bukës nga goja e fshatarëve, për të mbajtur gjallë dhe gjatë sundimin, për mbajtjen e një makinerie shumë të madhe njerëzish në ordunë/ushtrinë osmane. Nga ana tjetër djemuria shqiptare sapo mbushte moshën për rekrutim në askerllik/nizamllëk rrëmbehej “me hir e pahir” për të mbushur radhët ushtarake në tre kontinente në rreth 8 milionë km², ku shtriheshin Sulltanati dhe pushtimet osmane. Hito Kongoci u rrit sikurse gjithë moshatarët dhe mes vuajtjeve por dhe taksave të rënda. Babai e gjyshi i tij në linjë stërgjyshërore kishin qenë kundërshtarë të pushtuesve, dhe nuk e njihnin “urtësinë”, kur ja kërkonte puna, edhe pse nga brenda nga zemërimi ishin zjarr përvëlues. Të mocmit thoshin se “rrebelimin e kishin në gjak”. Edhe pse e dinin fatin e të qënit “asker”, Hitua nuk ju shmang shërbimit të gjatë të detyrueshëm ushtarak shtatë vjeçar. Bashkë me shokë të fshatit, Labërisë, Delvinës etj, hipi vaporrit “Daut”, që kishte marrë djemuri shqiptare edhe në skelat e Ulqinit, Shkodrës, Shëngjinit, Durrësit e Vlorës. Ishte koha kur nizamllëku i kushtonte shqiptarëve më shumë se 14 mijë djem në vit që bë kryenin shërbimin në të gjithë anët e Sulltanatit Osman. Kështu vepronin dhe djemtë e Fushëbardhës që i merrnin “nizamë”, (rregull, rend, ligj), i çonin në Delvinë, dhe nga garnizoni i Delvinës grumbulloheshin djemtë që do bëheshin “askerllikun” i çonin në skelën e Sarandës. E kishte edhe kjo “të mirën” e vet dhe kjo e mirë ishte arti më i vështirë në botë që ishte lufta si art shkatërrimi.
Nizamllëku i kishte mësuar e burrëruar, në kufijtë ekstremë të jetës, u kishte mësuar artin luftarak osman, përdorimin e armëve, kamës, thikës, pushkës e deri edhe topat, që e kishin profesion të trashëguar në breza nga tradita luftarake liridashëse. Askush nga djalëria e këtij vendi nuk e harronte anijen që i çonte në “anën tjetër të dynjasë, ku piqet buka në diell”, që i dërgonte në kazermat ushtarake/askeri këshllasënda, të Portës së Lartë “ajkën e djalërisë” shqiptare, në zbatim të fermanëve famëkeqë, që Sulltanati mbushte radhët ushtarake për të mbajtur pushtetin e pushtimit me zjarr e hekur, por më shumë me gjak. Njerëzit në brigjet shqiptare e quanin pampori i dhimbjes, mallëngjimit e shpresës.
Hito Kongocit dhe disa shokëve të tij i priu “fati”, që pas karantinës të caktohej në “Topçu Denizli” në mbrojtje të kështjellave detare osmane. Këtu mësoi principin e funksionimit të topave dhe mendjen e kishte në vatanin e tij. Vitet kaluan dhe qitapët e njësisë bregdetare i ofruan të qëndronte rrogëtar, por nuk pranoi dhe u kthye i gjallë pas shtatë viteve në vendlindje. Hito Kongoci 25 vjeçar kishte ardhur në kohën kur ziente vendi nga rrebelimi dhe kryengritjet shqiptare. Shqiptarët i pritën me përbuzje traktatin e “Gylhanesë” (reformat e Tanzimatit të 1839-ës), që synonte konsolidimin e perandorisë osmane. Askush nuk ishte dakord me reformat e sulltan Abdyl Mexhitit, në fushën administrative, financiare, ushtarake e arsimore. Kështu reformat në vend që të qetësonin shqiptarët i hodhën “benzinë zjarrit” dhe kryengritjet u finalizuan më 1847, ndërkohë që Osmanët ishin shtrirë në gjashtë vilajete në Ballkan (në 165 mijë km², ku popullsia e Ballkanit nën pushtim ishte 5.5 milionë banorë).
Hito Kongoci ishte pjesë e të dënuarve për rrebelim, por është falur pasi mbashkë me kapedanë të tjerë të Labërisë u bë pjesë e detashmenteve labe që shkuan vullnetarisht si “redif”/rezervistë për të mbrojtuar tokat shqiptare në vilajetin e Shkodrës (sot hapësira administrative e Malit të Zi). Hito Kongoci ju përgjigj thirrjes si redif/rezervist në mbrojtje të truallit arbëror të vilajetit të Shkodrës nën thirrjen: “Vilayet tehlikede”/vilajeti në rrezik!, dhe shkoi bashkë me Zenel Gjolekën, Hodo Ali Nivicën, Gjikë Thanasin, Halim Toto Progonati, etj. Trimat e Labërisë filluan luftimet në zonën e Kërnicës e pastaj u zgjerua dhe nga krahu i Taraboshit. Luftimet e detashmentit lab në veri kanë ngelur në kujtesën mbarëkombëtare edhe pse aty mbetën përjetësisht në altarin e lirisë si martirë të pavdekshëm të Atdheut. Hito Kongoci edhe pse u plagos dy herë mundi të mbijetonte plagëve dhe nuk e dha veten. Ai u bë përsëri i aftë për luftë, por këtë herë për luftë kundër çdo pushtuesi si osmanë edhe andartë që vinin nga deti për zaptimin e trojeve shqiptare në jug. Në kohën që luftohej në veri për tokat shqiptare lindi edhe kënga lapidar e Labërisë: “Përse lufton a derëzi?/ As për mua, as për ti,/Po për gjithë Shqipëri!”. Lufta për mëmëdheun përjetësohej në vargje: “Mëmëdheun nëpër shekuj,/vrarë e prerë po kurrë vdekur,/ lumenj gjaku për flamur,/ Si nuk humbi pyet bota?,/ Prerë me shpatë djegur me topa?/ Jo, nuk humbet shqiptari,/ e provon çelikun zjarri”.
Pas këtyre betejave nga veriu, greku kërcënonte nga Jugu dhe më 1854 përsëri një përballje e përgjakshme, por këtë herë armatosja e taborëve të redifëve shqiptarë bëhej në Delvinë dhe në Janinë dhe luftime të përgjakshme për mbrojtjen e tokës shqiptare në Petë, Mecovë, Artë dhe në të gjithë Çamërinë. Trimfuan mbi grekun e parë, por me osmanët nuk u bënë kurrë miq sepse mbeteshin në armiqësi të përjetshme. Por në këto vite në Labëri kishte një famë të madhe çeta e shquar e Bilbilenjve, që ishte me 13 vetë, por bilbilenj kishte në çdo fshat të Labërisë në të pesëqind fshatrat e saj. Kështu nga Fushëbardha kishte me dhjetra bilbilenj, pasi për nder të Bilbil Shakos komandantit të bilbilenjve, këtë emër merrte kushdo rrëmbente pushkën kundër pushtuesve. Kështu nga Fushëbardha bilbilenj të njohur sipas dokumenteve muzeale kanë qenë: Sadik Hazbi Memushi, Myrteza Sulli, Skëndo Habil Xhuvani, Musa Mustafa Rofi, Hito Kongoci, Gafur Kondi etj. Çdo fshat kundërshtonte taksat e rënda në mënyrën e vet, edh epse mënyra më e ashpër dhe e drejtpërdrejtë ishte e bilbilenjve, që e përfunduan misionin e tyre duke u vetdorëzuar dhe “shkuan në litarë vetë,/bilbilenj të trembëdhjetë” më shkurt 1858. Bilbilenjtë u varën në Janinë tek rrapi i falë, por ideali i tyre nuk u shua, vijoi të mbetej i ndezuar prushi i atdhetarisë dhe i këndërshtimit të çdo lloj pushtuesi. Kështu ngeli i paepur Hito Kongoci, sikurse dhe prijësa, kapedanë e luftëtarë të tjerë të trevës labe. Luftëtarët shqiptarë në veri dhe në jug të vendit kanë qenë inovatorë në fushën e betejës.Të dhënat flasin se Hito Kongoci ose Hito Topçiu, ishte ndërtues i katër topave të gorrictë në trevën labe në krahinën e Rrëzomës në nahijen e Delvinës. Topat e artilerisë së Hito Kongocit ishin një lloj artilerie artizanale, por funksionale, që futi panikun brenda formacioneve ushtarake të rregullta armike. Kjo metodë u përdor me efektivitet nga kryengritësit që e ndërtuan artilerinë jo me shkrirje topash por me artilerinë e vendit, me topa që ishin ndërtuar me palcën e drurit të gorricës, por edhe të lisit, të karfosura me unaza hekuri.
Këto topa prej druri u përdorën me efektivitet në luftën e Palavlisë në Rrëzomë të Delvinës, ku përmendet në vargje kënge mjeshtri Hito Kongoci. Taboret e pushtuesve i zuri paniku kur “artileria shkëmbore nuk ishte vetëm në grykat e maleve që ishin të pritshme për pushtuesin, por edhe në fushë të hapur, kur gjylet binin breshër dhe prishnin formacionin luftarak të armikut duke future tmerr dhe frikë në radhët e tyre. Koqinova në krahinën e Rrëzomës në Delvinë u shndrua në një realitet të ri luftarak të panjohur më parë. Taboret armike njëhën një armë të re në duart e kryengritësve, topat që qëllonin nga se prisnin. Vendi do mbushej me gjyle dhe kështjella në Koqinovë do të shndrohej në një fortesë shumëdimensionale. Artilierët e Labërisë ngritën kështjellë dhe e fortifikuan në të gjithë drejtimet.
Kështjella natyrore solli një dimensión të ri lufte. Prijësi dhe drejtuesi, topçiu i vjetër që i kishte kaluar të gjashtëdhjetat kishte përgatitur edhe topçinjtë e rinj, ata që kishin djersitur ditë e natë për ta bërë majën e Koqinovës me një emërtim të ri “Maja e Hito Kongocit”, për ta përjetësuar luftën në fushë e në kodër, në kështjellën e Koqinovës. Luftëtarët e çetës, zhvilluan një luftim mbrojtës mjeshtëror, edhe nuk e prisnin që misioni i tyre të ishte kaq rezultativ si një “traktat lufte”. Ata nuk e dinin se edhe traktatin e luftës së artilerisë e shkruante një shqiptar në austri Gjergj Basta, por në fakt çeta labe po e zbatonte këtë traktat nga eksperienca luftarake e shqiptarëve në shekuj, por dhe nga mjeshtëria e drejtimit të Hito Kongocit. Hito Kongoci e gjeti lëndën e parë tek gorricat e vjetra të zonës, që kishte me shumicë, duke prerë disa nga trungjet më të fortë e që ja vlenin për misionin që i priste. Kjo u bë edhe për faktin se faqja e malit të Lucës, por dhe mali i Lavanit kishte lisa që mund të shërbenin për këtë punë, por puna nuk priste, ndërkohë që për gjyle shërbenin gjithëfarë gurësh të rrumbullakosur por dhe copa metalesh e gjyle të vjetra të luftarave të mëparshme të zhvilluiar në këtë zonë. Fillimisht bashkëluftëtarët e tij nuk e besonin nismën e Hito Kongocit, kur ai e vetë i pari. Gdhendja e drurit ishte një mjeshtëri e njohur e gjithë trevës labe. Por jo për të krijuar topa lufte. Kështu trungjet ndaheshin më dysh dhe gdhendeshin me dalta, sopata e hanxharë. Hitua gjithë merak kishte siguruar edhe rrathë hekuri nga të bucelave dhe vedrave të staneve. Pasi përgatiti “bombardën e gorrictë”, që krahasur me drurët e tjerë, druri i gorricës është shumë i fortë dhe mund të realizojë tre deri në katër maksimumi pesë shtimje, forca e barutit e djeg dhe e çan, për këtë arsye u përgatitën edhe bombardat rezervë. Hitua ju tregoi se kur të çahet e para, bëjmë gati tjetrin. Kjo ishte një taktikë dhe strategji e panohur për pushtuesin dhe as që e prisnin që inkursioni i taboreve të pritej nga gjylat që kërcisnin mbi formacionet armike. Hito Kongoci kishte menduar edhe për barutin, për folenë e barutit, për shtupën e fortë dhe të padepërtueshme të gazrave si dhe gjylet (lënda vrasëse me gurë lumi të stërralltë, copëra hekurishtesh në formë saçme. Eshka e thatë mirë shërbente në vend të fitilit.
Edhe pse ka të dhëna të ndryshme rreth kohëpërdorimin e topit të gorrictë, armiku gjithësesi braktisi fushën e luftës dhe u tërhoq në panik.
Armiku provoi ta shuante rezistencën dhe artilerinë e tyre të ngritur në kështjellën natyrore, por që edhe pas përdorimit të lëndëve djegëse nga pushtuesit, luftimi vijoi me të gjithë armët e deri në përleshje trup me trup, ku humbën jetën mjaft luftëtarë dhe një ndër më të njohurit është edhe shpikësi i artilerisë artilieri popullor, Hito Kongoci. Në Rrëzomë ende është Koqinova me histori ku shihen mbeturinat e kështjellës ngjajnë me një vend-guide muezeale që na kujtojnë brezit tonë dhe brezave që do të vijnë luftrat për mbrojtje të truallit arbëror, por dhe topat e gorrictë të prijësit komandantit, topçiut sypatrembur Hito Kongocit, si një trashëgimi historike e zonës, si një visar i çmuar të trimërisë lave sa të moçme aq edhe me vlerë. Ndërkohë që kënga nuk rreshti për më shumë se dy shekuj dhe nuk do të rreshtë kurrë: “Kush e njeh Hito Fushëbardhë,/Jelekzhveshur, pallëlarë,/Ngrehu topat e kalanë,/Në kuti ia hodhi zjarrë,/E dogji su dha i gjallë,/Në kala, në Koqinovë,/Hito Kongoci me kordhë,/Bën dyfek ruan sinorë,/Me venedikt e arhonë,../Me junanë e me osmanë,/Për Vatanin e dha xhanë…..”. Disa organe të shtypit ushtarak shqiptar, si Gazeta “Ushtria”, Revista “Mbrojtja”, portali Alb-Spirit, gazetat “Labëria”, “Rrënjët”, “Veterani”, “Kushtrim Brezash”, revista “Pavdekësia”, i kanë kushtuar vëmendje kësaj figure të madhe luftëtare, kanë kushtuar shkrime të posaçme për prijësin e luftëtarin e Fushëbardhës dhe të Labërisë Hito Kongoci, i cili ishte lindur në Fushëbardhë të Gjirokastrës dhe që ra në luftën e përgjakshme në rajonin e Koqinovës në Rrëzomë, Delvinë më 1878, duke ngelur përjetësisht emër i gdhendur në përjetësi në kujtesën e Labërisë dhe mbarë kombit shqiptar, i përjetësuar në këngë: “Kush u hodh proto i pari,/Hito Kongoci kordhëtari,/topçitë me top ia dhanë,/flaka i mori fustanë,/…, si dhe nga ana tjetër kënga e përjetësoi këtë figurë madhështore të fushëbetejës: Kush e njeh Hito Fushëbardhë,/Jelekzhveshur, pallëlarë,/Ngrehu topat e kalanë,/Në kuti ia hodhi zjarrë…”.Në pikëpamje dokumentare Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të LANÇ-it dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut, Dega e Gjirokastrës, e ka vërtetuar në mënyrë dokumentare, që specifikon se: “Hito Kongoci nga Fushëbardha është vrarë më 1878 në betejë kundër pushtuesve në luftën e Koqinovës në Rrëzomë të Delvinës”. Në aspektin juridik legjislacioni shqiptar e lejon plotësisht që Hito Kongoci-Fushëbardha të shpallet me titullin “Dëshmor”, sepse bazuar në aktin legjislativ të nenit 5, “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, pika “a” të ligjit nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”. Pika “a” thuhet: shpallen Dëshmorë të Atdheut “personat, të cilët kanë humbur jetën për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare apo në përpjekje për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe para datës 28 nëntor 1912”.
Meqënëse kësaj periudhe luftarake nuk ju është kushtuar vëmendje në periudhën që shkoi një maksimë proverbiale, thotë se, “e drejta zhytet por nuk mbytet”. Gjaku i ish-prijësit e luftëtarit Hito Kongoci nuk u harrua dhe nuk do të harrohet, por meriton piedestalin e mirënjohjes dhe të lavdisë, nderimin e të gjithë shqiptarëve. Emrin e Hito Kongoci nuk e harrojnë bashkëfshatarët, bashkëkrahinarët, Labëria e më gjerë, prandaj dhe përkujtohet, si luftëtar lirie. Hito Kongoci është një emër i paharrueshëm që ngeli i nderuar dhe respektuar në breza, ngeli në këngët e popullit që janë një arkiv më vete dhe një burim i pashtershëm i të dhënave historike labe dhe më gjerë.