Në emër të dënimit të diktaturës nuk duhet të mohojmë Luftën Nacional Çlirimtare
Gjeneral Rrahman Parllaku*
Në një artikull të botuar gjashtë vjet më parë në një të përditshme shqiptare si dhe në gazetën tonë “Veterani”, gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, do ta konsideronte krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare si ngjarje kulmore në hostirnë e LANÇ. Veç të tjerash Parllaku jepte vlerësime objektive për historinë e LANÇ, si u morën e u zbatuan vendimet për organizimin e luftës partizane që e çuan popullin tonë në fitoren e lirisë, të metat, gabimet e shtrembërimet që ju bënë programit të luftës duke dëmtuar çështjen kombëtare.
Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH dhe roli i tij
Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm, më 10 Korrik 1943, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar e zgjidhi problemin e drejtimit të përqëndruar të Ushtrisë. Kjo do të përkujtohet si dita e themelimit të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në përbërjen e Shtabit të Përgjithshëm u emëruan figurat më të afirmuara udhëheqëse të Luftës. Në këtë shkrim nuk kam marrë përsipër të flas gjatë për fillnisjen dhe vazhdimësinë e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, pasi kjo u takon historianëve, por të përkujtoj e të them diçka për një nga datat më të rëndësishme në historinë e Ushtrisë Shqiptare, atë të krijimit të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Gjykoj se kjo datë do të zerë vendin e merituar në analet e historisë së kombit tonë. Viti 1943 shënoi rritje në përmasa të mëdha të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në gjithë vendin ishin krijuar njësitë guerile, çeta e batalione partizane. Luftimet zhvilloheshin, jo të veçuara nga çetat e batalionet, por të përbashkëta e të koordinuara brenda qarkut. Po në korrik të atij viti filluan të zhvilloheshin veprime luftarake të përbashkëta edhe në mes qarqeve të ndryshme, siç ishin luftimet e Përmetit, ku morën pjesë forcat e Gjirokastrës, Korçës e Beratit. Shtimi i radhëve të Ushtrisë partizane, çlirimi i krahinave të ndryshme, jehona e luftës të përhapur në të gjithë vendin u ndien edhe në botën e jashtme dhe u vlerësuan nga Fuqitë e Mëdha të Aleancës Antifashiste. Ata e njohën Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, dërguan përfaqësuesit e tyre pranë Shtabit të Përgjithshëm, Zonës së Parë Operative, qarqeve e njësive që ta ndiqnin nga afër e ta ndihmonin atë. Ky nivel i ri i Luftës Antifashiste kërkonte që Ushtria të kishte një strukturë të re organizative, të njejtë si për repartet sulmuese dhe teritoriale, ashtu edhe për krijimin e njësive taktiko-operative për veprime në të gjithë vendin. Rritja sasiore dhe cilësore e ushtrisë kërkonte drejtim unik dhe bashkërendim të veprimeve luftarake në shkallë vendi.
HAP CILËSOR NË DREJTIM TË LUFTIMEVE
Krijimi i Shtabit të Përgjithshëmtë Ushtrisë Nacionalçlirimtare, më 10 Korrik 1943, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar e zgjidhi problemin e drejtimit të përqëndruar të Ushtrisë. Kjo do të përkujtohet si dita e themelimit të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në përbërjen e Shtabit të Përgjithshëm u emëruan figurat më të afirmuara udhëheqëse të Luftës. Komandant i Shtabit u caktua Spiro Moisiu, që ishte jo vetëm luftëtar i afirmuar, por edhe i paisur me kulturë ushtarake. Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm u bë një hap cilësor në drejtim të luftimeve, u bë kalimi nga një ushtri partizane me bazë rajonale në një ushtri mbarëkombëtare me strukturë organizative që t’i përgjigjej jo vetëm stadit të arritur, por edhe perspektivës të kalimit në ushtri të rregullt. Shtabi i Përgjithshëm mori masa të menjëherëshme për organizimin e strukturave ushtarake si të forcave operative, teritoriale dhe të administratës ushtarake. Në forcat operative hynin brigadat sulmuese, që ishin të destinuara të vepronin në gjithë hapësirën e teritorit të vendit dhe forcat territoriale që vareshin nga komandat e qarqeve.
LANÇ zë një vend të veçantë në Historinë tonë Kombëtare
“Është në nderin e popullit tonë që me Luftën Nacional Çlirimtare u bashkua me koalicionin më demokratik të kohës, luftoi krahas aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë e popujve të robëruar që shkatërruan fashizmin barbar. Duke pohuar ato që ka mohuar diktatura, duke u dhënë vendin që meritojnë për kontributin në luftë gjithë patriotëve, duke dënuar shtrembërimet e veprimet ekstremiste të kryera nga udhëheqja e partisë komuniste e komandave të veçantë në luftë dhe menjëherë pas çlirimit, askush nuk ka të drejtë të mohojë luftën e gjakun e derdhur për çlirimin e vendit, qofshin këta patriotë, të rinj komunistë, ata që ranë për një ideal, çlirimin e vendit dhe vendosjen e pushtetit demokratik, tjetër se u shkel amaneti i tyre nga diktatura, u deziluzionuan e u persekutuan pjesa më e vendosur e atyre që mbetën gjallë. Askujt nuk i jepet e drejta të mohojë gjakun e sakrificat e tyre në luftën e shenjtë për liri. Unë kam bindjen se me fitoren e demokracisë historia do të shkruhet nga historianë të ndershëm, në bazë të dokumenteve pa shtrembërime e deformime të ndikuara nga forca politike të caktuara, nuk do të shkruhet nga institute, që e shkruanin atë siç ua diktonte zyra e diktatorit, as siç duan ta shtrembërojnë e deformojnë forca të caktuara ekstremiste e arriviste. Ndjej kënaqësi kur kujtohen njerëz të vrarë e të persekutuar për pikëpamjet e tyre politike, për qëndrimin opozitar ndaj diktaturës dhe që nuk kanë bërë asnjë krim ndaj kombit, përkundrazi ka pasur shumë prej tyre që kanë kryer vepra patriotike, kanë kontribuar në luftën për çlirim, si dhe në demokratizimin e jetës së vendit dhe indinjohesh kur forca të caktuara duke përfituar nga vendosja e demokracisë kërkojnë të rehabilitojnë, të quajnë heronj deri kuislingë e kriminelë të njohur që së bashku me fashistët italianë e nazistët gjermanë kanë vrarë mijëra vetë e kanë bërë shkrumb e hi krahina të tëra dhe bashkë me ta edhe komandantë bandash të njohur për terror ndaj popullit. Organizatat e veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare, nëse janë vërtetë të tilla, duhet të mbrojnë e të njohin mbi baza të drejta këtë luftë. Ata duhet të dënojnë diktaturën e Enver Hoxhës dhe krimet e kryera prej saj dhe të dënojnë shtrembërimet që i janë bërë historisë së Luftës Nacional Çlirimtare. Kombit tonë o sot o kurrë i duhet bashkim e jo përçarje, aq më tepër kjo duhet të kuptohet e kërkohet nga veteranët e LANÇ e pasardhësit e tyre, po t’i kenë të shenjta interesat kombëtare e jo të mbjellin përçarje. Ky bashkim mund të arrihet , kur ne veteranët t’i shikojmë gjerat të çliruar nga ndrydhja e 50 vjetëve të diktaturës, ku çdo kërkesë ose mendim për të ndryshuar diçka nga ajo që e kishte vendosur udhëheqja e diktaturës quhej herezi e veprimtari e armikut të klasës dhe këtë luftë klase e shtrinte edhe brenda familjes. Tani duhet t’i analizojmë gjerat me sy kritik, të hedhim poshtë e të dënojmë me forcë çdo gjë që ka dëmtuar interesat e kombit, të mbështesim me të gjitha forcat zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe luftën e vëllezërve tanë, që jetojnë në trojet e tyre, për liri, vetëvendosje e bashkim kombëtar”, shkruan Parllaku.
* Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit