Jeta, vepra dhe rënia e tyre përcjellen si mësime dhe frymëzime ndër breza
TATJANA PARLLAKU ÇARKAXHIU
5 Maji është një datë e rëndësishme historike për shqiptarët, pasi përkujtohen Dëshmorët e Kombit.
Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë, dëshmitarë të historisë së kombit. Jeta, vepra dhe rënia e tyre përcjellen si mësime dhe frymëzime ndër breza.
Çmimi i lirisë është paguar me gjakun e dëshmorëve, andaj jeta e tyre është e paçmueshme në të gjitha kohët.
Dëshmorët janë të vetmit që e kanë përfunduar dhe vulosur angazhimin e tyre për vendin, për lirinë dhe për atdheun. Ne të gjallët e sotëm dhe të brezave pasardhës, e kemi për detyrë të përditshme angazhimin dhe përpjekjen për atdheun, për lirinë dhe për vendin.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 Maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit, çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve krerët më të lartë të shtetit shqiptar, veteran të LANÇ e pasardhës të tyre kryejnë homazhe.
Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacionalçlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.
Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit.
Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut.
Në vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.
NDERIMI I DËSHMORËVE, NDERIM PËR HISTORINË
Në 5 maj i gjithë Atdheu mban frymën në respekt të pafund për të rënët për atdheun, martirët e kombit që sakrifikuan jetën e tyre e në emër të Shqipërisë. Lufta për çlirimin e atdheut gjaku i derdhur, jetët e fliijuara dhe sakrificat sublime për lirinë e tij, janë gdhendur si dëshmia monumentale e një populli që ka luftuar në mënyrë të paepur me pushtuesit gjatë gjithë historisë së tij. Nderimi ndaj dëshmorëve, është nderim për historinë e popullit, por është edhe një referencë krenarie, që na frymëzon për ta mbajtur të shenjtë amanetin e tyre, Shqipërinë e lirë, shtëpinë tonë të përbashkët!
Veteranët e LANÇ, familjet e tyre, pasardhësit dhe gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë nderojnë në këtë ditë gjakun e 28 mijë yjeve të pashuara.
Bota e qytetëruar, shoqëritë e rritura përmes vlerave, ku janë kultivuar parime themelore në ecurinë e brezave, mes të tjerash, e kanë mësuar kombin të kthejë rregullisht kokën mbrapa e të shohë rrugën e përshkuar, të dijë nga vjen, të kujtojë e respektojë historinë e të parëve dhe të mësojë prej asaj kohe se ku do shkojë. Është kjo arsyeja që pothuaj gjithë shtetet e kombet kanë një ditë në vit që përkujtojnë heronjtë, dëshmorët, të rënët në beteja për atdheun, për kombin.
Disa e quajnë “Dita e Heronjve”, disa të tjerë “Dita e Heronjve Kombëtarë” ose “Dita e Martirëve”. Ne e quajtëm “Dita e Dëshmorëve të Atdheut” dhe pasi Republika e Kosovës e përshtati këtë ditë përkujtimore, 5 Majin, edhe për bijtë e bijat e saj të rënë për lirinë, u mësuam ta quajmë “Dita e Dëshmorëve të Kombit”.
Më 5 Maj, në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut, veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pasardhësit e denjë të tyre do të bëjnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në nderim të të gjithë të rënëve për liri dhe do të vendosin kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”. Në këtë ditë i mbarë kombi përulet me nderimin më të thellë ndaj veprës së pavdekshme të martirëve të lirisë, gjithë të rënëve të kombit, të cilët vendosën jetën e tyre, rininë e tyre në themelet e lirisë së sotme, të cilët me sakrificën e tyre u bëjnë dritë gjithë shqiptarëve në rrugën e lirisë, në rrugën e demokracisë, në rrugën e integrimit. Ëndrra e atyre që ranë për atdheun ishte liria dhe sakrifica e tyre, ishte ndër më të çmuarat që ka njeriu, ishte sakrificë për lirinë dhe vlerat e saj. Në këtë ditë solemne shqiptarët vlerësojnë jetën dhe kontributin e 28 mijë yjeve të pashuara, të të gjithë të rënëve për lirinë e vendit. Më 5 Maj të gjithë qytetarët e këtij vendi përulen me nderimin më të thellë për veprën e të gjithë atyre që vendosën sakriÀ cën e tyre sublime në themelet e lirisë. Shpirti i tyre, sakrifica e tyre, është dritë për rrugën e lirisë, është nder i madh për të gjithë familjarët e të rënëve, sepse të gjithë e duan lirinë, por ata kanë bërë sakrificën më të madhe, sakrificën më sublime.
Çdo ditë dhe çdo kohë që kalon, çdo përparim që bëhet në rrugën e lirisë, shton nderin për të rënët e kombit, shton nderin për familjet e tyre. Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ndjehen më krenarë se kurrë në këtë ditë të shënuar pasi shohin të realizuar ëndrën e bashkëluftëtarëve të tyre,të Qemalit, Vasilit, Margaritës e mijëra të tjerëve, për një Shqipëri të lirë e demokratike, shohin të realizuar qëllimin e përbashkët: Kosovën e lirë e të pavarur që përparon drejt shtetit të saj demokratik modern. Këtë 5 Maj kujtojmë me nderim ata emra që janë shkruar në lavdinë e kohës; në faqet e historisë, në zemrat e brezave të kësaj toke…, emra që rrezatojnë dritë diturie, dritë lirie. Ata u dhanë brezave dituri, ata nuk kursyen as gjënë më të çmuar, jetën ndaj kurdoherë do mbeten në altarin e lirisë, në kujtime, në këngë. Toka dhe historia sikur i bleron dëshmorët, sikur i lartëson, sepse e blertë, e lartë, e përjetshme është vepra e tyre. Si çdo vit tjetër edhe këtë 5 Maj Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare do të organizojë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve dhe vizita në familjet e tyre. Nderojmë kështu luftën dhe sakrificat e tyre, nderojmë gjakun e derdhur për lirinë e Atdheut tonë të shtrenjtë.