Për punë me profesionalizëm të lartë dhe plot përkushtim mbante medaljen e “Shërbimit Ushtarak”, Urdhrin “Ylli i Kuq” të klasit III, Urdhrin “Skënderbeu” të klasit II dhe urdhrin “Për shumë vite në ushtri”
Dy muaj më parë, (22 Nentor 2024) pas një sëmundje të rëndë u nda nha jeta avokat UK JAKUP CENA, anëtar I Këshillit Drejtues Kombëtar të OBVLP, duke lënë në pikëllim djemtë Arjanin e Dritanin bashkë me familjet e tyre, vëllezërit Agim e Melaim Cena, motrat, nipat e mbesat dhe ne, njerëzve të gjakut të tij si dhe miqtë e shokët e shumtë në gjithë vendin.
Ai ishte dhe mbeti i thjeshtë, duke banuar në një apartament modest bashkë me djemtë e tij.
Djali i Kalisit nuk e harroi kurrë vendlindjen, dera e tij ka qenë gjithnjë e hapur për bashkëkrahinarët e tij dhe i perkushtuar për t’ju zgjidhur hallet e problemet, që u dilnin në jetë.”- shkruan z. Rexhep Xhepa- ish oficer i lartë i ushtrisë shqiptare, djali i dajës së Ukës, në njoftimin mortor të ndarjes nga jeta të kolonelit, gjyqtarit e avokatit Uke Cena.
Ukë CENA u lind në Kalis, më 28 mars 1940.
Shkollën 7-vjeçare e kreu në vendlindjen e tij, në Kalis.
Shërbimin ushtarak e kreu në Marinë dhe prej këtu fitoj të drejtën e vazhdimit të studimeve ushtarake dhe të rreshtimit në radhët e ushtrisë si ushtarak efektiv.
Kështu, ai kreu me rezultate shumë të mira shkollën ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Pastaj, vazhdoi dhe përfundoi shkollën ushtarake të Marinës Detare në Durrës dhe në vitin 1961, u titullua oficer karriere.
Ka një karrierë të gjatë dhe brilante në radhët e ushtrisë. E nisi si shef i Shifrës së Dragaminës së Madhe në ishullin e Sazanit, në Vlorë.
Në vitet 1961-1963, mbajti gradën e nëntogerit, ndërsa në vitet 1963-1967, ka kryer detyrën e shefit të postave sinjalo-vrojtuese (PSV) në Sillo, të Shëngjinit dhe mbajti gradën e kapitenit.
Në vitet 1967-1974, ishte shoqërues e këshilltar i gjeneral leitnant Rahman Parllakut – “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Gjatë kësaj periudhe kreu studimet e larta në Fakultetin Juridik, si dhe shkollën e Lartë të Partisë.
Pasi kreu dhe këto studime, ka kryer detyrën e sekretarit të Partisë në brigadën e Grykë-Manatisë, Lezhë. Pastaj, ishte komisar i batalionit të këmbësorisë me ushtarë efektiv në Vorë, si dhe ishte i zgjedhur dhe zv. sekretar i Partisë së brigadës së këmbësorisë së Laçit.
Në vitin 1982, ka kryer detyrën e komisarit të Korpusit të 4-të, me efektiv ushtarë të fortifikimit në aksionin e rinisë ushtarake, për hapjen në gatishmërisë të objekteve fortifikuese (qendra zjarri, PZA, PDO, PD, si dhe transhe e hendeklidhje).
Pas këtij aksioni, u emërua shef edukimi në brigadën e këmbësorisë, Selitë, ku dhe mbylli karrierën ushtarake.
Për punë me profesionalizëm të lartë dhe plot përkushtim mbante medaljen e “Shërbimit Ushtarak”, urdhrin “Ylli i Kuq” të klasit III, urdhrin “Skënderbeu “të klasit II dhe urdhrin “Për shumë vite në ushtri”.
Pas lirimit nga ushtria ka punuar si jurist, gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor të Tiranë (1993-1996) ku ka kryer edhe detyrën e zëvendëskryetarit të kësaj gjykate.
Në vitin 1992, ka marrë pjesë si anëtar i trupit gjykues në gjyqin kundër Nexhmie Hoxhës dhe bllokmenëve të tjerë.
Ka qenë anëtar i shoqatës së Historianëve Ushtarakë të Shqipërisë me kryetar Shahin Lekën dhe Gjergj Titanin. Ka marrë pjesë në kongreset e zhvilluar për Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore në Holandë, Suedi, Belgjikë, Bullgari dhe Greqi.
Nga viti 1997, ishte kolonel në rezervë.
Ishte anëtar i Dhomës së Avokatisë së Tiranës dhe ushtronte profesionin e avokatit.
Ky burrë i madh, me vlera të jashtëzakonshme qytetare e profesionale, pas 31 vitesh si ushtarak karriere dhe 22 viteve si jurist, gëzoi respektin e admirimin e jashtëzakonshëm te kolegëve, të njohurve dhe të fisit e farefisit. Por, u largua prej nesh ky burrë fisnik, ky burrë i mençur, duke lënë një boshllek në komunitetin e vet, që vështirë se mbyllet shpejt.
Ishte besimtar, besonte tek e mira, tek virtyti e bamirësia, besonte edhe në Zot
OBVLP i shpreh ngushëllime familjes, fisit, farefisit, miqve, shokëve dhe kolegëve!
Parajsa qoftë vendbanimi i tij i përjetshëm!
Akademik FATOS DACI
Mjeshtër i Madh