Krenar për babain e tij Syrja Tahirin, një personalitet i nderuar e i respektuar në Përmet dhe në gjithë Shqipërinë, si ish partizan trim, pjesëmarrës aktiv që në formimin e çetës partizane “Musa Fratari” e në batalionin “Naim Frashëri” të Brigadës së VI-të Sulmuese, dhe pas çlirimit kuadër i devotshëm e vizionar në Dibër e Përmet, Dashi do të trashëgonte, mishëronte e përçonte ndër breza mençurinë, urtësinë e largpamësinë e tij

Më 14 janar 2025, familjarët, miqtë, shokët dhe të afërmit i dhanë lamtumirën e fundit Dashnor Syrja Zeqirllarit. Ai lindi më 24 Tetor 1948 në Peshkopi. Arsimin bazë e kreu në shkollën 8 vjeçare Këlcyrë, për të vijuar më pas mësimet në Shkollën e Mesme Pegagogjike Gjirokastër, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera.
Dashnori realizoi kështu ëndrrën e babit të tij, Syrjajit për t’u bërë i aftë që të përhapte dritën e diturisë në vendlindjen e tij.
Pas mbarimit të pedagogjikes punoi për dy vjet si mësues në rrethin e Përmetit. Por kurrësesi ai nuk mund të mjaftohej vetëm me këtë nivel arsimor. I bindur se vetëm duke studiuar do të mund të ecte me kohën, vazhdoi përsëri studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër, për histori-gjeografi dhe fiskulturë. Tashmë me formimin e duhur rikthehet mësues në gjimnazin e Këlcyrës, kur kishte fituar përvojë në pedagogji e mësimdhënie. Kishte kryer arsimin e duhur, ndaj dhe vjen gjithë gëzim si mësues në Shkollën e Mesme të Përgjithshme të Këlcyrës.
Ishte koha, kur po kontribuonte për arsimimin e fëmijëve të bashkëqytetarëve të tij, ndaj dhe e udhëhiqte për veprim zëri i brendshëm i ndërgjegjes. Përvojën e tij të pasur ua përcillte kolegëve, duke u bërë kështu mësues i mësuesve.
Në misionin fisnik të mësuesit, në shkollat e vendlindjes së tij, Dashnor Tahiri ishte dhe mbetet një figurë e dashur për mijëra nxënësit e prindërit e tyre, si dhe për dhjetëra kolegët, që e merrnin si shembullin pozitiv të mësimdhënies. Kreu me devotshmëri e përkushtim edhe shërbimin ushtarak në Tiranë dhe më pas ka punuar në hidrogjeologji po në Tiranë.
I edukuar me virtytet më të mira të familjes së tij dhe nën shembullin e saj, Dashi krijoi edhe vetë një familje shembullore me bashkëshorten Shyqyrien në qytetin e Beratit, ku lindën, mirërritën dhe edukuan dy djemtë, Armandon dhe Emiljanon (të dy aktualisht të martuar dhe banues në Tiranë).
Dashnori ishte bashkëshort e prind shembullor, një gjysh i dashur dhe i përkushtuar i tre nipërve, si dhe vëlla i dhëmbshur e mbështetës i pakursyer për motrat Natashën, Selinenë, Ruzen dhe vëllezërit: Ilirin, Kimin dhe Agronin.
Krenar për babain e tij Syrja Tahirin, një personalitet i nderuar e i respektuar në Përmet dhe në gjithë Shqipërinë, si ish partizan trim, pjesëmarrës aktiv që në formimin e çetës partizane “Musa Fratari” e në batalionin “Naim Frashëri” të Brigadës së VI-të Sulmuese, dhe pas çlirimit kuadër i devotshëm e vizionar në Dibër e Përmet, Dashi do të trashëgonte, mishëronte e përçonte ndër breza mençurinë, urtësinë e largpamësinë e tij. Në gjurmët e babait që ishte ndër themeluesit e OBVL, edhe Dashnori qe një na pasaardhësit më të denjë të organizatës tonë.
I tillë do të kujtohet Dashi, nga familjarët, të afërmit, miqtë e shokët e shumtë, nga veteranët dhe pasardhësit, anëtarë të OBVLP, që nderohej e respektohej prej tyre.
I përjetshëm kujtimi i tij….
KRYESIA e OBVLP