Nga ROLAND QAFOKU
Janë tri fotografi që tregojnë shumë për atë që ndodhi më 7 prill 1939 në Shqipëri. Fotoja e parë është cover-i i tabloidit londinez “Daily Expres, i datës 8 prill 1939. E gjithë faqja e parë i është kushtuar këtij pushtimi duke theksuar se Evropa ishte ndryshe pas kësaj ngjarje. Titulli i madh është: “Duçe pushton Shqipërinë”. Më poshtë vijon me rigonen “Mbreti Zog drejton ushtrinë e tij të vogël kundër 50 mijë ushatrëve italianë”. Kuptohet që për kohën e kufizuar që gazetarët kishin në dispozicion, kanë menduar se atë rezistencë që kanë bërë shqiptarët në brigjet e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës dhe Sarandës, e drejtonte vetë Zogu, por në fakt ajo ishte krejt spontane dhe në numrat në vijim “Daily Express” e ka sqaruar me të dhëna tejet të sakta.
Fotografia e dytë është e gazetës së Tiranë me emrin “Shtypi”, një botim special i pasdites së datës 8 prill. Titulli i saj është: “Trupat mike fashiste hynë sot triumfalisht në Tiranë”…”. Turpin e madh që i mbetet në jetë të jetëve, kryeredaktori i kësaj gazete është kujdesur ta fshehë duke mos vendosur në këtë shkrim as emrin e vetë e as emrin e ndonjë gazetari. Megjithatë, ky titull dhe e gjithë faqja e parë është njolla më e zezë në historinë e medias shqiptare. Ai nuk ka asnjë justifikim dhe tregon jo vetëm tradhëtinë kombëtare, por se si një gazetar shet edhe gjënë më të shtrenjtë në jetë vendin e vetë kundrejt interesit. Prandaj, sot, nuk duhet të habitemi kur rezulton se disa kolegë shiten dhe blihen për interesa të huaja, ose edhe vendase të lidhur me krimin. Kjo faqe e parë e 8 prillit 1939 është prova që tregon ky është sport i vjetër në këtë lëmin tonë.
Fotoja e tretë është e një ushtari italian i plagosur rëndë në Portin e Durrësit më 7 prill dhe sipas të dhënave më vonë ka ndërruar jetë. është nga ata ushtarë italianë që u vranë gjatë rezistencës së shqiptarëve në qytetin bregdetar nën drejtimin e Abas Kupit dhe heroit legjendar Mujo Ulqinaku.
Të tri fotot sëbashku tregojnë se as ngjarja e pushtimit italian nuk ishte bardh e zi. Pati shqiptarë që e lanë me gjak atë pushtim duke mbrojtur tokën e vet pa asnjë ndihmë nga shteti që atë ditë u shkërrmoq si një pirg rëre. Pa asnjë drejtim dhe organizim, por në emër të idealit, Mujo Ulqinaku me të rinj të tjerë u bënë heronj të heronjve të atyre ditëve, të cilët nuk luftuan për ndonjë parti, por për Shqipërinë.
Mbi të gjitha këto tri foto tregojnë se ai që mohon sot rezistencën e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore përbën një akt antikombëtar edhe më të rëndë se sa ata që e tradhëtuan realisht Shqipërinë e asaj periudhe. A pati në vijim kjo rezistencë problemet e veta? Sigurisht që partitë e krijuara patën vlerën e tyre në këtë rezistencë, siç patën edhe defektet, për të mos thënë edhe kryerjen e krimeve në disa përplasje civile me njëra tjetrën. Unë kam bindjen se shumica e atyre shqiptarëve që rrokën një armë dhe e përdorën kundër italianëve dhe gjermanëve nuk e bënë as si komunistë, e as si ballistë. E bënë thjesht si shqiptarë. Mjafton një fakt tejet domethënës. Janë me qindra, në mos mijëra, djem dhe vajza studentë jashtë Shqipërisë, kryesisht në Itali, që lanë studimet dhe erdhën në Shqipëri për të luftuar fashizmin. Mos vallë ata erdhën për të mbështetur komunistët dhe ballistët? Kjo konfirmohet edhe nga thënia lapidare e një lideri komunist të asaj kohe që në një moment sinqeriteti tha: U gjitëm në mal si patriotë dhe zbritëm si komunistë. Pas kësaj historia u shkrua ndryshe.
Prandaj, të mohosh sot rezistencën e shqiptarëve që nga 7 prilli 1939 deri në fund të nëntorit 1944 dhe ta quash madje edhe luftë civile, thjesht përdor një teori që kanë dashur dhe duan të gjithë armiqtë e shqiptarëve. Të rënët për atdheun jetojnë në memorien e të gjithë brezave pasardhës.