KRYESIA E OBVLP VLERËSON ME TITUJ NDERI E ÇERTIFIKTATË MIRËNJOHJE VETERANËT E LANÇ GENC BALLANCA DHE RIZA LIKA
• “Ne krenohemi me këta personalitete që aderojnë dhe i japin jetë organizatës tonë, duke punuar me përkushtim për të mbajtur gjallë kujtimin, veprën dhe idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Ata dhe shumë pasardhës të tjerë të veteranëve, anëtarë të OBVLP, me shembullin e tyre, frymëzojnë brezat e rinj të rriten me dashurinë për vendin, për paqen dhe për njeriun”
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ dhe pasardhësve e mbylli kalendarin e veprimtarive të vitit 2025 me dy veprimtari mbresëlënëse.
Paraditen e 16 dhjetorit 2025, Kryetarja e OBVLP Tatjana Parllaku Çarkaxhiu, Sekretari i Përgjithshëm Halil Rama dhe anëtarët e kryesisë së organizatës Skënder Murrja e Ilirjan Çarkaxhiu, ishin në takimin festiv të Kryesisë së Degës Durrës me kryetar shkrimtarin e mirënjohur Shpendi Topollaj.
Në këtë takim të organizuar në nderim të veteranit 97 – vjeçar Genc Ballanca, ku merrnin pjesë gjithashtu edhe nënkryetari i Degës së OBVLP Durrës Kadri Tarelli dhe anëtarët e kryesisë së kësaj dege Agim Bajrami dhe Bajram Sulejmani, Znj. Parllaku i akordoi veteranit Ballanca titullin “Nderi i OBVLP” me motivacionin: “Për kontributin me armë në dorë në luftën e lavdishme Nacionalçlirimtare si efektiv i Brigadës së IV-t S dhe për drejtimin me përkushtim për dy dekada të degës së OBVLP Durrës”.
Ndër të tjera kryetarja e OBVLP tha se “nderojmë sot veteranin Genc Ballanca që luftoi me armë në dorë me zjarrin e një djaloshari kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Gencin, si dhe bashkëluftarët e tij Ne i nderojmë e respektojmë si thesare të çmuara të kombit tonë, duke u kujdesur për jetën dhe veprën e tyre. Ai është pinjoll i një familjeje të nderuar e të çmuar, që ka dhënë kontribute të mëdha në historinë e kombit tone”.
I lindur në 7 Mars të vitit 1929. Genci ishte djali i një familje të njohur për atdhetari me origjinë nga Dibra e Madhe. Babai i tij Xhevdet Ballanca, ka qenë oficer, që kishte studiuar në Akademitë Ushtarake të Romës e Stambollit, dhe gjithë aftësitë e tij i vuri në shërbim të popullit dhe Atdheut. Duke qenë antifashist, ai përkrahu dhe u lidh me figura të shquara të historisë tonë si Abaz Kupi, Nako Spiru, Iliaz Reka etj. Ai i priti me armë në dorë pushtuesi italianë më 7 Prill të vitit 1939 dhe vazhdoi luftën me forcat nacionaliste. Janë këto vlera, për të cilat ky atdhetar i shquar është dekoruar me rastin e 45 vjetorit të ndarjes nga jeta, nga Presidenti i Republikës, për veprimtari patriotike dhe është shpallur “Qytetar Nderi” i Durrësit me vendimin e datës 20.03.2011. Gjyshi i Gencit, Baftjari është ai që vrau një ditë pazari Mehmet Pashën. Nëna e tij vinte nga familja e njohur atdhetare e Dollive në Kavajë dhe me Xhevdetin patën tetë fëmijë të mrekullueshëm.
I rritur në një mjedis të tillë, edhe Genci, sido që mjaft i ri dhe ende pa e përfunduar plotësisht shkollën e mesme por me ide të qarta për lirinë, u rreshtua me shokët partizanë; fillimisht në Grupin e II – të të Çetës së Pezës, ku më pas, falë guximit dhe trimërisë së treguar në luftime ju ngarkua detyra e Përgjegjësit të Rinisë të batalionit, dhe në vazhdim, porsa u formua Brigada e IV – të Sulmuese, ju besua detyra e zëvendës intendentit të saj.
I mençur dhe me inisiativë, ai kudo që u caktua i kreu detyrat e ngarkuara me nder. U shqua në luftimet e zhvilluara deri në largimin e plotë të armikut dhe pas çlirimit të vendit u emërua në Komandën e Përgjithshme, ku pa nga afër përpjekjet e pareshtura për rritjen, fuqizimin dhe modernizimin e ushtrisë tonë. Por në vitin 1948, duke parë nevojën që kishte për të familja e tij, ai vendos të kthehet në qytetin e Durrësit ku kryen detyra të ndryshme dhe të rëndësishme në ndërmarrje të sapokrijuara.
Kudo që punoi u dallua për marrëdhënie korrekte me vartësit dhe shokët, për përkushtim e thjeshtësi, gjë që edhe pasi doli në pension i dha të drejtën të nderohet e respektohet nga të gjithë. Këtë e tregojnë mësë miri edhe dekoratat e shumta që i janë akorduar ndër vite.
Duke i mbetur besnik idealeve të pastra, duke mos u pajtuar për asnjë çast me krimet e kryera nga Partia – shtet dhe duke parë se në çfarë mjerimi e varfërie po e çonin Shqipërinë slloganet demagogjike, ai si kuadër me vizion perëndimor, përkrahu nga të parët lëvizjen demokratike, dhe së bashku me shokë të tjerë, si gjeneral Ernest Jakova, Zenel Bardhi, Idriz Hoxha, Eqerem Kuka, Osman Xhindoli etj. u bashkuan me organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ – OBVL dhe për një kohë të gjatë, kreu me sukses të plotë, detyrën e Kryetari të Degës për Durrësin, ku u tregua i pa lodhur dhe përherë i përkushtuar. Dega e OBVL – së në Durrës, nën drejtimin e tij u dallua për organizimin e shumë veprimtarive dhe shtimin e radhëve të saj. Edhe tani në moshë të shtyrë, Genc Ballanca vazhdon të interesohet pareshtur për mbarëvajtjen e shoqatës. Kryesia e OBVL i uron atij jetë të gjatë dhe të lumtur me familjen e tij të shtrenjtë.
Për nderimin që i bënë Gencit, e bija e tij Xhixhi dhe vallai Bajrami falenderuan përzemërsisht kryetaren e OBVLP Tatjana Parllaku – Çarkaxhiu, Sekretarin e Përgjithshëm Halil Rama, anëtarët e kryesisë së organizatës Skënder Murrja e Ilirjan Çarkaxhiu si dhe drejtuesit e degës Durrës të kësaj organizate dhe shtruan për ta një koktejl të pasur në një nga lokalet pranë zyrës së degës OBVLP Durrës.
Vetëm pas ditë pas kësaj ceremonie mbresëlënëse në Durrës, kryesia e OBVLP, në takimin festiv të fundvitit 2025 nderoi me Çertifikatë Mirënjohje veteranin e LANÇ Riza Sherif Lika, ish partizanin trim të inkuadruar fillimisht në Çetën e Bulticës dhe më pas në Brigadën e III-të S deri në çlirimin e atheut nga pushtuesit nazifashistë.
Në këtë takim festiv, kryetarja e OBVLP, Znj. Parllaku – Çarkaxhiu falenderoi gjithashtu pasardhësit e denjë të kësaj organizate, veteranin 90 vjeçar Shuaip Methasani, sekretarin e përgjithshëm Halil Rama – Mjeshëtr i Madh, nënkryetarët e OBVLP: Muharrem Gjoka-Mjeshtër i Madh; Zonjën fisnike e me inteligjencë të rrallë Mirjana Ohri e kolonel Trifon Llupo, shkrimtarin dhe publicistin e mirenjohur Sakip Cami, personalitetin e shquar të kulturës kombëtare Shaqir Rexhvelaj, shkrimtarin e shquar Vasil Premçi, mësuesin veteran shembullor Skënder Murrja, poetin Arben Alliu, Z. Hasan Shehu e Hasan Balla, kryetarin e degës së OBVLP Shkodër kolonel Ali Demushi, të Durrësit Shpendi Topollaj (ndër publicistët dhe shkrimtarët më të të mirë në rang vendi),të Elbasanit Maksim Vinçani, Përmetit Muharem Kamani etj.
“Ne krenohemi me këta personalitete që aderojnë dhe i japin jetë organizatës tonë, duke punuar me përkushtim për të mbajtur gjallë kujtimin, veprën dhe idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Ata dhe shumë pasardhës të tjerë të veteranëve, anëtarë të OBVLP, me shembullin e tyre, frymëzojnë brezat e rinj të rriten me dashurinë për vendin, për paqen dhe për njeriun”,-tha ndër të tjera Znj. Parllaku Çarkaxhiu. Ajo falenderoi pjesëmarrësit në këtë takim për kontributin, përkushtimin dhe ndihmën e çmuar në mbarëvajtjen e punëve të organizatës, në shërbim të veteranëve dhe pasardhësve të tyre — atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe për ditët e lumtura që ne gëzojmë sot.