Genci BALLANCA

Në jetë njeriut i takon të njohë e miqësohet me disa persona. Gjithesi, janë të paktë ata që të mbeten në mendje e kujtesë.

Për mua që po i afrohem një shekulli jetë, i tillë ka mbetur Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, gjenerali legjendar Rrahman Parllaku. Si pjesëmarrës aktiv në Brigadën e IV- Sulmuese, por edhe gjatë gjithë jetës time kam patur dhe kam respekt dhe nderim maksimal për këtë burrë të rrallë shteti. Në moshën që jam, më bëhet zemra mal kur dëgjoj që OBVLP që ai e drejtoi me përkushtim të rrallë, vazhdon misionin e saj të edukimit patriotik të brezave, pikërisht sipas përvojës dhe mësimeve të gjeneral Parllakut.

Veçanërisht vlerësoj Akademinë Përkujtimire që OBVL organizoi në 105-vjeëtorin e lindjes së gjeneralit që bëri epokë.

Pata fatin që si ish kryetar i Degës së OBVL Durrës për afro dy dekada, të bashkëpunoja ngushtë dhe ta njihja nga afër këtë personalitet të rrallë që ka hyrë dhe qëndron me ndinjitet në panteonin e vlerave tona kombëtare. Me mbështetjen e tij si kryetar i OBVL arritëm të vlerësojmë disa personalitete, me medalje e tituj “Qytetar Nderi” të Durrësit, madje edhe tí vendosnin një rruge emrin “Nako Spiro”.

Në udhëtimin e tij shekullor, Gjeneral Parllaku, jetoi luftën dhe paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm, duke sfiduar kohët dhe regjimet, me përkushtim ndaj kombit, trimërinë dhe urtësinë e malësorit, shpirtin e lirisë dhe atdhedashurisë, duke mbetur i pathyer në çdo betejë që zgjodhi dhe iu imponua përgjatë 100 viteve që ai jetoi.

Kështu do ta kujtoj sat ë kem jetën Nderin e Kombit Rrahman Parllaku, si një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste, dhe që mbeti si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike. Kam bindjen se shqiptarët ndjehen krenarë me jetën dhe veprën e “Heroit të Popullit” dhe “Nderit të Kombit”, që bëri gjithçka në shërbim të atdheut e kombit. Prandaj, edhe vlerësimet dhe nderimet ndaj veprës së gjeneralit janë plotësisht të merituara. Me gjeneral Parllakun ndihemi krenarë të gjithë.