Ministri Vengu shprehu konsideratat më të larta për burrat dhe gratë që themeluan dhe çuan përpara Ushtrinë Shqiptare

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjenerallejtënant Arben Kingji:  Gjatë gjithë historisë së tyre, FA-të kanë reflektuar vlerat më të mira kombëtare, kanë demonstruar përkushtim, profesionalizëm, duke u transformuar dhe modernizuar vazhdimisht për të rritur kapacitetet operacionale në interes të përmbushjes së misionit kushtetues dhe kontributit për paqen dhe sigurinë

Më 4 dhjetor 2024, në 112-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura dhe 80-vjetorin e Çlirimit të vendit, në ambientet e garnizonit ‘Skënderbej’, nga i cili kanë dalë mbi 45 mijë burra dhe gra në uniformë, u organizua një ceremoni festive. Të pranishëm në këtë ditë të shënuar ishin, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, zëvendësministrat Dorian Tola dhe Enkelejd Joti, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjenerallejtënant Arben Kingji, deputetë të Kuvendit, komandantë të forcave, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tone, ish ushtarakë dhe veteranë të LANÇ e pasrdhës të tyre. OBVLP u përfaqësua nga nënkryetari kolonel Trifon Llupo dhe anëtarët e Këshillit Drejtues Kombëtar: Destan Doçi, Hasan Shehu, Adem Ajdini dhe Adem Shehi (ish-komnadnat I Brig.153 të UÇK).

Trupat aktivë ishin formuar nëpër kuadrate, dhe një pjesë e arsenalit të armëve ishin dislokuar në shesh. Ministri i Mbrojtjes e konsideroi vendimin për krijimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare vetëm gjashtë ditë pas shpalljes së Pavarësisë, jo thjesht një akt administrativ, por një akt themelues të Shqipërisë moderne, duke përcaktuar mbrojtjen dhe sigurinë si një çështje me rëndësi jetike për shtetin e sapoformuar. “Nuk mund të ketë pavarësi pa vetëmbrojtje, dhe nuk mund të ketë shtet-ndërtim pa siguruar kushtet e vazhdimësisë. Në këtë kuptim, themelimi i Forcave të Armatosura ishte një akt pavarësie të cilës i bashkëngjitej dhe misioni i sovranitetit.”- u shpreh ministri Vengu. Më tej, zoti Vengu shprehu konsideratat më të larta për burrat dhe gratë që themeluan dhe çuan përpara Ushtrinë Shqiptare dhe solli në vëmendje sfidat aktuale me të cilat Forcat tona të Armatosura duhet të përballen. “Sot, 112 vite pas aktit të themelimit, 80 vite pas aktit të rezistencës, 15 vite pas aktit të konfirmimit të vokacionit tonë euro-atlantik, teksa gëzojmë të gjithë së bashku të mirat e sigurisë kolektive që ofron Aleanca më e suksesshme në historinë moderne, ndërkohë që përballemi me kërcënime të reja, të cilat nuk janë vetëm në horizont por bëhen gjithnjë e më të prekshme, sot pra, na duhet të mendojmë për vazhdimësinë dhe për misionin, për kombin dhe aspiratat e tij. Në këto 10 vite, është bërë një punë e lavdërueshme dhe e gjithanshme për t’u forcuar, për t’u modernizuar. Por kemi ende shumë punë për të bërë. Sot, ushtarët, nënoficerët, oficerët shqiptar, janë më të përgatitur, më të mirë trajnuar e arsimuar, më të mirë pajisur, dhe më të mirë trajtuar. Në këtë kontekst, dua të shpreh mirënjohjen tonë të thellë, ndaj të gjithë aleatëve e partnerëve që kontribuuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë në modernizimin e Forcave tona të Armatosura”, – tha ndër të tjera ministri Vengu, i cili nuk harroi të kujtojë ushtarakët e rënë në krye të detyrës. Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjenerallejtënant Arben Kingji tha se gjatë gjithë historisë së tyre, FA-të kanë reflektuar vlerat më të mira kombëtare, kanë demonstruar përkushtim, profesionalizëm, duke u transformuar dhe modernizuar vazhdimisht për të rritur kapacitetet operacionale në interes të përmbushjes së misionit kushtetues dhe kontributit për paqen dhe sigurinë. Në përfundim të ceremonisë, Toga Ceremoniale dhe orkestra Frymore e FA-së zhvilluan një parakalim ceremonial, ndërkohë që ministri Vengu u takua me familjarë të ushtarakëve dhe nxënësit e shkollave të mesme të pranishëm në ceremoni.