Ish partizani i brig.18 S që u plagos në provokacionet greke të 1949-tës
Nga Muharrem GJOKA
Nënkryetar i OBVL
Mjeshtër i Madh
ZALL-DARDHA që njihet për bëmat e burrave të saj në historinë shumëshekullore, për trimërinë e tyre në kryengritjet e armatosura kundër turqve, serbve e nazifashistëve italianë e gjermanë, por dhe për artistët e shumtë që me aftësitë e tyre krijuese e interpretuese, janë bërë pasaporta e identitete të Dibrës e jo më të Dardhës, njihet në histori edhe për një institucion të veçantë popullor, për Kuvendin e “15 burrave të dheut”. Të “15-tët e dheut” ose siç mund të quhet një “Kuvend – Parlament” i Dardhës përbëhej me përfaqësues të denjë me integritet, si: Hysen Ndreu, Hysni Kaca, Hysen Bara, Hysen Çera, Misim Ahmeti (Cerpja), Can Gjoka, Rrahman Rasha, Ahmet Kaziu, Vesel Sula, Muharrem Hoxha, Taf Shira, Ali Bajram Ndreu, Sul Cani, Met Kaca, e Selim Hysa.
Siç sihet, në këtë 15-shte është dhe një përfaqësues i fisit Gjoka, emrin e ndritur të të cilit do ta lartësojnë ndër vite pasardhës të denjë të tij. Njëri prej tyre, padyshim është Riza Gjoka, i cili që në moshën 15-vjeçare do të radhitej si partizan në brigadën e 18-të Sulmuese dhe do të merrte pjesë trimërisht në të gjitha luftimet e kësaj brigade, nga data e krijimit e deri në çlirimin e plotë të atdheut nga pushtetist nazifashistë më 29 nëntor 1944.
15 VJEÇ PARTIZAN NË BRIGADËN E 18-të SULMUESE
Riza Gjoka, djali i parë i bashkëshortëve Rushit e Hane Gjoka (Kaca) lindi në lagjen “Gjokaj”, Zall Dardhë më 5 Maj 1928. Fëmijërinë, deri në moshën 9-vjeç e kaloi në fshat dhe pikërisht pa mbushur 10 vjeç, për të ndihmuar familjen që ishte në gjendje të vështirë ekonomike, i shoqëruar dhe nën përkujdesjen e xhaxhait të tij, Mediut shkon të punojë si argat në një familje tiranase (në Tiranë). Këtu, dy motra të veja që kishin dy djem dhe një dyqan në Selitë (sot Qyteti i Nxënësve) do ta trajtonin Rizain shumë mirë, ku përveçse si ndihmës në dyqan dhe në punët e shtëpisë e dërgonin edhe në shkollë. Madje, falë zgjuarsisë së tij natyrale, nga kontakti me italianët që blinin cigare në dyqanin ku punonte, Rizai mësoi të fliste edhe italisht.
Njëri nga djemtë e familjes ku banonte kishte rënë në kontakt me Njësitet Guerile dhe nga ai, djaloshi nga Zall Dardha mësoi për herë të parë për Luftën Nacionalçlirimtare. Me kapitullimin e Italisë dhe burgosjen e djalit të familjes ku banonte e punonte, pas një rrugëtimi të vështirë që zgjati dy-tre ditë kthehet pranë familjes. Tashmë ishte më i pjekur dhe i edukuar me virtyte të patriotizmit e të dashurisë për atdheun. Ngaqë e urrente pushtuesin, qe ndër të parët e bashkmoshatarëve të tij që rroku pushkën e u radhit me formacionet partizane të Brigadës së 18-të Sulmuese. Bashkohësit e kujtojnë atë si djaloshin trim që hidhej me guxim në aksionet luftarake të kësaj brigade. Si i tillë ai do të ishte i ftuar nderi në çdo përvjetor të çlirimit të Peshkopisë (23 gusht), i dekoruar me Çertifikatat e Medaljet e Trimërisë e të Kujtimit.
SHOFERI I PARË I DIBRËS, INSPEKTOR POLICIE NË DISA ZONA
Riza Gjoka ishte vetëm 18 vjeç kur u angazhua në Policinë e Shtetit. Kjo periudhë koinçidon me sulmin e paprecedentë të kufirit tonë shtetëror, të njohur në hisori si Provonacioni Grek i 1949-tës. Për t’í bërë ballë këtij agresioni, si dhjetra dibranë të tjerë edhe Rizai dërgohet në fshatrat midis Korçës dhe Kolonjës, ku angazhohet në ndihmë të ushtrisë për zbulimin e pozicioneve greke.
Gjatë një sulmi me artileri u plagos rëndë në këmbë e kokë dhe mbeti pa ndjenja. Për një periudhë 5-6 javore u mjekua në spitalin e Korçës. Shpesh në familje ai tregonte shenjat e dukshme të plagëve në gjurin dhe kaviljen e djathtë dhe në faqe. Gjithsesi, edhe në këtë gjendje Rizai nuk hezitoi të ngjiste shkallët e karierës, fillimisht në Degën e Brendëshme Peshkopi si inspektor në zonat Kastriot, Sllovë, Muhurr etj, e deri punonjës në Ambasadën e Shqipërisë në Ankara.
Ai do të ishte shoferi i parë i Dibrës dhe pasi kishte kryer me rezultate të shkëlqyera edhe arsimin e mesëm, do të shërbente si i tillë në dispozicion të ish kryetarit të DPB Banush Goxhaj.
ME TRUPIN DIPLOMATIK SHQIPTAR NË ANKARA
Në fillim të vitit 1958 Rizai ndoqi në Tiranë kursin ku përgatiteshin personeli dhe Trupi Diplomatik. Në vjeshtën e vitit 1959 deri në fund të vitit 1962 ai ishte punonjës në Ambasadën e Shqipërisë në Ankara. Për atë periudhë Rizai tregonte mbresat nga shoqërimi i të gjitha delegacioneve zyrtare shqiptare dhe veçanërisht nga koha kur shoqëronte Ansamblin Shtetëror të këngëve dhe Valleve. Për të mbetej e paharrueshme pritja emocionese që shqiptarët e Turqisë u rezervuan artistëve tanë, këngëtareve Fitnete Rexha e Naile Hoxha, valltarit Besim Zekthi e të gjithë artistëve të këtij Ansambli. “Edhe unë, si bir i Dardhës, trevë e aristëve me emër, do të mahnitesha me performancën e valltarit të shqipeve Besim Zekthi. Ky Mjeshtër i valles popullore shqiptare, valltar solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, shkëlqeu gjatë shfaqjeve në Ankara, veçanërisht në vallet e epikës legjendare duke performuar me shpirt dhe hijeshi të veçantë eposin shqiptar”, tregonte Rizai.
Pas përfundimit të misionit pranë Trupit Diplomatik të Shqipërisë në Turqi, Riza Gjoka kthehet në Tiranë ku u la në dispozicion për një detyrë të re.
SHËRBIMI I SHEF I INSPEKTORIATIT RRUGOR DHE NËNDREJTOR I PARKUT TË MALLRAVE DIBËR
Për burrin e shquar të Zall Dardhës dhe gjithë Dibrës, i cili në vitin 1956 ishte njohur dhe martuar me bashkshorten Ismete Gjoka (Biba), me të cilën do të sillnin në jetë pesë vjaza: Donika, Fatbardha, Vola, Shpresa, vdekja e njërës prej tyre në moshën 4-vjeçare qe një ngjarje e rëndë që shënoi një pikë kthese. Kjo traumë në familjen e tij bëri që ai të marrë vendimin të qëndrojë në Shqipëri.Kështu, Riza Gjoka, vëllai i madh i tetë fëmijëve të Rushit e Hane Gjokës: (tre vëllezërve Halit, Mexhit e Xhemal dhe katër motrave, Veza, Nurija, Haza dhe Adivija) dhe babai i katër vajzave të mrekullueshme (që sot kanë krjuar dhe u gëzohen familjeve të tyre) do të ishte mbështetja kryesore dhe udhërrëfyesi i tyre, (si dhe i gjithë farefisit, në raste gëzimesh e hidhërimesh).
Karriera e tij vijon si Shef i Inspektoriatit Rrugor në Kukës ku punoi dhe në përgatitjen e inspektorëve të rinj rrugorë. Pas largimit nga Kukësi erdhi në Peshkopi me detryrë Inspektor Rrugor në Degën e Brendshme.
Pas 30 vitesh punë, lirohet me dëshirë nga shërbimi policor për t’ju kthyer jetës civile. Sërish në një funksion të rëndësishëm si nëndrejtor i Parkut të Mallrave Dibër, ku me talent e përkushtim të rrallë bëri që ky Park të renditej ndër më të mirët në rang vendi. Punoi edhe për disa vite si shofer në transportin ndërkombëtar në ish-Jugosllavi, Çekosllavaki, Hungari, Poloni, Bullgari etj.. Doli në pension si kontroll teknik i automjeteve pasi mosha kishte bërë të veten.
KRENARIA PËR VENDLINDJEN
Riza Gjoka, në oda e mexhelise burrash, si dhe me fëmijët, gjithjë fliste me krenari për vendlindjen e tij, Zall Dardhën, si djep i trimërisë, burrërisë. artit, muzikës e kulturës. Kishte shpirt artisti. Këndonte, kërcente dhe i binte sharkisë shumë bukur. Ai qe një përfaqësues i denjë i Zall Dardhës, mishërues dhe përçues i vlerave e virtyteve më të mira tek të cilat besoi dhe jetoi me to. Prandaj dhe nderohet e respektohet jo vetëm nga familjarët, të afërmit e miqtë, por edhe nga bashkëpunëtorët dhe nga të gjithë ata që e njihnin. Pas një sëmundje të rëndë ai u nda nga jeta më 14 shkurt 2009, duke mbetur në kujtesën tonë si njeri model në të gjithas drejtimet.