Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Në kuadrin e 80 vjetorit të Batalionit Partizan “PUKA”, studjuesi i mirënjor, prof. Xhemal Meçi – Mjeshtër i Madh boton vëllimin e parë të librit “Dëshmorët e Atdheut të Pukës”.
Ky botim, që siç shprehet autori është i nxitur prej kerkesave të Familjeve të Dëshmorëtve të Atdheut të Degës Pukë dëshmon për përpjekje serioze, sepse që në pamje të parë është gjithpërfshirës, duke evidentuar dhe portetizuar të rënët për liri e pavarësi që prej kohësh sa më të herëshme.
Dhe nuk janë pak, por plot 84 emra të atyre që kanë rënë në altarin e lirisë së kombit.
Qëllimisht autori Xh. Meçi ka zgjedhur si parathënie shkrimin e nënkryetarit të OBVLP Muharrem Gjoka-Mjeshtër i Madh (Gazeta “Veterani, maj 2024), duke ju përmbajtur qëndrimit të palëkundur të organizatës tonë se “Respekti dhe nderimi për dëshmorët është shenjë e pjekurisë dhe fuqisë së një kombi dhe se respekti për të kaluarën është një investim për të ardhmen”.
Këtë respekt dhe nderim autori i këtij libri e shpreh më së miri duke portretizuar 84 dshmorët e atdheut të Pukës, të cilët, siç shkruan ai në kopertinën e librit, janë dhe do të mbeten nderi dhe krenaria e kombit.
Për faktin se çdo kohë ka dëshmorët e saj dhe ne i nderojmë ata pa dallim, duke punuar çdo ditë për përmbushjen e idealeve të tyre për Shqipërinë, për të qenë sa më bindës për lexuesin, prof. Xhemal Meçi e shkruan këtë libër në referim të një bibliografie mjaftë të pasur me 35 tituj librash, artikujsh e studimesh.
Libri ka një ndërtim kompozional të admirueshëm me një ndarje me katër kapituj: Atdhetarët që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e tërësisë së trojeve tona iliro-arbërore; Dëshmorët partizanë antifashistë;Dëshmorët e rënë në vitet e pasçlirimit për të vendosur rend e siguri për popullin dhe Dëshmorët oficerë e punonjës të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës.
Mbi këtë bazë libri paraqet lehtësi studimi. Në faqet e tij, luftërat për çlirimin e atdheut, gjaku i derdhur, jetët e flijuara dhe sakrificat sublime për lirinë e tij, janë gdhendur si dëshmia monumentale e një populli që ka luftuar në mënyrë të paepur me pushtuesit gjatë gjithë historisë së tij.
“Gjaku i dëshmorëve ka rrjedhë prej shekujsh për liri e pavarësi dhe mbrojtjen e trojeve arbërore, prandaj sillet në memorie si model heroizmi Oso Kuka, që aq madhërishëm e ka dhënë veprën e tij legjendare, Fishta te ‘Lahuta e malcis’ si shqiptarit i ka pas hije në shekuj:
‘Aman falë i kjoshim Zotit/ Kur i ka dhan zjarr barotit/ Se ç’asht dridh Vrania e shkret/ Se ç’a hedh kulla përpjet/ Sa dhe liqeni ka gjëmue!” (fq.23-24).
Më tej autori shkruan se një prej trimave të Oso Kukës që dha jetën në atë kull baroti ishte edhe … “Çoku i Kol Mar’Drinit prej Kabashit t’Dukagjinit (Pukë), trim i çartun, trim si zanë!”. Kështu shkruan autori i këtij libri edhe për Zenel Mustafë Agën e Iballës me Marash Markun e Frrok Kolë Gjergjin-dëshmor i atdheut, drejtues i Shtatë Bajrakëve të Pukës gjatë kryengritjes së përgjithshme 1912, përkrahës të Bajram Currit e Hasan Prishtinës, pjesëmarrës në Besëlidhjen e Shkupit, gusht 1912.
Kësisoj prof. Meçi si studjues skurpuloz i historisë rrok një hark kohor prej më se një shekulli, në përshkrimin e heronjve dhe dëshmorëve të atdheut që qëndrojnë dinjitetshëm në panteonin e vlerave.
Duke bërë pjesë të këtij libri fjalën që ka mbajtur në Simpoziumin e parë për dëshmorët e atdheut Pukë, të datës 9 qershor 2022, Prof. Xhemal Meçi e njeh lexuesin edhe me dëshmorë të tjerë, si: Derman Aga e Kadri Sokoli të Iballës, rënë në mbrojtje të Plavës e Gucisë; Salih Tahiri rënë më 1918 (përjetësuar edhe nga kënga popullore: “Krisi pushka, ushtoi Drini/ ke ka vra Salih Tahiri), si dhe Zekë Nikoll Curri e Prengë Curri me nemceli; Çup Qafa – Fushë Arës e Mustafë A.Brahaj, rënë në luftë me ushtrinë serbe, shpallur “Dëshmorë të atdheut”.
Në këtë libër gjejmë edhe vlerësimin e Prof.asoc.dr. Bernard Zotaj – Mjeshtër i Madh, i cili në një përmbledhje të dëshmorëve të Pukës (dhe atyre të pashpallur brenda e jashtë rrethit Pukë, deri në kufijtë jugorë, si edhe në Kosovë) flet për dëshmorin Shaban Halil Uka, rënë me 7 shtator 1943 për çlirimin e Gjakovës, si dhe për Ndue D. Gjokën rënë dëshmor me 11 dhjetor 1944 në Deçiç të ish-Jugosllavisë, etj, etj.
Nga ky libër ja vlen ta perifrazojmë Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj – Kryetar i Shoqatës së Historianëve Ushatarakë, se “Në shkrimet për dëshmorët e Pukës gjenden mjaftë luftime ku janë treguar akte të larta heroizmi dhe gjak i derdhur për të mbrojtur vendin nga pushtuesit e shumtë në shekuj”.
Mjaftë të arrirë janë në këtë libër shkrimet me titujt: “Bije Vokshi për varrezat e dëshmorëve të atdheut”; “Dëshmorë të atdheut (të pashpallur)”; “Këngë për Pal Marashin e Qelzës”, “Kuvendi e Besëlidhja e Pukës për çlirimin e vendit”; “Mic Sokoli”; “Rrustë Rexhep Kabashi”; “Puka, tokë e zjarrtë ndaj pushtuesve serbë”; “Pista me topin e Dardhës deri në kufijtë e legjendës”; “Halil Hasani – ‘Mic Sokoli’ i Malziut”, shkrimet për dëshmorët Ndoc Mark Deda, Mëhill Mark Deda e Gjergj Mark Deda, etj.
Në këtë libër ka referenca edhe nga Dr. Gjergji Velo – Kryetar i Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut të Shqipërisë, nga Kryetari i Organizatës “Dëshmorë të atdheut” Dega Pukë, z. Rasim Cina, nga Ing. Kol Deda me një kontribut të çmuar në përkujtimin dhe evidentimin e dëshmorëve, si dhe nga Marte Gjergji, mësuese “Familje Dëshmori”.
Në tërësinë e tij, ky libër është një kontribut madhor i studiuesit Xhemal Meçi për pasurimin e fondit të letërsisë dokumentare shqiptare.