Nga libri “Nënë Xharies” i Liço Liçit: “Dashuria për nënën nuk matet me asnjë vlerë monetare, ajo kërkon vetëm shpërblim shpirtëror”…
Nga Liljana MUÇA
Jeta është jo vetëm ekzistenca frymore e njeriut, por mbi të gjitha ekzistenca e të qenurit njeri me shpirt të madh. Pikerisht ky është mesazhi kryesor që percjell autori i ketij libri Liço Liçi. Për nga lloji letrar është poemë, e cila përshkohet nga fryma e një raporti të ndërsjelltë, nënë- bir dhe bir – nënë. Bazuar në këtë raport, rrjedhin si ujrat e kristalta të Gjergjevicës kujtimet e autorit për nënën e tij.
Liço Liçi, jo vetëm si mjeshtër i përpunimit të gurit, i cili e bën gurin të flasë artistikisht, aftësi të cilit ia ka dhënë treva e Oparit prej nga vjen vetë autori, por edhe i fjalës artistike, të cilën e përcjell me një emocion të forte, të dashurisë, mallit dhe respektit për nënë Xharijen.
Në hyrje të poemës të tërheq vëmëndjen një gjetje e bukur artistike, ku me anë të pyetjes retorike, realizohet një komunikim ndërplanetar, për të shprehur përmasat e një malli të madh të birit për nënën në mungesë…
“E pyeta Hënën , / që ndriçon gjith dynjanë/ A ma ke parë gjë nënën ?/ Nje vit kam pa e parë…”.
E në vazhdim të mallit që nuk tretet, varg pas vargu e strofë pas strofe formëzohet portreti i Nënës, në të cilin lexuesi përfytyron gruan unike; si një bashkëshorte dinjitoze që qëndron e fortë në themelin e familjes, në mirëmbajtjen, në mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve. Ishin derë e hapur për bujari dhe mikëpritje të miqve, vlera keto të trashëguara që nga vajzëria në familjen e saj e më pas të përforcuara në familjen e re.
Autori ka pasqyruar sipas kujtimevë të nënë Xharies kur ajo tregonte me krenari përfshirjen e familjes së Ali Liçit, vjerrit të saj, në Lëvizjen e Madhe të Luftës Çlirimtare kundër okupatorëvë nazi – fashistë. Në shtëpinë e tyre hynin e dilnin ilegalë dhe gjithë natën gatuheshin vakte buke për luftëtarët e lirisë.
Liço Liçi, si i vetmi djalë në familje, për nënë Xharijen ishte e vetmja dritë syri që i kishte mbetur, pasi një djalë tjetër që nuk ishte më në jetë, i kishte dhënë asaj një goditje të papërballueshme që mund t’i ndodhë një nëne…
Ajo e rriti dhe e edukoi të birin për të përballuar me guxim vështirësitë e jetës, ashtu siç ajo diti të bëjë më të mirën për atë.
Si shpesh herë duke e pirë kafen me nënën e tij pranë oxhakut, kujtimet marrin arratinë ndër vite e dekada; me halle e brenga aq të mëdha, sa nuk do të kishte fuqi t’i mbante në kurriz as mali i Ostrovicës.
Por jeta me dimensionet e saj u rezervoi edhe gëzime. Nëpër dasma apo lindje nipërish e mbesash, nënë Xharija provonte ndjesitë e gëzimit të paparë, duke hequr vallet apo duke ja marrë kengës.
E tillë ishte ajo, me një shpirt luftarak, babaxhane që dinte t’a mundte dhimbjen. Pikërisht të tilla momente mbresëlënëse i kanë ndezur të birit frymëzimin për të vargëzuar me fjalë shpirti. Pena që rrëshket mbi letër dhe mendja që riprodhon kujtimet, shpalosin përfytyrime të pashlyeshme tek autori.
“Botës bukurinë/ Ia jep vetëm nëna / Qiellit dhe Tokës/ Dielli dhe Hëna”. Janë këto, vargje me një qasje të arrirë stilistike. Përmes një paralelizmi figurativ arrihet në një përgjithësim universal për nënën, pa të cilën bota nuk do kishte jetë dhe ngjyra.
“Nënë ti kur u largove/ s’more me vete gjë tjetër/ Prandaj këto kujtime/ për ty i hedh në letër…”
Nënteksti i këtyre vargjeve sikur të thotë se dashuria për nënën nuk matet me asnjë vlerë monetare, ajo kërkon vetëm shpërblim shpirtëror, ku secili fëmijë e ka për detyrë t’ia japë pa kursim, t’ia japë ashtu siç e ka marrë prej saj, pa kushte.
“Syri i i Zotit/ Dhe zemra e Nënës / Nuk të braktisin kurrë…”
Janë këto vargje dedikimi më i mirë i autorit në kujtim të nënë Xharies, për t’i thënë kujtdo fëmije: duajini prinderit siç doni sytë e ballit tuaj. U jepni atyre shumë ngrohtësi, përkujdesje e dashuri, siç ata ua kanë dhënë juve.
Me penë e zemër në dorë, Liço Liçi shkroi me krenari për nënën e tij, për ta patur si shembullin më të mirë në sfidat e jetës dhe për t’i përballuar ato siç ajo i përballoi. E meritonte këtë përmëndore dhe Liço e bëri me fjalë shpirti.