“Më 17 korrik 2025, ora 18.00, promovimi në Akademin e Shkencave nga OBVLP dhe “Univers”
• Nëpërmjet kësaj monografie lexuesi njihet me aktivitetin luftarak të Mehdi Lucës gjatë Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, me kuadrin e devotshëm të shkolluar në të famshmin Internat i Kastriotit, me njeriun që sa qe gjallë vështrimin e kishte nga vendlindja…
Prof.dr. Petrit BARA
Mjeshtër i Madh&Zv/Rektor i
Universitetit “LUARASI
Në këto kohë të globalizimit, përballë agresionit të mediave të shumta sociale, botimi i një libri monografik të shkruar është ngjarje e rëndësishme. Sepse siç thonë latinët “e shkruara mbetet”.
Kësaj sentence të përbotshme i është përmbajtur besnikërisht shkrimtari dibran Halil Rama – Mjeshtër i Madh dhe “Qyetar Nderi” i bashkisë Bulqizë, duke shkruar, botuar, promovuar dhe duke futur në fondin e letërsisë dokumentare shqiptare dhjetra monografi letrare.
Që në fillim dua ta falenderoj këtë autor mjaftë produktiv e cilësor, për monografitë që ka shkruar e botuar për disa personalitete të Dardhës, si për kompozitorin e tangos shqiptare Muharrem Xhediku, për ikonën e artit e kulturës kombëtare Skënder Cala, për Bajram e Lutfi Ndreun, për Isuf Rashën si dhe për shkrimet brilante në librin e tij të fundit “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave” dhe shtypin qëndror – biografi të letrarizuara kushtuar Nderit të Kombit Hazis Ndreu, i njohur si “Ezopi i Dibrës”, për Liri Rashën që e ka pagëzuar si “pasaporta artistike” e Dibrës, për zërin e lavdisë shekullore Qerim Sula, për Mjeshtrin e Madh Muharrem Gjoka – Qytetar Nderi i Qarkut Dibër dhe President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”, etj, etj.
Personalisht kam provuar emocionet e botimit të disa artikujve të Z. Halil Rama, si përcjellje e profilit tim njerëzor intelektual e profesional dhe të veprimtarive të mia publike, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Peshkopi, Bulqizë Dibër të Madhe, Kukës e Tetovë ku më kanë vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi”, (në Tetovë jam, vlerësuar “Qytetar Nderi”, vetëm një muaj pasi ky titull ju dha edhe nobelistit Ferid Murad, ndërkohë që Universiteti i Tetovës më vlersoi me titullin doktor “Honoris Causa”), si dhe kur më është dhënë titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.
Gjithsesi, me librin e tij të 29-të, ka meritën e përjetësimit të Mehdi Lucës, një personalitet i Dardhës dhe i gjithë Dibrës që me veprimtarinë e tij jetësore mbi të gjitha fitoi titullin NJERI.
Duket fare qartë kjo që në titullin sinjifikativ të kësaj monografie “MEHDI ISLAM LUCA–SHEMBULLI I NJERIUT DHE NJERIU SHEMBULL”.
Vetë forma kompozicionale e librit me pesë kapituj: “ZALL DARDHA NË RRJEDHËN E HISTORISË”, “TARTAJ, NJË EMËR I ASHPËR”; “KARRIERA E SUKSESSHME E MEHDI LUCËS NGA DREJTUES I LANÇ NË INSTITUCIONET DHE NDËRMARRJET E DIBRËS”; “KRIJIMTARIA LETRARE E MEHDI LUCËS” dhe “BASHKËKOHËSIT PËR MEHDI LUCËN”, është një qasje e veçantë e autorit H.Rama për ta bërë atë sa më tërheqës për lexuesin.
Është një libër objektiv, racional që përcjell vlera tek bashkëkohësit, qoftë me përshkrimin e ngjarjeve e fakteve të reja nga qëndresa e burrave të Dardhës kundër pushtuesve të huaj, ashtu dhe me portretizimet e babës Islam e të nënë Hanishes, miqtë e familjes së tij, si dhe solidaritetin vëllazëror e miqësor.
Ndërsa përsa i përket personazhit kryesor të librit, Mehdi Luca, përveçse nga autori i mirënjohur Halil Rama, karakteri i tij burrëror, mençuria, mirësia njerëzore, thjeshtësia dhe vizioni i tij bashkëkohor, përcillen mjaftë qartë e bukur edhe nga opinionet e bashkëkohësve të tij si: Prof. Dr. Hajri Shehu, Hysen Laçi, Femi Luca, Shuaip Methasani, Skënder Cala, nga nipi i tij Dr. Zyber Gjoni, Idriz Kukeli, Muharrem Gjoka, Dogjan Dervishi, Bashkim Gjilaga, Avni Ndreu, Shpresa Gjoka, Xhemali Luca, nga e bija Kujtimja, mbesat Prof.asocdr. Keida ushtelenca, Azhena e Amanda Luca dhe Ligea Gjoni.
Nëpërmjet kësaj monografie lexuesi njihet me aktivitetin luftarak të Mehdi Lucës gjatë Luftës së
lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, me kuadrin e devotshëm të shkolluar në të famshmin Internat i Kastriotit, me njeriun që sa qe gjallë vështrimin e kishte nga vendlindja.
Për të mos shuar kureshtjen e lexuesit, nuk po ndalem në hollësira të librit, por dua të shtoj se kjo monografi ja vlen të lexohet dhe të pasurojë bibliotekën e çdo dibrani, pasi parasëgjithash është përjetësim i të virtytshmit të paharruar Mehdi Luca.
Kjo monografi është një vepër e rëndësishme në ndihmë të banorëve të Dardhës, e të atyre që janë larguar prej saj dhe që frymojnë në Tiranë e në hapësirën mbarëshqiptare në botë, e cila padyshim plotëson një boshllëk në historiografinë e një treve lavdiplotë si Zall Dardha, me të cilën krenohet edhe vetë autori Halil Rama, si nip i një familje të saj me emër.
E falenderoj autorin H.Rama edhe për faktin se ka shkruar thjeshtë dhe bukur një monografi kushtuar Mehdi Lucës, me të cilin jemi nga i njejti fis (Në Tartaj, janë të një fisi: Luca, Pira, Gjoka, Bara, Xhaferi e Braka).
Libri monografik, “MEHDI ISLAM LUCA– SHEMBULLI I NJERIUT DHE NJERIU SHEMBULL”, i shkruar me një përkushtim dhe dashuri prej hulumtuesi, dokumentuesi, analisti nga pena e mirënjohur dhe kreative e Halil Ramës, është një vepër e një rëndësie, gjithsesi të veçantë, së pari për komunitetin që i përket personazhi i saj, së dyti për brezat e ardhshëm, së treti për historinë dhe krijimin e një tradite të shkrimit të dokumentuar, traditë kjo, e cila i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë kulturës shqiptare.