VLERESIME

Gjeneral Rrahman Parllaku dhe mesazhet e shekullit të Tij

Gjeneral Rrahman Parllaku, mbishekullori që sfidoi kohërat ishte dhe mbeti model i mbijetesës, qëndrimeve dhe vlerave. Për merita të veçanta i janë dhënë titujt “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Ai është dekoruar me 9 urdhra të lartë, tri medalje të luftës, si dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak. Është “Qytetar Nderi” i Qarkut Kukës,  bashkive të Shijakut dhe Kurveleshit, ndërkohë ësjhtë u nderuar me MIRËNJOHJE edhe nga Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, z. Aldrin Dalipi.

Në 100-vjetorin e lindjes, gjeneral Rrahman Parllaku  është nderuar me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”,  me motivacionin “patrioti që luftoi fashizmin, figurë emblematike e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, gjenerali që sfidoi regjimin e diktaturës komuniste”

I lindur në Veri të Shqipërisë dhe rritur e formuar në Jug dhe në Shqipërinë e Mesme, Gjeneral Parllaku e njohu Atdheun gjeografik me pëllëmbë, duke qenë prezent në të gjitha ngjarjet dhe sfidat e kohës, si pjesëmarrës aktiv në bëmat e mëdha në luftën për liri, dinjitet shoqëror dhe demokraci. Ai lëviz në historinë e shekullit të tij, hijerëndë me virtyte të larta, me përkushtim kombëtar, qytetar e shoqëror me ndikim të fuqishëm publik. Jetën dhe veprën e tij nuk e nxënë kufijtë e Shqipërisë shtetërore, por atë do ta gjejmë në luftëra dhe përpjekje dhe në viset e tjera shqiptare, në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe të drejtave të shqiptarëve. Në spiralet e historisë, Gjeneral Parllaku ka ditur të lakohet me dinjitet duke patur si kolonë bazë përkushtimin kombëtar shqiptar dhe progresin shoqëror, si thelb i motivimit që gëlonte shpirtin e tij progresist e liridashës. Vështirë të përmbledhësh në pak radhë, në kuinesencë, motivimin e personalitetit të tij, zhvillimin konjitiv e psikomotor të këtij djaloshi që ngjitej nga Novosej i Kukësit në tribuna të larta shtetërore, në hero të popullit të tij, në drejtues madhor ushtarak, duke ndryshuar variablat në kontekste politike në funksion të mbijetesës dhe qëndresës, nga udhëheqës i shquar në të dënuar me burg, nga triumfator në grigjë të rrezikut për jetën, nga piedestali i kuadrit të dobishëm në stigmën e “njeriut të rrezikshëm”, ekstreme këto që provokuan në personalitetin e Tij, qëndrime dhe vlera të larta politiko-shoqërore në raportin e ndjenjave të forta estetike midis dashurisë dhe urrejtjes. Këtë volum ideor dhe estetik e përcjell përgjatë shekullit të jetës së tij, një burrë shtetar, një organizëm vital, një mendje koherente dhe një vizion largpamës dhe perspektiv. Retrospektiva dhe perspektiva kanë një prerje të artë në personalitetin e Gjeneral Parllakut, atë e përshkon frymëzimi dhe dashuria për Atdheun e tij, si leitmotiv vijues mbikohor që çliron në rrethana tipike energji shpirtërore pozitive në luftën e jetës. Jeta e Tij është një shëmbëlltyrë e rrallë që na fton të kuptojmë se jeta meriton të jetohet kur luftohet fort dhe fitohet. Si një ushtarak, korrekt, i shquar ai mbështetej në skrupuj të fortë të moralit kombëtar, me pikëvështrim të qartë dhe të kthjellët, duke ngjitur një nga një shkallët e karrierës ushtarake, si një gjigand hijerëndë që ngjitet i sigurtë në bedenat e kalasë. Kalaja e pushteteve në kohë të ndryshme dhe situatë të ndryshme pati dhe shembje morale e politike, por këto nuk e dobësuan dhe përulën Gjeneral Rrahman Parllakun, këtë soj të fortë shqiptari që me mençuri diti të manovrojë në spiralet e rrezikshme të historisë shqiptare.

Heroi i luftës në terren, i luftës dhe përballjes në gjyqe ushtarake, përballoi burgje e privime dhe fitoi duke merituar lavdinë dhe pavdekësinë. Jeta iu afrua heroit herë me tufa me lule, herë duke u derdhur mbi të, me tërë egërsinë e saj. Rrallë gjen shembuj të tillë të personalitetit ku të jenë ngjizur e plazmuar në mënyrë aq mjeshtërore vetitë e karakterit të një intelektuali patriot, të një drejtuesi e komanduesi të aftë ushtarak, të zgjuar dhe trim, të thjeshtë dhe të ndershëm, të bukur në trup, shpirt dhe mendime. Ai është një shëmbëlltyrë e ardhur nga genocidi komunist, si dëshmitar i gjallë për të kuptuar dhe vërtetuar peripecitë dhe traumat që kaloi ky popull i orientuar dhe i ideologjizuar gabimisht nga rryma dhe korrente të huaja.

Mbi 20 vjet në krye të Shoqatës së Veteranëve të Luftës, me ndershmëri dhe principe të larta morale ka kontribuar në ndriçimin e mjaft skenave dhe protagonistëve, të vërtetave dhe kërkimeve historike duke dhënë edhe në moshë pensioni, një ndihmesë të vyer në emancipimin politiko-shoqëror e demokratik të shoqërisë. Si një lundërtar i shquar ai e drejtoi varkën e shpëtimit duke kapërcyer me sukses tallazet e historisë deri në brigjet e paqta të demokracisë që po jetojmë. Jo vetëm gjatësia kohore e jetës por dendësia dhe përmbushja e saj me veprime, qëndrime dhe vlera në përmbajtjen e saj, e bën këtë figurë të lartësohet në nderimin tonë shoqëror, ku zëri dhe mesazhet e Tij dëgjohen deri në organizata famoze ndërkombëtare. Në këtë vështrim Gjeneral Rrahman Parllaku përbën një shembull frymëzimi për atdhedashurinë dhe përkushtimin qytetar.

Kreu i Shtetit, Bujar Nishani dekoron kryetarin e parë të OBVL-së

• Duke i dhënë Dr.Ymer Dishnicës Titullin “Nderi i Kombit”, kreu i shtetit nderoi një njeri emblematik, të edukuar, të shkollur, të përkushtuar dhe të kulturuar në shkallën më sipërore që do të kujtohet për një kohë shumë të gjatë dhe do të zerë vendin e merituar në panteonin e nderit të kombit shqiptar

Ndër 14 figurat e shquara të historisë sonë shqiptare që dhanë kontribut për Pavarësinë dhe çështjet kombëtare, të dekoruara nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani më 28 Nënor 2014, Dr.Ymer Dishnica zë vend të veçantë. Duke i dhënë Dr.Ymer Dishnicës Titullin “Nderi i Kombit”, kreu i shtetit nderoi një njeri emblematik, të edukuar, të shkollur, të përkushtuar dhe të kulturuar në shkallën më sipërore që do të kujtohet për një kohë shumë të gjatë dhe do të zerë vendin e merituar në panteonin e nderit të kombit shqiptar.

Presidenti i akordon Kolonelit veteran Myfit Guxholli, ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’

June 8, 2020

Në vlerësim dhe mirënjohje për veprimtarinë e shquar si luftëtar i lirisë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe për kontributin e veçantë në krijimin dhe konsolidimin e artit të luftës e shkencës topografike ushtarake shqiptare, pata sot nderin t’i akordoj Kolonelit veteran Myfit Guxholli “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.

Nga Ilir Meta.

Si përfaqësues i një brezi të lavdishëm idealistësh që në momentet më të vështira dhe të errëta për vendin u bashkuan me armë në dorë për çlirimin e Atdheut, Kolonel Guxholli dhe familja e Tij luftuan përkrah Heroit të Popullit Reshit Çollaku me çetën partizane të Mokrës, duke shkëlqyer me heroizmin e tyre, që na bën krenarë dhe frymëzon brezat e rinj me ndjenjat më të larta të atdhedashurisë.

Kolonel Guxholli, si bashkëthemelues i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, me Dr.Ymer Dishnicën, Gjeneral Rrahman Parllakun, Liri Belishovën, Edip Ohrin, Skënder Malindin e shumë të tjerë në drejtimin e saj, i kanë bërë shërbimin më të mirë kombit dhe popullit shqiptar, duke nderuar sakrificën sublime, gjakun e dëshmorëve, heroizmin e luftës partizane, që ishte dhe mbetet lufta më e madhe patriotike për liri që ka zhvilluar populli ynë.

Kjo luftë e lavdishme që realizoi Çlirimin e Atdheut nga okupatori nazifashist dhe e shpëtoi vendin nga planet për ndarjen, duke e radhitur Shqipërinë në anën e Aleancës së madhe të popujve kundër Aksit të së keqes, është padyshim një meritë për Shqipërinë europiane, sot anëtare e NATO-s dhe aspirante për anëtare të BE-së, sepse në themel të Europës së Bashkuar qëndrojnë vlerat demokratike dhe çlirimtare të Luftës së Dytë Botërore. Përherë mirënjohës për kontributin shumë të çmuar të Kolonel Guxhollit dhe familjes së tij për Shqipërinë, për ushtrinë tonë dhe kombin shqiptar.