Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Mjeshtër i Madh

Luftëtarët që krijuan organizatën

Në shekuj populli shqiptar ka luftuar dhe ka bërë përpjekje të vazhdueshme për dinjitet, pavarësi, liri dhe demokraci. Grumbullimi i këtyre principeve parimore morën vlera dhe u ngritën në shkallën më të lartë në vitet e LANÇ-it.
Lufta e drejtë për çlirim dhe liri e bërë nga luftëtarët shqiptarë në Luftën e Dytë Botërore bëri që Shqipëria të rreshtohej me plot dinjitet në Koalicionin e Madh Antifashist Botëror, ku dha kontribut dhe shfaqi vlera, si një vend që u përball me dy Fuqi të Mëdha pushtuese të kohës dhe doli fitimtar duke çliruar vendin me forcat e veta.
Luftëtarët e kësaj lufte, me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, më 18 korrik 1994 krijuan Organizatën e Bashkuar e Veteranëve të Luftës të popullit shqiptar (OBVL), për të mbajtur gjallë frymën atdhetare, përpjekjet dhe sakrificat e popullit dhe bijve të tij, si dhe për të përkujtuar dhe transmetuar në breza këtë përvojë të madhe. Rrënjët e luftës dhe të antifashizmit shqiptar u shfaqën në Luftën e Spanjës ku dhe morën përmasa në fillimet e rezistencës popullore shqiptare më pushtimin fashist të vendit.
Luftëtarët e kësaj lufte, 30 vite më parë, personalitete, gjeneralë dhe partizanë, figura politike të dënuar nga regjimi komunist, u mblodhën dhe formuan Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar me mision mbrojtjen e vlerave të kësaj lufte.
Ata ishin: Dr. Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, gjeneral Nexhip Vinçani; Sadik Bekteshi (gjenerallejtënant – Hero i Popullit), gjeneral Muhamet Prodani, Skënder Malindi, Edip Ohri, Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo, dhe Ernest Jakova; gratë luftëtare Selfixhe Broja (Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani) etj.
Këta i kanë dhënë hov dhe jetë kësaj organizate që veteranët e luftës, duke qenë përfaqësuesit më besnikë e luftëtarë trima të patrembur, që i kushtuan jetën e tyre çlirimit të Shqipërisë. Në këtë periudhë shkruan kujtime të kësaj epopeje duke pasuruar memorien kombëtare me dokumente kryesore e të rëndësishëm për brezat e ardhshëm.
Organizatën e krijuan dhe e drejtuan figura historike

Organizata është udhëhequr dhe drejtuar nga figura të spikatura atdhetare, por dhe me kontribute të mëdha të dhënë prej tyre gjatë luftës. Vend kryesor zënë figurat ushtarake të luftës, komandantët e komisarët e brigadave dhe të njësive sulmuese. Për punën në mbrojtje dhe promovim të vlerave të luftës në këto vite, të jetës së organizatës janë vlerësuar personalitete me titullin “Nderi i Kombit”, si ish kryetarët Dr. Ymer Dishnica, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm; gjenerallejtënant Rrahman Parllaku, ish komandant Divizioni Sulmues; gjeneral Nexhip Vinçani, ish komandant i Br. IVS, si dhe antifashisti i Luftës së Spsnjës dhe gjeneral, Hero dhe ushtarak madhor Veli Dedi.
Me dekoratën e “Artë të Shqiponjës” janë vlerësuar kolonel Myfit Guxholli; ish-sekretari i Përgjithshëm i organizatës Edip Ohri dhe anëtarët e kryesisë Liri Belishova e Hamit Keçi, si dhe komandanti i Çetës së Parë Partizane të Gollobordës, patrioti Ahmet Cami dhe ish-kuadri i Br. XVIII S Ismail Bara.
Nga kjo organizatë për përkushtim në mbrojtje të vlerave të luftës, me titullin “Mjeshtër i Madh” janë dekoruar: Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryeredaktori i gazetës “Veterani”, akademik Halil Rama; nënkryetari i Organizatës Muharrem Gjoka dhe kryetari i Degës Pukë, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur Xhemal Meçi.
Në përkujtim dhe nderim të figurave të organizatës, Këshilli i Bashkisë së Tiranës ka emëruar disa rrugë në qytetin e Tiranës me emrat e Rrahman Parllakut, Liri Belishovës dhe Edip Ohrit. Përjetësohen kështu personalitete të organizatës, me kontribute të dukshme në Luftën e Dytë Botërore, në krijimin, organizimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Partizane dhe të Shtetit Shqiptar, por dhe për udhëhqjen me përkushtim të organizatës. Rrahman Parllaku, Hero i Popullit, Nderi i Kombit dhe gjeneral, ka bërë histori, është një legjendë e jetuar në tri kohë. Në rrugëtimin 100-vjeçar, ai ka ngelur një monument dhe simboli i qytetit të Tiranës, një kujtesë atdhetare, qytetare dhe historike. Liri Belishova, luftëtarja grua që ishte në udhëheqje në LANÇ dhe të pasluftës. Edip Ohri është bërë legjenda e armës së Aviacionit Shqiptar dhe mbetet një figurave madhore e Forcave të Armatosura.

Punë plot përkushtim në 30 vite

Në këto 30 vite të jetës dhe veprimtarisë të kësaj organizate, luftëtarët dhe pasardhësit e saj, me punën dhe përpjekjet e tyre për mbrojtjen e idealeve të shenjta të LANÇ-it, kanë të drejtë të krenohen për vlerat e shfaqura dhe të mbrojtura me dinjitet. Në këto vite jete të saj, ka punuar dhe luftuar për mbrojtjen e vlerave luftarake të popullit, gjakun dhe sakrificat e luftëtarëve të njësive partizane, të dëshmorëve e heronjve të rënë dhe të simboleve të tyre. Në këto 30 vite, organizata ka manifestuar vlera dhe percjellë mesazhe fisnikërie për kontributin e luftëtarëve gjatë zhvillimit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore.
Organizata e Bashkuar të Veteranëve të Luftës me misionin e saj historik mbështeti proceset demokratike të zhvilluara në Shqipëri në fundshekullin e XX, si dhe ndërtimin e shtetit ligjor, duke mbledhur rreth vetes luftëtarë të luftës së madhe, por që pas çlirimit të vendit disa prej tyre në sistemin monist vuajtën në burgje, të dënuar për fjalën e lirë.
Organizata me misionin e saj ka bërë vlerësimin e historisë të luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, të luftëtarëve, të dëshmorëve, të formacioneve parizane, të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH dhe anëtarëve të shtabit. Organizata nuk ka qenë dhe nuk është dakort me periudhën e diktaturës së proletariatit dhe me Enver Hoxhën, ku janë dhënë dënime dhe bërë persekutime të mjaft kuadrove të udhëheqjes, të ushtrisë dhe të sektorëve të tjerë të jetës politike dhe shoqërore.

Organizatë e njohur për vlerat që përcjell

Me përkushtimin e dr. Dishnicës dhe të Heroit Parllaku, organizata u bë anëtare e Federatave Europiane dhe Botërore të Veteranëve.
Në disa vende të botës, organizata ka bërë të njohur kontributin e popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, si dhe përpjekjet e bëra në luftërat për liri dhe pavarësi, për përpjekjet e popullit të Kosovë dhe të shqiparëve në vendet e rajonit të Ballkanit. Kështu Organizata në këto aktivitete ka mbrojtur vlerat e luftës, ka rritur besimin e veteranëve dhe të pasardhësve, në përpjekjet për demokraci.
OBVL dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ në Kosovës, në bashkëpunim kanë krijuar Federatën Shqiptare të Veteranëve të luftërave për liri e pavarësi të popullit shqiptar.
Organizata e Veteranëve të LANÇ në Kosovë dhe OBVL e Shqipërisë, në bashkëpunim me Federatën Botërore Europiane të Veteranëve, po punojnë për organizimin e veprimtarive të përbashkëta në mbrojtjen e vlerave historike të popullit tonë në shekuj; ato kanë evidentuar dhe promovuar ngjarje dhe data historike; kanë përkujtuar data historike të kuvendeve historike si Kuvendi i Lezhës, Lidhja e Prizrenit,
Pavarësia e Shqipërisë, Konferenca e Pezës, Konferenca e Bujanit, Pavarësia e Kosovës etj. Federata gjithashtu është përqëndrar në përkujtimin jubilare të heronjve, të dëshmorëve, të prijësve e komandantëve legjendarë të luftërave të popullit tonë, për liri e pavarësi kombëtare.
Organizata ka mbrojtur vlerat e luftëtarëve dhe të dëshmorëve

Në jetën 30 vjeçare OBVL ka kryer veprimtari të vijueshme në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të LANÇ. Veteranët dhe pasardhësit e organizatës ndjehen krenarë se në këto tre dekada vite të jetës dhe veprimtarisë, kanë punuar dhe luftuar për mbrojtjen e vlerave të lirisë. Në themel të misionit të saj organizata ka mbrojtjen, propagandimin, ruajtjen dhe mbajtjen gjallë të vlerave të historisë kombëtare, por në veçanti të LANÇ-it, si dhe transmetim të tyre në breza.
Në 80-vjetorin e çlirimit të Atdheut, veteranët dhe pasardhësit e Organizatës kanë të drejtë të ndjehen krenarë për faktin se Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore u rreshtua në anën e antifashistëve, të fitimtarëve dhe të frontit të madh të lirisë. Kjo është meritë e partizanëve, e kalorësve të çlirimit dhe të lirisë, e dëshmorëve që flijuan jetën për këtë Atdhe që jetojmë.
Organizata me veprimtaritë e zhvilluara ka realizuar misionin historik, duke ruajtur, mbrojtur dhe zhvilluar vlerat e LANÇ dhe të luftërave për liri e pavarësi të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Ballkan. Në këto vite ka bërë moto të punës së saj bashkëpunimin me të gjitha shtresat, pa paragjykime në bindje, përkrah luftën, mbështet dhe ndihmon shtetin ligjor, bashkëpunon me institucione të pavarura dhe ka ndërmarrë nisma në dobi të veteranëve dhe të familjeve të dëshmorëve. Në veprimtarinë e saj organizata ka nderuar kontributin e të gjithë pjesëmarrësve në LANÇ.
OBVL, në rrëgëtimin e saj 30 vjeçar ka patur dhe bashkëudhëtare organin propogandues që pasqyron të gjithë punën dhe përpjekjet në këto vite. Gazeta “Veterani”, një gazetë mujore ka pasqyruar në mënyrë dinjitoze veprimtarinë e organizatës dhe ka ndihmuar në realizimin e objektivave dhe detyrave të saj. Në përmbushjen e këtij misioni historik “Veterani” është bërë një udhërrëfyes i dhjetra mijëra veteranëve dhe pasardhësve, anëtarë të organizatës. Gazeta ka mbrojtur në mënyrë dinjitoze luftën e popullit shqiptar, përpjekjet e bëra në rrugën e ndërtimit të socializimit, ka shfaqur qëndrimin dhe mendimet ndaj udhëhqjes së PPSh, për dënimet dhe burgjet ndaj drejtuesëve të luftës dhe të pasluftës etj. Në faqet e saj kanë gjetur pasqyrim mjaft veprimtari të degëve të saj të shtrirë në të gjitha bashkitë e vendit.
Organizata në 30 vjet ka bërë dhe botime të librave të veteranëve, të cilat janë promovuar në mënyrë dinjitoze në Shqipëri dhe në Kosovë. Organizata gjithashtu ka përgatitur dhe promovuar dokumentarët “Rrahman Parllaku, një legjendë në kufirin e tri kohëve” dhe “Fadil Hoxha, arkitekti ï Kosovës së lirë”.
Në këtë 30-vjetor organizata ka një bilanc të pasur me veprimtari dhe përkujtimore të ngjarjeve të luftës, të veprës së partizanëve dhe të aktit heroik të rënies së dëshmorëve, me përpjekje për organizimin dhe gjallërim të jetës së saj. Organizata dhe anëtarësia e saj, ka punuar me pasardhësit për njohjen e historisë, për përpjekjet dhe luftën e partizanëve dhe heroizmin e dëshmorëve, për njohjen e rrugës luftarake të njësive partizane dhe të drejtuesëve të tyre, etj.
Urime organizatës për mbrojtjen dhe pasqyrimin e vlerave të LANÇ në rrugëtimin e saj historik, veteranëve dhe pasardhësve, gjithë forumeve të saj, si dhe gazetës “Veterani” për lartësimin e kësaj epopeje të madhe të popullit shqiptar, siç ishte Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare!