Nga MEVLUD BUCI

Që prej një viti (3.02.2023) shkolla 9-vjeçare Blliçe në Njësinë Administrative Fushë Çidhën mban emrin e mësuesit veteran Skënder Kuta. Këshilli Bashkiak Dibër me këtë akt (Vendimi nr. 38, datë 3.02.2023) ka kryer një akt të lartë morali dhe respekti ndaj një figure të ndritur, veteranit të arsimit Skënder Kuta , i cili dha një ndihmesë në arsim, që u vlerësua në kohë dhe vlerësohet edhe sot nga kujtesa e ish-nxënësve të tij dhe e njësive të pushtetit vendor, nga një opinion më i gjerë.
Skënder Kuta u lind në Blliçe, një fshat me tradita patriotike.
Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje nga viti 1948-1952. Nga viti 1953 u regjistrua në shkollën e Kastriotit në Fushë –Ali, të cilën e përfundoi me rezultate të larta më 1956. Më 1956-1960 përfundoi Shkollën Pedagogjike në Peshkopi, me rezultate të larta.
Më 1980 Skënder Kuta emërohet mësues në në shkollën 7-vjeçare të Fushë –Alisë.
Më 1964-65, punon mësues në Zogjaj, pastaj punon në Vrenj etj. Më 1970 ai fillon studimet për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës, studime që i mbaron me rezultate të larta. Punon sërish në Blliçe dhe nga viti 1977 si mësues në shkollën e mesme të Fushë-Alisë.
Nga viti 1993 emërohet drejtor shkolle në Blliçe.
Një karrierë e shkëlqyer dhe një punë përkushtuese e shoqëron figurën e këtij veterani të arsimit. Edhe tani në moshën 85 vjeçare, Skënderi kujton ato vite të vështira me mungesa të mëdha por me pasion dhe dashuri të jashtëzakonshme për dijen, ku arsimi shikohej si prioritet i ecjes përpara.
Skënder Kuta ishte mësuesi dhe pedagogu që nuk e pati të lehtë, por kurrë nuk i tha punës jo dhe kurrë nuk përtoi të shërbente nga një shkollë në tjetrën, atje ku kishte më shumë nevojë për mendjen dhe përkushtimin e tij si mësues dhe edukator i brezave.
Edhe sot në këtë moshë, ai është i kthjellët, aktiv dhe kujton me respekt kolegët, ish-nxënësit e tij dhe ndihet i gëzuar se mjaft prej tyre janë bërë dikush në jetë, madje kanë kapërcyer pritshmëritë e tij kohore. Është i gëzuar se injektoi te këta nxënës besim, kurajo, mirësi, dashuri për dijen, kulturë, atdhedashuri dhe mirësi, përkushtim për punën, të gjitha këto veti të një mësuesi të talentuar që ka ditur t`i transmetojë e përçojë në mendjet e vogëlushëve të dikurshëm .
Janë të rralla rastet kur figura të tilla përjetojnë që në gjallje një nderim të tillë dhe ky nderim nuk është diçka rastërosre. Ishte kërkesa e dhjetëra –qindra ish-nxënësve të Skënder Kutës, e cila iu adresua organeve të pushtetit lokal që kjo shkollë të mbante emrin e tij dhe kjo kërkesë vjen në unison edhe me mendimin e mjaft njerëzve të tjerë, prindër e me gjerë , gjë që shkojnë natyrshëm tek një vlerësim i merituar për një nga veteranët e shquar të arsimit në Dibër për një figurë me vlera, që rrezatoi dje, sot e gjithnjë në fushën e arsimit dhe të edukimit e të dashurisë për dijen.