Nga Bashkim Hisari

Pranvera e vitit 1999, për shqiptarët e Kosovës ishte një nga periudhat më tragjike në historinë e gjatë të shtypjes, vuajtjes dhe pritjes së lirisë dhe pavarësisë. Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, njëzetepesë vjet më parë, fshatrat në zonën e Prizrenit, si Landovica, Jeshkova, Lezi, Pirana, Krusha e Madhe, Krusha e Vogël, Celina, Bellacerka, sikur edhe shumë fshatra të tjerë gjithëandej Kosovës, u rrafshuan pothuaj tërësisht me tokën.
Forcat ushtarake policore dhe paramilitare serbe shkatërruan gjithçka: jetën e njerëzve, shtëpitë dhe pronat. Banorët me traktorë e rimorkio të mbuluar me najllon apo çadra, shumë prej tyre edhe në këmbë, të shqetësuar dhe frikësuar tejmase, morën arratinë për të shpëtuar nga ndjekjet e kriminelëve. Për shumicën, vetëm vdekja ishte më e keqe se të qenit refugjat. Nuk e dinin se cili do jetë fati i tyre, nëse do t’i jepnin fund jetës nga plumbat dhe predhat serbe, në ujërat e Drinit të Bardhë apo do të ekzekutohen diku rrugës për në Kukës. Në atë udhëtim të gjatë, frika ishte bërë mënyrë e jetesës së tyre. Pas vete kishin lënë vuajtjet më të rënda, vrasje të planifikuara të njerëzve të pafajshëm, rrëmbimet dhe dhunimet, plaçkitjet, shtëpitë të shkatërruara deri në themel dhe fushat e tyre pjellore. Në rrethana të ngjashme u gjendën shumica e shqipëtarëve.
Por, njëzetepesë vjet më parë, pas 78 ditëve të bombardimeve, më 10 qershor, NATO ndërpreu fushatën e goditjeve të caqeve ushtarake serbe në Kosovë.
Fushata e sulmeve u ndërmor për të ndalur aktet e veprimeve të dhunës së egër dhe shfarosjen e plotë të popullit shqiptar nga forcat e regjimit autoritar të Sllobodan Millosheviqit. Me zbarkimin e trupave të para të NATO-s, më 12 qershor, Serbija kapituloi dhe u hapë rruga e lirisë për Kosovën. Shqiptarët shpëtuan, paqja u vendos përmes nënshkrimit të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike në Kumanovë. Marrëveshja përfshinte tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force të sigurisë të udhëhequr nga NATO dhe kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre.
Gjatë konfliktit të armatosur dhe bombardimeve të NATO-së nga Kosova u dëbuan mëse 800 mijë njerëz, u vranë dhe u masakruan rreth 14 mijë civilë shqiptarë dhe pjestarë të UÇK-së. U përdhunuan rreth 20 mijë femëra shqiptare. Të zhdukur me dhunë janë regjistruar njëmijë e 600 shqiptarë. Shumë trupa të viktimave ende gjenden në varret masive të fshehura në Serbi.
Në Aktakuzën e Prokurorisë së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi kundër Sllobodan Millosheviqit dhe zyrtarëve të tjerë politikë dhe ushtarako-policorë për krimet e kryera kundër njerëzimit dhe shkeljes së ligjeve ose zakoneve të luftës në Kosovë (Lënda: Nr. IT-05-87-PT) pos tjerash thuhet se “kanë ekzistuar ndërmarrje të përbashkëta kriminale, që kishin për qëllim ndryshimin e përbërjes etnike në Kosovë” Prandaj, janë akuzuar për gjenocid, vrasje, përndjekje politike dhe burgosje të paligjshme, dëbime dhe zhvendosje me forcë, shfarosje, torture, shkaktim të vuajtjes së madhe të qëllimshme, trajtim mizor, plaçkitje të pronës publike ose private etj. Për të gjitha këto krime ekzistojnë dokumentet e shkruara, letrat, raportet e luftës, urdhërat, fjalimet, artikujt e gazetave, dëshmitë e dëshmitarëve okularë,fotografi, video incizime, prova fizike-varrezat masive dhe dëshmi tjera.
Por,kriminelët dhe drejtuesit politik të Serbisë deklarojnë se bombardimet kanë qenë politike e jo ushtarake duke theksuar:“Ne mbrojtëm atdheun, luftuam kundër terroristëve dhe përkrahësve të tyre, ruajtëm kufijtë shtetërorë dhe duruam gjithçka në mënyrë stoike dhe heroike”.
Pas bombardimeve të NATO-s, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 e cila territorin e Kosovës e vendosi nën mandatin e OKB-së.
Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës në Prishtinë shpalli Pavrësinë, kurse më 9 prill 2008 u miratua edhe Kushtetuta e Rapublikës së Kosovës,
Gjatë njëzetepesë viteve në liri, Kosova ka ecur përpara. U shndërrua në një vend të lirë, demokratik dhe paqedashës, shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social, atdhe i të gjithë qytetarëve ku garantohen të drejtat dhe liritë e barabarta për secilin qytetar.
Megjithëate, Kosova ka ende sfida të mëdha me shtetin jodemokratik serb.që është zhytur në autoritarizëm, meqë me dhunën e të privilegjuarëve ka pushtuar të gjitha institucionet shtetërore, gjyqësorin, policinë, ushtrinë, financat, mediat dhe ka nënshtruar miliona njerëz. Me drejtimin ideologjik të politikës së tillë në Serbi po forcohet ekstremizmi i djathtë me elemente neofashiste. Piromanët e luftës dhe urretjes nga Beogradi edhe kur bubullon në Beograd, fajësojnë shqiptarët. Trumpetojnë në të katër anët se “kurrë nuk do të njohin pavarësinë e Kosovës” e cila është njohur nga ana e rreth 110 shteteve të botës, duke përfshirë fuqit perendimore.
Theksojnë se Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë” dhe me çdo kusht do të ruajnë integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit. Vazhdimisht angazhohen në fushata lobuese kundër Kosovës që është shkelje e rëndë e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve. Mohojnë vlerat e LANÇ dhe luftën e UÇK-së për liri, vetëvendosje dhe pavarësi.
Përmes retorikës së përditshme të zyrtarëve politik në media, posterëve, sloganeve, billbordeve, ekraneve me ndriçim, fjalimeve të ndryshme të pakuptimta kuazi-patriotike për serbizëm duke sulmuar shqiptarët, nuk është asgjë tjetër përpos shtyrje e të vërtetës në harresë nga ana e njerzëve pa kurrizë, fytyrë e ndershmëri. Elita politike që ka qeverisur Serbinë, nuk ka barrë më të madhe se ballafaqimi me të kaluarën, me krimet më monstruoze që janë kryer në Kosovë. Është shqetësuese se në homogjenizimin e serbëve edhe Kisha Ortodokse Serbe është bërë shtylla e kësaj politike, duke u eksponuar edhe me fjalë provokuese dhe ofenduese drejtuar shqiptarëve.
Kategoritë e pushtetarëve serbë që kanë pasur mentor kriminelin Sllobodan Millosheviq, nuk po ndalen me provokime për destabilizim të Kosovës, por edhe gjithë Ballkanin. Më 8 qershor,2024 në Beograd, organizuan të ashtuquajturin “Kuvend gjithëserb” ku miratuan një dekleratë
Ky manifestim gjithëserb ishte një tubim politiko folklorik, demonstrim drejtuar shqetësimit për serbizmin, gjoja bashkëkombasit e tyre në Kosovë “jetojnë në kushte të patolerueshme të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës”. Ishte ky një kundërshtim ndaj Rezolutës që u miratua së fundi në Asamblenë e Përgjithshme të KB për gjenocidin në Srebrenicë ku në vitin 1995 serbët vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djemë boshnjakë. Ishte edhe një promovim i Aleksandar Vuçiqit si “president i të gjithë serbëve” Thirrja për unitet të serbëve në rajon dhe mbrojtja e interesave serbe, nën moton “Një popull, një kuvend Srbia dhe Srpska “ishte e ngjashëm me sloganet famëkeqë të regjimit nazist: “Një popull, një mbretëri, një udhëheqës (“Ein Volk, ein Reich, ein Führer”). Të gjitha këto sjellin pasojë që edhe takimet më të rastësishëm të qytetarëve në sheshin Nëna Terezë të Prishtinës, në shëtitoret dhe kafiterit buzë Lumbardhit në Prizren apo te pazari i vjetër në Çarshinë e madhe të Gjakovës dhe gjithëandej Kosovës, të shëndërrohet në top temë dhe polemikë të vrullshme politike për çështjet aktuale të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Qytetarët kërkojnë që dialogu mes Kosovës e Serbisë të përfundoj sa më shpejtë me njohje reciproke. Janë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në rajon, për një jetë më të mirë për të gjithë, por shprehin brengosje për kërcnimet që vijnë nga Serbia dhe për koncetrimin e forcave ushtarako-policore në kufi me Kosovën. Megjithëatë janë optimist pasi në Kosovë janë paqeruajtësit e NATO-s dhe në Kosovë, është “Bonstilli” baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan,
Nga organet shtetërore kërkojnë të artikulojnë më mirë qëndrimet e veta zyrtare në koordinim me faktorin ndërkombëtar, të punohet së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, në forcimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës,dhe në avancimin e reformave të nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE dhe në NATO.