HALIT FURRIKU, intelektual, ish-kryetar i bashkisë Pukë dhe kryetar i Shoqatës Kulturore-Artistike “Puka” shprehet” “…Ai është jo vetëm punëtor, por edhe një arkiv i gjallë i traditës, kulturës dhe i historisë së Pukës dhe më gjërë”

Jeta është ajo që na është dhënë..Por është edhe ajo që e ndërtojmë vetë. Bile ajo që ndërtojmë vetë ka më shumë rëndësi, më shumë vlerë. Që në titullin e këtij shkrimi nuk munda të mos perifrazoja studiuesin, poetin dhe intelektualin, të ndjerin Ndoc Selimi që e ka quajtur z. Xhemal Meçi Historiani i madh i qytetit të vogël”.

89 vjet. Një jetë mjaft e gjatë e përdorur me kujdes e mençuri në shërbim të familjes, komunitetit dhe mbarë shoqërisë shqiptare.

Nga Idriz Ahmetaj
Studiues

E vështirë dhe fisnike kjo detyra e historianit. Kërkon përveç skrupoluzitetit, edhe kthjelltësinë e mendimit, edhe njeriun këmbëngulës e sistematik, edhe njohuritë e gjëra të shkencëtarit, edhe vendosmërinë për t’iu shkuar gjërave deri në fund. Të gjitha këto cilësi janë të mirëndodhura tek zoti Meçi. Ai punonte gjithë ditën duke i mbledhur shënimet nga goja e njerëzve dhe në mbrëmje deri natën vonë dëgjohej rrapëllima e makinës së shkrimit “Olivetti” që ia kishte dhënë një koleg, të cilat i rregullonte dhe i sistemonte për t’i përdorur më vonë.
Shprehet Ndoci për Xhemalin: “Ishte djalë i ri, bile shumë i ri dhe i imët në fytyrë e shtat kur udhëtonte rrugëve malore të rrethit të Pukës nga një fshat në tjetrin si të gjithë te paktët mësues për të mundësuar mësimin e a,b,c, nxënësve të malësisë. Ndryshe nga të gjithë, Xhemal Meçi mbante në një anë të çantës së ditarit të mësimit edhe një bllok shënimesh për të “incizuar” të gjitha ato mrekulli të zakoneve, traditave, të veshjes, të të folurit, këngët popullore, një jetë e tërë malësore që nuk mund të jepet rasti të përsëriten kurrë më”.
Dhe Xhemali kujton me nostalgji kur kalonte në Qllumin e Merturit për të parë “Shkrolat e Turkut”: “Të dëshpëruar se nuk arritëm t’i përcaktonim siç shpresonim dhe të rrahur nga një diell i fortë, i mbështetur nga shkëmbi, u kthyem tek shtegu nga erdhëm.
Më propozuan që të ndiqnim majën e shkëmbit, sepse rruga për në Iballe, ku doja të kthehesha, ishte shumë më e shkurtër. Mirëpo, pa kaluar as 50 m u befasuam nga zigzaget e majës së shkëmbit, që në atë pikë ishte aq i mprehtë, sa vendasit për të kaluar e kishin thyer majën e shkëmbit me gurë duke hapur një si rrugë të ngushtë. Mbi atë të rrafshuar gropa-gropa, kishin futur ndonjë gur të vogël për ta mbushur që të ishte më i sheshtë për t’u mbështetur këmba. Në të dy anët shkëmbi binte thikë. Tani më dukej vetja si një pehlivan cirku që donte të hipte mbi një tel që kalonte nëpër dhëmbët e vdekjes. Ngurrova të kaloja, po më nxisnin të mos kisha frikë, se aty ata kalonin shumë herë.

Pushkatari kaloi fare lehtë, ndërsa mua më zgjati qytën e pushkës që të kapesha. Po të më humbiste sadopak ekuilibri, do të bija në greminë, duke marrë edhe pushkën me vete ose duke u shkëputur pa pasur mundësi të kapesha pas saj.
Shoqëruesit po humbnin durimin dhe po më shikonin duke më marrë për frikacak. Kjo po më bezdiste, sa më në fund i thashë pushkatarit që të kalonte vetë dhe të më hapte vend për të kaluar shpejt me kërcim duke ruajtur ekuilibrin. Më dukej se nga frika isha bërë i lehtë si pendë, sa mend fluturoja.
E ku pa! Në atë lartësi ku poshtë meje shtrihej humnera prej qindra metrash. Fantastike. Dhe duke u kthyer në realitet mezi ruaja vetëdijen, aq kalim i vështirë ishte. Pak metra dhe maja arrinte lartësinë më të madhe: mbi 1400 m. Këtu vendi ishte më i sheshtë dhe i hapur. U desh mbi një orë rrugë që ta merrja veten. M’u kujtuan fjalët e një plaku që takuam në Pjepnishtë, që u tha shoqëruesve: “Kini kujdes, se mos ju rrëzohet ky shoku, se nuk është mësuar!”. Në vazhdim zbritëm duke shijuar një horizont aq të hapur me ajër të freskët e të lehtë, sa mushkëritë e dëshironin dhe pasi mbusheshin me të nuk ngopeshin, ramë te “Shpella e Robve”.
E shoh tek “bredh” sa në një fshat në tjetrin, sa te një vendbanim historik, te një kala e mbuluar nga harresa, sa te një kasolle e sa te një kullë edhe pse mbi shpatulla mban peshën e kaq viteve, por trupi nuk e tradhton. Ai ka mbetur djaloshi i i viteve të rinisë me shtatin plep të drejtë, me hijeshinë e burrit të fisëm që gjithë jetën pat aq forcë që t’i japë historisë shqiptare, truallit të vet, Pukës që e do aq fort tërë kapacitetin e dijen e tij prej intelektuali, prej patrioti, prej njeriut e shqiptarit të vërtetë.
Iinxhinieri i nderuar Kol Dedaj, botues i disa librave në profesionin e tij vlerëson se: “Vepra shkencore e Xhemal Meçit është një diamant i stolisur në memorien tonë, është një pishtar i ndezur që brezat që vijnë ta trashëgojnë dhe të orientohen prej saj edhe sot qytetarë, lexues e studiues, profesorë e akademikë e çojnë përpara”.
Në punën e tij shkencore dhe jo vetëm Xhemal Meçi është shterrues. Përgjithësisht, do të thosha pa superlativa, së gjithë asaj që ai ka lënë, nuk ke se ku t’i shtosh a ti heqësh qoftë edhe vetëm një presje.
Halit Furriku, intelektual, ish-kryetar i bashkisë Pukë dhe kryetar i Shoqatës Kulturore-Artistike “Puka” shprehet” “…Ai është jo vetëm punëtor, por edhe një arkiv i gjallë i traditës, kulturës dhe i historisë së Pukës dhe më gjërë”.

DISA NGA VEPRAT E BOTUARA ME AUTOR XHEMAL MEÇIN

Zakonisht në përvjetorë bëhet një bilanc dhe po përpiqem t’ua jap një bibliografi të z. Xhemal Meçi punimet e tij të botuara dhe të pabotuara në mënyrë kronologjike:
-”Kanuni i Lekë Dukagjinit (vari- anti i Pukës)”, 1996, ribotim më 2018;
-”Kanuni i Lekë Dukagjinit (varianti i Mirditës)”, 2002;
-”Puka që në lashtësi”, 2003;
-”Kabashi”, 2008;
-”Poeti i malësisë”, 2015;
-”Poeti i Kabashit”, 2016;
-”Komani-ana e Drinit”, 2019. Dorëshkrime:
-”Karma, Vjerdha, Dushi, Qerreti, Kçira”;
-”Pasuria gjuhësore e Kanunit të Lekë Dukagjinit”
-”Ndihma e Pukës për imzot Terenc Toçin”;
-”Injac Zamputi”;
-”Lumëziu-qytert i lashtë”;
-”Kabashi (Laçajt)”;
-”Frang Bardhi dhe Puka”;
-”Hyra”;
-”Fshati i bashkuar Qerret-Pukë”;
-Lekë Dukagjini në burime historike”
-”Kabashi etnografik”;
-”Si qëndron e vërteta e origjinës së Dhimitër e Nikollë Berishës”:
-”Malësia e Gjakovës”;
-”Eqrem Çabej”;
-”Sutë Pjetër Basha”;
-”Shënime mbi rrethanat e vdekjes së Pjetër Budit”;
-”Këngë popullore historike e legjendare”;
-”Një kështjellë në Kryezi”; -”Berisha”;
-”Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe Aleksandri i Madh”.

VLERËSIME PËR XHEMAL MEÇIN NGA INSTITUCIONE QËNDRORE E LOKALE

Kontributi studimor i Xhemal Meçit është vlerësuar nga organizma dhe forume nga më prestigjiozet, me urdhra, medalje e dekorata si:
Medalje “Naim Frashëri” nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë ,Tiranë, 1972
Titull Nderi “Mirënjohje e qytetit Pukë”, Bashkia Pukë, 2000;
Urdhri: “Naim Frasheri i Argjendtë”, Presidenti i Republikës, Tiranë, 2000
Urdhri: “ Mjeshtër i Madh”, Medalje e Artë, Presidenti i Republikës, Tiranë, 2011;

  • “Çmimi i Virtytit”- Për veprimtari të shquar në shërbim të Paqes, Progresit dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, Tiranë, 2013.
    -Qytetar Nderi i Bashkisë Pukë”, 2015
    Nuk di nëse munda t’i veçoj si e sa duhet, pasi “universi” i Xhemal Meçit është i madh, sa mund të humbisja në të 89 vjet. Ai është etnologut, kulturologu, publicisti, veprimtari pukjan, Xhemal Meçi – “Mjeshter i Madh”, autor i 10 librave me mbi 3.800 fage dhe i mjaft artikujve nga fusha arsimore pedagogjike, historike, folklorike e etnografike.
    Një jetë jo e shkurtër, po Xhemali si dikur djalë i ri dhe i imët e mban përsëri çanten me vete. Në të nuk ka më fletoret e ditarit e planeve mësimore, po libra të botuar (e çfarë librash!) disa prej të cilëve ua dhuron shokëve e bashkëpuntorëve. Sa do që pasha e viteve I rendon mbi supe, ai ka mbetur si një plep I drejtë me një kujtesë për t’ia pasur zili dhe me shumë vullnet e dëshirë për punë të mira.