Studimi i gjuhëtarit të njohur/ U vlerësua nga Kadare, por u injorua nga Akademia e Shkencave

• Insistimit të gjuhëtarit të shquar Zheji për të argumentuar lashtësinë e shqipes, akademiku Buda i është përgjigur me këshillimin: “Kujdes djalë, se të ikën koka”!

• Profesor Petro Zheji, pas vendosjes së demokracisë emigroi për shumë vite në Amerikë, SHBA, ku, në sajë të zotërimit të mbi dhjetë gjuhëve të huaja, i thelloi e i zgjeroi edhe më shumë studimet e tij në fushën e Gjuhës Shqipe. Gjatë kohës në SHBA kemi pasë letërkembime të vazhdueshme me të

Xhemal MEÇI*
Halil RAMA*

Shtatëmbëdhjet vjet më parë (13 shtator 2007) gjuhëtari i shquar Petro Zheji, në promovimin e veprës së tij akademike “SHQIPJA DHE SANSKRITISHTJA”, në Pukë, deklaroi se “shqipja është mëma e të gjitha gjuhëve”.
Këtë të vërtetë e pohon edhe gjuhëtari i njohur Albert V.Nikolla, i cili në një intervistë për gazetën “Nacional” (13 janar 2024) ndër të tjera shkruan se “…kur sigurimi i shtetit, dërgoi emisarë tek Çabej për ta pyetur se çfarë mendonte për Petro Zhejin, ai iu përgjigj se: ‘Të dy, unë dhe Zheji kemi të njëjtin qëllim: të ndriçojmë vjetërsinë e gjuhës shqipe, por rrugët që kemi zgjedhur si metodologji janë të ndryshme”. Gjithsesi kuptohet që Çabej qe shprehur pozitivisht për studimin e thelluar të P.Zhejit.
Në vlerësim të kontributit madhor të të përjavshmes prestigjioze letrare e kulturore “NACIONAL” dhe të Drejtorit të saj Dr.Mujo Buçpapaj, për evidentimin e shqipes si një ndër tri gjuhët më të vjetra indo-europiane që fliten ende, po sjellim në vëmendjen e lexuesit bisedën tonë të para 17 viteve me prof. Petro Zheji. Ndërsa na kishte dhuruar një kopje të daktilografuar të studimit të tij të mahnitshëm “Shqipja dhe Sanskritishtja”, (të cilin e lexuam me interes të veçantë”), për herë të parë po mësonim prej tij se gjuha jonë shqipe është e lashtë sa vetë njerëzimi dhe e vetmja me koefiçientin më të lartë që motivon vetveten dhe po kështu edhe gjuhët e tjera, çka përbën veçorinë dhe epërsinë e saj në raport me gjuhët e tjera simotra. Por askush nuk i hapte rrugë botimi Studimit të Tij.
Pas kësaj insistuam që professor Zheji t’i kërkonte takim kryetarit të Akademisë së Shkencave, Prof. Aleks Budës dhe t’ia parashtrojë studimin me tezat e tij, në lidhje me gjuhën shqipe?”. Dhe ai na pohoi se këtë ia kishte sugjeruar edhe shkrimtari ynë i madh ISMAIL KADARE, i cili jo vetëm e kishte lexuar e vlerësuar por edhe ishte entuzmuar nga punimi i tij.
“Në Akademinë e Shkencave kanë dijeni për Studimet e mia, por nuk denjojnë të shprehen, t’i pranojnë as t’i rrëzojnë idetë e mia dhe as Aleks Buda nuk pranon të më presë bile”, – na tha disi i revoltuar.
Profesor Petro i jepte mësim të gjuhës frënge privatisht vajzës së Aleksit, e cila më vonë e ndërmjetësoi tek i ati dhe ai një ditë e priti në takim.
Sipas Petros ai e priti ftohtë, por e dëgjoi. Nuk ia pranoi konkluzionet e Studimit të Tij dhe as pranoi ta studionin atë si Akademi..
-Midis tyre,- siç na tregoi Petro,- ishte zhvilluar një debat bukur i fortë sa i kishte thënë se – “Gjuha Shqipe është një gjuhë shumë e vjetër, e pa zhvilluar dhe e shkruar shumë vonë ndryshe nga gjuhët e tjera të shkruara shumë herët”.
Atëherë, Profesor Petro i kthehet dhe i thotë: “Po pikërisht këtu, tek vjetërsia e saj, shoku Aleks, qëndron rëndësia e gjuhës sonë, sepse ka mundur të ruajë origjinalitetin e saj pa u shue me kohë si shumë gjuhë të tjera të vjetra”. Por insistimit të gjuhëtarit të shquar Zheji, akademiku Buda i është përgjigur me këshillimin: “Kujdes djalë, se të ikën koka”! (Se këtë fat pati edhe Milam Shuflai për veprën “Serbët e shqiptarët”).
-E tmerrshme! – Ishte Ai, i Madhi Zheji që na i pohoi me gojën e tij këto, se po ti dëgjonim nga dikush tjetër nuk do mund ti besonim dot… Dhe ja, pas afro dy dekadash këtë e pohon edhe gjuhëtari e shkrimtari i njohur Albert V.Nikolla në një intervistë për “NACIONAL”.

ZOTËRUESI I DHJETË
GJUHËVE TË HUAJA, STUDIME TË THELLUARA NË FUSHËN E GJUHËS SHQIPE

Profesor Petro Zheji, pas vendosjes së demokracisë emigroi për shumë vite në Amerikë, SHBA, ku, në sajë të zotërimit të mbi dhjetë gjuhëve të huaja, i thelloi e i zgjeroi edhe më shumë studimet e tij në fushën e Gjuhës Shqipe. Gjatë kohës në SHBA kemi pasë letërkembime të vazhdueshme me të.
Si u kthye, u vendos në një shtëpi me qera, se të vetën ia kishte zënë një person, të cilit ia kishte lënë në përkujdesje, por ai e kishte privatizuar për vete. Qe konstitucionalisti i mirënjohur Halil Kopani që e ndihmoi me anë të gjykatës që ta merrte përsëri shtëpinë e vet.
Asokohe ai mundi ta botojë me shpenzimet e veta librin “Shqipja dhe Sanskritishtja”, në dy vëllime. Sapo doli në qarkullim përnjëherësh disa i blenë librat e tij, por nuk po gjëndej më në shitje. Si e mësoi këtë fakt Petroja një ditë futet në librari për të parë se si po shkonte shitja e librit dhe, nëse ishin mbaruar të çonte të tjera.
Në librari vëren se librat mungonin të afishuara në asnjë raft. Këto i kishte heqë nga vitrina librashitësja dhe i kish futë nën banak, duke u thënë klientëve, kur e kërkonin se “është mbarue”. Kuptohet se ajo nuk kishte as arsye, as kishte interes ta bënte këtë gjë të poshtër me kokën e saj, por me siguri dikush tjetër, ndonjë antishqiptar e kishte kërcnuar dhe porositur që të vepronte kështu.
Dhe për më keq, nuk kemi parë deri më sot që nga autoritet shkencore a zyrtare të larta ta përmendin a përkujtojnë të ndjerin PETRO, këtë vigan që gjithë jetën e tij ia kushtoi gjuhës sonë të bukur Shqipe. Dhe akoma për më keq, paska qenë një “akademik” kosavar, që para disa vitesh ka shkruar për vepren e Petros, duke e quajtur “vepër idiote!”. E kush pra, ky akademyth i fermentuar në shkolla antishqiptare serbo – sllave…. ?!
Para shtatë vitesh, prof. Petro Zheji (1929-2015) botoi pjesën e dytë e veprës “Shqipja dhe sanskritishtja”, e cila u mirëprit nga personalitete të botës akademike, ndërsa çuditërisht u shoqërua me heshtje nga Akademia jonë e Shkencave. Gjithsesi ja vlen të nënvizojmë përfundimin në të cilin Zheji arrin me këtë të studim se: “Sistemi leksikor i gjuhës shqipe është më i gjerë nga ai i gjuhës sanskritishte, e pra ai e përfshin atë në sistemin e gjuhës sanskritishte që është një nënbashkësi e bashkësisë së sistemit të gjuhës shqipe. Përfundim ky që e shtyn Zhejin të deklarojë se është konform frymës së Rilindasve tanë mbi gjuhën shqipe, sepse saktëson vizionin e tyre profetik mbi një lashtësi zanafillore të gjuhës dhe popullit tonë.
Dy pjesët e kësaj vepre janë kuruar dhe shoqëruar me parathënie të të afërmëve të Zhejit, Gjergj Zhejit dhe Lluka Qafokut. I pari e mbron këtë vepër kështu: “Analizat filozofike-logjike-etimologjike në këtë studim janë plotësisht të justifikuara nga pikëpamja e Dijes së kohës sonë, ndonëse jo nga ajo e gjuhësisë klasike, ku kanë ngecur ende të gozhduar mjaft gjuhëtarë”. Ndërsa i dyti e sheh si zbulimin e një teknologjie sui generis, për t’i bërë operative në fushën e etimologjisë, zbulimet gjeniale të teorisë së shenjës dhe të kuptimit të linguistikës moderne. Zbulim ky sipas Qafokut që nuk del jashtë kuadrit të përpjekjeve që kanë nisur prej fillimit të shekullit XX e që i shohin problemet e origjinës së fjalës, edhe nga pikëpamja logjike dhe psikologjike.
Vepra e tij, siç e quan përmbledhësi dhe redaktori i librit të fundit të Petro Zhejit, Albjon Bogdani, është një diamant që shihet në të gjitha dimensionet e tij, dhe me studimet e kryera prej profesorit, ta shohësh diamantin në përsosmërinë e tij.
Vepra e Petro Zhejit për kritikën është një monument mendimi shkencor dhe akademik, mes dialogimeve të historisë dhe filologjisë, filozofisë dhe matematikës, simbolikës dhe kozmogonisë, religjionit dhe interpretimeve transhedentale.

PETRO ZHEJI: “GJUHA SHQIPE ËSHTË
GJUHA E ZOTIT”

Gjatë një bisede me dishepujt e tij Rudina Robertsen dhe Afërdita Zaja, këta të fundit kanë vlerësuar se “Petro Zheji është i vetmi që ka vërtetësuar shkencërisht rolin mesianik të Shqipes si edhe lashtësinë e padiskutueshme të saj duke e vendosur gjuhën Shqipe në një rang të vërtetë Superior karshi gjuhëve të tjera të botës”.
Dhe nëse për poetin, prozatorin dhe analistin e mirënjohur Preç Zogaj, “Petro Zheji është një magjepsje”, Astrit Cani vlerëson se “Shkenca është arti i Petro Zhejit”. Kjo sipas tij për faktin se “vepra përkthimore e Zhejit, mbetet nji etalon i matunisë, duke qenë Zheji artisti i matun dhe njeriu me formim të mirëfilltë shkencor, që e ka rrokë artin si mbishkencë, por ruen të paprekun higjienën mendore të intelektualit të mbrujtun me logjikë.”
Ndërsa Përparim Kabo, referuar Petro Zhejit që shkruan se “Gjuha shqipe është gjuha e zotit”, vlerëson se punimet e tij dallojnë për një metodologji krejt ndryshe prej asaj klasike që merret me analizën e formës së fjalës dhe strukturën e saj gramatikore.
“Në punimet e tij, studiuesi Petro Zheji merret me gjenezën historike dhe me evoluimin historik të gjuhës si mendim dhe si fjalë, pra ai e nis studimin te përmbajtja e fjalës dhe kështu në këtë rrugëtim ai zbulon veçoritë e shqipes dhe kontributin e saj në raport me gjuhët e tjera. Duke ndërtuar algoritmin e gjuhës shqipe, Petro Zheji evidenton disa nga tiparet unikale të shqipes si një gjuhë primordiale dhe rëndësinë e saj në lëmenjtë e gjuhësisë botërore”, vlerëson Përparim Kabo.
Studiuesi, hulumtuesi, përkthyesi, ndër njohësit më të mirë të shqipes Petro Zheji, pas largimit e tij nga jeta më 14 mars 2015 ka lënë shumë kryevepra por është “Shqipja dhe sanskritishtja” kryevepra e tij dhe pasuria më e madhe që i ka lënë brezave të rinj.
“Misioni i tij kishte zënë rrënjë që në barkun e nënës, – si thotë vetë Petro”,- shkruan Përparim Kabo për mjeshtrin. “Do të argumentonte se, cila është gjuha shqipe? Sa e vjetër? Ku i ka rrënjët? Sa paradoksale është ajo në shprehitë e saja idiomatike? Dhe për pasojë, sa moderne dhe e pashtershme është shqipja? Ca e shihnin me habi, ca me mëshirë, ca e quanin misionhumbur dhe ca pseudo e quanin “të marrë”, që merrej me një punë të kotë, sepse sipas tyre, këto gjëra për shqipen i kishin thënë të tjerë dhe se çështja e shqipes ishte e zgjidhur. Ajo ishte një gjuhë indoeuropiane, dihej se në cilin grup identifikohej dhe se sa e vjetër ishte, dhe sa e si ngjasonte dhe ku dallonte nga gjuhët e tjera”.
Këze Kozeta Zylo, një tjetër studjuese e veprës së gjuhëtarit të mirënjohur shprehet se 36 gërmat e Gjuhës Shqipe vijnë si vetëtima drite nga sytë e prof. Petro Zhejit. Pikërisht nga kjo optikë shkrimtarja e njohur shqiptaro-amerikane Zylo vlerëson se Prof. Petro Zheji qëndron mal kryelartë sepse është një gjeni i letrave shqipe, është një erudit i jashtëzakonshëm. Dhe tingëllima e Gjuhës Shqipe në librin e tij “Shqipja dhe Sanskritishtja” vjen si jehonë e largët qysh kur ka lindur njerëzimi. Megjithatë shpirti i tij endet në librat që na ka lënë është në fytyrën e tij të praruar, që dhe pse i ikur, ai rrezaton dritë, me zërin e tij që i tingëllon aq bukur, shqip.
Nëse akademikë dashakeqas të vendeve fqinje (serbë, maqedonas, grekë etj) janë munduar ta varrosin përfundimisht gjuhën Shqipe sepse kanë kuptuar që gjuha Shqipe është gjuha e parë Evropiane dhe që ajo qëndron në themel të krijimit të gjuhëve të tyre, professor petro Zheji ka provuar shkencërisht se Gjuha Shqipe është një pasuri kombëtare dhe një thesar apo vlerë botërore dhe një gjuhë, e cila po lulëzon çdo ditë dhe më shumë. Për faktin se trumbetat e gjuhës Shqipe po bien sot dhe po dëgjohen kudo në çdo vend të botës, studjuesi Stiljan Dedja me të drejtë vlerëson se kjo meritë i takon veçanërisht atij që zbuloi mekanizmin e funksionimit të Gjuhës tonë të vjetër dhe të bukur, gjigandit Petro Zheji.
Për një njohës të gjuhëve si profesor Zheji, shqipja është e aftë ta kapërcejë kufirin nga një gjuhë në tjetrën…Rrugëtimin e nis nga sanskritishtja, të cilës duke e krahasuar me shqipen e ka sjellë në dy vëllime në punët e tij më të hershme.

** Bashkëautorët Meçi dhe Rama janë skrimtarë të njohur, të dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”