Nga Bashkim Hisari

Shumë vite, 9 maji ishte ditë kremteje. Festohej fitorja kundër fashizmit. Tani 9 maji festohet edhe si Dita e Evropës. Tetë dekada më vonë ka ende nga ata të cilët kishin guximin, vizionin dhe forcën për t’ i rezistuar të keqes, skllavërimit, krimeve dhe vuajtjeve nga fashizmi.Të tillët 9 majin e konsiderojnë dhe festojnë si ngjarje e shënuar dhe e paharruar. Anëtar i rinisë antifashiste që nga viti 1942, Xhafer Haxhijakupi, tani anëtar i Kryesisë së Veteranëve të LANÇ të Kosovës i lindur në vitin 1926, sot është zotri i moshës së tretë. Prej shumë kohe nuk feston ditëlindjen, por e ka reduktuar vetëm për të përkujtuar datëlindjen që të mos u harrohet. Daljet e tija nga shtëpia në lagjen Ulpian të Prishtinës janë rralluar. Me bashkëluftëtarët e tij shihet radhë, ndonjëherë rastësisht, një here në 6 muaj në sportelet e zyrës së Departamentit të Administratës pensional, ku pret në rresht për të dëshmuar se është gjallë për të realizuar të drejtën e pensionit në shumën rreth 200 euro ose në tregtoret e barnave kur blen ilaçe për qetësim, parandalim dhe shërim të sëmundjeve. Me ta gjithnjë e më rrallë takohemi në shënimin e ngjarrjeve të rëndësishme nga LANÇ, kur vendosen kurora me lule mbi varret e luftëtarëve, dëshmorëve dhe heronjëve që institucionet kosovare pothuaj fare nuk shënojnë në mënyrë të organizuar. Dita e fitores kur më 9 maj 1945 në Berlin u nënshkrua Akti i Kapitullimit pa kusht i Gjermanisë naziste, që do të shënonte edhe fundit e Luftës së Dytë Botërore dhe të rënies së regjimit jodemokratik, i cili kërcënoi të shembte të gjitha arritjet e shoqërisë moderne, sivjet pothuajse u “harrua” në Kosovë. Kaloi në heshtje dhe duket se do të lëvizi në harresë.

E vërteta është se LANÇ bashkë me luftën e UÇK-së ishin fitimtare, të drejta dhe të ndershme. Ishin lavdi dhe krenari për popullin tone. Ndaj, kurrë nuk duhet pranuar që të nënvlerohen vlerat e fitores – liria, pavarësia, demokracia dhe të drejtat tona, thot Xhafer Haxhijakupi. “Falë tyre, sot vendosim vetë për të ardhmen tonë. Për shkak të tyre nuk kemi të drejtë dhe nuk guxojmë të jemi të pavendosur për të jetësuar dhe avancuar idealet kombëtare. Vlera e tyre gjithnjë duhet të respektohet dhe nuk duhet lejuar të shtrembërohet historia”, thekson ai dhe shton se veteranët e LANÇ kanë ditur të luftojnë dhe të fitojmë lirinë, të ruajmë paqen dhe të ardhmen për brezat që do vijnë.

Lufta e Dytë Botërore rezultoi si konflikt ushtarak më i përgjithshëm e më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit, me pasoja shkatërruese, me shumë dëme materjale dhe pasoja shpirtërore për tërë rruzullin e Tokës. Asnjëherë më parë nuk janë përdorur armë më të tmerrshme. Kurrë më shumë qytete nuk janë djegur nga flakët e bombardimeve. Në asnjë rast nuk kanë vdekur njerëzit në mënyrë më të tmerrshme se sa në kampet naziste të vdekjes. Asnjëherë më parë nuk kanë vdekur më shumë njerëz nga uria, sëmundjet dhe krimet e luftës. Kurrë në historinë e njerëzimit nuk janë vrarë më shumë njerëz. Në mënyrë më mizore humbën jetën rreth 70 milionë njerëz.
Në Shqipëri që në vitin 1939 kishte 1.073.000 banorë u vranë më shumë se 28 mijë ose 2.62 % të popullates. Në Kosovë 6.200 dhe shumë shqiptar të tjerë që jetonin në Maqedoni, Mal të Zi, Greqi dhe Serbi.
Në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, për raportin dhe rezistencën ndaj fashizmit kishte reagime të ndryshime. Shqiptarët qëndronin në një pozicion të vështirë dhe të ndërlikuar, ngase përplasheshin me rryma të ndryshme ku strukturat sociale dhe ekonomike bazuara mbi një shoqëri të polarizuar midis pronarëve të pasur të tokës nga njëra anë, dhe fshatarëve të varfër nga ana tjetër shkaktonin tensione. Të gjitha këto lehtësuan që Mbretria e Italis të aneksoi pjesën më të madhe të Kosovës dhe t’ía bashkojë Shqipërisë. Pjesën tjetër e pushtuan gjermanët. Për të gjetur mbështetjen e shqiptarëve, regjimi fashist u paraqit si çlirimtar. Protektorati i shtetit fashist Italian përball një ngërçi politik dhe kushtetues punoi me masa praktike të cilat siguruan hegjeminimin e tyre. Lejuan përdorimin e gjuhës shqipe në administratë, organizuan shkolla shqip, lejuan përdorimin e flamurit kombëtar. Për shkak të terrorit shmëvjeçar që ushtronin sërbët ndaj shqiptarëve okupatori u mirëpritë dhe gjeti mbështetje në një pjese të popullates. Por ky sistem u zëvendësua shpejt me një sistem të ri. Shumica e kosovarëve ngritën zërin dhe dëshmuan forcën e karakterit antifashist. Rreth 55 mijë kosovarë u rreshtuan në anën e drejtë të historisë. Në luftën vendimtare kundër okupatorëve fashistë, luftuan bashkë me partizanët nga Shqipëria dhe çliruan jo vetëm Kosovën e Shqipërinë, por edhe viset tjera të ish Jugosllavisë. Fitorja e tyre ishte kurora e përpjekjeve këmbëngulëse për çlirim kombëtar e social për çfarë jetën flijuan mbi 6.200 luftëtarë kosovarë.
Partija Komuniste e Jugosllavisë, fillimisht kishte përcaktuar disa ide të drejta dhe pragmatike për zgjidhjen e çështjeve nacionale, por ato dështuan për shkak të pengimit nga nacionalizmi serb dhe idesë për Serbinë e Madhe. Shumica e luftëtarëve shqiptarë nuk ishin ithtar të frymës nacionaliste e as përkrahës të politikës shoviniste, por ishin pjesëmarrës të denjë të kërkesave për të drejtat e tyre. Ngadhënjimi mbi fashizmin, liria, drejtësia, vetëvendosja dhe bashkimi me shtetin amë Shqipërinë, ishin burimet kryesore të motivacionit që pjesa më e madhe e kosovarëve të rreshtohen në lëvizjen antifashte nacionalçlirimtare.
Kuadrot shqiptarë të dala nga Lufta e Dytë Botërore, ishin ndër protogonistët kryesorë të ngjarjeve historike. Në ish shtetin Jugosllav u angazhuan për më shumë të drejta nacionale për popullin shqiptar, për liri e barazi. Qëndrimi i tyre politik për këto çështje ishte se populli shqiptar ato të drejta i kishte fituar me pjesëmarrje në LANÇ, të njohura edhe ndërkombëtarisht. Në këto baza janë zhvilluar të gjitha aktivitetet e mëpastajme.
Mirëpo, shteti jugosllav, nën trysninë e forcave regresive serbe dhe me tendencë të ruajtjes së shtetit unitar, nuk ka lejuar të sendërtohet vullneti politik i shqiptarëve që përherë e bënin shumicën e popullsisë së Kosovës dhe ishin etnia e tretë për nga numri në ish Jugosllavi. Pushtetarët serbosllav kishin hartuar plane me qëllime të forta armiqësore, me plot urretje e gënjeshtra duke shkelur me dhunë të drejtat e shqiptarëve dhe duke krijuar një gjendje të padurueshme në tërë Kosovën.
Me miratimin e Kushtetutës së vitit 1974, u realizuan disa të drejta, pikësynime dhe dëshira të popullsisë shqiptare, por jo edhe për vetëvendosje.
Njëkohësisht, lëvizja antishqiptare e serbëve mori dimensione të reja. Kulminacionin ajo e arriti në vitet 1998-1999 me pushtetin nacional-shovenist të Beogradit dhe politikën e kriminelit Slobodan Millosheviq. UÇK-ja ju kundërvu makinerisë ushtarake dhe gjenocidit barbar serbë. Me ndihmën e NATO-s ata çliruan Kosovën. Veteranët e LANÇ dhe pasardhësit e tyre ishin ndër të parët që përshëndetën dhe përkrahën botërisht UÇK-në. Në luftën e saj të drejtë për mbrojtjen e popullit, çlirimin dhe krijimin e shtetit të pavarur e demokratik të Kosovës morën pjesë edhe pasardhësit e veteranëve të LANÇ duke dëshmuar se do të vazhdojnë të luftojnë kundër fashizmit dhe të nxisin antifashizmin si trashëgimi civilizuaese.
Sebia me politikën e saj ultranacionaliste, shoviniste, hegjemoniste për të krijuar Serbinë e Madhe, po vazhdon të mohojë, falsifikojë, keqëinterpretojë historinë dhe po tenton të anatemojë meritat e shqiptarëve në LANÇ. Forcat e prapambetura primitive nacionaliste serbe po vazhdojnë të shfaqin idetë dhe sprehin dashuri ndaj neofashizmit. Pushteti aktualë në Serbi, në krye me Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin, Ana Brnabiq…duke mbuluar rolet e tyre në gjakderdhjen dhe përgjegjësinë për vdekjen e mijëra civilëve të pafajshëm, me mohim të gjenocidit, relativizimin e krimeve të luftës dhe glorifikimin e krimeve dhe kriminelëve të luftës, të cilët kanë edhe vendime të plotfuqishme të gjykatave për krimet që i kanë kryer si dhe me veprimet e tyre politike strategjike, konfirmojnë se neofashizmi është i pranishëm në Serbi. Kjo u vërtetua edhe me miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë nga ana e Asamlesë së Përgjithshme të KB më 23, maj 2024.
Fatkeqësisht, edhe në Kosovë, antifashizmit nuk po i jepet rëndësia që meriton. Disa ngjarje të kohëve të shkuara, shumë lehtë po kalojnë në harresë. Gjithnjë e më pak flitet për Luftën e Dytë Botërore. Fitohet përshtypje se LANÇ si pjesë e rëndësishme e historisë sonë, neglizhohet, trajtohet me ose pa qëllim përciptazi. Ngjarjet e mëdha historike në LANÇ dhe ata që ishin qëndresë e vërtetë ndaj pushtuesit dhe fashizmit, po injorohen, zëvendësohen me ngjarje dhe me glorifikimin e disa individëve që kishin prioritet kundërshtimin e LANÇ dhe që u mundën në luftën e madhe. Në tekstet shkollore e sidomos në rrjetet sociale dhe në disa media ka plot shkrime të rreme për ngjarrjet e vërteta historike dhe trajtime të njëanshme. Nuk përkujtohen dhe nuk shënohen ngjarjet e rëndësishme si Dita e fitorës kundër okupatorit nazi-fashist, formimimi i çetave, njësive, brigadave, divizioneve antifashiste, Këshillave Nacionalçlirimtare, Konferenca e Bujanit, Dita e çlirimit të qyeteteve, dëshmorët dhe heronjtë e popullit etj. Në praktikën e përditshme kemi edhe raste të demonizimit të pjesëtarëve të LANÇ. Herë pas here në debate publike disa individë, në mënyrë të padrejtë dhe me ndenja negative e përshkruajnë lëvizjen antifashiste dhe liderët e tyre si diçka të ligë. E gjithë kjo në disa vende të Kosovës shoqërohet edhe me prishjen, dëmtimin dhe demolimin e përmendoreve të LANÇ ku kanë qenë të shënuar emrat heronjëve dhe dëshmorëve. Njëherit hiqen edhe emërtimet e rrugëve, shkollave dhe institucioneve që kishin emrat kushtuar luftës antifashiste dhe atyre që dhanë jetën për liri, të ardhmen dhe për një jetë më të mirë për të gjithë brezat.
Pra, kemi tentime për një kthesë që nuk mund dhe nuk duhet të pranohet dhe të tolerohet.