Sa qe gjallë, gjeneral Parllaku ka ardhë disa herë në Prishtinë, Prizren e Gjakovë. Në takimet përkujtimore, sëbashku me prindërit e mi, Fadil e Vahide Hoxha që drejtuan Organizatën e Veteranëve të LANÇ të Kosovës, kanë dhënë mesazhin e domosdoshmërisë të mbrojtjes dhe promovimit të Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Këto mesazhe i ka përcjellë, jo vetëm në takimet e përbashkëta të dy organizatave tona, por edhe në media, në televionet e Shqipërisë e të Kosovës, si dhe në librin e tij “Kosova e lirë, ëndrra e jetës sime”. Në Kosovë, Rrahman Parllakun e prisnin dhe e nderonin si gjeneralin legjendar që drejtoi Ushtrinë Partizane në luftën për çlirimin e Shqipërisë e të Kosovës, si fitimtarin e tri epokave.
Ai ishte dhe mbetet simbol i luftëtarit e drejtuesit të talentuar të luftës partizane, simbol i ushtarakut model, simbol i atdhetarit të flaktë që mishëronte dhe përçonte vlerat më të mira njerëzore dhe intelektuale.
Si të tillë do ta kujtojmë e nderojmë gjithmnë general Parllakun.