Gjeneral Parllaku ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij një luftëtar. Jeta e gjeneral Parllakut na flet edhe pas vekjes. Na jep shenja me rezistencën, me forcën, me dinjitetin dhe me burrërinë që na mungon, për të cilën sot flitet pak.
Historia e Shqipërisë, e thuajse 100 viteve të fundit, na paraqitet edhe në profilin e tij si burrë, si luftëtar, si ushtarak dhe si politikan.
Te vite, te rrudhat, te betejat e gjeneralit, dukej sikur flisnin disa nga ngjarjet e rëndësishme të Shqipërisë që nga vitet ’30 e këtej.
Ka pasur e ka një debat që vazhdon në Shqipëri për Luftën Antifashiste, apo luftën civile, por nuk mendoj se mund të ketë ndonjë debat për luftëtarët, për lirinë e Shqipërisë dhe qëllimin, pikërisht në atë moment që ata e bënë luftën.
Ideali i tyre, kauza e tyre, perspektiva e tyre, ishte një Shqipëri e lirë.
Rrahman Parllaku është pjesë e asaj plejade të rinjsh, dhe më vonë burrash, që bënë luftën e tyre, por edhe të fshatit, qytetit, krahinës, Shqipërisë dhe të vetë kombit shqiptar.
Në këtë luftë, Parllaku dhe sivëllezërit e tij imagjinuan një Shqipëri të lirë, një Shqipëri të drejtë, një Shqipëri nënë të të gjithëve.
Lufta e tyre duhet ndarë nga paqja që erdhi më vonë, dhe që nuk prodhoi paqe për të gjithë, por një luftë tjetër, edhe më të egër, edhe më vëllavrasëse, të shqiptarit mbi shqiptarin.
Rishkrimi i historisë pa këtë mendim, pa këtë dijeni, është një gabim që thekson luftën në paqe dhe anashkalon luftën që u bë për të sjell paqen dhe lirinë.
Rrahman Parllaku është bashkëfshatari im, por është njëkohësisht edhe bashkëluftëtari im, bashkëluftëtari ynë, i të gjithë atyre që bëjnë betejë për një Shqipëri të brezave, jo të vetes dhe të grupit të vet.
Si të tillë e nderojmë sot, si bashkluftëtar të të gjithë atyre që luftojnë jo për interesa personale, por për kauzën e përbashkët.
Lufta të cilën ndajmë me gjeneral Parllakun është ajo për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë; jo si betejë për të pamundësuar paqen, por që të sigurohet paqja për të gjithë, si opsioni i vetëm për të cilin shkohet në luftë.