Gjeneralmajor MANUSHAQE SHEHU

E prita me kënaqësi të veçantë ftesën e OBVL për të qenë e pranishme në këtë event të rëndësishëm.
Përkujtimore të tilla kushtuar një personaliteti të rrallë, si komandanti legjendar i LANÇ dhe drejtuesi i talentuar i Ushtrisë sonë, janë vërtetë një ngjarje e shënuar, jo vetëm për ne në këtë sallë, por për gjithë shqiptarët.
Për mua si drejtuese e Ushtrisë qe një rast fatlum dhe unik, krejt i veçantë dhe emocionues padyshim, që e njoha nga afër gjeneral Parllakun dhe mësova shumë prej tij.
Rrallë gjen shembuj të personalitetit ku të jenë jetësuar në mënyrë kaq mjeshtërore vetitë e karakterit të një patrioti, të një ushtaraku të mençur, fisnik, të ndershëm dhe patriot, si tek ky Hero i Luftës dhe Ushtrisë që e përkujtojmë sot në 105 vjetorin e ditëlindjes së tij.
Rrugëtimin mbi shekullor të jetës, Gjeneral Parllaku e ka përshkruar përmes fjalës e veprës së tij, duke mbetur një monument e pasuri kombëtare e pa eksploruar plotësisht.
Ne krenohemi me të, pasi në jetën dhe veprën te tij janë ulur këmbëkryq urtësia e burrit të malësisë, trimëria, shpirti i lirisë dhe atdhedashuria e luftëtarit antifashist dhe e komandantit partizan, si dhe angazhimi qytetar plot përkushtim.
Të tillë do ta përkujtojmë gjithmonë këtë burrështetas që sfidoi kohët dhe regjimet, me përkushtimin ndaj kombit, i pathyeshëm në betejat që iu imponuan apo i zgjodhi që të bënte përgjatë mbi 100 viteve të jetës së tij.
I përjetshëm kiujtimi i gjeneralit fitimtar të tri kohëve Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe nderi i Kombit.
LAVDI!