Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Heroi Rrahman Parllaku zë një vend nderi në lëvizjen antifashiste në Vlorë, ndaj e vlerësoj këtë përkujtimore që bëhet në nder të 105 vjetorit të lindjes së Tij. Vlerësimi i nderuar për rrugën luftarake të antifashistit malësor “Krajli” në veprimtarinë e njësitit gureil të Vlorës është bërë me vite, por përkujtimi dhe mos harresa e lartësojnë figurën e atentatorëve në këtë vit të 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Zërin e Atdheut për të luftuar pushtuesit Rrahman Parllaku e ndjeu si mjaft shqiptar, por i ndodhur në qytetin e flamurit, pasi kushtet e kishin detyruar familjarisht të punonte në trevën e Vlorës, u frymëzua prej idealit të ri që po merrte rinia, frymën antifashiste. Si shqiptar patriot kapi mauzerin dhe rrugicave të Vlorës dhe rrugëve të fshatrave u rreshtua dinjitoz për të luftuar me trimëri, në ballë të bashkëluftëtarëve, në njësitet guerile dhe formacionet partizane që po përgatiteshin për kryengritjen e madhe.
Nderin dhe lavdinë këtij trimi dhe kësaj familje patriotike kuksiane nuk jua ka dhënë emri apo farefisi. Në Novosel të Lumës familjen Parrllaku, në shekuj, dje në luftë dhe sot në demokraci gjendet mes një kategorie njerëzish ku aspekti cilësor i tyre konfirmohet te burrëria, karakteri luftarak, pjekuria dhe drejtësia si tipari i tyre më i dukshëm, të shfaqur gjatë gjithë historisë. Kjo “vlerë nderi”, ka qenë një kushtrim luftarak në çdo periudhë të historisë, por në luftën partizane shkëlqeu dhe bëri që tërë Luma e Labëria, nën shembullin e tij, të qepen pas komunistëve e partizanëve, luftëtarëve të lirisë, si bleta në hoje. Të gjitha këto cilësi i manifestoi anëtari i njësiteve guerile të Vlorës, malësori stoik, që u vu në ballë të luftës me idealin e atdhetarizmit, sepse për mision kishin lirinë e Atdheut.
Lumjanët në shekuj kanë dhuruar jetën për mbrojtjen e truallit. Në këtë dhurim jete ka diçka mistike në respektimin e një zemërgjerësie të treguar prej tyre në breza. Ngaqë e donin Shqipërinë jo vetëm të çliruar nga okupatori, por dhe të lirë shpirtërisht, lufta e tyre na çon larg, tek Mahmut Dac Kalisi, Islam Saphiu, Ramadan Zaskovi, etj., tek traditat e etërve të tyre të parë, tek zakoni i lirisë së fisit, tek kaçakët dhe të çetave patriotike e luftëtare.
Rrahmani si çdo antifashist dhe i frymëzuar nga qëllimi final për çlirimin e vendit nga pushtuesit, bashkë me vlonjatët u vu në shërbim të luftës. Duke punuar për bukën e gojës dhe jetuar mes tyre u njoh me bujarinë e mikpritjen, por edhe me guximin dhe vendosmërinë e tyre, për t’u shkrirë me tërë familjen për lirinë e popullit dhe të atdheut.
Në Luftën Antifashiste për çlirimin e popullit shqiptar, si formë organizative të forcave të armatosura, në dhjetor 1941, nisën të formoheshin njësitet e para guerile në qytetet kryesore të vendit me udhëzimin e PKSH-së. Njësitet guerile në qytet u krijuan dhe vepruan paralel me çetat partizane në zona dhe krahina të ndryshme të vendit. Me fillimin e vitit 1942 në mjaft qytete kryesore të Shqipërisë nisën veprimtarinë luftarake njësitet guerile, ku dhe përqëndrimi i pushtuesit ishte më i madh. Njësitet gurile u bënë shkollat e para të luftës, ku u mësua dhe u perfeksionua arti i të luftuarit. Jetën antifashiste Rahman Parllaku e nisi nga njerëzit e varfër të lagjes Llonxha, sot lagjja “Partizani”, nga nënë Tarika Hoxha, për të vijuar me një armatë të tërë partizanë e kuadro, që nën drejtimin e PKSH ju përveshën luftës kundër fashizmit në çdo cep të tokës së pushtuar. Njësitet guerile ishin shumë të thjeshta dhe me pak anëtarë dhe drejtoheshin në shumë raste nga sekretari i celulës. Anëtarët e njësiti gueril ju kërkohej edukatë, bindje, disiplinë, konspiracion, largim nga të gjitha vezet, sjellje në familje, në shoqëri, besim të shoku dhe partia për çdo sakrificë.
Në fillim të muajt janar 1942 Raman Parllaku ishte anëtar i grupit edukativ në njësitin e drejtuar nga Arif Hasko, ku bënin pjesë dhe komunistët Et’hem Gjinushi, Banush Goxha, Vehbi Hoxha, si dhe Koço Kllapi dhe Faik Lamçe. Njësiti bënte aksione të kombinuara dhe me pjesëmarrjen e komunistëve dhe të të anëtarëve të grupit edukativ, të rinjve komunist etj. anëtarët e njësitit gueril ishin 80% punëtorë në sektorëtë ndryshëm në qytet dhe një pjesë e vogël studen e nëpunës të vegjël.
Në aksione dhe veprime goditës në qytet aktivizoheshin dhe shumë të rinj, anëtarë të grupeve edukative. Në aksione merrte pjesë një masë shumë e madhë e popullit, në rujatjen, strehimin deh fshehjen e tyre në kohën e aksioneve. Njësitet guerile drejtoheshin për çështje ushtarake nga anëtari i Qarkorit i ngarkuar për çështjet ushtarake, si dhe nga sekretari politik i qarkut.
Aksionet e para të njësitit gueril ku bënte pjesë dhe antifashisti Rrahman Parllaku ishin marrje dhe grumbullimi i armëve, municioneve, mjeteve për nevojën e teknikës, shpërndarja e trakteve, vrasja espiunëve etj. Ai ishte në krye të aksioneve të guximshme që janë zhvilluar në qytetin e Vlorës dhe në rrethinat e saj. Në muajin shkurt 1942 njësiti gueril ku anëtar ishte dhe Rahman Parllaku kreu aksionin në ndërtesën e Gjyqit, ku mori armë, pushkë, rovolver dhe municion. Po në këtë muaj nga njësiti u azgjësua tradhëtari që vrau Koçi Bakon në Korçë, të cilin e kishte prurë në Vlorë për ta ruajtur, por bashkëveprimi i njësiteve bëri të mundur neutralizimin e tij. Në muajin prill 1942 u bë atentati kundër një spiunit italian dhe në maj kundër një spiuni shqiptar.
Në prill 1942 njësiti gueril nxorri nga burgu i Vlorës koministin Fejzo Gjomema dhe në muajin maj 1942 nga dhoma e Tregëtisë në Vlorë u morën makinat e shkrimit, i cili pati një jehon të madhe në populli. Ishte Rrahman Parllaku që në fshatat afër qytetit të Vlorës punoi komunikatën e qarkorit të partisë të 21 qershorit 1942 për të “mos shkuar ushtarë dhe milicë në shërbim të armikut, për të mos dorëzuar bereqetin dhe asgjë tjetër…”.
Këtë veprime shërbyen si hapat e para për organizmin e luftës së armatosur…
Nga paranvera e vitit 1942 dhe gjatë gjithë vitit 1942 si rezultat i punës në të gjitha fshatrat filluan të krijoheshin njësite të armatosur fshatare me ushtarë të popullit, të cilat përbëheshin nga 5-7 veta. Këto njësite shërbyen si baza për krijimin e çetave e formacioneve më të mëdha partizane, të cilat ishin burim i pashteruar për të shtuar radhët e ushtrisë partizane.
Grupet edukative dhe të simpatizantëve u bënë baza e krijimit të njësiteve të armatosura në fshatar dhe krahina si në Mesaplik, Dukat…Gjorm, Brataj, Ramicë, Tërbaç, Tragjas, Gumenicë, Mavrovë, Vajzë, Karbunar, Vuno etj.
Në këtë kohë tregëtimi i armëve bëhej me shkëmbim në natyrë… municion e shisnin dhe ushtarët italianë…tregëtimi i armëve pati rëndësi të madhe se u armatos populli, tregoi patriotizmin për luftë kundër pushtuesit. Me porosi të Qarkorit u krijuan qendrat e grumbullimit të armëve, depo të armëve…u armatosën pjesëtarët e njësiteve të para guerile dhe ilegalët e parë që dualën nga qyteti…
Suksesi i aksioneve pati ndikim të madh politik dhe psikologjik në masat e popullit. Taktika partizane e veprimit me grupe të vogla, të befasishme dhe në vende dominonjëse ishte forma më frutdhënëse që u zhvillua gjatë 4 aksioneve të mëdha që u zhvilluan në vitin 1942, eksperienca ishte e paktë… kështu u gërshetuan aksionet në terrene më të mëdha si në Qafën e Pëllumbit, në vrasjen e Tenentes në Vuno, në Dorëz, në prerjen e linjave telefonike… në qendrat e milicisë dhe karabinerisë etj. Antifashistit Rrahman ndjeu dhimbje kur ju “vranë shokë luftëtarë trima, si Teli Ndini, 4 heronjtë e lagjes Topana, Shyqyri Alimerko e Sadik Zotaj etj”.
Gjatë vitit 1943 Rrahman Parllaku kreu me dinjitet detyrën e vështirë por të lavdishme të komandanti të njësiteve guerile të qytetit të Vlorës dhe më 28 nëntor 1943, mori detyrën e komisarit të batalioni në BrVS.
Mundi, gjaku dhe sakrificat e tyre janë të gdhendura dhe të skalitura në gjoksin e nënë Shqipëri. Të gjithë partizanët, heronjtë e dëshmorët, por dhe veteranët e kësaj lufte vezullojnë, pavarësisht se kohët që po jetojmë dhe njerëzit e rrymave të ndryshme duan t’i harrojnë, përsëri gjenden zemra shqiptare që i përkujtojnë dhe nderojnë me madhështi, si ky përkujtim në 105 vjetorin e lindjes të njërit nga komandantët e susesshëm të njësiteve guerile në qytetin e Vlorës, por dhe luftëtarit e kuadrit të Luftës së Dytë Botërore të zhvilluar në Shqipëri.
Ende Vlora dhe Shqipëria kanë shumë për të bërë për këta heronj, që brezave do t’u ngelen amanet për sakrificat dhe gjakun e derdhur në luftë për liri. Jeta dhe vepra e tij duhet të jetë simbol i dukshëm i një atdhetarie të flaktë në monumente, në libra, në vepra arti, në këngë e në tërë diapazonin e një përjetësimi të madhërishëm.