Pimi ishte njeri i mirë, i dashur e parimor; mishëronte dhe përçonte kudo me zgjuarsinë e tij natyrore vlerat më të mira njerëzore, urtësinë dhe mençurinë karakteristike dibrane… Pimi ecte shpejt, punonte shpejt, jetonte shpejt, arrinte synimet shpejt, dhe mesaduket e plotësoi edhe misionin e tij shpejt.
Ndaj dhe iku shpejt!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. I ndrittë shpirti në parajsën e përjetshme!

Edhe një vit pas ndarjes nga jeta në moshën 45 vjeçare, Përparim Hyseni (PIMI) “mblodhi” në takimin përkujtimor më 21 prill 2024, aq shumë njerëz (familjarë, të afërm, miq e shokë) sa një vit më parë, kur e përcollën për në botën e përtejme…
Ndonëse ditë me shi, karvani i autoveturave për te varrezat publike të Kamzës nuk kishte të sosur. Të gjithë ata që e kanë njohur bënë homazhe në nderim të këtij djaloshi, portreti i buzëqeshur i të cilit në fasadën e mermertë të varrit të tij, duket sikur ju thotë: “Ja, jam sërish mes jush!”.
Gjithsesi, të gjithë përlotemi.
Lotë përmallimi nga babai Arifi, nëna Fatmire, xhaxhai Avdiu, daja Xhemë Toshi.., nga vëllezërit Mirushi e Mani; motrat Fidania, Shukrija dhe Lulja…, por dhe nga Mjeshtri i Madh Muharrem Gjoka (burri i hallës së tij) që e deshi aq shumë, si birin e nipin e tij. Lotët na rrjedhin çurkë edhe ne miqve të tij, mua e Defrim Methasanit, ndërsa nipërit Lutfiun, Edin e Gentin (sidhe disa nipër tjerë të Familjes së nderuar Hyseni) mezi i largojmë për t’ua liruar vendin të tjerëve që të bëjnë homazhe.
Sa shumë njerëz edhe në drekën përkujtimore!!!
Si edhe para një viti, moderatorit Defrim Methasani – Mjeshtër i Madh, i kërkohet të mbajë një fjalë rasti, por nuk e ka të lehtë, sepse i duhet të flasë për një nga miqtë e tij të veçantë.., për një njeri shumë të dashur të familjes Hyseni.
Sepse Pimi, iku duke na lënë kujtime që na zgjojnë ndjenja të freskëta dashurie dhe admirimi për të.
Ai pati një jetë të vrullshme, plot sakrifica. Kudo që ai punoi, në vendlindjen e tij në Reçin – kryemal të Nandë Maleve historike të Dibrës, në Tiranë dhe si emigrant në Itali e Gjermani, me ndershmërinë, njerëzinë dhe respektin e tij bëri miq dhe shokë të shumtë. Po. Pimi ishte njeri i mirë, i dashur e parimor; mishëronte dhe përçonte kudo me zgjuarsinë e tij natyrore vlerat më të mira njerëzore, urtësinë dhe mençurinë karakteristike dibrane.
Në fakt ai e tregoi vehten si biri i denjë i babait të tij, Arifit, i cili që nga mosha e tij e re dhe deri sot në këtë moshë të thyer, ka trashëguar e lartësuar virtytet më të mira të të parëve të tij, të njohur për qëndresën heroike kundër pushtuesve turq, serbë e nazifashistë, për besë e burrëri. Edhe në këtë përkujtimore Ai mbahet si burrë zakoni, i paepur e me karakter të fortë. “Fjala e Defrimit, por edhe të gjithë Ju miqtë e shumtë që më gjendeni pranë, më duket sikur ma ringjallni Pimin”, thotë i përlotur Arifi. Babai Arifi, nëna Fatmirja, vëllezërit Mirushi e Mani; motrat Fidania, Shukrija e Lulja, hallat Fatimja, Hanja e Xharija, nipërit e mbesat; miqtë e shokët e tij të shumtë nga e gjithë Shqipëria, ndonëse jetojnë me kujtimet e PIMIT të paharruar, ndjehen pafundësisht mirënjohës ndaj të gjithë atyre që i nderuan me praninë në këtë përkujtimore.
Dhe kanë të drejtë, se kështu PIMI mbetet i gjallë në memorien e tyre. Pimi ecte shpejt, punonte shpejt, jetonte shpejt, arrinte synimet shpejt, dhe mesaduket e plotësoi edhe misionin e tij shpejt.
Ndaj dhe iku shpejt!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. I ndrittë shpirti në parajsën e përjetshme!
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh