• Shqiptarët ndihen krenarë me jetën dhe veprën e “Heroit të Popullit” dhe “Nderit të Kombit” Rrahman Parllaku, që bëri gjithçka në shërbim të atdheut e kombit. Prandaj, edhe vlerësimet dhe nderimet ndaj veprës së gjeneralit janë plotësisht të merituara

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Me 17 prill 2024, familja, të afërmit dhe miqtë tij të shumtë, përkujtuan gjeneralin legjendë në kufirin e tri kohëve, Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, në 105-vjetorin e ditëlindjes së tij. Pesë vjet më parë, kur sapo kishte mbushur një shekull jetë, atij ju festua me madhështi ditëlindja jubilare shekullore me disa veprimtari të larmishme. E meritonte, sepse Ai vinte në kapërcyellin e shekullit të jetës së tij, me profilin e burrështetasit me bukuri të rrallë fizike e shpirtërore dhe me memorie të freskët, si memoria historike e kombit.
Pesë muaj pas festimit të kësaj ditëlindje, ai iku për në botën e përtejme, duke lënë pas për brezat testamentin e atdhedashurisë.
Me 17 prill 2024, në një Akademi Përkujtimore, që OBVL organizoi në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave Ai u përkujtua si sfidanti i kohërave.
Ai, sfidoi varfërinë në bjeshkët e Sharrit, sfidoi pushtimin e vendit me armë, shpirt e zemër; luftoi për çlirimin e Shqipërisë e të Kosovës, sfidoi diktaturën dhe u la brezave një shembull të madh virtyti dhe idealizmi. Gjenerali që “u fik në paqe dhe iku në këmbë” (siç shprehet gjeneral Piro Ahmetaj), iku duke i lënë familjes, bashkëluftëtarëve e bashkëpunëtorëve, shokëve e miqve në gjithë hapësirën mbarëshqiptare të vetmin testament, atë të atdhedashurisë…
Gjeneral Parllaku ishte ndër të paktët partizanë që jetoi dhe dëshmoi histori të tri kohëve, të organizatorit e drejtuesit të Njësiteve guerile në qytetin e Vlorës, të partizanit e luftëtarit antifashist, heroit e komandantit ushtarak dhe atë të persekutimit komunist. Ai ia doli mbi të gjitha furtunat e jetës, doli fitimtar nga Lufta Antifashiste, doli gjallë nga burgu komunist, doli fitimtar në luftën për pavarësinë e Kosovës dhe deri para pesë vitesh ishte gjenerali më i vjetër, por me mendje të re, që mbështeste anëtarësimin e Shqipërisë dhe të ushtrisë shqiptare në NATO dhe integrimin e saj në BE.
Vetëm para pesë vitesh, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Bashkia e Tiranës e nderoi atë me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës” (ndërkohë që në 95-vjetorin e lindjes ish-Presidenti i RSH Bujar Nishati e dekoroi me titullin e lartë “Nderi i Kombit”). Pasi kishte marrë më parë “Qytetar nderi” i komunës së Kuveleshit, “Qytetar nderi” i Bashkisë Shijak, “Mirënjohja” e Këshillit të Qarkut Tiranë dhe “Qytetar Nderi”I Qarkut Kukës, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e vlerësoi Parllakun si një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste, si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike. Dhe në të vërtetë, ai qe kthyer në simbol të gjallë të kujtesës patriotike, qytetare dhe historike. (Edhe në moshën 100 vjeçare mbante përmendësh vargjet e poemës “Lahuta e Malcis” të Fishtës”).
Shqiptarët ndihen krenarë me jetën dhe veprën e “Heroit të Popullit” dhe “Nderit të Kombit”, që bëri gjithçka në shërbim të atdheut e kombit. Prandaj, edhe vlerësimet dhe nderimet ndaj veprës së gjeneralit janë plotësisht të merituara.
Me gjeneral Parllakun, ndihemi krenarë të gjithë . Ai ishte dhe mbetet përmendore e gjallë e traditës dhe e virtytit familjar të trashëguar ndër shekuj.
Opinioni publik ka mirëpritur edhe librat e ndryshëm të shkruar nga gjenerali, siç është ai me titull: “Mirënjohje familjeve vlonjate që më mbajtën si birin e tyre”, “Kosova, ëndrra e jetës sime”, dhe librin me shtatë kapituj në 466 faqe “Një shekull në memorie”.
Me një kujtesë të jashtëzakonshme, me një mendjemprehtësi të madhe, gjeneral Parllaku ka bërë analiza brilante të situatave të vështira e delikate që ka kaluar vendi dhe ushtria jonë. E veçanta e gjithë “ligjëratave” të tij në shtypin e kohës dhe në veprimtari promovuese të librave kushtuar Luftës Nacionalçlirimtare e heronjve të saj, ka qenë gjykimi i tij tepër i saktë, konciz, realist, pa mllefe, pa paragjykime… Ai e ka vlerësuar gjithnjë lart Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, arritjet dhe përpjekjet e popullit jo vetëm në rindërtimin e Shqipërisë së pasluftës, por edhe ato në fushën e arsimimit, shërbimit shëndetësor, zhvillimit në tërësi të vendit, përfshirë edhe arritjet në mbrojtjen e fuqizimin e ushtrisë…si dhe këto vite të demokracisë e pluralizmit.

NGA JETA E KËTIJ MATUZALEMI NA ULET KËMBËKRYQ HISTORIA
Nga jeta e këtij Matuzalemi na ulet këmbëkryq historia. Nga lufta dhe përkushtimi i tij atdhetar na vjen një model për t’u ndjekur… Nga veprimtaria e gjeneral Parllakut si veteran në këto tri dekada të demokracisë mund të mësojmë se kurrë nuk është vonë për njeriun që të bëhet mbështetës aktiv i proceseve demokratizuese të shoqërisë.
Në spiralet e historisë, gjeneral Parllaku ka ditur të lakohet me dinjitet, duke pasur si kolonë bazë përkushtimin kombëtar shqiptar dhe progresin shoqëror, si thelb i motivimit që gëlonte shpirtin e tij progresist e liridashës. Vështirë të përmbledhësh në pak radhë, në kuintesencë, motivimin e personalitetit të tij, zhvillimin konjitiv e psikomotor të këtij djaloshi që ngjitej nga Novosej i Kukësit në Tribuna të larta shtetërore, në hero të popullit të tij, në drejtues madhor ushtarak, duke ndryshuar variablat në kontekste politike në funksion të mbijetesës dhe qëndresës, nga udhëheqës i shquar në të dënuar me burg, nga triumfator në grigjë të rrezikut për jetën, nga piedestali i kuadrit të dobishëm në stigmën e “njeriut të rrezikshëm”, ekstreme këto që provokuan në personalitetin e tij, qëndrime dhe vlera të larta politiko-shoqërore në raportin e ndjenjave të forta estetike midis dashurisë dhe urrejtjes. Këtë volum ideor dhe estetik e përcolli përgjatë shekullit të jetës së tij, një burrë shtetar, një organizëm vital, një mendje koherente dhe një vizion largpamës dhe perspektiv.

HEROI QË FITOI DUKE MERITUAR LAVDINË DHE PAVDEKËSINË
Retrospektiva dhe perspektiva kanë një prerje të artë në personalitetin e gjeneral Parllakut. Atë e përshkon frymëzimi dhe dashuria për atdheun e tij, si lajtmotiv vijues mbikohor, që çliron në rrethana tipike energji shpirtërore pozitive në luftën e jetës. Jeta e tij është një shëmbëlltyrë e rrallë që na fton të kuptojmë se jeta meriton të jetohet kur luftohet fort dhe fitohet. Si një ushtarak, korrekt, i shquar, ai mbështetej në skrupuj të fortë të moralit kombëtar, me pikëvështrim të qartë dhe të kthjellët, duke ngjitur një nga një shkallët e karrierës ushtarake, si një gjigand hijerëndë që ngjitet i sigurt në bedenat e kalasë.
Kalaja e pushteteve në kohë të ndryshme dhe situata të ndryshme, pati edhe shembje morale e politike, por këto nuk e dobësuan dhe përulën gjeneral Rrahman Parllakun, këtë soj të fortë shqiptari, që me mençuri diti të manovrojë në spiralet e rrezikshme të historisë shqiptare.
Heroi i luftës në terren, i luftës dhe përballjes në gjyqe ushtarake, përballoi burgje e privime dhe fitoi duke merituar lavdinë dhe pavdekësinë. Jeta iu afrua Heroit herë me tufa me lule, herë duke u derdhur mbi të me tërë egërsinë e saj. Rrallë gjen shembuj të tillë të personalitetit, ku të jenë ngjizur e plazmuar në mënyrë aq mjeshtërore vetitë e karakterit të një intelektuali patriot, të një drejtuesi e komanduesi të aftë ushtarak, të zgjuar dhe trim, të thjeshtë dhe të ndershëm, të bukur në trup, shpirt dhe mendime. Ai ishte një model i ardhur nga genocidi komunist si dëshmitar i gjallë për të kuptuar dhe vërtetuar peripecitë dhe traumat që kaloi ky popull i orientuar dhe i ideologjizuar gabimisht nga rryma dhe korrente të huaja. Mbi 20 vjet në krye të Organizatës të bashkuar të Veteranëve të Luftës, me ndershmëri dhe principe të larta morale, ka kontribuar në ndriçimin e mjaft skenave dhe protagonistëve, të vërtetave dhe kërkimeve historike, duke dhënë edhe në moshë pensioni, një ndihmesë të vyer në emancipimin politiko-shoqëror e demokratik të shoqërisë. Si një lundërtar i shquar, ai e drejtoi varkën e shpëtimit duke kapërcyer me sukses tallazet e historisë deri në brigjet e paqta të demokracisë që po jetojmë. Jo vetëm gjatësia kohore e jetës, por dendësia dhe përmbushja e saj me veprime, qëndrime dhe vlera në përmbajtjen e saj, e bën këtë figurë të lartësohet në nderimin tonë shoqëror, ku zëri dhe mesazhet e tij dëgjohen deri në organizata famoze ndërkombëtare. Në këtë vështrim, gjeneral Rrahman Parllaku përbën një shembull frymëzimi për atdhedashurinë dhe përkushtimin qytetar.

GJENERAL RRAHMAN PARLLAKU, FIGURË EMBLEMATIKE E SHQIPËRISË…

Nga Nikolla Sudar
Historian dhe përkthyes
&“Mjeshtër i Madh”

Është nder dhe privilegj të kesh njohur nga afër luftëtarin më të shquar të kohës, antifashistin e orëve të para dhe demokratin e flaktë, birin e lavdishëm të Shqipërisë, të paharruarin në shekuj, Rrahman Parllaku.
Më 15 shtator 2019, pikërisht para pesë vjetve, u nda nga jeta, në Tiranë, në moshën 100-vjeçare, personaliteti më popullor i Shqipërisë së sotme, “Nderi i Kombit, “Heroi i Popullit”, kryetari i OBVL-s, Gjenerali legjendar, RRAHMAN PARLLAKU.
Unë kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë ta shoqëroj gjeneralin si përkthyes në dy takime shumë të rëndësishme të veteranëve të Ballkanit: më 2016, në Zhabjak (të Malit te Zi), bashkë më sekretarin e Përgjithshëm të OBVL-s, z. Halil Rama dhe më 2018, në Beograd (Serbi), bashke me të bijën, z. Tatjana Parllaku.
Gjenerali-legjendë në kufirin e dy kohëve, që para tetë dekadave drejtoi Divizionin e V Sulmues të Ushtrisë shqiptare, në luftën për çlirimin e viseve të të Kosovës, me atë pathosin e luftëtarit të papërkulur antifashist, theksoi me forcë rolin dhe detyrat e veteranëve në luftën kundër terrorizmit. Fjala e kryetarit të delegacionit shqiptar, legjendës së gjallë të këtij vendi, gjeneralit të pamposhtur 98-vjeçar, Rrahman Parllaku, këtij kolosi fisnik, mbajtur në Konferencën Ballkanike të veteranëve, në Zhabjak të Malit të Zi, (në korriik të vitit 2016), që fitoi menjëherë admirimin e të gjithëve të pranishmëve, u prit me interes të jashtëzakonshëm. “Ndihem i privilegjuar dhe me fat, – theksoi Ai, – që në moshën 98-vjeçare më jepet rasti të flas për angazhimin tonë në luftën pa kompromis kundër terrorizmit botëror. Ashtu si para 72 vitesh, pasi kishim çliruar Shqipërinë me forcat tona, në kuadrin e Aleancës Antifashiste të Popujve, në krye të Divizionit të V-të dhamë kontributin tonë për çlirimin e Kosovës, Bosnjës e Sanxhakut, ndërsa Divizioni VI luftoi edhe në Mal të Zi dhe sot ne, veteranët e LANÇ të popullit shqiptar mbështesim pa rezerva luftën kundër këtij armiku, të rrezikshëm, po aq sa edhe fashizmi”, – theksoi gjeneral Parllaku. Ai vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare në koalicionin botëror kundër terrorizmit, në kuadrin e NATO-s.“Ashtu, si para shtatë dekadash u rreshtuam përkrah forcave progresiste të Perëndimit edhe sot ne jemi më të vendosur se kurrë për të përmbushur angazhimet dhe detyrimet tona në këtë Aleancë”, – shtoi ndër të tjera kreu i OBVL të popullit shqiptar. Jeta dhe kontributi i gjeneralit Rrahman Parllaku në historinë e Shqipërisë, përgjithmonë do të mbeten shembull i madh i një atdhetari të vërtetë dhe i një humanisti të paharruar. Mbase tingëllon si guxim i tepruar, por thjesht si historian, si qytetar i këtij vendi, po shfaq mendimin tim modest:
“Vallë, a nuk ka ardhur koha që në pidestalin e burrave të shquar të këtij vendi, krahas Skenderbeut, Ismail Qemalit, Isa Buletinit, Bajram Currit, Fan Nolit, të zërë vendin e merituar edhe gjenerali legjendar Rrahman Parllaku? A nuk do të ishte vlerërim i merituar, sikur t’i ngrihet një përmendore në Tiranë dhe një inistitucioni të rëndësishëm t’i vihet emri i tij?”