Rreth librit “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët” ku ndër të tjera autori shpreh mirënjohjn ndaj demokracisë amerikane

DR. SHK. NOVRUZ ZEJNATI

Ndofta kritiku i mirënjohur Fatmir Minguli e ka përcaktuar më qartë me dy fjalë figurën e Shpendi Topollajt, duke e quajtur atë në librin që i ka kushtuar “Një shkrimtar i çuditshëm”. Autorë të tjerë para meje janë përpjekur ta sqarojnë në pesë libra domethënien e këtyre fjalëve, duke u mbështetur në vlerat e tij njerëzore, jetën interesante të tij, nisjen e botimit të librave pas ardhjes së demokracisë dhe që janë plot 73 të tilla, faktin se ai duke qenë oficer (nuk mund të mos e theksoj: nga më të zotët), dhe jurist, nuk ka studiuar posaçërisht për letërsi, lëvrimin e çdo lloj zhanri letrar, talentin e spikatur, kulturën e pakrahasueshme, ndershmërinë, ndihmën e pakursyer për këdo, duke organizuar veprimtari promovuese pafund dhe asnjë herë për vete, redaktimin e korrektimin e librave të tyre, parathëniet dhe analizat kritike për ta që kapin deri tani shifrën e 35 volumeve, mbajtjen e fjalës për secilin, kudo që organizohet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni të Veriut, botimin e tyre nëpër gazetat e portale, praninë e tij gati të përditshme në shtypin e shkruar, shkuarjen në takime me nxënësit e mësuesit, intervistat e shumta në radio e televizione, pjesëmarrjen nëpër juritë e konkurseve të ndryshme, përkthimin e veprës së tij në disa gjuhë të huaja, drejtimin e disa organizatave dhe shoqatave jo fitimprurëse, dhurimin e librave prej tij, akordimin e disa çmimeve e vlerësimeve që i janë bërë, e deri mbajtjen e fjalës së përcjelljes të shokëve që ndërrojnë jetë, miqve të tij të shumtë, mungesën e kushteve normale për krijimtarinë e një shkrimtari, pasi jeton në një sipërfaqe prej 50 m2, ku nuk ka vend as për librat, etj. etj. Por unë do të theksoja edhe diçka tjetër: preokupimin e tij për çështjen kombëtare, qartësinë me të cilën e arsyeton atë dhe kurajën e rrallë për ti shprehur hapur mendimet dhe opinionet e veta, çka del më së miri edhe në librin e porsabotuar nga SHB 2M Printing, me titullin “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët”. Karl Popperi një herë pati thënë se “Kush kërkon të vërtetën duhet të guxojë për të qenë një revolucionar në fushën e mendimit”. Dhe ja sesi shprehen për të akademik Kopi Kyçyku dhe shkrimtari Nazmi Seitaj fjala vjen. I pari, duke u mbështetur në njërën nga analizat e tij thotë: “Jehonat e kësaj klithme dhembjeprurëse kanë shpuar tashmë qiejt me shpatën e mprehtë të atmëmëdhedashurisë”.
Kurse i dyti “…mendimtari i shquar Shpendi Topollaj është në lartësi Himalaje të artikujve tanë kritikë dhe që mbetet i paarritshëm… Sikur të isha President i këtij vendi do ta kisha dekoruar me çmimin më të lartë”. Çmimin e lartë “Pushkin” ja akordoi atij 7 – 8 vjet më parë edhe LSHA të Rusisë, por ai nuk hezitoi ta kthejë mbrapsht kur pa se ai vend dërgoi ushtrinë me tanke, topa e avionë kundër popullit paqësor të Ukrainës, duke dhënë kështu një shembull shumë domethënës. Po ashtu, Shpendi nuk e fsheh revoltën e tij kur sheh qëndrimin nënshtrues të politikanëve tanë ndaj të huajve. Artikujt e tij plot llogjikë dhe patos, para se të përfshiheshin në këtë libër, janë bërë publike duke u botuar nëpër gazetat e përditshme. Qëllimi i tyre ka qenë që të tërheqin vëmendjen e një mase sa më të gjerë lexuesish. Ato fare mirë mund të quhen apollogji për Kombin tonë të coptuar, ngritje zëri për korrigjimin e gabimeve mbi një shekullore që janë bërë ndaj nesh, duke e parë ndreqjen e tyre vetëm te bashkimi i trojeve tona. Në shkrimin e tij “Politikanë flisni burrërisht për problemin kombëtar të bashkimit…” ai u drejtohet hapur atyre që na drejtojnë: “…nëqoftë se keni ndërmend të bëni ndryshime në Kushtetutë, së pari ndreqni nenin e Parë kështu: “Synimi parësor për ne është bashkimi i trojeve shqiptare kudo që ato janë”. Dhe vazhdon duke u kujtuar atyre se : “Jeni pasardhës të heronjve të Lidhjes së Prizrenit, atyre burrave që nuk e njihnin frikën, prandaj tu ngjisni atyre në dashurinë dhe sakrificat për Atdhe. Vetëm kështu do të mbeteni të nderuar në jetë të jetëve si ata”. Dhe për këtë mendim të tijin, ai e përgatit lexuesin qysh në krye kur evokon fjalët e famshme të Euripidit, filozofit shumëplanësh i cili thosh: “O, kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep Atdheut”. Dhe është kjo arsyeja që ai këto fjalë ua drejton si thirrje së pari, intelektualëve të andej e këndej kufirit. U thotë atyre se duhet marrë shembull nga burra si diplomati Shaban Murati që nuk resht së shkruari me guxim për qëndrimet që duhen mbajtur, nga shkrimtarja historiane Vilhelme Vranari, nga përfaqsuesi i shoqërisë civile Dashamir Uruçi, nga gazetarë si Xhevdet Mustafa, Genc Burimi, Kim Mehmeti, Fatos Lubonja, Selman Sheme, Engjëll Musai, Halil Rama, me shokë, deri tek i ndjeri Nazif Bezhani. Ndaj dhe qysh në faqen e parë, librin ia kushton kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me fjalët: “...me urimin që të qëndrojë deri në fund si shqiptar trim dhe i pathyer në mbrojtje të tërësisë tokësore, sovranitetit dhe dinjitetit të Kosovës, para presioneve djallëzore të diplomacisë ndërkombëtare që synon të plotësojë tekat e rrezikshme të kriminelëve serbë”. Shpendi Topollaj i përshëndet me gjithë zemër aleancat, sidomos atë të përfshirjes së Shqipërisë në NATO. Madje, ai e quan fat për vendin e kombin tonë këtë. Aleanca me ta është e domosdoshme, por kjo nuk do të thotë që Shqipëria të lerë në dorë të tyre sovranitetin dhe dinjitetin e vet. Sipas tij, në marrëdhëniet mes shteteve, duhet të prevalojë parimi i barazisë dhe reciprocitetit. Asnjë i huaj, kushdo qoftë ai, nuk ka të drejtë të bëjë ligjin në shtëpinë tonë. Asgjë nuk e përligj vartësinë e turpshme që çon edhe në konformimin me gjithçka ata sugjerojnë e urdhërojnë. Dhe janë disa analiza të fuqishme, ku ai u flet pa rezerva përfaqsuesve të vendeve të tjera, duke u kujtuar atyre se Shqipëria nuk është vend suzeren dhe asnjë ambasador nuk ka të drejtë të sillet te ne si guvernator. Sidomos, revolta e tij shtohet kur vjen puna te padrejtësitë e 1913 - ës e në vazhdim, kur Shqipëria u coptua dhe nga trungu i atdheut u shkëput Kosova dhe Çamëria dhe që ende mbesin çështje të pazgjidhura, pasi edhe diplomacia e huaj asqë e përmend ndonjëherë. Ai shpreh mospajtimin e tij me qëndrimet e qeverisë tonë që edhe tani që Kosova ka fituar lirinë e pavarësinë e saj me gjakun e UÇK - së dhe luftën e forcave të NATO - s, manifeston kundërvënie ndaj veprimeve të qeverisë kosovare e cila nuk pranon të plotësojë tekat dhe kërkesat absurde dhe me pasoja të pariparueshme në të ardhmen nga ana e Aleksandar Vuçiçit me atë asociacionin e tij dhelparak, i përkrahur për hir të koniukturave nga perëndimorët. Në një shkrim tjetër ai gati thërret: “Asnjë lëshim Serbisë!” Kosovën ai e sheh të pandarë nga Shqipëria; prekja e interesave të saj është prekje e padiskutueshme e Shqipërisë. Nga ana tjetër, Shpendi është një admirues i padyshimtë i demokracisë amerikane dhe mirënjohës i asaj që ai vend ka bërë për ne, por në asnjë mënyrë nuk pranon ndërhyrjet paternaliste që mbjellin përçarje midis shqiptarëve. Për më tepër, ai paralajmëron se kjo mund të ketë pasoja shumë serioze në të ardhmen për ne. Vlen të përmendet për këtë shkrimi i tij “Askush nuk ka të drejtë ti ngatërrojë më tej shqiptarët dhe të sillet si padroni i tyre” apo “Kam disa pyetje për ju zonja e nderuar ambasadore Juri Kim”. Dhe mendoj se është një zgjedhje e zgjuar nga ana e këtij autori, kur thërret për ilustrim njerëz të shquar të Kombit tonë, pra të shqiptarisë, si Faik Konica e Naim Frashëri dhe të tjerë, çka duket te “Ç`do thosh sot Faik Konica” dhe “Naim Frashëri profet i bashkimit”. Ja pse edhe shqetësimi i tij është pse intelektualët të paktën, heshtin. Sot jemi në kushte krejt të tjera, të favorshme për të folur pa drojë dhe gjithmonë në interes të atdheut në radhë të parë. Arsyetimet e tij janë të bazuara në llogjikën e rreptë të interesave kombëtare dhe e gjithë kjo e ngre atë në rangun e analistëve tanë më të mirë, të atyre që kombin e kanë të shenjtë, pa asnjë paramendim për përfitim. Shpendi, në pension prej më shumë se një dekade, nuk pret të bëjë karrierë. Atij i dhimbset fati i Kombit tonë të shumëvuajtur, dhe bashkimin e tij e sheh së pari te përpjekjet e vetë shqiptarëve. I ngre lavdinë gjestit heroik të mësuesit atdhetar Haki Taha, dhe kujton se janë të shumtë ata Adem Jasharë që dhanë gjithçka patën për liri, pavarësi e bashkim kombëtar. Si ushtarak, atë dhe mua na trishton fakti se ende nuk po merret seriozisht domosdoshmëria e forcimit të mbrojtjes nëpërmjet rimëkëmbjes së ushtrisë tonë. Dhe shqiptarët e sidomos intelektualët, pse jo edhe politikanët, duhet të ndërgjegjësohen për detyrat e tyre, edhe duke lexuar libra si ky, që e plotëson portretin e një shkrimtari të çuditshëm, si miku im i shtrenjë, atdhetari Shpendi Topollaj. Ndaj dhe me të drejtë Prof. Dr. Nuhi Vinca i drejtohet atij me fjalët: “sikur intelektualë tanë të kishin jo vetëm mençurinë, por edhe shqetësimin dhe kurajën për të folur ashtu si ti për çështjen kombëtare… realiteti do të ishte krejt tjetër”.