Shuhet emblema e qëndresës ndaj pushtesve nazifashistë, i diplomuar në Akademinë Ushtarake “Kujbishev” në Moskë.

Maksim VINÇANI*

Sotir Budina, ndër gurilasit e parë korçarë, ish partizan dhe kuadër i Brigadës së IV-t S dhe i ushtrisë shqiptare, i diplomuar në Akademinë Ushtarake “Kujbishev” në Moskë. ndërroi jetë më 28 shkurt në moshën 97 – vjeçare. Ai ishte një nga personalitetet e shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të Ushtrisë Shqiptare dhe Shoqërisë Civile të pas viteve ’90-të.
Drejtues të OBVL, familjarë, miq dhe të afërm e pëcollën atë me të gjitha nderimet që meritonte.
Pranë arkivolit me trupin e tij bënë homazhe ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, i shoqëruar nga nënkryetari i OBVL Muharrem Gjoka – Mjeshtër i Madh dhe Sekretari i Përgjithshëm i OBVL Halil Rama – Mjeshtër i Madh.
Fjalën e lamtumirës, në varrezat e Sharrës ku prehet trupi i tij e mbajti nënkryetari i OBVL Maksim Vinçani. Më pas, Z.Vinçani, së bashku me Sekretarin e Protokollit Trifon Llupo, vendosën një kurorë me lule në emër të kryesisë së organizatës tonë.

JETËSHKRIMI

Sotir Budina ka lindur në qytetin e Korçës në mars të vitit 1927 në një familje patriotike, e cila njihet për kontributin e shquar që ka dhënë për rritjen e ndjenjave patriotike dhe për pjesëmarrjen me armë në dorë në Luftën Nacionalçlirimtare. Nga kjo familje në luftën partizane kanë marrë pjesë katër luftëtarë.
Sotiri, i frymëzuar me ndjenjat patriotike të familjes së tij, ka marrë pjesë aktivisht në luftën për liri që në vitin 1939.
Mbasi mbaroi shkollën Normale të Elbasanit, si i ri antifashist bëhet anëtar i njësitit gueril të qytetit të Korçës, ku mori pjesë trimërisht në disa aksione luftarake kundër pushtuesit fashist të vendit.
Si një nga personazhet realë në librin “Copëza jete invalidësh, (Botim i kryesisë së Degës së Invalidëve të LANÇ, Tiranë), Sotir Budinës i dilnin parasysh si në ndonjë film ngjarjet e shtatorit 1943. Në këtë libër janë skalitur ngjarje heroike të guerilasve korçarë, mes të cilëve edhe Sotiri, i plagosur gjatë një përleshjeje masive me armikun. U shërua falë përkujdesjes së mjekut partizan Petraq Progrit, nga dëshmia autentike e të cilit Sotir Budina gëzonte edhe Statusin e Invalidit të LANÇl.
Sotir Budina, që me formimin e Brigadës së IV-të S më 28 dhjetor 1943, u rreshtua në Batalionin e III-të të kësaj brigade, fillimisht me detyrën përgjegjës rinie kompanie dhe më vonë përgjegjës rinie i këtij batalioni. Në kujtimet e tij (të botuara), ndër të tjera ai shkruan se “Pa përfunduar plotësisht organizimi Brigada mori detyrën për të goditur forcat balliste të grumbulluara nga zona e Korçës, Kolonjës, Skrapari dhe të Tomorricës që kishin ndërmarrë sulme në shpinë të batalioneve partizane që vepronin në Gorë, Mokër, Opar, Voskopojë, Vithkuq e Rrëzë të Korçës. Përurimin e saj Brigada IV Partizane e bëri duke sulmuar armiqtë. Luftimet e Brigadës IV Sulmuese ndikuan në dështimin e Operacionit Armik të Dimrit në qarkun e Korçës. Brigada IV S, si të gjitha brigadat e tjera të UNÇSH, i kreu me sukses të plotë detyrat e ngarkuara. Ajo luftoi në krahinat e Korçës, në Skrapar, Kolonjë, Pogradec, Mat, Peshkopi, Elbasan, Durrës e Tiranë. Një nga betejat më të njohura e heroike të Brigadës së katërt është ajo e Mushqetasë, e cila ishte vendimtare në çlirimin e Tiranës”.
Bashkohësit e mbanin mend Sotirin si partizanin trim që hidhej me guxim në aksionet luftarake, duke u bërë emblem e qëndresës kundër pushtuesit.
Referuar kujtimeve të ushtarakëve të misionit britanik në Shqipëri, që kanë shkruar në kujtimet e tyre se partizanët janë shumë të ndershëm dhe shumë seriozë në përpjekjet e tyre, Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj shrkuan se partizanët kishin frymë luftarake, shpirt spartanësh dhe shfaqje trimërore. I tillë ishte edhe Sotir Budina, ndër guuerilasite parë korçarë dhe partisan e kuadër drejtues në formacione të Brigadës së IV-t S.
Si i ri i dalluar që ishte, në gusht 1944 u zgjodh delegat i Brigadës së IV-të S dhe mori pjesë në Kongresin e I-rë të Rinisë Antifashiste shqiptare në Helmës të Skraparit. Jas i e kujtonte ai këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e LANÇ-it: “Në verën e vitit 1944, kur lufta kundër pushtuesit kishte marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin dhe kur trupat sovjetike po i afroheshin Ballkanit Perëndimor, Organizata e Rinisë Antifashiste Shqiptare, e drejtuar me guxim e mençuri nga Sekretari i saj i Parë, Nako Spiru, thirri Kongresin e saj të parë në Helmës të Skraparit. Në këtë vend malor që edhe në të kaluarën ka qenë vatër e çetave të Rilindjes sonë Kombëtare, më 8 gusht 1944, në frymën e një entuziazmi të papërshkruar u hap Kongresi i I-rë i Rinisë Antifashiste Shqiptare”. Në këtë kongres mes 285 delegatëve (nga të cilët 72 ishin të reja) që përfaqësonin rininë dhe pionierët e të gjitha krahinave dhe qyteteve të Shqipërisë dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ishte edhe i riu korëar Sotir Budina. Shpesh herë ain ë mjedise familjare dhe me shokë tregonte se si me një dashuri dhe entuziazëm të paparë u pritën delegatët e Divizionit të I-rë S, të Brigadave të I-rë, IV-t dhe të V-të Sulmuese, gjithsesj 27 veta që vinin nga vija e parë e luftës për çlirimin e Shqipërisë së Veriut, duke marshuar më këmbë me qindra kilometra nga Mirdita dhe Dibra deri në Helmës të Skraparit, për të marrë pjesë në këtë kongres historik të Rinisë Antifashiste Shqiptare ku do të behej bilnaci i luftimeve dhe do të caktoheshin detyrat deri në çlirimin e plotë të atdheut.
“Zëri i delegatëve të Divizionit të I-rë, të zgjedhur nga partizanët më të mirë, të dalluar në luftën kundër pushtuesve, në takimet dhe bisedat e zjarrta që bëheshin gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit, dëgjohej me vëmendje të veçantë. Me diskutimet e tyre, Fatmir Gjata, Dhori Panariti, Katina Starjo etj dhanë një kontribut të vyer për përcaktimin e detyrave imediate që i dilnin Rinisë”,-tregonte Sotiri.
Mbas çlirimit të vendit, Sotir Budina si ish pjesëmarrës aktiv në LANÇ dërgohet për studime në ish Bashkimin Sovjetik, ku mbaroi me rezultate të larta shkollën 3-vjeçare të xhenios në Leningrad dhe Akademinë Ushtarake të xhenios “Kujbishev”, 6 vjet në Moskë.
Si kuadër ushtarak i përgatitur dhe i pajisur me njohuri të thella të artit ushtarak të kohës, ai mbas mbarimit të Akademisë, në të gjitha funksionet që iu ngarkuan: Shef i Xhenios së Mbrojtjes Bregdetare, Shef i Xhenios së Mbrojtjes Kundërajrore të vendit, Shef i Katedrës së Xhenios në Akademinë Ushtarake dhe më vonë nga viti 1974-1982 për 9 vjet, nëndrejtor i Drejtorisë së Xhenios e Fortifikimit në Ministrinë e Mbrojtjes, duke punuar me përkushtim dha një kontribut të vyer në përgatitjen xheniere të ushtrisë dhe sidomos në fortifikimin e vendit.
Mbas daljes në pension në vitin 1982 dhe sidomos pas vitit ’90 ka mbështetir vazhdimisht proceset demokratike.
Sotir Budina ishte një nga 64 firmëtarët e krijimti të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ përkrah personalieteve të shquara si Dr.Ymer Dishnica – Nderi i Kombit, Gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit; gjeneral Nexhip Vinçani-Nderi i Kombit, ish-Presidentit Alfred Moisiu, general Muhamet Prodani; Liri Belishova, Edip Ohri, Skender Malindi etj.
Për 30 vjet në këtë organizatë, si sekretar Organizativ dhe prej dy vitesh si kryetar i saj, Sotiri ka dhënë një kontribut të shquar për mbarëvajtjen e saj dhe për zgjidhjen e problemeve që kanë veteranët.
Ai gëzonte Statusin e Invalidit të LANÇ. Duke vlerësuar kontributin e tij, Kryesia e Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, me vendim të posaçëm nderoi Invalidin e LANÇ Sotir Budina me titullin e lartë “Atdheu ju është përjetë mirënjohës”.
Me vdekjen e tij, OBVL dhe Shoqata Kombëtare e Invalidëve të LANÇ humbën anëtarin dhe drejtuesin e denjtë, familja e tij humbi njeriun më të dashur, ne shokët e miqtë e tij humbëm bashkpuntorin më të ngushtë, të cilin do ta kujtojmë gjithnjë me nderim të veçantë.

  • Nënkryetar i OBVL