Nga MEVLUD BUCI

Përveç realitetit të frikshëm të qendrave urbane, të cilat zbrazen në mënyrë të heshtur, gati pa u diktuar, zbrazja e malësisë prej njerëzve, është më e prekshme, më konkrete. Nëse udhëton sot nëpër malësi, shikon kulla të braktisura, ara të pambjella ,pemë të rrënuara nga mungesa e kujdesit, pyje të reja të mbira e të rritura nga mungesa e dëmtimit prej bagëtive dhe dorës së njeriut. E dhimbshme është të shikosh shkolla afër mbylljes, pa folur këtu për institucione të tjera të kujdesit shëndetësor.
Janë një sërë faktorësh që kanë çuar deri këtu, të cilat merren me mend nga kushdo, po ndërsa duhet të gjykojmë për to, duhet përmendur ai që është faktori kryesor: mungesa e vëmendjes së shtetit, të komunave të dikurshme e të bashkive të sotme, të cilat i përqëndruan investimet atje ku deshën, ku ato u jepnin më tepër leverdi ndoshta edhe për të mbushur xhepat…Mungesa e investimeve stragjike për një jetësim afatgjatë të tyre edhe në zonat më të largëta çoi deri këtu…
Zona e Katër Grykëve në Dibër është një ndër zonat e largëta të kësaj bashkie, një zonë e njohur për atdhetarizmin e saj, mikpritjen e bujarinë që e trashëgon prej genit stërgjyshor (fisi Ndregjoni i përmendur për strehimin e hebrejve), një zonë që ka luftuar kundër pushtuesit të huaj me dëshmorët e saj (Molla Bajram Buci u vra bashkë me të birin në betejën e Petrinjës kundër pushtuesve serbë) dhe të figurave të tjera, si: Molla Limani, Tafë Kaziu, Sefer Bodini, Llan Destan Ndregjoni, Ismail Nika, Halil Daçi, Xhafer, Shaban e Lam Bruçi. Ajo është vendlindja e diplomatëve Bashkim Rama e Ahmet Lala, e shkrimtarëve Hysni Bruçi e Hysen Dervishi, e për të vijuar me emra të tjerë si: Faik Bruçi, Latif Miha, Hysni Bodini, Osman Hidër Miha, Luan cemenja, Fiqiri Musa, Lazim Bardhi, Xhemal Delishi, Rexhep Rama, Bajram e Agim Totraku, Petrit e Xhetan Ndregjoni etj), një zonë që para viteve 90 kishte me mijëra banorë, ndërsa sot mezi numëron disa shtëpi. Vitet e demokracisë sollën ethet e vetshpërnguljes nga këto zona me resurse ekonomike – pyjore – ujore dhe turistike. Kjo zonë ka 11 liqene të Kacnisë që janë të vendosura shkallë – shkallë me bukuritë e Trethit, të Shleskut të Madh, me Grykën e Vanasit, Valin, Benën etj.
Ndërsa po të hedhësh sytë e të vështrosh sot këtë zonë shikon pyje të prera, mungesë rrugësh ose rrugë gropa-gropa ku nuk bëhet asnjë investim në to, të paktën për mirëmbajtje.
Ky shkrim i një analize më tepër përmbledhëse,ka më shumë qëllim sensibilizues, ndonëse sot çdo thirrje bie në vesh të shurdhër të pushtetarëve, ai nuk synon të paraqesë edhe pse e ka këtë verdikt, por të kumtojë një realitet që është i mundshëm të ndryshohet. Këtu nuk flasim për disa individë që kanë bërë nmdonjë investim të vogël dhe që nuk mund të bëjnë investimet e mëdha. Rruga e ndërtuar në vitet 1939-1940 nga Italia është po ajo, madje më keq dhe të flasësh këtu se katërgrykasit janë kontribues në ekonominë zonale e kombëtare nuk është pak, as të sjellim në retrospektivë atë çfarë bëri sistemi i dikurshëm me mbajtjen e njerëzve këtu, libraritë, vatrat e kulturës, qendrat shëndetësore e të tjera mundësi që dha për një zhvillim infrastrukturor kulturor, kjo nuk është një çështje nostalgjie as thirrje për rikthim…Por, malësia me resurset e saj i ka të gjitha mundësitë, se ajo ka mbajtur me mijëra banorë, me pyjet, ujërat, arat, minierat, blegtorinë e pasur me të gjitha të mirat që ia ka falur natyra…Veçse braktisja e frikshme e malësisë është një kambanë alarmi jo vetëm për banorët e paktë që jetojnë akoma atje si më qendrestarë për ta mbajtur malësinë në këmbë, por edhe për kombin, për vendin tonë të begatë…