SHPENDI TOPOLLAJ

Këto ditë u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë veterania Filloreta Fejzo. Ajo ishte lindur në vitin 1928 në fshatin Grapsh të Devollit në një familje që ishte bashkuar me rezistencën e armatosur antifashiste qysh në fillimet e saj. Vetë ajo, ende e vogël, në moshën trembëdhjetë vjeçare, mori vendimin e guximshëm për tu rreshtuar me repartet partizane, duke u bërë pjesë e Br. XVIII - të S. Edhe pse ende e parritur, ajo u dallua për trimëri në të gjitha aksionet ku mori pjesë. Dhe duke parë vlerat e saj, pas çlirimit të vendit e caktojnë sekretare në Divizionin e Beratit me komandant Kristo Themelkon dhe komisar Tahir Kadarenë. Pas largimit të tyre në detyra të rëndësishme në Tiranë edhe ajo kërkoi ta transferonin pranë familjes. Kërkesa ju miratua dhe ajo filloi punë në të njëjtën detyrë në Divizionin e Korçës. Atje u dashurua dhe e lidhi jetën me Abaz Fejzon nga Tragjasi, njërin nga luftëtarët e shquar dhe më të kulturuar i cili aso kohe kryente detyrën e shefit të shtabit të atij Divizioni. Nuk kaloi shumë dhe pas emërimit të të shoqit atashe ushtarak pranë ambasadës tonë në Itali, ajo kalon disa kohë të paharruara në Romën e artistëve të mëdhenj. Më pas, Abazi shkon për studime në Akademinë “Frunze” në Moskë të cilën e kreu me rezultate të shkëlqyera, dhe meritoi medaljen e artë, kurse Filloreta si burrneshë rriti tri vajzat e saj Elizën, Tamarën dhe Pranverën. Filloreta, një grua dhe intelektuale dinjitoze e ndoqi të shoqin, tani gjeneral major, kudo që atë e caktonin, por në Durrës ku e emëruan Drejtore të teatrit “Aleksandër Moisiu”, ajo tregoi vlerat e saj të larta njerëzore dhe profesionale. Edhe sot e kësaj dite atë e kujtojnë me respektin më të madh si një drejtuese të thjeshtë, dhe shumë dashamirëse me aktorët dhe punonjësit e atij institucioni. E tillë mbeti Filloreta kudo që punoi më pas në kryeqytet, ku i shoqi qe caktuar Drejtor i Përgjithshëm i Mjeteve të Blinduara në Ministrinë e Mbrojtjes. Ajo ka qenë drejtore e Ndërmarrjes së Peliçerisë dhe Kombinatit të Mish - Qumshtit. Por kjo zgjati derisa Enver Hoxha realizoj atë “Fshesën e hekurt” në ushtri, nga e cila pa asnjë arsye e pësoi edhe Abazi dhe për pasojë, atë e internojnë në Gramsh si punëtor dhe pastaj e dënojnë bashkë me shokët e tjerë drejtues kryesorë të ushtrisë, me 20 vite burg në Burrel, atje ku dikur kishte qenë komandant i Brigadës. Në internim dërgohet edhe Filloreta, ajo partizania trembëdhjetë vjeçare, së bashku me vajzat. Në gjithë këtë situatë të trishtuar fati e rëndoj më tej gjendjen e tyre, pasi vajza e saj e dashur Tamara sëmuret me diagnozën e vargut Alpha e rëndë. Çfarë nuk bëri nëna e gjorë për ta shpëtuar atë, por qe e kotë. E bija, kur u nda nga jeta, ishte vetëm 28 vjeçe. Ky hidhërim ja coptoi zemrën nënës, që e ndoqën të tjera halle; si veç përbuzjes së nxitur nga sigurimi i shtetit dhe përjashtimit nga Partia si bashkëpunëtore me burrin “puçist”, e largojnë edhe nga qyteti i Gramshit dhe e dërgojnë me vendimin absurd të Komisionit të Dëbim - Internimeve në fshatin Bërsnik. I vendosën për të banuar në një karakatinë, ku para se të burgosej kishte jetuar në të ish truroja e Kryeministrit që e kishin vetëvrarë, Ali Çeno. Këtu Filloreta Fejzon e nxorrën në pension, kurse vajzat Eliza, mjeke dhe e motra, merrnin shatat dhe shkonin gjithë ditën për prashitje arave dhe në punë të tjera të rënda. Me mendjen tek Abazi që vuante në burgun mesjetar dhe shtërngesën për ti çuar diçka atij, me pikëllimin për humbjen e vajzës fatkeqe, Filloreta kaloi një pjesë të jetës mes vuajtjeve të mëdha shpirtërore. Lexuesit e nderuar të kësaj nekrologjie i bëj me dije se për këtë familje të respektuar, kam shkruar romanin “Luani i Kafazit” prej nga artistikisht po shkëpus letrën që Abazi i dërgon Filloretës nga burgu: “E shtrenjta Filloretë! Të gjitha i marr me mend. Ju edhe në Luvër po të ishit, pikëllimi për fatin tim, do tu mbyste. Bëhuni të forta, se jeta kështu qenka. Në këtë botë, pasuria më e madhe është nderi. Atë e kemi vetë në dorë dhe nuk mund të na e marrë askush. Lexoje edhe një herë “Odisenë” moj Reti. E di që atë libër e keni. Edhe burri i Penelopës, po njëzet vjet u largua nga Itaka. Por ajo e gjeti mënyrën që ta priste. Pëlhura e saj mbeti në jetë të jetëve, një metaforë, për të gjitha gratë që janë të detyruara të presin kaq gjatë. Për mua mos u shqetësoni. Jo se jam në Fushat e Elizeut, si Menelau, dhe as që pres si Danaja atë shiun e artë, (ti e pëlqeve shumë pikturën e Gustav Klimtit kur e pamë atje në Itali), por sado të zemërohet Zeusi me Prometeun që u shpërndau njerëzve zjarrin, përsëri nga kutia e Pandorës, diçka shumë e shtrenjtë për njeriun, do të mbesë. Aty ku jeni, mund të lodheni, por të paktën disi e humbni mendjen. Kurse këtu, çdo ditë dhe çdo orë më del parasysh Tamara jonë. Ajo e kishte më të rëndë se ne të gjithë: ishte e re, fare e re dhe e dinte se çe priste dhe përsëri buzëqeshja nuk iu nda asnjë herë. Dhe unë, u tregova më i rreptë se çduhej, duke mos i dhënë atë kokrrën e mollës që dikush kishte sjellë nga Korça, kur ajo më lutej. Isha bërë i drejtë si Hesperi që romakët e lashtë, ti e di, e quanin Vesperi. Madje, isha bërë si Ladoni, dragoi me shtatë kokë që ruante kopshtin e mollëve të arta të bijave të tij. Dhe pastaj, e përcollëm atë ditë, veshur me të bardha, pa njerëz dhe pa lule. Shpirti im e di, sesa vuaj për të. Ju keni aty njëra - tjetrën. Fatkeqësia do tu afrojë akoma më shumë.
Po e patë se e keni të vështirë, më dërgoni më pak lekë, se unë këtu bëj si bëj. Nuk kam pasur ndonjë oreks të madh atëherë, e jo më tani që më është prerë fare”. E megjithatë, Filloreta kurrë nuk u thye në krenarinë e saj dhe bindjen se asgjë të keqe nuk kishin bërë ndaj popullit e atdheut. Dhe sikur të mos mjaftonin gjithë këto, atje në burgn e tmerrshëm, pra sapo kishte mbushur 62 vjeç, vdes dhe burri i saj i shtrenjtë, gjenerali legjendar Abaz Fejzo, ai që e pajisi ushtrinë shqiptare me qindra e qindra tanke të reja. Fjalët e tij të fundit sipas romanit, ishin: “Më fal o Zot! Unë nuk të besova, por të keqen nuk e pata nga ti. Të keqen e pata nga ai që ishte një horr dhe ne besonim se ishte Zot”. Dhe si përherë për raste të tilla, varrimi pa praninë e familjes atje te Qershia. U desh ardhja e demokracisë që Filloreta, me të bijën Eliza, etj. dhe Heroin e Popullit Rrahman Parllaku me Gjergj Titanin të shkonin e ta shvarrosnin. Ishte në gropë pranë gjeneralit tjetër Vaskë Gjinos, që si shumë të tjerë u bënë fli për tekat e një panarojaku, duke u shkaktuar mjerime edhe familjeve të tyre. Pavarësisht se ato nuk e ulën kokën asnjëherë. Dhe shembulli më domethënës për këtë është jeta e papërlyer e luftëtares, bashkëshortes, nënës dhe intelektuales së mrekullueshme Filloreta Fejzo.