Nga Bashkim Hisari

Kanë kaluar afro tre dekada dhe Serbia pothuaj fare nuk ka lëvizur nga vendi sa i përket qëndrimit ndaj Kosovës dhe dialogut për normalizimin e raporteve ndërshtetërore. Vazhdon të funksionojë një simbiozë sistematike e politikës, krimit, policisë, biznesit, mediave. Në këtë pushtet mafioz gjithçka është e mundur. Dikur ishte Slobodan Millosheviçi, tani janë Aleksandar Vuçiç, Ana Brnabiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin, dikur bashkëpuntorë, tani ndjekës të denjë të ideve të tija kriminale.Qytetarët janë të zemëruar. Pushteti autoritar mbrohet me kordona policor, me votat e vjedhura të qyetarëve, represione, gënjeshtra, me mafiozë që po përhapin të keqen.
Nuk respektohen të drejtat e qytetarëve, as marrëveshjet e arritura me Kosovën. Nuk e njohin realitetin e Kosovës dhe karshi këtij realiteti, bëhen të shurdhër e të verbër. Ndaj marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë në një gjendje thellësisht të ngrirë. Rreth dhjetë vite dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, nuk po prodhon rezultate të pritura, kurse tensionet nuk po zbuten. Veprimet e njëanshme po ndikojnë negativisht në ndryshimin e gjendjes, marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve nuk janë të mira. Armiqësia mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve është e madhe. Nuk ka vullnet për pajtim për t’u përballur me të kaluarën. Nuk ka shenja se ndonjëra prej palëve po mendon seriozisht për normalizimin e raorteve. Të dyja qeveritë kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre qasje përjashtuese. Serbia ende shpreson që ta rimarrë Kosovën dhe këto shpresa janë të përqëndruara në Veri, në pjesën e banuar me shumicë serbe.
Në historinë e serbëve, me dekada ka pasur edhe disa veçori në zbatimit e një politike të prirur për të ushtruar dhunën më të egër për shfarosjen e plotë të shqiptarëve. Shumë veprime të tyre kanë qenë të ngjashme me ato që përafrohen me qeverisjen e nazi-fashizmit. Në luftërat që i zhvilluan duke bërë krime më monstruoze, që drejtoheshin nga nacionalizmi ekstrem, hegjemonizmi dhe paradigma e tyre se “serbët ishin fitues në luftë dhe humbës në paqe”, doli dëshmuese se për serbët, territori është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Krerët politikë dhe pjesa mbizotëruese e elitës intelektuale serbe, kurrë nuk kanë qenë të kënaqur me territorin e shtetit të tyre të cilin janë përpjekur të zgjerojnë në kurriz të shqiptarëve. Drejtësia, paqja, respektimi dhe bashkëpunimi me fqinjët, hapja ndaj botës – asnjëherë nuk kanë qenë prioritet për ta. Përkundërazi, kapërcimi i rrugës drejt perëndimit, orientimi drejt Rusisë, mospranimi i sundimit të ligjit e kulturës pluraliste politike, shtypja e lirisë, të drejtave të njeriut dhe miti mbi Kosovën, pa ndërprerje kanë dominuar në mënyrën e të menduarit politik të serbëve. Këto karakteristika janë evidente edhe tani kur Serbia nuk po implemeton marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Nuk po e përshtat politikën e jashtme me atë të BE-së. Është vendi i vetëm evropian që nuk ka miratuar sanksione kundër Rusisë pas agresionit kundër Ukrainës. Serbia është vendi ku bëhet mohimi i krimeve, glorifikimi sistematik i kriminelëve të dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë për krimet e kryera gjatë luftërave të përgjakshme në ish Jugosllavi, ku u vranë rreth 130 mijë njerëz në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni.
Autoritetet Serbe vazhdojnë të shkelin integritetin territorial të Kosovës. Nuk e njohin subjektivitetin ndërkombëtar dhe parimin e barazisë së palëve. Kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare duke përdorur edhe dhunën në marrëdhëniet ndërshtetërore. Kosovën e konsiderojnë pjesë e territorit të tyre dhe shtetin sovran e të pavarur të Kosovës e quajnë shtet i rremë dhe terrorist
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, ata trimërojnë, nxisin dhe financiarisht mbështesin strukturat ilegale që operojnë në territorin e Kosovës si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, që ushtrojnë veprimtari me qëllim të cenimit të rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës. Më 24 shtator 2023, pjestarët e tyre organizuan një sulm të armatosur në fshatin Banjskë në Veri të Kosovës. Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe për rrjedhojë edhe disa terroristë serbë. Në zonën e Manastirit ortodoks të këtij fshati ku ishin strehuar sulmuesit, u gjetë një sasi e konsiderueshme armatimi. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës u cilësua si sulm terrorist dhe këto organizata, Kosova i shpalli si terroriste.
Dështimet e fundit të bisedimeve në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, moszbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe në Ohër që ofrojnë normalizim dhe një të ardhme më të mirë për qyetetarët e të dy vendeve si dhe reagimet e zemëruara të Beogradit bashkë me shqetësimet e diplomacisë perëndimore për shkak të vendimit se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, dëshmojnë se në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka përparim dhe se janë në fund të “qorrsokakut”. Situatën edhe më shumë vazhdon ta tensionojë presidenti i Serbisë Alekasadar Vuçiq, i cili ditë më parë deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, kërcnon Perendimin duke thënë se Perendimi duhet të zgjedh mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse ata zgjedhin Kosovën, Vuçiq ka thënë se “Serbia do të presë momentin dhe ne do të shfrytëzojmë mundësinë tonë”. Kosova tani më nuk është ajo që ka qenë. Pas shumë sakrificave të popullit të Kosovës, luftës çlirimtare, rezistencës shumëvjeçare dhe përkrahjes historike që ka marrë nga aleatët, ajo është shtet sovran në konsolidim.
Para 16 viteve, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Shpallja e pavarësisë ishte kurorëzim i një rrugëtimi të dhimbshëm i popullit shqiptar që vite me radhë i vuajti pasojat e spastrimit etnik nga forcat policore ushtarake serbe. Me ndjenja të fuqishme krenarie, gëzimi e kënaqësie, të gjithë qyetetarët e Kosovës, festojnë këtë arritje të jashtëzakonshme politike, juridike, sociale, kulturore e qytetëruese sepse Kosova u bë jo vetëm me Kushtetutë por edhe me President, Kuvendin, Qeverinë, Pushtetin gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese, me flamurin, stemën dhe himnin shtetërore, valutën, Bankën Qendrore, Doganën, Forcat e Sigurisë, Policinë, Akademinë e Shkencave dhe Arteve, Universitetin etj. Krahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, komuniteteve në Kosovë u është mundësuar të gëzojnë edhe të drejta të veçanta. Atyre u janë siguruar kushtet e duhura, të cilat u mundësojnë ta ruajnë, ta mbrojnë dhe ta zhvillojnë identitetin, fenë, traditat dhe kulturën e tyre. Ata kanë të drejtë të marrin arsimim publik parafillor, fillor dhe të mesëm në gjuhën e tyre, të themelojnë e menaxhojnë institucionet private të arsimit. Në jetën private dhe publike lirisht të përdorin gjuhën, alfabetin, simbolet e tyre. Kanë qasje të garantuar dhe përfaqësim të veçantë në media. Në Kuvendin e Kosovës, 20 prej 120 vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve. Të gjitha këto të drejta kanë mundësi ti shfrytëzojnë edhe serbët në Kosovë.
Por një pjesë e popullatës serbe në Kosovë përfshirë kriminelë dhe grupe paramilitare që mbështeten nga institucionet të cilat në Kosovë funksionojnë në mënyrë të jashtëligjshme, rezistojnë ti shfrytëzojnë këto të drejta.
Ndërkaq, lufta për liri, vetëvendosje dhe për identitetin e pavarur të Kosovës ka pasur një traditë të gjatë dhe domethënëse. Kjo traditë liridashëse u shpreh veçanërisht në luftën kundër Perandorisë Osmane, regjimeve serbe që zaptuan trojet tona, në LANÇ, sidomos në ish Jugosllavi pas inkorporimit të Kosovës në Serbi, luftës së UÇK-së dhe popullit liridashës. Për këto ideale, Kosova dha shumë dëshmorë dhe heronj legjendarë si: Mic Sokoli, Azem Bejta, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Emin Duraku, Fadil Hoxha, Xhavid Nimani, Veli Deva, Mahmut Bakalli, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Adem Jashari e shumë të tjerë.