• “N’ ato lugje, n’ato shkrepa po vjen zani Marshterpa !”
Ndërsa NORA LEGJENDARE E KELMENDIT ishte e shek. XVII, “NORA” E MIRDITËS ishte rreth 150 vjet më përpara, por e mbetur në heshtjen e harresës. Po pse të mos e “ringjallim” sot, se siç thotë populli:” Më mirë vonë se kurr!”. Ky fakt është bërë i ditur te “KANUNI i Lekë Dukagjinit,”Varianti i Mirditës” (Tiranë, 2003 , Neni 180, f.95 dhe Shënimi 17, f. 247.)

Nga Xhemal MEÇI
Mjeshtër i Madh

Prof. Selami Pulaha ka argumentuar se janë të njohura historikisht Kryengritjet antifeudale të shek XVI, -(Studime Historike, Tiranë, II, 1979,f. 197- 204), gjë që tregon se ngjarje të tilla kanë bazë historike, shkencore.
Sipas një legjende të njohur në Kelmend, Malësi e Madhe, aty nga mesi i shek. XVII vjen në Kelmend Pashai i Bosnjës për të nënshtruar vendin. Malësorët e Kelmendit i sillnin shumë dëme , duke i sulmuar karvanet në udhët tregtare e tjerë. Pashai erdhi me një ushtri të madhe dhe vuri shatoren e vet në një mesvendi, duke u kërkuar krerëve të vendit taksat dhe sigurinë e udhëve, ndryshe do të kryente sulme të rënda ndëshkimore. Paraprakisht kërkoi t’i sillnin në Shatore NORËN E BUKUR të Këlmendit. Krerët i kërkuan Nores t’i shkonte Pashait në Shatore dhe me bukurinë dhe zgjuarsinë e saj ta joshte aq sa të arrinte t’i priste kryet. Kështu do të shpëtonte Kelmendin dhe nderin e saj. Dhe, ashtu bëri Nora e bukur, trime dhe e mençur. (Injac Zamputi, – Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vll. III, Tiranë, 2009, f.1852 – 1853).
Duke hulumtuar për traditën kanunore nëpër Mirditë gjatë viteve 1970 – 1980, u njoha me këtë kujtesë historike ( Kodërspaç,1980) të ngjashme me atë të Norës së Kelmendit, por që kishte ngjarë afro 150 vjet para Nores së Kelmendit. Megjithatë për ngjashmëri të ngjarjes mund ta quajmë “NORA e MIRDITËS”, por e njohur me emrin MARSHTERPA E SPAÇIT. (Në Spaç me fjalën shterp, kuptonin cucën, vajzën e virgjën). Krerët e vendit e bindën Marshterpën aso kohe, pra rreth mesit të shek. XVI, që të shkonte tek “Djali i Begollit” të Pejës që kërkonte nënshtrimin e vendit dhe një cucë si Ajo, i cili “ka rethuar Kodërspaçin, duke na kapur në befasi.

Dhe tani që ta heqim qafet me gjithë ushtrinë e tij na duhet ndihma jote. Po arrite t’i presësh gërmazin, djelmnia e vendit atëhere do të sulmojë ushtrinë e tij, e cila e mbetur pa komandar, do të shpartallohet prej nesh. Kështu shpëton Spaçi e Mirdita mbarë, kurse ti do të këndohesh në kajkë për trimëninë, guximin dhe mençurinë tande. Hajt tash, e banu gati e na nxirë fitimar e faqebardhë! Paq bekimin e ndihmën e ZOTIT, moj bijë!” Si dëgjoi me vemendje e urtësi u premtoi, se me ndihmën e Zotit do ta nderonte Spaçin, si cucë Mirdite se “ Nuk më thonë kot Marshterpa e Spaçit!” Si u la e u shpërla, u vesh me rrobat e bukura të nusnisë mirditore, u lye me erza lulesh, të ruajtura enkas për raste të tilla, iu paraqit gjthë dritë e aromë lulesh djalit të Begollit. E uroi, gjoja, për “mirseardhjen”, duke i thënë se do ta “festonin” këtë takim “të kandshëm” me shirup Mirdite, shumë i kandshëm e shumë i shëndetshëm. (Ishte i përgaditur me një llojë vene të amel, të cilit i fuste mjaltë herëpashere po edhe verë, që ia jepte me duart e bardha e gjithë naze e aromë lulesh, duke e joshur me gjeste vallesh e buzëqeshje zanash, por me zemër që herë-herë i dridhej nga shpresa e guximi. Kështu djali i Begollit, i mahnitur nga ajo bukuri trupi e veshjeje nusërie mirditore, shoqëruar me naze “dashurore” dhe po aq ushqyer me pijen, “mushtin” e amel e të shijshëm si gjithçka brenda asaj çadre “xheneti!”, aq sa pak nga pak filloi t’i vinte një gjumë ledhatues si kurrë ndonjëherë. Rojat jashtë çadrës gëzoheshin ngaqë po gëzohej e çlodhej komandanti i tyre me aq HARE E GËZIM, sa u hyri si një farë gjumi edhe atyre nga që vajza e bukur u jepte herëherë edhe atyre nga një tas asi shirupi. Si e kuptoi se tani ishte çasti më i volitshem për t’ia lënë radhën thikës, me atë ia preu gërmazin deri në fund duke e mbytur në gjakun e tij, por menjëherë i hodhi mbi fëtyrë e gjoks shaminë e trashë e plot hijeshi, që e kishte mbajtur ngjeshur si përparce. Si u sigurua se çdo gjë po shkonte si e kishte menduar e vepruar, doli nga çadra duke i porositur rojat qetë- qetë, që të mos e trazonin deri sa të “çlodhej”, se po flente pak; ndërsa ajo do të ecte pak larg çadrës që të thithte ajrin e freskët të kësaj nate të paharrueshme. Pak më tej takoi “vëllezërit”, që po e prisnin plot ankth se si përfondoi “aksioni.“ Si morën përgjigjen e “motrës Marshterp” u lshuan mbi rojet rrotull çadrës, të cilët i therën si kecat. Dhe pa vonuar u dha kushtrimi: “O moreee! Marshterpa, moreee! Bini burra mbi ta ! Bini burra , bre, bini!” Mbi tri kodrat ranë lodrat e kushtrimit. Për afro një orë u therën dhe u zunë robër të gjithë ushtarët armiq atë natë heroizmi mIrditor. Nuk vonuan gra e burra të thurnin këngë për Marshterpën. Po Zef Gjokë DODA (1913 – 1996, burrë bujar e pleqnar i shquar) nuk mundi të kujtonte më shumë se ato dy vargje: “N’ato lugje , n’ato shkrepa/ po vjen zani Marshterpa”!, po ngjarjen e tregonte aq bukur, me ndjenjë e krenari”.
Mundet që mbas këtij shkrimi, studiuesit mirditas, që janë kërkues, hulumtues me plot botime të suksesshme, ta plotësojnë këtë ngjarje shumë interesante e domethënëse me burime të reja.