NGA KOZMA GJINI

“Do të luftoj për çlirimin e atdheut deri në pikën e fundit të gjakut. Për atë do të fal çdo gjë që posedoj, madje edhe jetën.” Nexhip Vinçani.
… Këto ishin fjalët e betimit të luftëtarit të lirisë, trimit të pashoq, patriotit të flaktë të LANC, numri 1 i drejtuesve politikë e ushtarakë të zonës së Korçës, strategu i rrallë i taktikave të rrufeshme sulmuese kundër pushtuesve, flamurtar i sprovuar për çlirim, komandantit legjendar të Brigadës së IV-t Sulmuese, gjeneral Nexhip Vinçani, kur zëri i Atdheut ushtonte për liri a vdekje. Për prejardhjen e Vinçanëve po mjaftohemi vetëm me 4 vargje që i ka ngritur populli dhe gjithçka tjetër është e tepërt.
…Po na vjen kjo Rrëza, me flamur në ballë,
Grekun nuk e duam, jemi shqipëtarë.
Në na pyetshin shokët: kë kini të parë?
Vet e kemi zgjedhur, Kahreman Vinçanë…!
Fisit dhe familjes së Vinçanëve iu vu një kurorë e artë me jetën heroike të Nexhip Vinçanit.
Jeta e rinisë së Nexhipit u mëkua me aromën e patriotizmit, të ndjeshmërisë e të dashurisë për atdheun, krenarisë për origjinën familjare, për vendlindjen, për njerëzit dhe tokën e tij së cilës ai i fali jetën. Arsimin e mesëm e mori në:Korçë, Tiranë e Shkodër, ku u njoh me moshatarë që ndikuan në formimin e tij si: P.Xhuvani, L.Angoni, R.Çollaku, S.Çaçin, P.Lena, H.Papa, Xh.Punavia, V.Kushi, H.Dushi, N.Rushiti, E.Durakun etj.
Më tej, dërgohet për studime në Fakultetin e Drejtësisë në Romë. Këtu, djemtë tanë (1939-41), formuan bërthamën e celulës së studentëve me: sekretar, T.Skëndi dhe N.Vinçani, P.Xhuvani, V.Nathanaili, F.Babani, F.Stamo, N.Resnja, B.Shtylla, V.Dushku e A.Mano, anëtarë.
Për atë periudhë, Nexhipi ka shkruar: “…çdonjëri prej nesh kishte në lidhje disa simpatizantë, shumica e të cilëve thjeshtë për ide antifashiste ncl. Në Romë, por edhe në qytete të tjera të Italisë, kishte shumë shqiptarë në shkolla e kurse të ndryshme për oficerë, karabinierë, roje finance, por edhe shqiptarë të rinj që kryenin shërbimin ushtarak, me të cilët isha ngarkuar kryesisht për të punuar unë…”
Nexhipi ishte njëri nga organizatorët e demonstratës. Djemtë marshuan me flamurin kombëtar dhe karabinieria e arrestoi, bashkë me P. Xhuvanin. Si rrjedhojë e kësaj, i ndërpret studimet dhe kthehet në atdhe, më 28.11.1941.
“Që në ditët e para të dhjetorit 1941, iu përkushtova plotësisht detyrave që lidheshin me LANC. Fillova jetën e Partisë në Celulën nr.7 në Korçë, në të cilën bënin jetën e partisë edhe Ymer Dishnica, Dhori Samsuri, Pëllumb Dishnica etj.” Ai u bë shtylla e autoritetit të Vinçanëve dhe në bashkëpunim me Ymer Dishnicën e shokët e shkollës së mesme, punuan me të rinjtë për përhapjen e ideve patriotike, të bindur se e vetmja rrugë për çlirimin e vendit ishte lufta. Ai u ngarkua nga Komiteti Qarkor që t’ju drejtohej të rinjve me një fjalim, ku u bëri thirrje për të mbushur radhët partizane, thirrje që gjeti gadishmëri të plotë. Në zonën Gorë-Opar etj, u formuan organizatat e Rinisë Antifashiste, çetat e njësitet e armatosura. Vëllezërit “Vinçani” u angazhuan me gjithë shpirt në luftë për liri. Nexhipin e caktojnë komandant i Shtabit partizan të Qarkut të Korçës.
“Në mbrëmjen e datës 27 mbëritëm në Kucakë. Na bëri konak Monçi i Kucakës… Përveç çetës së Gorës e të Rrëzës, mëngjesin e datës 28 erdhën shumë veprimtarë nga Gora dhe Opari i Poshtëm, që kishin shprehur dëshirën për të kaluar partizanë në radhët e çetave…vëprimtarë të rinisë, komandantë të njësiteve të armatosur të fshatrave e patriotë të tjerë të kësaj krahine si: Xhezar Senishti, Zalo Zvarishti, Liko Gjyrasi, Hysen Bosi, Jaçe Bosi, Rakip Zvarishti, Ameli Dolani, Haxhi Dolani, Hasan Lesheci, (Miglica), Xume Protopapa, Shaban Zereci, Monçi Kucaka, Myslim Matraku, Sabri Plovishti, Bektash Plovishti, Qani Babjenji, Ceno Vrepcka, Limi Grybeci, Kadri Grybeci, Dilaver Qencka e shumë të tjerë.”
Dr. Ymer Dishnica, për artin e komunikimit të Nexhipit dhe familjen e tij ka thënë: “…Shtëpia e tij (e Nexhipit-shën. im) kishte kohë që ishte bërë bazë kryesore e LANÇ-it. Ai qe rritur në atë vatër ku era e barutit nuk qe shuar kurrë…Nexhipi na duhej në qendër në çdo çast, pasi ai ishte promotori i lëvizjes antifashiste”. Më 16 shtator 1942, Nexhip Vinçanin e shohim delegat në Konferencën e Pezës, si përfaqësues i Rinisë Antifashiste, ndërsa Ymer Dishnica ishte delegat i P. Komuniste… Nga shënimet që ai ka mbajtur në faqet e një fjalori italisht, lexojmë: “…U nisa ilegalisht për në Tiranë, i shoqëruar nga dy shokë të njësitit të Korçës me një makinë “MILECENTO”, vetë isha disi i maskuar dhe me pasaportë fallco… Në Tiranë takova Esat Dishnicën. Me një “pajton” dhe 2 shoqërues nga Tirana, u nisëm për në Pezë…”
Sidomos pas Konferencës së Pezës, familja “Vinçani” ishte e përkushtuar me të gjitha forcat e mjetet me LANC, ku rolin kryesor tani e kishte brezi i ri i kësaj familje, Nexhipi me vëllezërit. Së bashku me Ymerin ata filluan ngritjen e këshillave NCL, duke nisur nga Vinçani e më pas me krijimin e njësiteve partizane. Nexhip Vinçani të habiste me magjinë e forcës organizuese të fjalës dhe të bënte të hidheshe në flakë. “Kur shkuam për të organizuar një çetë partizane në zonën e poshtme të Korçës, ai ndriste dhe shkëlqente nga të gjithë ne të deleguarit. Ai gëzonte një simpati të veçantë në të gjithë popullsinë e zonës, sepse shtëpia e tij ishte bërë një nga bazat më të fuqishme të luftës në të gjithë Qarkun e Korçës” Y. Dishnica.
Ndërkohë që armiku dhe bashkëpunëtorët e tij kishin terrorizuar popullin, Nexhipi hynte familje më familje dhe u bënte thirrje që të mos gënjeheshin nga propaganda e të huajve. Kur forcat armike po digjnin fshatin Osojë dhe banorët i futën në kishë për t’i pushkatuar, Nexhipi organizoi një sulm të befasishëm me Batalionin e -III- dhe gjermanët u larguan në panik, kurse banorët shpëtuan duke falenderuar forcat partizane dhe personalisht përqafonin me lot në sy Nexhip Vinçanin. Personaliteti i ushtarakut Nexhip Vinçani u rrit edhe më shumë, ku më 28 dhjetor 1943, në Voskopojë, krijohet Brigada e IV Sulmuese dhe komandant u caktua Nexhip Vinçani, kurse komisar, Pëllumb Dishnica. Kjo brigadë zhvilloi luftime në 20 krahina të qarqeve: Korçë, Berat, Elbasan, Dibër, Durrës, Tiranë, Shkodër, etj. Në ceremoninë që u organizua për dorëzimin e “Flamurit luftarak” Nexhipi u përkul, e puthi flamurin i përlotur dhe u betua përpara efektivit të Brigadës:
“Betohem se do ta mbajmë me nder e lavdi këtë flamur, edhe në momente më të rrezikshme, duke mos kursyer edhe gjakun tonë, si bij të denjë të këtij populli trim e të lavdishëm që, kurrë nuk i ka turpëruar armët e tij, kurrë nuk e ka lënë këtë Flamur ta nëpërkëmbin armiqtë e tij”. Si një ogur shpresëdhënës, Brigada e IV-s, nisi luftën për të përballuar ofensivën armike, me një manovër të shkëlqyer, duke krijuar një situatë më të favorshme, në prag të Operacionit të Dimrit. Fuqia e besimi në fitore qendronte në njohjen e situatës dhe manovrimin e rrufeshëm të lëvizjeve të trupave nën komandën e Nexhip Vinçanit. Partizanët marshuan në rrugën Lavdar-Opar-Mazrekë-Qafa e Beçit dhe dolën në lindje të Skraparit, për të kaluar në sulm në shpinë të armikut e për të rivendosur situatën në Qark. Nexhipi në çdo rast do të gjendej i pari në sulm. Kurse “Shtabi i qarkut”, ishte në merak për jetën e tij, ndaj e këshillonte që të ishte më i rezervuar: “Mbasi jam përgëzuar për suksesin, jam kritikuar, se nuk ruhesha në luftë duke më thënë: “Nëqoftëse do të vriteshe ti, kush do ta drejtonte luftën…?”
Shifra dhe fakte: “…Në fillim Brigada kishte 550 partizanë, organizuar në 4 batalione. Faqe lavdie e trimërie tregoi Brigada e 4 në Operacionin Armik të Dimrit 1943-44. Gjatë mësymjeve pranverore në bashkëpunim me batalionet “Reshit Çollaku”, e dy batalionet e Brig.I S, çliruan: Rrëzën, Gor-Oparin, zona e Mokrës, e Pogradecit, Malit të Thatë, Pojanit etj. Luftime të ashra u zhvilluan kundër forcave gjemane në Qafë Thanë, Maliq, Grabovë, Pllocë, Guri i Kamjes, Krosnisht, Moçan , Osojë, Gjinikas, Malin e Dusharit, Qafa e Gjarpërit, Bitinckë e Bilisht”. Inkuadruar në Divizionin e Parë Sulmues të ushtrisë ANCL çlirohen: Qarrishta, Zerqani, Mati, Homesh-Sofracan, Fushë-Alie, Greva, Melani, Mirdita, Peshkopia etj. Brigada e IV me Brig Parë, e të VIII shënoi faqe lavdie gjatë operacionit për çlirimin e Tiranës… Në 321 ditë të jetës së saj, Brig.IV S, ka përshkuar 2200 km rrugë në këmbë duke kryr 265 luftime e operacione. I dha atdheut 274 dëshmorë ndërmjet të cilëve: n/kmandanti i Brig. Pano Xhambalati, Xhaferr C. Lubonja, Riza Taçi etj, ndërkohë që i shkatoi armikut 2000 të vrarë e 200 robër e dëme të tjera materiale”. N.Vinçani ishte organizatori kryesor i 8 batalioneve partizane për periudhën maj-gusht 1943. Në ditët e para të muajit korrik 1943 komandoi shtabin operativ të qarqeve : Korçë-Gjirokastër-Berat. Në krahinat e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, populli u bind për luftën e drejtë…e u rreshtuan në radhët partizane deri 2000 vetë, mes tyre,partizanë italianë e armenë, që kishin hyrë në LANC pas kapitullimit të Italisë, 1943” Ing. Myfit Guxholli, ish-partizan i Brig.IV & kr. i OBVL. Nexhip Vinçani tashmë ishte afirmuar si luftëtari numër 1, njohës i terrenit, organizatori e çelësi i besueshëm i forcave partizane, i rrugëzgjidhjes së situatave luftarake të vështira. Edhe vet Enver Hoxha e ndiente nevojën të këshillohej me luftëtarin e sprovuar N.Vinçani, i cili e kishte treguar me vepra se sa i zoti ishte. Ja se si shkruan në kujtimet e tij, vet heroi i librit tonë, Nexhip Vinçani: “Enver Hoxha kishte arritur në Zvarisht në shtëpinë e Zalo Zvarishtit dhe kishte kërkuar të më lajmërojnë. I shoqëruar nga disa partizanë të Njësitit të Shtabit si: Selami Pronjarin, Kristo Mushin, Mika Dollakun, Skënder Vinçanin, Enver Vinçanin si dhe 2 korrierë, u nisa menjëherë për në Zvarisht. U takuam në shtëpinë e Zalos dhe atë natë qendruam mysafirë te Zalua e biseduam për problemet që lidheshin me kushtet e punës, mbi situatën politike dhe ushtarake në Qark, mbi punët që po bënim për organizimin e ri të drejtimit ushtarak me anë të shtabit, organizimin e batalioneve etj…”
“Enver Hoxha më ngarkoi dy detyra: Detyra e parë kishte të bënte me përgatitjen e një baze në hapësirën e qarkut tonë diku në thellësi, sigurimin e kushteve për punë e jetesë, sigurimin e ruajtjes etj. (mbasi udhëheqja e partisë do të punonte për një kohë atje, ku parashikoheshin dhe disa takime partiake të shteteve fqinje, Jugosllavisë dhe Greqisë.” Për shkak se do të kishte mysafirë të huaj, së pari duhej marrë masa që të mos ndodhte ndonjë incident. Së dyti: “vendi” duhej të mos ishte shumë në thellësi, për shkak të vështirësive të pjesëmarrësve. “Ju afrova shtëpinë time në Vinçan, duke e siguruar se pavarësisht se është relativisht afër qytetit të Korçës, (7 km), kemi mundësi të marrim masa të plota sigurimi dhe pune. Pas disa ditësh u zhvillua mbledhja. Nga Jugosllavët, përveç Tempos dhe Miladinit, ishin dhe dy përfaqësues të Shtabit të Ushtrisë NCL të Maqedonisë, sikurse ishin dy përfaqësues të EAM-it grek. Nga ana jonë merrte pjesë: Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Pandi Kristo dhe unë (N.Vinçani).Bisedimet zhvilloheshin në frëngjisht.Në shtëpi, bashkë me shoqëruesit bëheshim 17 veta, por kjo nuk përbënte problem…”
Një nga meritat më të rëndësishme të tij ka qënë drejtimi i zgjuar i këtyre forcave për nxjerrjen e tyre nga rrethimi gjerman, në Operacionin armik të Dimrit, janar 1944. Çelësi i suksesit të tij qendronte tek fjala burrërore dhe shëmbulli personal. Lufta kishte plotë të papritura. Krerët drejtues u ndodhën para një situate të vështirë. Ishin hedhur në tavolinë dy mendime: “Mendimi i K.Xoxes edhe i L.Gegës ndryshonte diametralisht me tonin”, shkruan në kujtimet e tij Nexhipi. -Ata thoshin se edhe andej ku do të vemë, nuk do të gjejmë ndonjë situatë më të mirë, prandaj pa humbur kohë, të përfitojmë nga nata: forcat të shpërndahen, të kalojnë në prapavija, mundësisht të fshihen deri dhe të hyjnë ilegalisht në qytet dhe, kur të krijohen kushte të tjera, mbase deri në pranverë, të rimblidhemi e të vazhdojmë luftën”.
Kurse Nexhip Vinçani e konsideroi këtë si “dorëzim pa kushte” përpara vështirësive. Ai u ngrit e tha me vendosmëri: “Në rolin e ushtarit, jam dakort, por në rolin e komandantit, unë nuk jam dakort për shpërndarjen e ushtrisë”… Përfundimi? U bë ashtu siç tha Nexhip Vinçani. Forcat partizane vazhduan luftën.
Gjatë viteve 1942-44 në gjithë Qarkun e Korçës autoriteti i Nexhipit ishte rritur së tepërmi. Kjo gjë shkaktoi një farë xhelozie tek disa udhëheqës kryesor të luftës. Për bashkëpunëtorët me armikun, Nexhipi kishte një qendrim të prerë: “Për mua,-thotë ai,-ka qënë gabim fatal për vet organizatën e Ballit “bashkëpunimi me pushtuesit”. Ashtu si ka qënë gabim fatal për Partinë Komuniste, varësia dhe nënshtrimi i plotë i udhëheqjes së saj ndaj Partisë Komuniste të Titos”. Lidhur me rolin e Partisë Komuniste në luftën ncl, Nexhip Vinçani shkruan: “Partia komuniste ka qënë në udhëheqje, kjo është një e vërtetë historike dhe nuk ka përse të mohohet, por aq e vërtetë është edhe ajo që idetë komuniste ishin parësore në celulat tona…” Ai kishte ndërtuar marrëdhënie të ngrohta me ushtarët, ndërkohë që edhe ata e donin, e respektonin dhe e kishin si mbështetje e siguri në fitore. Operacioni i Qershorit kishte protagonist në zonë pikërisht komandant Nexhip Vinçanin.
Në luftimet kundër gjermanëve për çlirimin e Pogradecit, më 23 tetor 1943 Nexhip Vinçani u plagos me një plumb që i mbeti në trup deri sa vdiq. (VR: Kur doli nga qelia dhe shkoi në drejtorinë e Sigurimeve për pensionin 100 lekësh… nëpunësi i tha: “Nuk të takon, se plumbin nuk e ke në organ kryesor”. “O zot! Sipas jush, duhej të më kishte marrë në ballë…!?-tha në formë sarkazme Nexhipi dhe doli në derë. Kur do të çlirohej kryeqyteti i Shqipërisë, Nexhip Vinçani caktohet Zv/komandant i Shtabit të Përbashkët Operativ, ndërkohë që operacioni drejtohej nga Mehmet Shehu.
Dita e çlirimit, 29 Nënor 1944, e gjeti Nexhip Vinçanin në kupolën e drejtuesve më të talentuar të vendit, shëmbulli i një luftëtari dhe organizatori që kishte dhënë prova për aftësitë e tij drejtuese në luftë dhëmbë për dhëmbë me armikun dhe ishte njeriu i duhur me perspektivë për udhëheqjen e ushtrisë e mbrojtjen e vendit. Fill pas çlirimit, Nexhip Vinçani emërohet komandant i Divizionit të Peshkopisë dhe mandej i Divizionit në Shkodër. Në tetor ’45 niset me grupin e parë të komandantëve të shquar të lanc, për studime të larta ushtarake në Akademinë “Voroshillov” në ish-BS, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Ai i njihte mirë gjuhët; frëngjisht, anglisht, italisht e rusisht. Falë inteligjencës dhe vullnetit të tij të hekurt, Nexhip Vinçani u bë një nga gjeneralët më të spikatur të ushtrisë shqiptare. Pas mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe në vitin 1948, emërohet komandant i Divizionit të Korçës e pas një viti emërohet drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes dhe zv/Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë.
Në “Provokacionet e gushtit 1949”, emërohet kryetar i grupit operativ të Komandantit Suprem dhe Shtabit të Përgjithshëm. Drejtoi luftimet bashkë me gjeneral-major Mehmet Shehun dhe kolonel Skënder Malindin.
Nexhipi për këtë kujton: “Në gusht 1949, në kohën që ishim në mbledhje, Enverit i çuan një copë letër në tavolinë. Ai ndaloi vazhdimin e mbledhjes: “10 minuta pushim!”, tha. Ndërkohë, gjatë pushimit, më thirri mua e më tha:
-Nexhip, e ke plot me benzinë makinën?
-Po,- i thashë.
-Nisu menjëherë në Bilisht dhe zgjidh situatën, sepse grekët kanë sulmuar tokën tonë!…”
Po këtë vit, Kongresi I-rë i PKSH -së e zgjodhi kandidat të KQ.
Bashkëkohësit e cilësonin si një psikolog i lindur me aftësi të rralla për të depërtuar në thellësinë e mendimit të bashkëbiseduesit. Ishte një njohës i shkëlqyer i territorit dhe njeri praktik. Kishte energji të pashtershme dhe fantazi, ideator i zgjidhjes së situatave të vështira.Gjatë LANC, N. Vinçani u çmua edhe nga populli i zonës si komandanti më i suksesshëm, më i ekuilibruar, më i kulturuari e më njerëzori.
Konsiderata të larta për komandantin Nexhip Vinçani do të shprehnin edhe të huajt, gjatë dhe pas luftës, madje disa syresh edhe në librat që kanë lënë pas.
Mario Fantacci, një ndër partizanët italian të inkuadruar në formacionet shqiptare të luftës, në librin: “UN ITALIANO IN ALBANIA”, ka shkruar: “…forcat partizane të këtij qarku mumëronin rreth 4000 veta të armatosur, të inkuadruar në batalione të ndryshme, çdo njëri prej të cilëve përbëhej nga 200 partizanë… Komandant i Përgjithshëm i këtyre forcave ishte Nexhip Vinçani, një avokat i ri, që kishte kryer studimet në Itali dhe që për trimërinë dhe zotësinë e tij të madhe ish bërë një komandant i shquar”
(Revista italiane “Movimento di Liberacione in Italia”, (janar, mars, maj 1956 Facc.1-3, nr.40,41,42)
“Ideja e manovrës e komandant Nexhipit ish një gjetje e përkryer e një zbatim brilant artit ushtarak.”
“Të shoqëruar dhe udhëhequr nga tre partizanë shqiptarë, sipas urdhërit, u nisëm për te komandant Nexhipi, i cili në krye të 5 batalioneve, zhvillonte luftime të ashpra kundër gjermanëve dhe ballistëve në Mokër”.
Z. Smaill, do të shkruante për Nexhipin: “Më habit disiplina dhe autoriteti juaj që do t’jua kishin zili dhe gjeneralët me akademi ushtarake”. Në një letër që ish-përgjegjësi i Misionit Ushtarak Britanik, Marcus Lyon, në Qarkun e Korçës, në vitin 1992, i shkruante Nexhipit: “… Ish një ofensivë e madhe gjermane dhe një përpjekje për të na rrethuar ne të gjithë… Ju (N. Vinçani, shën. im) udhëhoqët Brigadën përmes borës dhe errësirës së natës në mes të rrethimit gjerman; ne kaluam pak metër afër trupave të tyre deri lart mbi anën e malit të Ostrovicës… Ne duhet t’ju falenderojmë ju për këtë”.Kurse, në letrën e M. Lyon (16.11.1992), ndër të tjera theksohet: “Në librat e mia rreth Shqipërisë, shpesh unë e kisha ngritur emrin tuaj në artikuj e gazeta, por pa sukses. Mendoj se është e tmerrshme kur dikush që bëri aq shumë në luftë kundër okupatorit gjerman, të trajtohet kështu!!!…”
Një paralele e njëjtë vlerësuese del edhe nga goja e një ushtaraku rus, (që ka qënë në Shqipëri) sjellë nga gjeneral Ramohitaj (në kohën kur ishte student në Moskë).
“Kam qënë këshilltar në komadën e Mbrojtjes Bregdetare, në degën e ndërlidhjes në Durrës. Komandën e drejtonte një gjeneral i famshëm, Vinçani, a e keni dëgjuar?!-tha folësi rus.
“Po, po, i thamë ne, por ai ka dalë tradhtar!”
Bashkëbiseduesi u shtang duke shtuar: “Nuk mund të ndodhë kjo. Gjeneralë të tillë nuk tradhtojnë. Ndoshta e keni marrë vesh gabim.” Kur ne këmbëngulëm, ai hodhi lopatën dhe mërmëriti: “çjort vozmita=ta hajë dreqi! Kudo veprohet njësoj, të aftët i asgjësojnë!”
Kurse Nexhip Vinçani, në njërën ndër dhjetra letrat që u shkruan miqve të huaj, (ish-partizanë të Brig, IV-S), ka shkruar: “Në vitin 1957 më hoqën gradën e oficerit (gjeneral) e më dërguan në punë të vështira. Më cilësuan armik të Partisë Komuniste. Në moshën 66 vjet, në vitin 1982, pasi kisha 6 vjet në pension, më arrestuan me akuzën “për agjitacion e propagandë” kundër regjimit, më torturuan egërsisht në kushte plotësisht izolimi për 11 muaj, e së fundi më dërguan 5 vjet në internim. Ndër të tjera më akuzuan si “agjent engles”, sepse, kur më arrestuan dhe kontrolluan shtëpinë, më gjetën një fotografi ku unë së bashku me ju (të Misionit Ushtarak Engles) kisha dalë diku në malet e Shqipërisë jugore e atë foto e ruaja si një kujtim të shtrenjtë.”.