80-vjet nga Konferenca e Bujanit

• Në Serbi asgjë nuk ka ndryshuar. Pushteti i kombit të vonuar serb, i ngarkuar me të kaluarën primitive. Mungon liria, drejtësia fjala e lirë, zbatimi i ligjit dhe i parimeve civilizuese e demokratike. Edhe 80 vjet pas Konferencës historike të Bujanit vazhdon të mohojë të drejtat legjitime dhe vullnetin e popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje e pavarësi. Dikur ishte Sllobodan Milloshevië, sot janë Vuçiq, Sheshel, Daciq…. Pushteti autoritar funkcionon me sistemin ku vazhdimisht bashkëjetojnë politika-krimi-policia-biznesi, mediat. Pushteti mbrohet me kordonët policor, me represione me gënjeshtra dhe me përhapjen e së keqës. Serbia nuk është zbrapsur në raport me Kosovën. Nuk respekton marrëveshjet e arritura. Por, idealet historike të kombit shqiptar nuk mund mohohen e as të shuhen.

Nga Bashkim Hisari

Lufta e Dytë Botërore rezultoi si konflikti ushtarak më i përgjithshëm e më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit. Në këtë luftë u shua jeta e miliona njerëzëve dhe u shkatërruan shumë vlera materiale, kulturore, historike e të tjera, të krijuara nga brezat ndër shekuj. Por, megjithëatë, lufta për liri mbeti e përhershme.
Në kohërat e ndërlikuara, të frymzuar nga vlerat liridashëse, shqiptarët, ndër të parët tubuan forcat patriotike e progresive në luftë kundër fashizmit.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë u zhvillua në kushte të vështira dhe të eksploatimit shekullor të shtresave të gjëra. Kosovarët u rreshtuan në anën e drejtë të historisë. Në luftën vendimtare kundër okupatorëve fashistë, luftuan bashkë me partizanët nga Shqipëria dhe çliruan jo vetëm Kosovën e Shqipërinë, por edhe viset tjera të ish Jugosllavisë. Fitorja ishte kurora e përpjekjeve këmbëngulëse për çlirim kombëtar e social.
Mobilizimi i tyre në luftë qe jashtëzakonisht i rëndësishëm e i guximshëm dhe i kontribuoi interesave kombëtare. Kjo ishte kurora e luftës për liri, vetëvendosje dhe demokraci.
Partia Komuniste e Jugosllavisë, fillimisht kishte përcaktuar disa ide të drejta dhe pragmatike për zgjidhjen e çështjeve nacionale, por ato dështuan për shkak të pengimit nga nacionalizmi serb dhe idesë për Serbinë e Madhe.
Përkundër faktit se shqiptarët ishin politikisht të përfshirë në aktivitetet e organizuara të lëvizjës për çlirim nga fashizmi dhe premtimeve se do të integrohen si entitet i Federatës dhe, si edhe të tjerët në Jugosllavi, do ta gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, këto nuk u realizuan. Kosova nuk u përfshi fare si entitet apo territor i veçantë kompakt në Jugosllavi, me të drejtën e shtet-ndërtimit mbi bazën e parimit të vetëvendosjes deri në shkëputje.
Në mbledhjen e organizuar në Jajce (Bosnjë dhe Hercegovinë), në nëntor të vitit 1943 ku nuk u ftuan përfaqësuesit e Kosovës, u vendos sistemi federativ jugosllav. U themeluan 6 republika që përfaqësonin 6 grupe sllave të quajtura kombe. Grupet tjera etnike josllave, kryesisht shqiptarët dhe hungarezët, u trajtuan si “pakica kombëtare” në bashkësitë teritoriale “autonome”. Shqiptarët ishin unik për çështjen kombëtare për vetëvendosje dhe synimi tyre ishte bashkimi i tokave shqiptare në një entitet. Andaj, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar të vitit 1944, në Tropojë, fshatin Bujan të Malësis së Gjakovës, përfaqësuesit e të gjitha shtresave të frontit antifashist nga Kosova dhe Shqipëria, partizanë, komunistë, nacionalistë, atëdhetarë demokratë, qytetarë të thjeshtë, punëtorë e fshatarë, madje edhe përfaqësuesit e pakicave serbe, malazeze e boshnjake, organizuan Konferencën e Bujanit ku e votuan Rezolutën që sanksiononte të drejtën e vetëvendosjes. Rezoluta e Bujanit që u miratua unanimisht, afirmoi dhe legjitimoi të drejtat për vetëvendosje si një atribut çlirimtar dhe dëshirën e kahershme e të vazhdueshme të shqiptarëve nga Kosova për t’u bashkuar me shtetin amë – Shqipërinë. Vendimet e Bujanit dhanë rezultate të jashtëzakonshme në masivizimin e Lëvizjs Çlirimtare dhe në zhvillimin e qeverisë demokratike. Ato përbënin momentin më të rëndësishëm për shqiptarët që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi, për identitetin politik të Kosovës, për afirmimin e kërkesave legjitime, për konkretizimin e përpjekjeve në realizimin e të drejtës për vetëvendosje dhe mëvetësi. Këto të drejta i garantonin Aleatët e mdhenj Amerika, Anglija, Bashkimi Sovjetik (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Tehranit).
Mirëpo, Lëvizja e fortë antifashiste revolucionare në Kosovë dhe vendimet e Bujanit ishin pengesë e madhe për nacionalistët dhe hegjemonistët serbë. Ata tradhtuanë parimin e çështjes kombëtare, veçanërisht parimin themelor të së drejtës për vetëvendosje dhe shkëputje. Mohonin dhe keqinterpretonin vendimet e miratuara në Bujan. Në kohën kur njësitë e fundit të Ëehrmacht-it nga Grupi i Ushtrisë gjermane i gjeneralit Aleksandër Lehr tërhiqeshin nga Kosova dhe formacionet e partizanëve shqiptarë vazhdonin luftën, më 8 shkurt 1945, Tito lëshoi një urdhër për vendosjen e Administratës Ushtarake në Kosovë, që ishte organi i autoritetit ushtarako-shtetëror. Në vend të Fadil Hoxhës, nismëtarit të Lëvizjes Nacional – Çlirimtare, komandatit të aradhave partizane dhe organizatorit kryesor të Konferencës në Bujan, komandant i administratës ushtarake në Kosovë emërohet koloneli Savo Drljeviq.
Dhjetë ditë pas vendosjes së administrimit ushtarak, u evolua plotësish ideja e vetëvendosjes. Në pushtetin që e drejtonin kryesisht serbët, më 18 shkurt 1945, në Beograd, u debatua për Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj. Nga e tërë ajo që u fol, doli se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë, sipas tyre, ishte që, “Kosova e Metohia t’i bashkohen Shqipërisë, kurse Shqipëria të hynte në Federatën Jugosllave”. Kështu, Kosova në mënyrë artificiale dhe arbitrare u aneksua nga Jugosllavia. Pasuan sulme të shfrenuara të sërbomdhenjve që vazhdonin të diskvalifikojnë, mohojnë dhe keqinterpretojnë vendimet e miratuara në Bujan. Dhoma Federative Jugosllave deklaroi se “Rezoluta e Bujanit është akt i pavlefshëm”. Forcat drejtuese serbe në vazhdimësi përhapnin politikën antishqiptare në të gjitha drejtimet dhe format. Nënvlerësonin dhe minimizonin pjesëmarrjen e shqiptarëve në LANÇ. Kundrejt shqiptarëve silleshin me mendjemadhësi, kryelartësi, arrogancë, me kërcnime e diktate nga pushteti. Për të nënshtruar Kosovën plotësisht në aspektin politik, ekonomik, social, shpirtror etj., vendosin kuadrot e tyre kudo, ata që shantazhonin, diskriminonin dhe vritnin shqiptarët e pafajshëm. Dhunë, terror dhe ekzekutime fizike u ushtruan sidomos ndaj organizatorëve dhe nënshkruesve të Rezolutës së Konferencës së Bujanit. Nga UDB-ja vriten Hajdar Dushi, Xheladin Hana, Rifat Berisha, Halim Spahija. Dëbohet nga Kosova Zekeria Rexha. Ndiqen dhe persekutohen Xhafer e Bie Vokshi.
Në mendjen e shqiptarëve, serbosllavët ishin sinonim i së keqës. Andaj, në rrjedhën e raporteve politike organizonin forma të ndryshime të kundërshtimit. Në demostratat e studentëve dhe intelektualëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1968 dhe në ato gjithëpopullore në vitin 1981, u kërkua Republikë e më shumë të drejta dhe ato të zbatohen ashtu siç është kërkuar edhe në Konferencën e Bujanit. Mirëpo, kërkesat e tyre, serbët i kualifikonin si nacionaliste, irredentiste dhe kontrarevolucionare për ç’arsye, forcat e sigurisë jugosllave, ndaj demonstruesve u sollën me shumë vrazhdësi, vendosën tanket para institucioneve kryesore dhe dënuan shumë demostrues. Më 23 mars të vitit 1989, Serbia e cila në atë kohë kishte në krye të shtetit kriminelin Sllobodan Millosheviç vazhdoi lëvizjen antishqiptare. Në Kuvendin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshoi Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë. Por, më 2 korrik 1990, delegatët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës e shpallën Kosovën Republik. Kjo shpallje ndodhi nën okupimin serb dhe në atë kohë ishte akti më i rëndësishëm dhe më i guximshëm i përfaqësuesve të popullit që nga Konferenca e Bujanit, Paraqitja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lufta e fundit kundër forcave ushtarake-policore dhe paramilitare serbe të cilat kryen krimet më të rënda, reflektoi besnikrisht vijën politike të Bujanit dhe ishte shkëndia bindëse që jetësoi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Me luftën e UÇK-së, me mbështetjen e forcave të NATO-s dhe me përkrahjen e gjithë popujve të civilizuar, u realizua vullneti i popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur.
Forcat politike drejtuese serbe, me retorikën e tyre hegjemoniste me plot urrejtje ndaj shqiptarëve, po vazhdojnë t`i mohojnë vendimet dhe idealet kombëtare të shqiptarëve. Nuk dëshirojnë marrëdhënie normale, rrezikojnë paqen, sigurinë dhe rrugëtimin e Kosovës në integrimet evropiane.
Kjo është një histori për fatin e kombit të vonuar serb, të një shoqërie të ngarkuar me të kaluarën primitive, ku mungon liria, drejtësia dhe fjala e lirë. Shoqëria serbe është e pandjeshme dhe indiferente ndaj të keqes që serbët kanë bërë dhe po bëjnë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Kanë një pushtet që po bën çmos të vonohet edhe më shumë në zbatimin e parimeve civilizuese e demokratike. Problemet e Serbisë karshi Kosovës dhe shqiptarëve, nuk janë vetëm Millosheviqi, Vuçiqi, Shesheli, Daçiqi, Vulini, Mladiqi, Karaxhiqi… dhe kriminelët tjerë të dënuar në Gjykatën e Hagës për krime lufte, por problemi i tyre është nacionalizmi, shovinizmi, aspiratat hegjemoniste, mungesa e njerëzve të ndershëm në shoqërinë ku dominojnë malipulantët, gënjeshtarët, mashtruesit, kontrabandistët, kriminelët, mediat e karruptuara që retushojnë realitetin, falsifikojnë historinë dhe frikësojnë popullin. Duke anuar në ideologjinë neofashiste ata, heshtur dhe në mënyrë djallëzore anashkalojnë krimet e bëra në Kosovë dhe në viset tjera të ish Jugosllavisë.
Serbia po dërgon ushtrinë e saj në kufi me Kosovën. 25 vite pas luftës së fundit, po tenton të rinisi luftë, për të aneksuar Veriun e Kosovës që u dëshmua më 24 shtator 2023 kur në Banjskë të Zveçanit, një grup të terroristëve serb të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës.
Populli shqiptar ka marrë vendimet historike. Në Kosovë liria dhe pavarësia ka ndodhur, është fituar me gjak dhe nuk mund të anulohen e të mohohen. Kosova është shtet i lirë i pavarur dhe demokratik.