Nga Vasil Premçi

Në qershor të vitit 2022 doli nga shtypi libri i ri mbi Ali pashë Tepelenën dhe Bushatllinjtë e Shkodrës, i përkthyer në shqip nga studiuesi i historisë Vladimir Bregu me titullin “Ali pasha dhe Bushatllinjtë në dokumentet ruse”, i akademikut rus Grigorij Lvoviç Arsh. Libri botohet nga shtëpia Botuese M&B, Tiranë. Figurat historike të dy pashallarëve më të fuqishëm të Shqipërisë së Jugut dhe atë të Veriut, vazhdojnë të mbeten një “arë” pjellore për fushat e artit, letërsinë, historinë, pikturën, skulpturën dhe muzikën.
Libri hapet me një hyrje interesante nëpërmjet të cilës lexuesit njihen me rrethanat dhe kushtet historike e social-politike të lindjes dhe zhvillimit të dy pashallëqeve shqiptare, ndikimin dhe rolin që ato luajtën në procesin e shpërbërjes së Perandorisë Osmane, mbi kontraditat dhe rivalitetet e fuqive të mëdha në Ballkan, në fund të shekullit të XIX. Libri ka dhjetë kapituj, të cilat shpërfaqin një material të pasur arkivor nga historianë, personalitete bashkëkohorë dhe drejtues të lartë të fuqive më të mëdha ushtarake e politike të kohës. Libri mbyllet me përfundimet rreth problemeve që ai trajton në këta dhjetë kapituj.
Në përfundimet e librit, autori i tij, G.Arsh vë në dukje nevojën e një unanimiteti mbi vlerësimin dhe vendin që duhet të zenë në historiografinë shqiptare dhe atë ballkanike, pashallëku i Bushatllinjve të Shkodrës, në Veri të Shqipërisë dhe ai i Ali pashë Tepelenës në Jugun e saj.
A janë thënë të gjitha për këto dy pashallëqe dhe prijësit e tyre?
Edhe pse kanë kaluar mbi 200 vjet nga vdekja e këtyre dy figurave historike shqiptare, për të cilët janë shkruar libra të shumtë mbi jetën dhe rrethanat social-politike, ekonomike dhe historike në të cilat lindën dhe u zhvilluan këto dy pashallëqe, sërish, vazhdojnë të botohen dhjetëra libra të tjerë, sikundër libri i ri i akademikut rus, Grigorij Arsh. Por krahas qëndrimeve dhe shqyrtimeve serioze dhe të argumentuara mbi këto dy pashallëqe dhe prijësit e tyre, janë vërejtur mite, të pavërteta, apo përkthime dhe interpretime të gabuara.
Rreth këtyre figurave historike, personalitetet e fushave të ndryshme “i grish”, njësoj si poli i Veriut, shigjetën e busullës magnetike, ndriçimi i së vërtetës.
Në librin e tij akademiku rus Grigorij Lvoviç Arsh, nënvizon:
“Periudha e sundimit turk në Ballkan ka të bëjë me faqe të historisë pak të studiuara. Përsa i përket Shqipërisë dhe Greqisë, në këtë drejtim është bërë shumë pak. Materialet e pasura që ka në arkivat e BRSS (sot, Rusi) për historinë e Shqipërisë dhe Greqisë, pothuajse nuk janë studiuar. Materialet e pabotuara, që ruhen kryesisht në Arkivin e Politikës së Jashtme të Rusisë, shërbyen si burimi kryesor për shkrimin e kësaj vepre. Ato janë informacione të konsujve rusë dhe agjentëve të tjerë politikë që ndodheshin (Lexo: të dërguar enkas, shënimi i V.P) në Ballkan dhe në rajonin e Adriatikut. Gjithashtu, informacionet e ambasadorëve rusë nga Kostandinopoja janë të rëndësishme, para së gjithash, nga këndvështrimi i marrëdhënieve reciproke të sundimtarëve të pashallëqeve me Portën e Lartë.
Materialet arkivore janë ato që kanë të bëjnë me përshkrimin e Shqipërisë dhe promemoriet për sundimtarët feudalë shqiptarë (kryesisht Ali pashën), të përpiluara nga diplomatët rusë. Përveç arkivit të politikës së jashtme të Rusisë, materiale të çmuara për këtë monografi u gjetën dhe në arkivin qendror të flotës ushtarake detare në Leningrad.”
Duke shfrytëzuar rastin e botimit të librit, “Ali pasha dhe Bushatllinjtë në dokumentet ruse”, i akademikut rus Grigorij Lvoviç Arsh, shkëmbejmë disa mendime me përkthyesin e librit, Vladimir Bregun.

  1. Bregu, është një përkthyes i njohur pasi ka sjellë në gjuhën shqipe librat: Shansi i fundit i Amerikës, Kujtime të Sazonovit, Klubi i Billderbergut, Si lindi toka dhe njeriu, Historia botërore e spiunazhit, Terrorizmi ndërkombëtar, Perandoria e kamorrës, Femrat spiune, Spiunazhi vazhdon, CIA, KGB, Mosad, Orët e fundit të Çe Guevarës; Spiunët e kuq, Spiunazhi në Luftën Dytë Botërore, Kush ishte Ciceroni, Cili jeni ju zoti Sorge?, Main Kampf, dy volume, pjesë nga veprat e at’ Zef Valentinit, etj. Mjaft përkthime të tij janë publikuar në gazetat: “Panorama”, “Ballkan”, “Korrieri”, “Sot”, etj.
    Nga data 1-8 shkurt të vitit 2021, V.Bregu botoi në shtatë numra të gazetës “Sot”, shkrimin kritik “Ali pasha, rusët dhe … ne”, nëpërmjet të cilit parashtroi problemet dhe paqartësitë që shpërfaqen në disa prej librave të botuara vitet e fundit në vendin tonë. Në shkrimin e sipërcituar, përkthyesi dhe studiuesi V.Bregu, shkruan:
    “…Në këto botime vihet re se ka shumë pasaktësi për ngjarje të ndryshme, sajime faktesh, përkthime të gabuara, “përvetësim” të referencave si dhe disa probleme të tjera, që nuk përputhen me ato reale”.
    Për të vijuar më tej bisedën, kërkova të mësoj nga Vladimiri diçka më shumë rreth kohës që i është dashur për përkthimin e librit “Ali pasha dhe Bushatllinjtë në dokumentet rusë”, i akademikut Grigorij Lvoviç Arsh.
    -Pak më shumë se dy vjet, sepse në procesin e përkthimit, sipas mendimit tim, bëjnë pjesë edhe hulumtimet dhe kërkimet e mia mbi këtë temë si edhe sqarimi i mjaft dilemave rreth këtyre fakteve. Pastaj fillon puna e drejtpërdrejtë e përkthimit nga libri origjinal.
    Gjatë bisedës, i vura në dukje thënien e shkrimtarit francez, Antuan Rivarol dhe principet që udhëheqin autorët e librave artistikë dhe ato historikë: “Historiani dhe romancieri shkëmbejnë midis tyre të vërtetat, trillimet dhe gënjeshtrat, njëri që të ngjallë atë që nuk ekziston më dhe tjetri të bëjë të bindëshme atë që as ka ekzistuar ndonjëherë…”
    -Në disa botime të autorëve shqiptarë me karakter historik, mbahen edhe qëndrime letrareske mbi figurën e Ali pashë Tepelenës, por në mjaft raste ka edhe qëndrime subjektive, – më sqaron Bregu. Bie fjala, Ali pashë Tepelenës i mvishen ide dhe qëndrime larg objektivitetit dhe realitetit të kohës. Veçanërisht e tillë është thënia e njërit prej këtyre autorëve mbi “…ndikimin e revolucionit borgjez francez të vitit 1789 tek Ali pashë Tepelena. Dihet botërisht parrulla që udhëhiqte revolucionin borgjez francez të vitit 1789: “Liri, Barazi, Vllazëri”. A ishte dakord Ali -pasha me këtë parrullë? A ishte dakord ai t’u jepte lirinë bujkrobërve të tij? A do ta dorëzonte ai pasurinë dhe ta ndante me të tjerët, duke u bërë “vëlla” dhe “i barabartë” me ata? Faktet flasin për të kundërtën. Të gjitha dëshmitë e bashkëkohësve mbi pashain e Janinës, vënë në dukje mizoritë dhe luftrat e tij të shumta për të sunduar me dorë të hekurt dhe për të zgjeruar deri në fund të jetës pashallëkun e tij.
    Përmbledhtazi po sjellim më poshtë qëndrimet kritike të përkthyesit dhe studiuesit V.Bregu në shkrimin e tij të gjatë, botuar në gazetën “Sot”, nga data 1- 8 shkurt të vitit 2021, “Ali pasha, Rusët dhe … ne.

Kur ka lindur Ali pasha?
Në letërsinë e deritanishme historike data e lindjes së Aliut lëviz nga viti 1740, 1744, 1750 deri në vitin 1752. Nëse shohim burimet lidhur me vitin e lindjes së Ali – pashës, do të gjejmë se shumica e tyre na japin vitin 1752. Kështu, një këngë për Aliun thotë: Shtatëdhjetë vjet që rrove/ …; në fund të shtatorit të vitit 1821, Ali – pasha i dërgon një letër sulltanit ku i thotë “se ishte plak dhe i kishte kaluar të shtatëdhjetat”; ambasadori anglez J. Morier në vitin 1804 e vlerëson Ali – pashën 52 vjeç.
Më datë 29 tetor 1798, Aliun e ka takuar një oficer i flotës luftarake ruse, i dërguar nga admirali rus F. F. Ushakov, i cili sjell këtë bisedë që ka bërë me Aliun:

-Po sa vjeç është admirali juaj?
-Pesëdhjetë e gjashtë.
-Pra ai qenka shumë më i madh se unë -tha Ali pasha.
-Shkëlqesia juaj – i tha oficeri rus, – unë nuk mund t’iu jap më shumë se dyzet vjet. Ju jeni ende i ri!
-Jo! Unë jam dyzet e gjashtë vjeç – shtoi Aliu me pamje të gëzuar.
Një të dhënë tjetër jep edhe Dora d’Istria lidhur me Ali – pashën, ku shkruan se Veli beu, i ati i Aliut ka vdekur në vitin 1759, dhe sjell fjalët e vetë Aliut, i cili shprehet: “Pasi vdiq babai im, mbeta vetëm në moshën 6 vjeç …”.
Nëse do të bëjmë veprimet e nevojshme arithmetike të të gjitha rasteve, duke hequr vitet që përmenden, nga viti 1822 kur i prenë kokën, viti i tij i lindjes del viti 1752.
Po rinia e Aliut, si ka qenë?
Shumë autorë shkruajnë se ai ka qenë kaçak, kusar që grabiste të tjerët, por në librin Aliu midis historisë dhe legjendës na jepet një tablo ndryshe. Aty shkruhet: “Aliu nuk kishte pse ta fillonte jetën si hajdut rrugësh. Ai u rrit dhe u edukua, si gjithë djemtë e tjerë të oxhaqeve feudale të kohës së vet. Ai u arsimua si bir i një pashai …”, ndërsa në faqen 750 shkruhet: “Për sa kohë ishte gjallë i ati, Aliu filloi të marrë arsim pranë familjes me mësues të veçantë, por pas vdekjes së tij, arsimimi i rregullt u ndërpre”.
Që Aliu ishte i biri i Veli beut, kjo jepet nga shumë burime, por që ka pasur ndonjë paraardhës të tij pasha, kjo nuk del në asnjë vend. Pastaj, çfarë arsimi mori ai deri në moshën gjashtë vjeç, që e la i ati kur vdiq? Çfarë mësoi deri në atë moshë? Veçanërisht kur bëhet fjalë për vitet deri në 1759, mund të paramendohet zhvillimi arsimor i Tepelenës, dhe nëse ka pasur mësues privat, etj. Të gjitha këto jepen me hamendje, sepse nuk ka asnjë referencë ku mbështeten.
Më tej po në këtë libër, thuhet: “Për rininë e Aliut në historiografi është shfaqur mendimi se ai e nisi jetën si një hajdut rrugësh, kecash e dhish, si një djalë i rritur nga e ëma në një varfëri të madhe. … Aliu rridhte nga një familje bejlerësh e pashallarësh me pasuri dhe katandi. Kur vdiq i ati, e la familjen me disa çifligje në Gjatë, në Karjan dhe në Zagori … Së dyti, vetë titulli bej që mbante qysh në fëmijëri, e pengonte sado pak atë të fillonte karierën nga një hajdut kecash e dhish. Për arsye morali të kohës, nuk mund të binte në këtë nivel”.
Vetë fakti i veprimtarisë së mëvonshme të Aliut, tregon se ai nuk pyeste për moral.
Për të gjitha këto pasuri që ka pasur Aliu nuk jepet asnjë referencë, ndërsa veprimtarinë e tij si kusar e japin shumë autorë. Edhe Dora d’Istria, në një prej shkrimeve të saj, vë në dukje: “Veli beu, [i ati i Aliut] djali më i vogël i tij [Muhtarit], u dëbua nga Tepelena nga vëllezërit e tij Salih dhe Mehemet, dhe për disa kohë i duhej të bënte zanatin e kapos së kleftëve, domethënë të udhëhiqte çeta kundër armiqve të tij, e ndoshta edhe kundër të tjerëve. Duke u hakmarrë ndaj vëllezërve që i dogji në zjarr, bëri një jetë plot të papritura. Veliu, që mbahej më paqësor se kapot e tjerë të vendit dhe që i nënshtrohej lehtësisht veprimit helen, vdiq në vitin 1759, duke i lënë të birit, Ali, një kasolle dhe pak fusha shterpë. …”.
Pra, këtu del se edhe Veli beu ishte kusar, dhe “i la Aliut vetëm një kasolle dhe pak fusha shterpë”.
Në perandorinë Osmane ka pasur shumë vezirë, pashallarë dhe bejlerë me emrat Ali dhe Mehmet. Nëse në dokumente nuk përcaktohet se për cilin Ali bëhet fjalë, atëherë nuk mund ta marrim të sigurt që bëhet fjalë për Ali pashë Tepelenën. Në luftën ruso-turke të viteve 1806 -1812, në ushtrinë turke merrnin pjesë katër pashallarë me emrin Ali, e konkretisht:
Kuçuk Ali – pasha -një nga komandantët e jeniçerëve,
Ali – pasha i Nikopolit, komandant turk,
Ali – pasha i Janinës ose Tepelenës.
Ali – pasha, gjeneral turk, që komandoi forcat turke në Turtukaj.
Këta emra gjenden në vëllimin III të Dokumenteve të Kutuzovit. Nëse nuk do të ishte treguesi i emrave në fund të librit, i cili jep për secilin nga këta pashallarë numrin e faqes ku përmendet, atëherë do të ishte i vështirë përcaktimi i identitetit të tyre.
Edhe viti kur është martuar Aliu nuk jepet njësoj nga autorët.
Kështu në librin Ali pashë Tepelena, botuar nga “Plejad”, në fq. 46 thuhet se “Aliu nuk vonoi të lidhet edhe më ngushtë me pashain e Delvinës dhe me ndërhyrjen e Hankos u martua me të bijën e Kapllan Pashait, Eminenë (1769). Dasma u bë me pompë të madhe në Gjirokastër, ku i lindi pas një viti djali i parë Muhtari dhe pas katër vjet dhe djali i dytë Veliu”. Në librin Aliu midis historisë dhe legjendës, në faqet 60 – 61 shkruhet se “Dasma [e Aliut] u bë në Gjirokastër më 1768, me një pompozitet të madh. Mosha e martesës së Aliut në letërsinë historike vërtitet rreth viteve 18 – 28 vjeç”.
Në faqen 64 po të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, thuhet: “Më 1769 Emineja e gëzoi Aliun me Muhtarin. Në vitin 1773 Aliu u bë me një djalë të dytë, Veliun. Aliu u kujdes që ata të arsimoheshin dhe të edukoheshin, duke u vënë mësues privatë”.
Duke marrë për bazë vitlindjen e Aliut, pra vitin 1752, del se ai është martuar 18 vjeç, që i bie viti 1770 dhe Muhtari ka lindur në vitin 1771, ndërsa Veliu në vitin 1775. Këtë e mbështesim në librin e I. M. Qafëzezit, ku në faqen 467 shkruhet: “Bijtë dhe nipat e Ali pashës që u preu krerët Sulltan Mahmudi II ishin këta: Bijtë e Ali pashës: Myftar pasha, ish sundimtar i Beratit, 51 vjet, Veli pasha, ish sundimtar i Sheherit, 47 vjet”.
Nga vitit 1822 që atyre iu pre koka, nëse zbresim 51 për Myftarin, del se ka lindur në 1771, dhe 47 për Veliun, del viti 1775. Të dhëna të tjera më të sakta deri më sot nuk kemi.
Një nga problemet që zë vend të konsiderueshëm në librat për Ali pashën është edhe ai i marrëdhënieve me Rusinë.
Në librin Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, pasi flitet për marrëdhëniet e Benakit me Aliun në vitin 1789, në faqen 32 thuhet: “… Prandaj pashai e pa të arsyeshme t’i rifillonte vetë i pari bisedimet e ndërprera dy vjet më parë me Rusinë.
Ali pasha ka qenë pjesëmarrës në luftën ruso – turke të viteve 1787 – 1791.
Në faqen 109 të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, thuhet: “… Ali pasha mbërrin në Maçin hijerëndë dhe plot lavdi … (etj. për fitore të mëdha). … Theksimi i trimërisë së Aliut në këtë betejë është një nga ato rastet kur biografi kërkon t’i bëjë qejfin të zotit të vet, mbasi në leteraturën turke do të trumbetohej si një fitore e madhe, kur në të vërtetë forcat osmane pësuan disfatë. Në këtë betejë u kap rob Mehmeti, nipi i Aliu. Me anë të një letre Aliu i kërkon moskovit të dorëzojë të nipin”. Referenca është marrë nga Alipashaida, fq. 153 – 156, pra janë vargjet e Haxhi Shehretit.
Nëse lexon kronikat osmane, që nga koha e Skënderbeut ato japin vetëm fitore për ushtritë e tyre. Edhe luftrat kundër Skënderbeut ata i shkruajnë si fitore të tyre. Kështu qëndron puna edhe me poemën e Haxhi Shehretit. Sulltanët dhe sundimtarët e tjerë si Ali pasha, nuk lejonin që të shkruhej ndryshe, dhe kjo ndodh me të gjithë sundimtarët që janë gjallë dhe kontrollojnë çdo gjë.
Në librin Ali pasha midis historisë dhe legjendës janë bërë përpjekje për të saktësuar edhe datën e betejës së Maçinit, ku është kapur rob nipi i Ali pashës. Po në faqen 109 të këtij libri jepet dokumenti turk BOA, HAT, dos. Nr 210, (29. 11. 1790), pra që beteja e Maçinit është zhvilluar në vitin 1790. Në faqen 110 vazhdon: “Ky dokument [pra dokumenti turk i mësipërm] korrigjon edhe literaturën turke dhe atë shqiptare. E para betejën e Maçinit e çon në vitin 1791 (Ali pasha Islam Ensiklopedisi, fq. 344), kurse e dyta në vitin 1787 (Alipashaida, fq. 153 – 154).
Në fakt, beteja e Maçinit ku është kapur rob nipi i Aliut, është zhvilluar në muajin qershor të vitit 1791, pra e ka shumë të saktë Ali pasha Islam Ensiklopedisi. Për këtë, princi Potjemkin më 12 korrik 1791, me informacionin e tij Nr 34 njofton se “… forcat e Madhërisë Tuaj perandorake, nën komandën e gjeneralit, princit Repnin, korrën një fitore absolute ndaj ushtrisë së armikut në Maçin, ku ndodhej edhe vetë veziri i madh Jusuf pasha … ndër robërit ndodhej Mehmet pasha me dy tuje …”.
Faktin që nipi i Aliut u kap rob në Maçin, e jep edhe vetë gjeneral Repnini në raportin e tij të datës 29 qershor 1791, me të cilin njofton Potjemkinin: “…gjithë kampi i armikut mbeti në duart tona, u kapën njëzet e nëntë topa dhe dy mortaja, …robër u kapën një pasha me dy tuje, Mehmet Arnaut pasha dhe disa të tjerë … po iu dërgoj relacionin për betejat në Maçin dhe numrin e forcave të armikut sipas deponimeve të Arnaut – pashës me dy tuje, të kapur rob …”.
Këto fakte ndodhen në dokumentet e Potjemkinit.
Sipas historianit rus G. Arsh, në këtë kohë Ali pasha nuk ndodhej në Maçin, por ishte në Shumlje.
Për nipin e Aliut, Mehmet pashën, që u kap rob nga rusët, në faqen 110 të librit Aliu midis historisë dhe legjendës, thuhet: “Rënia rob e Mehmet pashës, nipi i Aliut dhe krahu i djathtë i tij, përmendet nga disa autorë, prandaj po e besojmë. Me këtë rast, Aliu pati një takim me Potjemkinin, kryekomandantin e frontit rus. U shkëmbyen dhurata dhe u zhvilluan bisedime. Aliu i shprehu Potjemkinit një respekt të veçantë ndaj rusëve… Ai shpresonte se Rusia mund ta njihte sundimtar të Epirit në rast të shembjes së saj [perandorisë osmane] …”.
Për dijeni të lexuesit, sa kanë qenë gjallë, Potjemkini me Ali pashën nuk janë takuar kurrë në jetën e tyre. Ndërsa lidhur me referencat për faktin e takimit, në librin Diplomacia e Ali pashë Tepelenës të I. Ushtelencës, në fq. 29 shkruhet: “Meqenëse Ali pasha ndodhej në Shumlje, ku luftonte kundër rusëve, shfrytëzoi rastin dhe hyri në letërkëmbim të drejtpëdrejtë me Potjemkinin … Për t’i matur pulsin, pashai i kërkoi kryekomandantit rus për t’i liruar nipin e tij që ishte zënë rob nga trupat ruse …”.
Edhe historiani rus G. Arsh, në librin e tij në faqen 157 shkruan: “Në kohën që të autorizuarit e Ali pashës zhvillonin bisedime me Tamarën, vetë ai [Aliu] ndodhej në kampin turk në Shumlje. Këtu ai hyri në letërkëmbim [pra nuk janë takuar] të drejtpëdrejtë me Potjemkinin, me pretekstin e lirimit të nipit të tij Mehmet pashës, që kishte rënë rob te rusët …”.
Ky fakt i mësipërm, plotësohet edhe me faktin tjetër që Potjemkini “… u takua me të dërguarin e Aliut, Mehmet efendi Bulçin në gusht të vitit 1791. Në letrën që Potjemkini i dërgon Aliut më 24 gusht 1791, e siguron sundimtarin epirot për gatishmërinë e tij që të vazhdojë lidhjet me të, pasi lufta e Rusisë me Turqinë kishte marrë fund dhe ishte nënshkruar traktati i paqes. Konkretisht Potjemkini i shkruan: “… gjithçka që më njoftoi mua personi juaj i besuar, më solli kënaqësi të vërtetë dhe Ju do ta shihni në të ardhmen sesi unë vazhdimisht do të përpiqem t’iu provoj Juve ndjenjat e mia”.
Ky fakt nuk është në librin e historianit rus, por në referatin që ai mbajti në Tiranë, në Kongresin IX për vendet e Europës Juglindore, nga data 30.08. – deri 03.09. 2004.
Një nga çështjet më të rëndësishme që përmendet në leteraturën për Ali pashën, është projektmarrëveshja e tij për t’u lidhur me rusët.
Kjo projektmarrëveshje është botuar për herë të parë nga historiani rus G. L. Arsh, në revistën “Shënime historike”, vëllimi 63, në vitin 1957 dhe është gjetur në Arkivin e flotës luftarako-detare ruse; për herë të dytë është botuar po nga ky autor në librin e tij në vitin 1963, ndërsa për herë të tretë, i plotësuar edhe me dokumente të tjera, është referuar në Kongresin IX që u mbajt në Tiranë, të cilën e përmendëm më sipër.
Historiani rus, në faqen 153 të librit të tij shkruan se “Rusinë e vizituan delegacione të ndryshme, që paraqesnin planet e luftës kundër Turqisë. … gjeneral Tamara gjeti në Trieste, në prill të vitit 1791 delegatët të cilët më parë kishin qenë te Potjemkini. Ata i propozuan Tamarës “të studiojë me ne një kryengritje të tillë në Greqi, duke filluar me Shqipërinë, e cila pastaj të mund të qëndrojë [pra marrëveshja] edhe në rast të pajtimit tonë me Portën”. Pra, bëhet fjalë para se nipi i Aliut të kapej rob nga rusët.
Aty del se delegatët propozuan që në verë të vitit 1791 të përfundonin bisedimet për përmasat e ndihmës, kryesisht me plumb dhe barut, e cila do t’u jepej prijsave shqiptarë nga Rusia, dhe që në tetor flota ruse të afrohet në bregdetin ndërmjet Pargës dhe Prevezës dhe të zbarkonte 3 mijë desantë. (Marrë nga Arkivi Qendror shtetëror i flotës ushtarako – detare, f. “Kanceleria Potjemkin – Tavriçskij”, dosja. 32, fleta. 191.
Në qershor të viti 1791, delegacioni i Ali pashës u takua me Tamarën në ishullin Kallamos. Një nga të ngarkuarit që kishte sjellë dhe projektmarrëveshjen ishte Ostaf Parusi, që mesa duket e mbante Ali pashën në kurs të të gjitha planeve të prijsave shqiptarë të krishterë. Përfaqësues të tjerë ishin Vasil Menksi [kështu është në origjinal, ndoshta është Meksi] dhe Lasali. I pari shërbeu në flotën ruse në kohën që i parapriu luftës ruso-turke; i dyti ishte konsulli francez në Prevezë, njeri i besuar i Ali pashës. Kjo marrëveshje, e shkruar në gjuhën frënge, kishte nëntë pika.
Në librin Diplomacia e Ali pashë Tepelenës, në faqen 33, këto pika janë përmbledhur si më poshtë: “Për personin, për anëtarët e familjes së tij dhe për të gjithë vartësit e tij të sigurohej liria e besimit fetar mysliman. Të përcaktoheshin me bisedime hapësirat e zotërimeve që do t’i mbeteshin atij për qeverisje, rregullat e drejtësisë dhe të qeverisjes së vendit. Për të neutralizuar ndikimin rus ndër banorët grekë, Ali pasha i angazhohej Rusisë se nuk do t’i rëndonte banorët grekë me taksa më të shumta se shqiptarët, se grekët njësoj si shqiptarët mund të gëzonin të gjitha postet në hallkat e administratës së tij civile dhe ushtarake dhe se pronat e tyre do të mbeteshin të paprekura… Ali pasha merrte përsipër të mbante me shpenzimet e tij një trupë ushtarake të përbërë nga shqiptarë dhe grekë, e cila do të ishte vazhdimisht në gatishmëri. Në krye të saj do të emërohej një nga djemtë e tij, për të cilin propozonte ta dërgonte të arsimohej në Rusi. Kjo do të ishte si fillim marrëveshjeje dhe një garanci e pashait ndaj Rusisë …”.
Kështu shkruhet për marrëveshjen dhe në libra të tjerë, ku gjithmonë përmenden “grekë” dhe “shqiptarë”. Por dokumenti origjinal përmban fjalët “grekë” dhe “turq”, ku me fjalën e parë kuptoheshin të gjithë të krishterët ortodoksë, ndërsa me të dytën – të gjithë myslimanët, pavarësisht nëse ishin shqiptarë, maqedonas, bullgarë, grekë etj.
Të vjen keq kur lexuesi merr në dorë libra të tillë, me gabime historike, shtrembërime të fakteve dhe ngjarjeve, sajime të fakteve që nuk kanë ekzistuar, për të mos folur për gabimet ortografike.
Me rastin e botimit të librit të G.L.Arsh në gjuhën shqipe, “Ali pasha dhe Bushatllinjtë në dokumentet ruse”, përkthyesi dhe studiuesi i historisë, V. Bregu, apelon:
“Historia nuk mund të shkruhet duke fshehur faktet apo duke i shtrembëruar ato.
Ngjarjet dhe faktet duhet të jepen ashtu siç kanë ndodhur, dokumentet të sillen në gjuhën shqipe ashtu siç janë shkruar dhe në kuptimin që kanë pasur në atë kohë. Historinë të mos e shkruajmë siç na pëlqen, por ashtu siç ka ndodhur.
Pyetjes, si është pritur nga qarqet e interesuara të historisë në vendin tonë, shkrimi i mësipërm, V.Bregu i përgjigjet:
“Dihet se të rejat shkencore nuk përqafohen menjëherë nga bashkësia dhe qarqet akademike. Idetë e reja ngjasojnë me një fidan peme të cilit i duhet mjaft kohë të rritet. Pranimi i koncepteve dhe fakteve të reja kërkon kohën e nevojshme. Tek mjaft lexues, madje edhe te disa studiues të historisë, të mësuar me “disa të vërteta të qëmtuara”, siç nënvizuam më lart, e kanë të vështirë të reflektojnë mbi faktet dhe dokumentet e reja. Me sa duket, oferta ime me të dhëna dhe fakte të zbuluara në këto dokumente dhe anale historike kërkon edhe kohën e nevojshme për t’u ballafaquar dhe për t’u pranuar. Për studiuesit dhe historianët nuk ka rrugë të mesme, përveç pranimit të së vërtetës e cila mbetet kriteri shkencor i punës së tyre. Ky ishte edhe njëri pej shkaqeve që unë përktheva librin e akademikut rus, Grigorij Arsh, në të cilin, historianët e interesuar, por edhe lexuesit, do të gjejnë dokumente dhe fakte nga burime bashkëkohore.
Sigurisht, populli ynë është i ndjeshëm ndaj ngjarjeve të këtij viti kur qeveria ruse urdhëroi ushtrinë e saj të pushtonte disa territore të një vendi fqinj si Ukraina. Por vlerësimet dhe shfrytëzimi i arkivave të pasura ruse nga institucionet tona akademike dhe qarqet shkencore duhet të tregojnë një vëmendje dhe kujdes të veçantë në dobi të së vërtetës dhe ndriçimit të historisë tonë kombëtare dhe figurave të saj historike.
Gjatë kërkimeve të mia, kam kaluar nëpër duar shumë nga këto materiale që ruhen në arkivat ruse, bullgare, maqedonase etj. Vetëm për Ali – pashën disponoj materiale të panjohura më parë, me të cilat mund të shkruhen 3 – 4 libra të tjerë. Ndoshta do të ishte më mirë që në libra të jepen përkthimet e shkrimeve origjinale, pa ndërhyrë, duke e dhënë materialin e plotë. Por në ato botime ka edhe materiale shumë të vlefshme edhe për figurën e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, vlerësime që në vendin tonë nuk i kam parë të pasqyruara.