Refleksione nga leximi i librit “Histori e Zbulimit Ushtarak Shqiptarë” të autorit Mehmet Musaj

GANI ELEZI

Në datën 8 nëntor 2023 në sallën “Unesco” të Muzeut Kombëtar u prezantua libri “Zbulimi Ushtarak Shqiptar” i autorit Mehmet Musaj.
Ishte kënaqësi për mua të isha pjesë në prezantimin e këtij libri.
Në këtë rast mu dha mundësia të mbaj një diskutim në lidhje me përmbajtjen dhe vlerat e këtij libri, çka po e prezantoj në këto shënime.
Prezantimi i këtij libri që po bëjmë sot është nderim për autorin Mehmet Musaj, drejtor i drejtorisë së zbulimit të MM, cili nuk arriti ta shihte botimin e këtij libri. Ky promovim është homazh për kujtimin e tij. Po ashtu është një vlerësim për kuadrot zbulues Hilë Lushaku,Vladimir Ndreaj dhe Nazmi Çela të cilët e bënë të mundur botimin e këtij libri.

ZBULIMI USHTARAK NË VITE
Zbulimi ushtarak si element, si faktor i domosdoshëm e shumë i rëndësishëm për njohjen dhe analizën e realiteteve politike, ushtarake, gjeografike e demografike në kohë e situata të caktuara.
Është sjellë ky argument me shume fakte e të dhëna për shërbimin e zbulimit në periudha të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë, si është periudha e heroit tonë kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, periudha e Bushatllinjëve të Shkodrës, ajo e Ali Pashë Tepelenës, Luanit të Janinës, periudha afatshkurtër e qeverisë së Ismail Qemalit, periudha pas pavarësisë dhe ajo e mbretërisë së Ahmet Zogut.
Pavarësisht nga përberja në strukturë, nga vartësia, nga njerëzit dhe mjetet që kanë patur në dispozicion grupet, nënrepartet, repartet e ngarkuara për zbulim dhe informacion, çka janë spjeguar në libër, ajo çfarë insiston të spjegojë Mehmet Musaj në shënimet e tij në këtë pjesë është rëndësia dhe domosdoshmëria e njohjes së kundërshtarit dhe e faktorëve që e ndihmojnë apo e pengojnë atë në një konflikt ushtarak. Pra rëndësia dhe vlerat e zbulimit ushtarak.
Në mënyrë më të plotë na është dhënë historia, aktiviteti dhe kontributi i zbulimit ushtarak në kuadër të LANÇL, si pjesë, si shërbim shumë i rëndësishëm në strukturat e UNÇL shqiptare. Sigurisht kjo ka lidhje me faktin se LANÇL është zhvilluar në bashkëkohësi me disa nga kuadrot e herëshëm të zbulimit ushtarak dhe me faktin tjetër se për këtë luftë kemi shumë kujtime dhe dokumente të shkruara.

SHËRBIMI PAS LUFTËS

Zbulimi ushtarak pas përfundimit të L2 B deri në fillim të viteve 90-të.
Sa kam kuptuar nga leximi i librit mund të them se kjo pjesë është kontributi më i madh i Mehmet Musajit në përpjekjen për të shkruar historinë e Zbulimit Ushtarak shqiptarë.
Këtë mendim e mbështes në disa argumente.
Së pari, kapitull pas kapitulli libri na njeh me situatat politike dhe ushtarake të cilat kanë kushtëzuar parimet dhe synimet e politikës sonë të mbrojtjes, të strategjisë sonë ushtarake, të artit operativ e atij taktik e për rrjedhojë edhe detyrat e zbulimit ushtarak. Libri na njeh me detyrat, me strukturën e zbulimit ushtarak në qendër, në MM dhe në njesi e reparte. Mbase shumë gjera nuk i kemi ditur. Kështu psh është fakti që pas L2B në MM zbulimin ushtarak në fillim e drejtonte një seksion zbulimi, më vonë një degë zbulimi e më vonë Drejtoria e Zbulimit apo Drejtoria e Dytë si e kemi njohur neve. Po kështu sillen të dhëna, urdhëra, data kur janë krijuar bërthamat, elementët, nënrepartet e parë të zbulimit me trupa, të radiozbulimit, të informacionit, të zbulimit të jashtëm, të kriptoanalizës, etj.
Së dyti, duke na sjell në vemendje ndryshimin e herëpasherëshëm të situatave politike dhe ushtarake Mehmeti na ka spjegua domosdoshmërinë e ngutëshme, urgjente të përmirësimit, të përsosjes së strukturës, të paisjeve e të metodave të punës të shërbimit të zbulimit ushtarak për t’iu përgjigjur këtyre situatave, për t’u përballur me rreziqet që paraqisnin ato për vendin tonë. Situata të tilla të cilat i përmend Mehmeti kanë qenë:
Përballimi i aktivitetit armiqësorë e kriminal i aktorëve dhe qarqeve antishqiptare që synonin rrëzimin e pushtetit të pas luftës dhe copëtimin e Shqipërisë. Prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë, çka solli intensifikimin e veprimeve armiqësore të qarqeve antishqiptare serbe kundër vendit tonë.
Provokacionet e monarkofashistëve grekë në gusht të vitit 1949 dhe synimet shoviniste të qarqeve voriepirote greke.
Ndërprerja e marrëdhënieve me BS dhe politika antishqiptare e udhëheqjes Hrushoviane.
Denoncimi dhe dalja nga Traktati i Varshavës pas sulmit të këtij traktati kundër Çekosllovakisë dhe rreziku i një sulmi të tillë edhe kundër vendit tonë.
Vitet e luftrave mes Izraelit dhe disa vendeve arabe.
Periudhat e rritjes së prezencës së Flotës së 6-të të Amerikës e të NATO-s si dhe të Traktatit të Varshavës në Mesdhe.
Periudhat kur FA të Greqisë a të Jugosllavisë ngriheshin në prova gatishmëria dhe stërvitje me trupa.
Ripërcaktime të detyrave dhe strukturave të zbulimit ushtarak kanë ndodhur sa herë ka patur ndryshime të strukturës së Forcave tona të Armatosura. Psh me kalimin nga ushtria partizane, në strukturën e korparmatave, më vonë në atë të divizioneve, përsëri në strukturën e Korpusve e përsëri në atë të divizioneve në vitin 1983.
Si një situatë që ndikoi në ripërcaktimim e detyrave, të strukturës e të metodave të punës së zbulimit ushtarak Mehmeti kujton edhe ngjarjet e fund vitit 1974, kohë kur u dënua udhëheqja e lartë e MM, në këtë rast edhe udhëheqja e Drejtorisë së Zbulimit Ushtarak.
Së treti, libri është një histori e gjallë e të gjithë elementëve të zbulimit ushtarak. Të seksionit, të degës, të drejtorisë së zbulimit në MM; të shërbimit të informacionit; të zbulimit të jashtëm, të zbulimit me trupa; të radiozbulimit; të kriptoanalizës e të elementëve të tjerë. Na është sjellë kjo histori me anë të dokumenteve arkivorë, me anë të kujtimeve dhe të shumë skemave sqaruese të strukturës së zbulimit ushtarak.
Mehmeti në gjithë shënimet e tij ka folur më shumë për disa sektorë të zbulimit ushtarak.
Ka shkruar shumë për Radiozbulimin i cili në fakt ka qenë sektori që në kohë paqe ka siguruar të dhëna të shumta dhe të sakta për strukturat, gjendjen, përhapjen dhe qëllimet imediate të kundërshtarëve tanë. Radiozbulimi është një histori me të vërtetë mbresëlënëse. Nisur nga dy grupe radiomarrëse të D5K në Korçë dhe D8K në Gjirokastër struktura në përberje të këtyre divizioneve shumë shpejt në vitin 1951 në bazë të urdhërit të shefit të Shtatmadhorisë të ushtrisë shqiptare, gjeneral major Beqir Balluku u ngrit në shkallë ushtrie me krijimin e Kompanisë autonome të radiondërlidhjes të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, e quajtur Rep. Usht. 2908 me kuadrot e parë Izet Zaçe, Bajram Sinani, Zenel Koshaj, Sotir Tiko, etj. Nga kjo bërthamë Radiozbulimi çdo vit u riorganizua dhe u plotësua me reparte të tjera të këtij shërbimi. Në shpërndarjen, paisjen, përgatitjen dhe përgjegjësitë e këtyre reparteve u zbatua parimi i shtetit objekt zbulimi. Në bazë të këtij parimi u përhapen reparte radiozbulimi në drejtimin e Greqisë në Sarandë, në Bureto, në Postenan, në Moravë. Në drejtimin me Jugosllavine në Shishtavec, në Tarabosh, në Shtoi. Në drejtimin me Italinë në Kavajë, në Sazan, në Dhërmi, etj. Më vonë radiozbulimi u përforcua me disa reparte me kapacitete të mëdha përgjuese si reparti Radiozbulimit në Krujë dhe ai në Kaninë në Vlorë. Me aktivizimin e këtyre reparteve sasia dhe cilësia e të dhënave të grumbulluara u përmirësuan si në dispozitiv gjeografik ashtu edhe në përkatësinë e tyre, pra më zgjerimin e objekteve të përgjuara. U vu në kontroll gati gjithë hapësira e Mesdheut dhe e Evropës Jugore, forcat e NATO- dhe ato të Traktatit të Varshavës. Më vonë u aplikua edhe metota e përgjimit shëtitës. Radiozbulues të përgatitur punonin në anijet tona që shkonin e vinin nga Kina e kryesisht ato që ankoroheshin në portet e Mesdheut. Një kontribut të madh në shërbimin e Radiozbulimit ka dhënë shkolla e radiozbulimit, Rep. Ushtarak 2942, i cili çdo vit përgatiste radiozbulues për të gjithë drejtimet, sipas shteteve kufitare me. Në vitin 1980 kjo shkollë përgatiti kursin e parë të punonjësve civilë, djem e vajza, të cilët punuan pandërpreje në radiozbulim, çka e ngriti edhe më lart profesionalitetin dhe efektivitetin e shërbimit të Radiozbulimit.
Repartet e Radiozbulimit i kanë siguruar qeverisë shqiptare, Këshillit të Mbrojtjes dhe Komandës së Përgjithëshme të dhëna shumë të vlefëshme mbi të cilat këto institucione kanë marrë vendime shumë të rëndësishme për garantimin e mbrojtjes së vendit. Në këtë vlerësim Mehmeti ka të drejtë. Ndërsa zbulimi me trupa mund ta provonte aftësinë, profesionalitetin vetëm në kushte lufte, çka nuk ndodhi këto vite, dhe më mirë kështu se lufta do sillte pasoja të rënda për popullin tonë, shërbimi i Informacionit, ai i zbulimit të jashtëm, e më shumë Radiozbulimi ka qenë vazhdimisht në luftë . Radiozbulimi ka qenë në luftë që nga fillesa, që nga grupet e radios të D5K dhe D8K në vitin 1948 dhe deri në fillim të viteve 90-të. Tani nuk kam dijeni në se ekziston si zbulim dhe çfarë bën.
Por, po aq me vlerësim Mehmeti ka shkruar edhe për zbulimin me trupa. Ka spjeguar se në kohë lufte ky zbulim ishte me rëndësi të madhe për sigurimin e të dhënave për armikun. Zbulimi me trupa është konsideruar si shërbimi më efikas i zbulimit në kohë lufte. Pas çlirimit të vendit ky shërbim u organizua në çdo njësi të nivelit DK, BrK, RK. Domosdoshmëria e këtij shërbimi doli në pah sidomos në ditët e provokacioneve greke në kufirin me Greqinë. Në faqet e librit mësojmë edhe një fakt, për të cilin unë, por edhe shokët e mi të Dzb kishim dëgjuar nga Taqo Kovaçi. Në ditët e provokacioneve greke në Korçë nga ana e komandës shqiptare janë organizuar grupe zbulimi për kalim në prapavijat greke për kapje robërish. Një praktikë e cila më vonë nuk është përdorur më.
Është kjo përvojë që e detyrojë Komandën e Përgjithëshme të Ushtrisë shqiptare që në periudhën 1950-1955 të insitojë në riorganizimin dhe përgatitjen e reparteve të zbulimit me trupa në njësitë e brezit të parë të mbrojtjes. Në këtë rrugë, në vitin 1956 është krijua kompania e zbulimit me trupa , e quajtur Rep. Usht. 1152, në dorë të Sh P të ushtrisë sonë, me disa kuadro të njohur të zbulimit ushtarak si Shahin Leka, Kutel Çino, Fran Doda, Viktor Dhroso, etj. Kjo kompani është paraardhësja e Dzb të SHP të FA, i cili u kthye në një laborator përvoje e përgjithësimi për ngritjen e nivelit e të cilësisë së përgatitjes luftarake për gjithë gjithë repartet e zbulimit me trupa e në të njejtën kohë edhe për armët dhe shërbimet e tjera të ushtrisë. Për faktin se zbulimi me trupa në kohë paqe mund të kryente vetëm detyra vrojtimi në distanca të afërta, detyrë që e plotësonte vetëm me mjete pamore, përgatitja e tij më shumë synonte në aftësimin e trupës së zbulimit për veprime në kohë lufte. Plotësimi i detyrave të zbulimit në kohë lufte, detyra zbulimi por edhe detyra sulmi kundër objekteve të rëndësishme të kundërshtarit, kërkonin një përgatitje të madhe morale, fizike dhe profesionale. Është kjo arsyeja që programi i përgatitjes se reparteve të zbulimit me trupa ishte shumë i ngarkuar dhe shumë i vështirë. Përgatitje në poligone speciale, përgatitje për veprime në verë e në dimër në kushte dëbore, përgatitje për mbijetesë, veprime luftarake me ski, përgatitje dhe hedhje me parashutë në rajonet e detyrave luftarake, përgatitje për përdorim të mjeteve eksplozive, veprime në kushte maskimi për një kohë të gjatë, kalim pengesash ujore, etj ishin sprova të mëdha për repartet e zbulimit me trupa, sprova që i kanë kaluar me sukses.

INFORMACIONI, SYRI DHE VESHI I KOMANDËS Në librin “Zbulimi ushtarak”, Mehmeti ka shkruar për punën e madhe të Degës së Informacionit të Drejtorisë së zbulimit, e cila ishte një element shumë i rëndësishëm për grumbullimin dhe sidomos përpunimin e informacioneve për institucionet e sigurisë e të mbrojtjes. Duke u mbështetur në burime e materiale legale por edhe burime e materiale konfidente, sidomos në të dhënat e Radiozbulimit dhe të zbulimit të jashtëm, kjo degë i siguronte SHP të Ushtrisë, Komandës së Përgjithëshme, Këshillit të Mbrojtjes por edhe institucioneve e ministrive të interesuara informacione të shumta në lidhje me situatat politike dhe ushtarake në rajon a në shkallë globale e veçanërisht për rreziqet që paraqisnin për vendin tonë këto situata. Po ashtu mbi bazën e të dhënave nga elementët e ndryshëm të zbulimit ushtarak kjo degë përgatiste materiale teorike, manuale për përbërjen, strukturën, kapacitetet ushtarake, për konceptet strategjike, operative e taktike të ushtrive të cilat mund të sulmonin vendin tonë. Në këtë kuadër kjo degë kishte një kontribut të madh edhe në përgatitjen e kuadrove të nivelit të lartë që studionin në Akademinë tonë Ushtarake.
Pa u futur në emra dhe të dhëna konkrete, të cilat për arsye të karakterit ende sekret të tyre nuk mund të bëhen të njohur, Mehmeti ka shkruar edhe për shumë kuadro të zbulimit që kanlë punuar në shërbimin tonë diplomatik. Sigurisht përpos detyrave të tyre diplomatike këta kuadro zbulimi kanë siguruar të dhëna konfidente edhe për problemet ushtarake, kryesisht për organizimin, kapacitetet ushtarake të vendeve ku ata akreditoheshin e sidomos për planet e tyre ushtarake ndaj vendit tonë.
Veç këtyre kuadrove të shërbimit tonë diplomatik që kontribuonin në mbledhjen e informatave për problemet ushtarake në përfaqësitë tona diplomatike, të tjerë kuadro të zbulimit e kryenin këtë mision duke u bërë pjesë e grupeve kulturore, sportive a delegacioneve të ndryshme që udhëtonin në shtetet që ishin objekt zbulimi për ne. Madje shpesh kuadro të tillë udhëtonin në këto vende si shoferë “plotësues” të parkut TIR Albania.
Sa kam unë dijeni në shumë raste të dhënat e këtyre kuadrove të zbulimit tonë ushtarak kanë bërë që MM, Komanda e Përgjithëshme dhe Këshilli i Mbrojtjes i vendit tonë të marrin masa për forcimin e gatishmërisë luftarake, deri në mobilizimin dhe daljen në rajonet, brezat, zonat e mbrojtjes të reparteve e njësive të drejtimeve që mund të kërcënoheshin.
Së katërti, ky libër ka një vlerë e cila mund të quhet unikale. Është nga librat e rrallë që në faqet e tij ka kaq shumë emra. Është një arkivë, një “hipotekë” me qindra, mbase më shumë se njëmijë emra kuadrosh dhe punonjësish të cilët kanë punuar në zbulimin ushtarak. Në sektorin e Informacionit, në atë të zbulimit të jashtëm, në Radiozbulim, në Kriptoanalizë, në repartet e Zbulimit me trupa, në sektorin e kuadrit, të teknikës dhe të prapavijës, etj.
Evidentimi i kaq shumë emrave ( mund të jenë të rrallë emrat e harruar) që kanë punuar në drejtorinë e zbulimit dhe në repartet vartëse të saj, të atyre që kanë punuar në degët, seksionet dhe repartet e zbulimit të njësive ushtarake (KK, DK, BrK) të ushtrisë sonë, është homazh që u bëhet gjithë këtyre njerëzve që nuk kursyen asgjë, as mundin, as djersën, disa as jetën e tyre, për ta ngritur, për ta drejtuar me sukses zbulimin ushtarak. Në këtë libër gjejmë edhe jetëshkrime dhe kontribute të drejtuesve kryesorë të zbulimit ushtarak ndër ta të Hamit Keçit, shef i Seksionit Informativ të Komandës së Përgjithëshme në vitin 1949, të Teme Sejkos, të Vehbi Hoxhës, të Andon Shetit, të Eqerem Osmanit, të Mehmet Musait, të Kujtim Jahos të cilët kanë patur funksionin e drejtorit të Drejtorisë së Zbulimit, por edhe të drejtuesve të tjerë të lartë si Spiro Adhami, Ilo Furxhi, Xhemil Çela, Izet Zaçe, Skënder Çela, Shefqet Troqe, Xhelal Novosela, Pandi Opari, Zenel Koshaj, Lame Liti në drejtorinë e zbulimit dhe Shefqet Haxhiaj, Syrja Sinollari, Sali Qazimi, Ylvi Demiraj, Kujtim Lumani, Xhemali Abazi, shefa zbulimi në korpuse, etj.

ZBULUESIT ME STATUSIN E “DIPLOMATIT”
Së fundi, Mehmeti ka shkruar edhe për një fakt tjetër i cili na bën ne zbuluesve krenarë. Madje ndonjëherë edhe më shumë. Doja të thosha se shpesh kjo përkatësi profesionale na bën të mburremi, mbase me tepri. Me emra të shumë ai ka zbuluar faktin se shumë kuadro të zbulimit janë dalluar edhe në sektorë të tjerë. Janë dalluar si drejtues të Shtabit të Përgjithëshëm dhe të drejtorive të ndryshme në MM; si drejtues të lartë të njësive të ushtrisë, KK, në DK e njësive të tjera të mëdha. Janë dalluar në shërbimin diplomatik shqiptarë. Janë dalluar në sektorë të punës shkencore dhe akademike. Janë dalluar si krijues letrarë dhe publicistë, etj.
Duke e mbyllur këtë diskutim dua të them:
Cilido, ata që për fat ende jetojnë, çdo birë, bijë, çdo nip e mbesë që kërkon të mësojë për etërit, gjyshërit e tyre në shërbimin e zbulimit ushtarak mjafton të ketë e të futet në faqet e librit të Mehmet Musajit “Zbulimi ushtarak shqiptarë” dhe ta gjejë atë për të cilin ka mallë e dashuri.
Edhe njëherë,
Nderim për këtë punë të madhe profesionale por edhe publicitare të mikut tonë Mehmet Musaj.

PAK RADHË PËR AUTORIN MEHMET MUSAJ
Mehmet Musaj ka lindur më 10 janar 1945 në fshatin Selimaj-Geghysen në Tropojë. Mbasi kreu arsimin shtatëvjeçarë në vendlindje, në vitet 1951-1958, shkoi në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skenderbej” Tiranë të cilën e përfundoi me rezultate të larta në vitin 1962. Më pas në vitet 1962-1964 vijoi studimet në shkollën e oficerëve “ Enver Hoxha” në Tiranë dhe u titullua oficer.
Karrierën ushtarake e filloi në Ishullin e Sazanit ku shërbeu në periudhën 1964-1968, më pas në periudhën 1968-1970 ka kryer studimet në Akademinë Ushtarake të SHP në Tiranë. Më pas vijoi karrierën ushtarake në detyrën e komandantit të repartit të Radiozbulimit në Tarabosh, Shkodër në vitet 1970-1973, pastaj komandant i repartit të Radiozbulimit në Farkë, Tiranë në vitet 1973-1974. Pas kësaj detyre në vitin 1975 është emëruar në Drejtorinë e Zbulimit të MM. Po në këtë vit është emëruar në detyrën e zevendës drejtorit të kësaj drejtorie, funksion të cilin e ka mbajtur deri në vitin 1981. Në periudhën 1981-1991 ka mbajtur postin e drejtorit të drejtorisë së zbulimit të MM.
Pas ndryshimeve politike në fillim të viteve 90-të, me riorganizimin e FA dhe të MM u emërua në Akademinë Ushtarake në detyrën e shefit të katedrës së zbulimit dhe të ushtrive të huaja. Në vitin 1997 Mehmet Musaj është emëruar në detyrën e zevendës shefit të SHP të ushtrisë shqiptare, ndërsa në vitin 2001 ka dalë në rezervë e pas pak kohe është rikthyer në FA në detyrën e Këshilltarit Ushtarak i Ministrit të Mbrojtjes.