Kryetari i OBVL kolonel Sotir Budina vlerësohet me çertifikatë mirënjohje për kontributin gjatë LANÇ

• Në këtë ditë të veçantë, kryebashkiaku Veliaj nderoi 10 veteranë të LANÇ “për kontributin e pashembullt në luftën për liri, mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe transmetimin te brezat e rinj, të vlerave, sakrificave dhe vetëmohimit të treguar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare”

79 vite më parë më 29 Nëntor 1944 Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë ndaj dhe në këtë ditë feste vishet me flamurin kuqezi.
Çlirimi i Shqipërisës është një moment historik dhe konsiderohet si një nga ngjarjet kulnore në historinë e Shqipërisë. Ne shqiptarët kemi të drejtë të krenohemi për Luftën e lavdishme, Antifashiste Nacionalçlirimtare që çoi në çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashitë. Ne krenohemi sepse me luftën e sakrificat mbinjerëzore, dhe gjakun e dhjetra mijëra dëshmorëve u bëmë pjesë e bllokut antifashist të popujve të botës, të kryesuar nga aleanca anglo-sovjeto-amerikane. Në momentin historik populli shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo që jetonte në trojet e tij etnike u bashkua me forcat e lirisë kundër atyre të errësirës. Në bazë të kësaj lufte e sakrificave që bëmë, ne siguruam jo vetëm pavarësinë e Shqipërisë por të drejtën e shqiptarëve në Kosovë për vetëvendosje e të shqiptarëve kudo që jetojnë, të drejtën për të qëndruar në trojet e tyre etnike. Kjo ishte fitorja e dytë më e madhe në historinë tonë kombëtare, pas shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit në Vlorë.

Tirana kryeqendra e festave të nëntorit
Çlirimit të plotë të Shqipërisë nga okupatori nazifashist i parapriu çlirimi i Tiranës më 17 nënror 1944. 79 vjet pas kësaj date historike, në Ditën e Çlirimit të Tiranës, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj nderoi veteranët e Luftës për kontributin e tyre në mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e zhvilluar për 79-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit, Veliaj u shprehu mirënjohjen e veçantë atyre.
“Çlirimtarët e luftës, ata që i dhanë Tiranës, kryeqytetit tonë, lirinë, të paasistuar nga forcat ruse, që ndihmuan shumë kryeqytete të tjera, meritojnë sot të gjithë respektin, të gjithë përuljen dhe mirënjohjen tonë. Më vjen mirë që ajo Tiranë për të cilën luftuan shumë të rinj atëherë, sot është Kryeqyteti Europian i Rinisë apo i Sportit. Ndaj për të gjithë ata të rinj të asaj kohe, që sot janë 90 e kusur vjeç dhe do të nderohen, më vjen mirë që kemi këtë organizim, për të reflektuar pak dhe për të dedikuar respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që na bënë sot krenarë dhe u rreshtuan në anën e duhur të historisë,” u shpreh Veliaj.

Kreu i bashkisë kishte edhe një thirrje për t’u bashkuar në emër të kësaj dite dhe sakrificës së të rënëve për liri.
“Sot është gjithashtu një moment për të reflektuar. Ne duhet të kuptojmë pse kombi ynë akoma vazhdon i përçarë? Pse duhet të bëjmë homazhe veç e veç? Pse nuk mblidhemi dot të respektojmë dhe të nderojmë ata njerëz? Pse disa nga ne hyjnë nga dera dhe disa të tjerë nga kangjellat dhe dritarja? Çfarë ka ndodhur? Çfarë është ky mallkim që nuk na ndahet? Si ka mundësi pas 79 vitesh ne vazhdojmë akoma të përçarë. Ne duhet ta fitojmë përditë betejën për një Tiranë europiane dhe të jetojmë përditë për të justifikuar atë sakrificë,” u shpreh mes të tjerash Veliaj.

Kryetari i OBVL, kolonel Sotir Budina nderohet nga krybashkiaku Veliaj
Në këtë ditë të veçantë, kryebashkiaku Veliaj nderoi “për kontributin e pashembullt në luftën për liri, mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe transmetimin te brezat e rinj, të vlerave, sakrificave dhe vetëmohimit të treguar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare”, 10 veteranë të LANÇ. Në këtë ditë të shënuar, kryebashkiaiu Veliaj vlerësoi me Çertifikatë Mirënjohje edhe kryetarin e OBVL kolonel Sotir Budinën.
Sotir Ilo Budina, ka lindur në qytetin e Korçës më 14.03.1926. Ka marrë pjesë në lëvizjen Antifashiste që në vitin 1939 e në vijim si anëtar aktiv i njësiteve guerrile. Ka qenë pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Tiranës si partizan i Brigadës 4 S. Gëzon statusin e invalidit të LANÇ. ËSHTË KRYETAR I OBVL
Po ashtu, së bashku edhe me personalitete të tjera të politikës dhe familjarë të dëshmorëve, si edhe me drejtues të OBVL, Veliaj kreu homazhe tek Ushtari i Panjohur në nderim të heronjve që dhanë jetën për Çlirimin e Tiranës.