Brigada i dha atdheut jetën e 256 luftëtarëve të cilët kujtohen e nderohen në breza

• Në radhët e Br. III-të S luftuan me heroizëm mbi 50 luftëtare (gra dhe vajza) të cilat në moshë të re u rezistuan privacioneve të luftës. Shumë prej tyre drejtuan rininë dhe ishin në shtabet e batalioneve e të kompanive, ku midis tyre ishin dhe Heroinat e Popullit Emine Bahja dhe Ylbere Bilibashi, si dhe Heronjtë e Popullit, Myslim Keta, Rahman Parllaku dhe Rexhep Kolli

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Organizimi i brigadës u bë në luftë
Në luftë me pushtuesit gjermanë, më 9 tetor 1943, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në fshatin Arbanë, të Pezës heroike u formua Brigada III Sulmuese (Br. III S). Në brigadë u inkuadruan formua njësitë partizane të rrethit të Tiranës, si dhe shumë të rinj të qytetit të Tiranës që ju përgjigjën thirrjes së UNÇSH. Shumica e luftëtarëve të brigadës ishin luftëtarë të vjetër, me eksperiencë dhe të kalitur në beteja të ashpra kundër pushtuesit. Brigada i nisi luftimet me dy batalione të Grupit Partizan të Pezës, nga batalioni Krujë-Ishëm, batalioni “Dajti”, si dhe çeta “Mateoti” dhe partizanë të njësiteve guerile të ardhur nga qyteti i Tiranës. Në shtabin e Br. III S u caktuan Hulusi Spahiu, komandant; Shahin Ruka, komisar; Hamit Keçi, zëvendëskomandant; Vasil Nathanaili, zëvendëskomisar dhe Thoma Kalefi intedent. Nazistët gjermanë e diktuan grumbullimin e forcave partizane për formimin e brigadës dhe një ditë më pas, sulmuan me forca të shumta në drejtim të Arbanës, ku ishin përqendruar njësitë e kësaj brigade duke e vënë në pozitë të vështirë, si dhe Grupin e Pezës. Partizanët ju përgjigjën me kundërsulm të shpejtë. Luftimet që u zhvilluan ishin të ashpra dhe përleshja arriti deri në trup me trup. Armiku pësoi humbje dhe u detyrua të tërhiqej. Ky ishte dhe pagëzimi i parë luftarak i brigadës. Për Luftën e Arbanës, komandanti gjerman, Herman Fran, do të shkruante në shënimet e tij, se “…dielli kishte vendosur të mos perëndonte kurrë atë ditë”, ndërsa më poshtë do të vazhdonte “në këtë aksion të parë të vërtetë të gjermanëve në Ballkan dukej sikur gjithçka ishte përbetuar kundër nesh”.

Artileria e brigadës goditi Asamblenë tradhtare
Pas suksesit në Luftën e Arbanës, brigada u përqendrua në rajonin e Ballhaxhias dhe të Dorëzit. Nga këto pozicione të përshtatshme filloi lëvizjen për të zbatuar urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm për të goditur asamblenë tradhtare. Kështu më 18 tetor 1943, kur anëtarët e Asamblesë Tradhtare, krerë të përfaqësuesve të organizatave që bashkëpunonin me pushtuesin u mblodhën për të legalizuar pushtimin hitlerian të vendit tonë, artileria e brigadës, e vendosur në kodrat e Saukut, qëlloi godinën e pallatit ku ishte mbledhur asambleja. Goditja ishte përgjigja që po i jepte populli shqiptar aktit të turpshëm të tradhtarëve në kurriz të popullit shqiptar. Pas këtij aksioni, luftëtarët e Br. III S përballuan me trimëri në ditët në vijim sulmet e vijueshme të organizuara nga armiku në të gjithë zonat që rrethonin kryeqytetin, Tiranë. Brigada që me formimin e saj, ju desh të luftonte në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe në terren ku armiku kishte kushte të favorshme për të sulmuar nga shumë drejtime. Ndër luftimet më të ashpra të saj janë luftimet që u zhvilluan gjatë operacionit armik në Pezë e Çermenikë. Në fillim të nëntorit 1943, trupa të shumtë fashistë gjermanë sulmuan Pezën nga shumë drejtime, me qëllim për të asgjësuar këtë njësi luftarake. Brigada së bashku me forca territoriale të Pezës, hynë në luftime të ashpra me armikun nga të gjitha drejtimet. Por, pas katër ditë me luftime, duke sulmuar, mundi të çajë rrethimin dhe doli nga zona e Pezës. Me daljen e saj nga zona e nxehtë e Pezës, ajo përsëri u gjend në luftime në zonën e Çermenikë dhe të qarkut të Elbasanit. Së bashku me forcat partizane të Br. II S, goditën në befasi forcat nazistë gjermane brenda në qytetin e Elbasanit. Kështu në vijimësi brigada ka mbajtur disa herë me radhë nën goditjet e saj rrugën automobilistike Elbasan-Tiranë, duke e bërë të pakalueshme për armikun. Nazistët gjermanë, duke e ndjerë veten të kërcënuar, grumbulluan forca të shumta dhe, të ndihmuar nga tradhtarët e forcave bashkëpunuese sulmuan Çermenikën, ku ndodheshin dhe forcat kryesore të Br. III, II S dhe një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm. Luftëtarët e Br. III, II S, megjithëse në kushte të vështira, të terrenit dhe të ftohtit, të urinë, të veshjes së paktë dhe të keqe, luftuan trimërisht kundër një armiku shumë herë më të madh në njerëz dhe të pajisur me të gjitha mjetet luftarake të kohës. Rrethimi i bërë nga forcat naziste u ça me vështirësi të mëdha dhe njësite e repartet e tyre kaluan në zona të tjera në Jug të Shqipërisë.

Brigada me luftime mbërriti deri në Junik
Operacioni i Qershorit 1944 e gjeti Br. III S me luftime në zonën e Skraparit. Me luftë të vazhdueshme kundër forcave armike, gjatë operacionit, ajo kishte fituar përvojë luftarake dhe doli me humbje të pakta. Luftëtarët kishin fituar përvojë dhe ishin të kalitur, për të bërë beteja edhe më të vështira. Me kalimin e Div. I S në Veri të vendit, Br. III S më 19 korrik 1944 kaloi Shkumbinin dhe u përqendrua në zonën Tiranë-Elbasan, aty ku kish luftuar në ditët e para të formimit të saj, por që terreni dhe fshatrat dhe njerëzit ishin të njohur për të. Pas goditjeve të njëpasnjëshme gjatë muajve, korrik, gusht e shtator, brigada spastroi nga armiqtë zonën për rreth Elbasanit e Tiranës dhe, në bashkëveprim me forcat e Div. I S, goditi armikun pranë Tiranës, duke e detyruar të mbyllet në qytet. Më 20 shtator 1944, duke zbatuar urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm, marshoi nëpër zonat Tiranë-Martanesh-Peshkopi-Lumë-Malësi e Gjakovës dhe duke i kombinuar veprimet me forcat e Br. V S, luftoi kundër forcave të Muharrem Bajraktarit, si dhe forcave hitleriane në Kukës. Me luftime të ashpra, një pjesë e forcave të Br. III S më 8 tetor kaloi Drinin e Bardhë, hyri në krahinën e Krumës e të Hasit dhe më 16 tetor 1944 çliroi Tropojën, kurse shumica dërmuese e brigadës kishte kaluar kufirin për të ndjekur armikun në Kosovë. Në këtë kohë Br. III S bashkë me Br. V S u inkuadruan në Div. V S. Pas luftërash të ashpra partizanët e Br. III S çliruan Junikun. Në këtë mënyrë u çel rruga për çlirimin e qyteteve të tjera të rëndësishme të Kosovës nga brigadat partizane të Shqipërisë që ishin dërguar me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm për çlirimin e popullit Kosovar, nga pushtuesit nazistë gjermanë, si dhe nga tradhtarët e vendit. Partizanët e Br. III S si dhe të Br. V S me luftime të ashpra, në kondita të vështira, duke qenë gjithmonë përballë forcave superiore armike çliruan pas luftimesh të ashpra qytetet Gjakovë, Prizren dhe Pejë, ndërsa Prishtinën e çliruan më 20 nëntor 1944. Në këtë mënyrë të dy brigadat shqiptare shpejtuan çlirimin e popullit vëlla kosovar nga pushtuesit e tradhtarët. Populli kosovar është dëshmitar i luftës, i trimërisë e heroizmit të partizanëve shqiptarë, por ai është dëshmitar edhe i vështirësive dhe sakrificave që bënë luftëtarët e dy brigadave. Populli kosovar i priti vëllezërit shqiptarë me gëzim dhe u dha përkrahje si dhe ndau kafshatën e bukës me vëllezërit e tyre çlirimtarë.

Brigada furnizoi me kuadro njësitë partizane dhe mori lavdi
E inkuadruar në Divvizionin e V-të S, brigada vazhdoi luftimet kundër gjermanëve në thellësi të tokës jugosllave. Të njohura janë luftimet e brigadës kundër gemanëve, të cilët bën përpjekje për të kaluar lumin Bistricë në drejtim të Malit të Zi. Kudo Br. III S luftoi me trimëri dhe justifikoi besimin që i dha Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare, duke u kthyer në Atdhe e mbuluar me lavdi. Br. III S u kthye në një fidanishte kuadrosh. Nga radhët e saj dolën kuadro që e drejtuan atë në vazhdimësi. Nga kjo brigadë shumë kuadro shkuan drejtuan njësi të fuqishme luftarake si Div. V S e Div. VI S, si dhe në Br. XVIII, XXIII, XXIV, XXV S, etj. Në radhët e Br. III S luftuan me heroizëm mbi 50 luftëtare (gra dhe vajza) të cilat në moshë të re u rezistuan privacioneve të luftës. Shumë prej tyre drejtuan rininë dhe ishin në shtabet e batalioneve e të kompanive, ku midis tyre ishin dhe Heroinat e Popullit Emine Bahja dhe Ylbere Bilibashi, si dhe Heronjtë e Popullit, Myslim Keta, Rahman Parllaku dhe Rexhep Kolli. Brigada i dha atdheut jetën e 256 luftëtarëve të cilët janë yje të pashuar të lirisë dhe kujtohen e nderohen në breza.