I ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA, takim me Ministrin e Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, priti në një takim zyrtar, të ngarkuarin me punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, z. David Wisner.
Ministri vlerësoi rolin dhe përgjegjësitë e misionit të SHBA në vendin tonë, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakushtëzuar të SHBA për zhvillimin e kapaciteteve të FARSH dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e Mbrojtjes.
Gjatë takimit u diskutua mbi mjedisin aktual të sigurisë, sfidat në kufirin lindor të Aleancës, situatën rajonale dhe luftën në Ukrainë. Fokus të veçantë gjatë këtij takimi mori siguria kibernetike, angazhimet e vendit tonë në kuadër të NATO dhe bashkëpunimi në fushën e Mbrojtjes me SHBA.
Ministri i Mbrojtjes foli gjithashtu me z. Wisner për rolin dhe angazhimet e vendit tonë për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon, duke u shprehur besimplotë në thellimin e bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes.
Nga të dyja palët u shpreh shqetësimi për konfliktin në Ukrainë dhe rëndësia e mbështetjes nga aleatët. Në të njëjtën kohë u diskutua për situatën në veriun e Kosovës, si dhe ndikimi i mundshëm në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Z. Wisner shprehu mirënjohjen e tij për rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kontributin e vendit tonë për Aleancën duke vlerësuar Shqipërinë si një vend partner dhe aleat tepër i besueshëm, ku mbështetja e SHBA do të jetë e vazhdueshme për përmirësimin e kapaciteteve të FARSH në përballje me sfidat e kohës.