Havë Hoxha-Xhediku strehoi në shtëpinë e saj në Tiranë dhe mjekoi edhe partizanin e plagosur Sali Hoxha

Shaqir ÇERPJA

Sali Muharrem Hoxha ishte partizan në brigadën e katërt sulmuese dhe në nëntor të vitit 1944 u vra në luftë për çlirimin e Tiranës. Ai ra dëshmor për lirinë e atdhet dhe nga organet shtetërore kompetente, është shpallur DËSHMOR.
Ai është dëshmor, por emri i tij nuk është shkruar e vendosur në lapidarin në qendër të Zall-Dardhës, kushtuar bijëve të Dardhës-Dëshmorë të Atdheut.
Ai është dëshmor, por gjatë gjithë sistemit komunist, emri i tij është mbuluar me hije e është lënë në harresë dhe është shmangur e përjashtuar nga përkujtimit dhe nderimet e dëshmorëve.
Edhe familja e tij nuk është trajtuar e respektuar si familje dëshmori. Dhe kjo, sigurisht, sepse vetëm një vit pas çlirimit të Shqipërisë, babai i tij, Muharrem Hoxha, u burgos nga regjimi komunist dhe vdiq në burgun e egër komunist.
Muharrem Hoxha ishte burrë me shumë zë dhe emër, jo vetëm në Dardhë, por edhe në Dibër e jashtë Dibrës. Ai ishte njeri i zgjuar dhe i zoti, burrë vendi dhe kuvendi. Ai ishte njeri i ditur me me kulturë të gjërë. Ishte shkolluar në Shkup dhe disa vite kishte shërbyer në institucionet fetare në Shkup. Në Dardhë kishte dhe kryente funksionin e imamit.
Muharrem Hoxha kishte shumë autoritet dhe reputacion, jo vetëm fetar, por edhe njerëzor dhe shoqëror. Për shkak të autoritetit dhe reputacionit të madh të tij, ai njihej e thirrej hoxhë Dardha.
Përveç detyrës e funksionit fetar, ai ishte edhe anëtar i Pesëmbëdhjetë Burrave të Dheut në Dardhë. Ishte njeri e burrë patriot dhe kishte shpirt atdhetar. Gjatë periudhës së luftës Nacionalçlirimtare, ai përkrahu dhe mbështeti luftën çlirimtare. Ishte dhe kryetar i këshillit çlirimtar të Zall-Dardhës dhe punoi e kontribuoi për organizimin e luftës, për mobilizimin e partizanëve dhe pritjen dhe përcjelljen e tyre. Në rastin e mobilizimit partizan të Zall-Dardhës, të parin në krye të listës për të shkuar partizan, Muharrem Hoxha vendosi djalin e tij të madh, Saliun.
Sali Hoxha u lind në vitin 1920, në fshatin Zall-Dardhë. Ai ishte djali i madh, midis katër djemëve dhe dy vajzave të prindërve Muharrem Hoxha dhe Hike Kaloçit (nga Kandërri).
Ashtu si i ati i tij, Muharrem Hoxha, edhe Saliu ishte i shkolluar. Ai kishte qënë shok shkolle e klase me Sul Baholli, i cili, pas çlirimit të vendit dhe vendosjes së regjimit komunist, mori poste të rëndësishme politike dhe shtetërore, jo vetëm në Dibër, por edhe në Tiranë e rrethe të tjera të Shqipërisë.
Sali Hoxha u mobilizua partizan në brigadën e katërt Sulmuese, ku ishin edhe djem të tjerë nga Dardha si Maliq Topuzi, Selim Ndreu, Shaban Hoxha, Xhelil Çera, Osman Shira, Zenel Hoxha, Gani Hysa, Mustaf Hysa, Sadik Çerpja, Sabedin Kaca e të tjerë.
Në nëntor të vitit 1944, në luftë për çlirimin e Tiranës, bashkë me Maliq Topuzin, Selim Ndreun dhe Shaban Hoxhën, u vra dhe Sali Hoxha. Plumbi armik e kapi në kokë dhe i shpoi dhe i copëtoi të dy nofullat. Havë Hoxha, motra e Hasim Hoxhës dhe bashkëshortja e Zenel Xhedikut (vëllai i vetëm, vëllai i madh i kompozitorit të madh, Muharrem Xhediku) jetonte dhe banonte në Tiranë. Ajo ishte grua fisnike, e zgjuar, zemërbardhë, bujare dhe shumë humane. Shtëpia e saj në Tiranë priste dhe përcillte miq, dashamirës, por dhe udhëtarë të njohur dhe të panjohur. Ajo ishte edhe mjeke popullore dhe gjatë luftës Nacionalçlirimtare strehoi në shtëpinë e saj dhe mjekimi e kuroi shumë partizanë të plagosur. Ajo strehoi dhe mjekoi edhe partizanin e plagosur, Sali Hoxha. Përveçse partizan i pagosur, Saliu ishte dhe kushëri saj. Havë Hoxha e strehoi, e mjekoi dhe i shërbeu me shumë dashuri dhe përkushtim, si motra për vëllanë. Por plagët ishin të rënda dhe Saliu nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të plumbit armik.
Sali Hoxha u vra dhe humbi jetën në luftë për çlirimin e Tiranës. Ai ra dëshmor dhe me vendim të organeve shtetërore kompetente, nr.50, datë 30 qërshori 1972, Sali Muharrem Hoxha shpallet DËSHMOR.
Por pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman dhe vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, regjimi komunist e harroi dhe e mohoi gjakun e dëshmorit Sali Hoxha. Regjimi komunist harroi dhe mohoi kontributin e burrit të shquar dhe të nderuar të Dardhës e Dibrës Muharrem Hoxhës- hoxhë Dardhës.
Vetëm një vit pas çlirimit të Shqipërisë, regjimi komunist sajoi akuzën se Cen Elezi kishte pirë kafe në shtëpinë e Muharrem Hoxhës dhe i kishte uruar dasmën e djalit, Limanit. Me këtë akuzë dhe për këtë akuzë, pushteti dhe regjimi komunist e burgosi Muharrem Hoxhën, i cili vdiq në burgun e egër komunist.
Lavdi emrit dhe veprës së ndritur e të pavdekshme të dëshmorit të atdheut, Sali Hoxha!