A. DEGRAND më 1898 i bëri një shërbim të madh Historisë Kombëtare Shqiptare

Xhemal MEÇI
Studiues – “Mjeshtër i Madh”

Zhysten GODAR (Justin Godart, 1871-1956, personalitet politik Françez – deputet dhe Ministër) vizitoi Shqipërinë më,1921, 1922,1950. Botoi në Paris: Shqipëria më 1921, Shqipëria më 1922. Ka mbrojtur interesat kombëtare Shqiptare në arenën ndërkombtare). Është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhrin e Lirisë të Klasit I . (Prof. Muin Çami, Fjalori ENC: SHQ., Tiranë, 2008, F. 770). Gjatë vizitës së dytë në Shqipëri, 1922, shfaqi dëshirën që të bënte një kalim nëpër malet legjendare të Pukës deri te Ujëvara e Drinit, në Mertur Guri, “ Ku then Drini Qafën “. Ministria e Punëve të Brendëshme i kërkoi Xhandarmërisë Pukë që gjatë kësaj vizite ta merrte përsipër sigurinë e këtij personaliteti të shquar Françez. Në kushtet e pasigurisë politike të viteve 1921-1922 xhandarmëria e Pukës iu drejtua Zotni Dash Mahmut Agë Dizdarit , në Pukë. Dashi ishte burrë fisnik, miqësor, trim, guximtar ei vendosur; nip i Atdhetarit Musa Dizdari, Hoxhë Puka, Myftiu i Pukës, i cili në bashkëpunim me të kushëririn Ismail Agë Kryeziun, Kajmekami i Pukës, më 1880 e patën marrë nën mbrojtje Hafiz, Haxhi Ymer Prizrenin, Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke e shpëtuar prej arrestimit të forcave të xhandarmërisë osmane deri sa e dorëzuan shëndosh e mirë në Shkodër prej ku u strehua i sigurt te Myftiu i Ulqinit, por në vitin 1885, shovinistët malazez e mbytën , duke e goditur mbas kreje, kur po kthehej nga xhamia, ku sapo kishte falur namazin e fundit të asaj nate. Dhe tani fati e solli që edhe i nipi i Musa Dizdarit, Dash Mahmut Aga ta merrte nën mbrojtje një autoritet francez, mik i Shqiptarëve, Justin GODART, duke i siguruar jetën dhe lëvizjen nëpërmet një udhëtimi të këndshëm. Ditën e parë udhëtuan Pukë – Kryezi, ku kaluan një natë mjaft miqësore te kulla e Reshit Ismail Agë Kryeziut, kushërinj të Dashit, ku u mblodhën, siç ishte traditë në Pukë, rreth mikut shumë prej Zotnive të Kryeziut. Mbas darken e kaluan plot hare.
Të nesërmen, morën rrugën për Iballe kah Shpella Muratit, Kroni Azapëve e Lavër Dardhë. Pyjet magjepëse dhe këndpamja aq e gjërë mbi Kunorë Dardhë prej ku përfshiheshin rrafshinat e Hasit dhe të Bytyçit bashkë me Luginën magjepëse aq të gjerë të Malësisë së Gjakovës, zor të besohen me një përshkrim modest si ky! Përpara këtyre bukurive të rralla Shqiptare miku Françez mbet i mahnitur, ( ashtu si edhe unë kur i pashë për herë të parë, më 1971, kur isha drejtor shkolle në Kryezi)
GODART para asaj pamjeje mbet si i gozhduar, sa nuk i bëhej të ecte,( siç tregonte më vonë i ndjeri Dash Aga,” Sa herë kam thënë me vete se sa sevap paskam pasë ba që e kalova andej, !) Mandej vazhduen udhën kah “Livadhi i Zotnive” dhe ranë në Iballe te Kulla katërkatesh e Isuf Arifit, Hoxha i Madh, vjehrri i Dash Dizdarit, Gjyle Hoxhja, e shoqja e Dashit e bija e Isuf Hoxhës.
Në atë kullë kështjellë, Godart, “mikut të mikut,” iu bë një pritje aq e përzemërt, aq e këndëshme për më teper, kur ia thanë Hoxhës se Godart është mik i Shqipërisë. Ndërsa Godart e vështronte si me habi se si një imam, HOXHA vet, tregohej kaq miqësor ndaj një të krishteri të Europës, të Francës së largët! Për më tepër, tregoi habi, kur i treguan se Hoxha ishte me nënë katolike nga fshati katolik I Dardhës! Po Dashi në shpjegim e sipër i tha se kështu, edhe gruaja e Tij , Gyla, ishte me nënë Katolike nga fshati katolik i Dardhës, fis Kabashi, sadoqë vet Dashi ishte i nipi i Hoxhë Pukës , Musa Dizdarit. Në bisedë e sipër Godar i kishte thënë Dashit se po çuditej nga këto fakte, të cilat në Francë si zor t’ia besonin këtë unitet mirëkuptimi e miqësor ndërfetar këtu në këto male të thella, – Një gjë e tillë duhet marrë si shembull në Europë e më gjërë!
Të nesërmen, u nisën për Mertur Guri duke u ngjitur kah lagjeja Arap e Berishës. Fusha e Iballës me Balen dhe kodrinat kah veriu deri në juglindje, i kishte krijuar një përshtypje prekse e interesante, sepse i ngjante si një AMFITEATER gjigand natyror! ( Kështu më kishte ngjarë edhe mua kur isha Drejtor Shkolle, 1959 – 1960 në Kodër Diluke te shkolla 7-vjeçare, kur kaloja çdo ditë për aty nga kodër Buçaj, kulla e Mal Bajram Sokolit, ku ishte e martuar motra Age për Tahir Malën. Aty banova ato dy vite arsimi ). Gjatë ngjitjes i ranë sy dy kishat: Kisha e Thaçit ( Kisha e Shën Sebastianit), afër Kodër Fratit dhe kisha tjetër në lagjen Koprat, tej Breglumit ( kisha e Shën Gjergjit.) Paska pyetur në se ka xhami në Iballe. I kanë treguar se është në Kodër Qytezë, mes shtëpive të lagjes Zotnive, e përbashkët për 30 shtëpi myslimanë, Zotni e Buçaj. Për të gjitha këto luante kryet në shejë miratimi. Afër drekës. arritën rrëzë Çllumit për kah kalonte udha për Mertur. Shkëmbi i Çllumit i ngjante si një gjigand shkëmbor.(Aty, për majës së tij të thepisur kam kaluar me mësuesin Lekë Hajdari, për të parë poshtë majës “ Shkrolat e Turkut”. Kalimi mbi maje ishte afro 10 cm i gjërë prej thepa gursh. Zoti më ndihmoi që ta kaloja pa u rrokullis i vdekur posht ati shkëmbi!) Nga ana jugore, atje poshtë në thellësi dukej një pjesë e shtratit të Drinit, i cili rrëshqiste i qetë i shoqëruar përreth me një natyrç pak e ashpër, por me një bukuri piktoreske
Kështu në ditën e tretë të udhëtimit arritën në Mertur, ku në oborret e kullave ishin rreshtuar burra, gra, të rinj dhe fëmijë, që zgjatnin kryet për të parë se kush ishte ky mik i rrallë, që vinte me pa Merturin e tyre ! Secili e ftonte përzemërsisht në kullën e vet. Po Dashë Aga i priu në kullën e Hasanëve te Pjetër Hasani, ku u prit aq bujarisht. Mbas darke oda e miqve u mbush me merturës, që donin si e si t’i bënin shoqëri mikut të largët, që ua pruni Zoti aty! Deri në mjesnatë ushtuan k valle e këngë kreshnike e për Ndoc Mar’ Dedën , Mark Kolikun e trima të tjerë.
Miku Godart nuk përmbahej deri sa hyri në ato valle trimërore e burrërore, sa i gëzoi të gjithë me thjeshtësinë e dashamirësinë e tij. Kur shkruan për këtë hare të kujtohen vargjet e këngës së Pjetër Gacit, mikut tim të ushtrisë ,( “Seç po bjen fylli e çiftelia natën deri vonë,/ Ç’ po gëzon Malsia – Krenaria jonë!“’)
Godart në kthim kishte treguar: “Nuk kishte qenë kurrë më i gëzuar se sa mes atyre trimash të hareshëm, ku kishte parë si kudo nëpër Pukë malësorin truplart e të pashëm,trima, optimist e mendtar!). Të nesërmen Godart u afrua mbi kersh prej kah shikonte Ujëvarën e Drinit, ku themelet e Alpeve gjigande e kishin detyruar të merrte i shkumëzuar kthesën drejt jugperëndimit, siç kishin mbështetur këto Alpe trimat arbëror gjatë shekujve që të kthenin nga kishin ardhur të përgjakur armitë .
Shënim: Mendoj që këtë 100-vjetor ta përkujtojë Bashkia Pukë me Ambasadën e Francës, se kështu do të sillet në kujtesë edhe ndihma e madhe e Konsullit të Francës në Shkodër, A. DEGRAND, që më 1898 i bëri një shërbim të madh Historisë Kombëtare Shqiptare me hapjen e Varrezave të Komanit në Delmace të Pukës, ku zbuloi mbi 500 objekte arkeologjike, si dëshmi e prejardhjen Shqiptare nga etnosi ILIRO-ARBËROR.