Prof. dr. Sali Kurti është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”

• Mesazhet që përcjellin shembullin e tij kanë emrin KRENARI. Krenaria ka nevojë për një truall, për një shtrat që rritet…E pikërisht në këtë shtrat ka ecur dhe ecën Prof. dr. Sali Kurti, i përshtatur mirë me kohën, bujar, fisnik, humanist i pashoq, intelektual i
mirëformuar dhe i zoti, që ka çarë në jetë me mençuri e sakrifica

Halil Rama – Mjeshtër i Madh

Të fitosh titullin NJERI! Ky varg i këngës “Ti i fale jetë çdo ëndrre”, me tekst të Jorgo Papingjit, interpretuar mjeshtërisht nga artisti i mirënjohur Esat Ruka-Mjeshtër i Madh, ishte ndoshta më i gjeturi në takimin mbresëlënës “Një jetë në shërbim të njerëzve”, ku Federata Universale e Paqes nderoi me titullin “Ambasador për Paqen” prof. dr. Sali Kurtin.
Mjeku stomatolog, të cilin pacientët e panumërt në Mat e Tiranë, për gati pesë dekada e kanë bërë të kuptojë se jeta është e bukur dhe se askush nuk duhet të dorëzohet, pavarësisht problemeve me të cilat përballet, ka provuar më parë emocionet e dekorimit me titujt “Qytetar Nderi i Burrelit” (dhënë nga Bashkia e këtij qyteti) dhe “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani (Nr. Dekreti 10320, date 18.05.2017). Por gjithsesi, e shtuna e 29 korrikut 2023, kur në praninë e më shumë se 200 përfaqësuesve elitarë nga Tirana dhe Mati që kishin mbushur sallën “Unesco” të Muzeut Historik Kombëtar, për të do të mbetet dita më e lumtur e jetës së tij.
Titullin “Ambasador për Paqen”, ai dhe bashkëpunëtorët e tij e vlerësuan si nderimin më të madh që i bëhet, në këto kohë kur shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë se për çdo gjë, për paqe dhe harmoni mes njëri-tjetrit.
Këtë domosdoshmëri e evidentuan më së miri, jo vetëm moderatori i takimit, ikona e gazetarisë sportive dhe e dokumentarit televiziv Dëfrim Methasani, por edhe sekretari i Përgjithshëm i FPU Gani Rroshi, prof. as. Jolanda Lila, Nikollë Bushi, kirurg stomatolog, koleg prej 40 vitesh me prof. dr. Sali Kurtin, Gledis Vrapi, kolege mjeke në klinikën “Mat Dental”, bashkëshortja Ikbale e vëllai Avdi Kurti, që kishte ardhur nga Amerika për të qenë i pranishëm në këtë event dhe disa personalitete tjera.

JOLANDA LILA: “SALI KURTI, ‘AMBASADOR I BUZËQESHJES”
“Prof. dr. Sali Kurti është në fakt ‘ambasador i buzëqeshjes’, sepse prej gati gjysmë shekulli ka bërë të qeshin mijëra njerëz, jo vetëm në kuptimin e parë, që lidhet me profesionin e tij si mjek stomatolog, por sidomos me profilin e tij human që ka lënë gjurmë tek të gjithë. Ai ka mundur të jetë human në çdo kohë. Është sfidë më vete që të mos e humbasësh njerëzillëkun as sot, në këtë botë dinamike që jetojmë, ku mbase, më shumë se kurrë, përfitimi në kurriz të tjetrit prevalon ndaj drejtësisë; ku materializmi ia ka zënë frymën humanizmit; ku gjithçkaje i dihet çmimi por jo vlera”, tha ndër të tjera në fjalën e saj prof. as. dr. Jolanda Lila. Kjo sipas saj edhe për faktin se jemi mësuar të shohim që të vishen me tisin e heroizmit dhe të nderohen njerëz pa kurrfarë rëndësie dhe të lihen në harresë, ose të shpërfillen vlerat e mirëfillta. Prandaj akordimi i titullit “Ambasador për Paqen” për një figurë si doktor Sali Kurti, na jep shpresë se e mira shpërblehet.
Titulli është plotësisht i motivuar për të, për një sërë arsyesh, por Jolanda Lila evidentoi tre prej tyre.
Së pari, në rrafshin personal, ai zgjodhi rrugën e ndershme për ta ndërtuar jetën dhe karrierën e vet. Suksesi i tij nuk ka ardhur nga qielli, por është rezultat i shumë viteve të mbushura me përpjekje, sfida, vështirësi e pengesa, të cilat do të kishin trembur këdo duke e zmbrapsur, por jo doktor Saliun. Me forcën e vullnetit të vet, me qëndrueshmërinë, por edhe me shpresën e optimizmin që e karakterizon, ai e nisi gjithçka nga hiçi dhe nuk e humbi besimin te vetja dhe te Zoti se një ditë do të ishte mirë.
Ai u bë mirë, por nuk e harroi rrugën që përshkroi, për këtë arsye mbeti përherë me këmbë në tokë dhe solidar me të varfrin e me njeriun në nevojë.
Së dyti, në rrafshin profesional, ai arriti të ngjitet në shkallët më të larta të karrierës si mjek stomatolog dhe sot, është drejtuesi i poliklinikës më të madhe dentare në Shqipëri, “Mat Dental”. Me vizionin për të prekur gjithnjë shtigje të reja, ai ka ngritur një klinikë me reputacion të padiskutueshëm dhe me emër të ndritur. Ai është tepër korrekt dhe i përkushtuar në punën e tij dhe padyshim që suksesi i klinikës varet edhe nga fakti se ai nuk i sheh pacientët si klientë, por si njerëz hallexhinj, që kanë një problem për të zgjidhur dhe duhet bërë gjithçka për ta.
Së treti, në rrafshin njerëzor, ai ka ndjeshmëri shumë të theksuar për këdo që takon. Përpiqet t’u gjendet pranë në çdolloj forme, jo thjesht për t’u zgjidhur problemet e tyre me dhëmbët, por edhe për problemet e tjera familjare, ekonomike apo probleme të çfarëdolloj natyre. Kush trokiti në derën e doktor Saliut dhe nuk gjeti zgjidhje për hallet e veta?!
Për të gjithë këto, prof. dr. Sali Kurti nuk pret asgjë në këmbim nga njerëzit, madje as mirënjohje, sepse fundja, ai bën mirë, sepse vetëm kështu ndihet mirë dhe nuk ndikohet nga qëndrimet e të tjerëve. Ky njeri që nuk kërkon as bujën dhe as dukjen për veprat e veta humane, e meriton plotësisht titullin “Ambasador i Paqes”.

LIBRI I JETËS
“Një jetë në shërbim të njerëzve” është libri që Sali Kurti ua dedikon familjes, paraardhësve të tij dhe brezave që do vijnë. Libri i botuar para katër vitesh nga “Luis Print”, me redaktore prof. as. Jolanda Lila, është modeli i shkrimit të një monografie jetësore.
Kjo për faktin se në 294 faqet e tij gjejmë detaje për vitet e vështira të fëmijërisë, pemën gjenealogjike, jetën konviktore dhe studentore në Politeknikumin Mjekësor e Universitetin e Mjekësisë të Tiranës, krijimin e strehëzës familjare, punën si drejtor i Shërbimit Stomatologjik të rrethit të Matit, pasionin për teatrin dhe të bukurën në përgjithësi, bekimin si “prind” dhe magjinë si “gjysh”, etj., prof. dr. Sali Kurti nuk nguron të shkruaj në këtë libër sesi nga një ish bari dhish kur sapo kishte mbaruar filloren dhe e kishte të pamundur të vazhdonte shtatëvjeçaren, do të ngjiste shkallët e dijes duke rendur nga fshati në fshat e deri në qytetin e Burrelit dhe se kur pikërisht, kur priste emërimin si ndihmësmjek për të ndihmuar familjen e shumëvuajtur, do t’i vinte fletëthirrja për ushtar.
Por, asnjëherë nuk u dekurajua.