Klinika Stomatologjike “Mat Dental”, ndër më konkurrueset në metropolin shqiptar

• Ish-Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani, në fjalën e tij me rastin e dekorimit me titullin “Mjeshtër i Madh”, ndër të tjera është shprehur se: “Doktor Sali Kurti ia ka kushtuar jetën profesionit të mjekut, një profesion ky i nderuar, por edhe i vështirë. Me një karrierë të gjatë, gati prej 5 dekadash, ai është kthyer në shembullin e njeriut të punës, duke dalluar për përkushtimin, mirësinë dhe humanizmin e tij”.

LIBRI I JETËS, OSE “NJË JETË NË SHËRBIM TË NJERËZVE

Nga leximi i këtij libri, lexuesi krijon bindjen se arritjet në jetë, në çfarëdolloj fushe, janë kombinim i rrethanave të jashtme të mjegullta me dhunti njerëzore të mbinatyrshme. Më së miri këtë e dëshmon suksesi i tij që është shumatore e një kalvari të gjatë, e një rruge të vështirë e të mundimshme, të përcaktuar nga natyra dhe përkushtimi i tij…Është pikërisht ky përkushtim që bariu dhe më pas nxënësi i dikurshëm, që darkat e gjenin të lodhur fizikisht, por gjithnjë të përkulur mbi fletore nën dritën e zbehtë të kandilit, duke bërë detyrat e shkollës për të qenë gati për të nesërmen, ka arritur sot deri krijues dhe administrator mjaft i suksesshëm i klinikës “Mat Dental”, ndër më konkurrueset në metropolin dhqiptar dhe ndër më të preferuarat për pacientët e kryeqytetit.
“Profesioni i stomatologut është një profesion delikat dhe kërkon kohën e vetë për t’u bërë i besuar. Ardhja në Tiranë, për mua ishte si të nisja ditën e parë të punës, pasi po vija në një mjedis ku nuk më njihte askush, së paku ashtu mendoja në atë kohë (15 maj 1998). Por shumë shpejt, me mirësjellje dhe me punë cilësore profesionale, pacientët u vendosën në radhë. Në radhët e tyre fillova të shoh shumë matjanë, të cilët i kisha njohur më parë. Shumica prej tyre vinin enkas nga Burreli në Tiranë për të marrë shërbimin stomatologjik. Unë mendova se i kisha braktisur me largimin tim në Tiranë, por në fakt jeta më tregoi se ata nuk mund të më braktisnin mua, edhe pse klinikat stomatologjike nuk mungonin në Burrel…Shumica e tyre kur vinin më shprehnin mirënjohjen e thellë për cilësinë e shërbimit të kryer 30 apo 40 vjet më parë, për mbushje dhëmballe që i kishin rezistuar dekadave, e për shumë procese të tjera, të cilat i bënin ata që të udhëtonin e sakrifikonin për të marrë shërbimin përmes duarve të mia”, shkruan ndër të tjera prof. Sali Kurti në librin e tij “Një jetë në shërbim të njerëzve”(fq.239-240). Dhe vërtetë, nuk mund të ketë kënaqësi e sadisfaksion më të madh se ky, pasi besnikëria e këtyre pacientëve e ka bërë prof. dr. Sali Kurtin ta shohë qenien njerëzore gjithnjë si të dëlirë dhe pozitive.
Ndaj dhe ish-Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani, në fjalën e tij me rastin e dekorimit me titullin “Mjeshtër i Madh”, ndër të tjera është shprehur se: “Doktor Sali Kurti ia ka kushtuar jetën profesionit të mjekut, një profesion ky i nderuar, por edhe i vështirë. Me një karrierë të gjatë, gati prej 5 dekadash, ai është kthyer në shembullin e njeriut të punës, duke dalluar për përkushtimin, mirësinë dhe humanizmin e tij”.
Është pikërisht ky vlerësimi i Kreut të Shtetit Shqiptar, në mjediset e Presidencës, në prani të shumë personaliteteve shtetërore, politike e shoqërore, me rastin e akordimit të titullit të lartë “Mjeshtër i Madh”, prof. dr. Sali Kurtit, me motivacionin: “Për kontributin shumëvjeçar në fushën e stomatologjisë, dhënë me ndërgjegje, përkushtim e profesionalizëm të lartë në ndihmë të popullsisë së rrethit të Matit, si dhe në vlerësim të punës së tij në drejtim të përsosjes së shërbimit mjekësor dentar”.
Pikërisht për këto merita dhe veçanërisht për shpirtin human, vlerat njerëzore dhe intelektuale që mishëron dhe përçon tek publiku i gjerë, Ai e meriton plotësisht edhe titullin “Ambasador për Paqen”.

DOMOSDOSHMËRIA PËR TË GJETUR RRUGËN E KOMUNIKIMIT,
TË DASHURISË DHE TË PAQES NË ÇDO SITUATË

I ngazëllyer, emocionuar dhe lumturuar pa masë nga vlerësimet që ju bënë, me rastin e marrjes së titullit “Ambasador për Paqen”, prof. dr. Sali Kurti tha në fjalën e tij përshëndetëse se ndjehej me fat përderisa rrethohet me miq, bashkëpunëtorë e njerëz që i kanë dhënë kuptim jetës së tij. Ai tha se e kishte pritur me shumë entuziazëm e kënaqësi propozimin për marrjen e titullit “Ambasador për Paqen”, sepse ky titull lidhet me thelbin e tij njerëzor. Ndaj dhe unë që në hyrje të këtij reportazhi veçova vargun e këngës “Të fitosh titullin Njeri”! Është pikërisht ky titull që e bën krenar prof. dr. Sali Kurtin, i cili në paqe me veten dhe të tjerët ka përjetuar dhe përjeton thellë kuptimin e vërtetë të jetës dhe lumturisë.
Pasi shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për familjen tij, për gjithë mbështetjen që i ka dhënë ndër vite, për bashkëshorten Ikbalen e dy fëmijët Gretën e Eltin, për nipërit e mbesat dhe për gjithë pacientët e njerëzit që e motivojnë të punojë çdo ditë dhe të mos ndahet nga profesioni i tij si mjek stomatolog edhe sot, prof. dr. Sali Kurti, ndër të tjera tha se: “Qysh në moshë të vogël nuk i kam pëlqyer zënkat, konfliktet dhe keqkuptimet, sepse unë pata fatin të rritem në një mjedis të rrethuar nga dashuria dhe kujdesi. Këtë dashuri të madhe që mora nga prindërit e mi jam përpjekur t’ua transmetoj gjithë jetën time edhe të tjerëve, si familjes sime, po ashtu edhe kolegëve, pacientëve e kujtdo që jeta më ka takuar. Të qenurit në paqe me gjithçka rreth nesh, na bën njerëz më të matur e më të mirë. Prandaj unë shpresoj që shoqëria shqiptare të mund të gjejë rrugën e komunikimit, të dashurisë dhe të paqes në çdo situatë, sepse vetëm kështu do të jetojmë shëndetshëm për veten, por do të mund të lëmë edhe një gjurmë pozitive për të tjerët”.
Më të larmishëm e bënë këtë event mbresëlënës interpretimi mjeshtëror i një kolazhi këngësh popullore nga Liri Rasha. Në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar dhe më pas për disa orë gjatë drekës në mjediset e barrestorant “Tajvani” qindra pjesëmarrësit u mahnitën me zërin brilant të artistes së mirënjohur Liri Rasha, dekoruar nga Presidenti i Republikës me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, e cila me mjeshtri të të rrallë artistike solli jehonën e këngës dibrane. Po ashtu edhe me interpretimin mjeshtëror të disa këngëve nga “Mjeshtri i Madh” Esat Ruka, si dhe nga grupi i valltarëve të Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”, “Nderi i Kombit”, që interpretoi valle me motive pothuajse nga e gjithë Shqipëria.
E meritonte prof. dr. Sali Kurti, një organizim kaq të përsosur të ceremonisë së dekorimit me titullin “Ambasador për Paqen”. Mesazhet që përcjellin shembullin e tij kanë emrin KRENARI. Krenaria ka nevojë për një truall, për një shtrat që rritet…E pikërisht në këtë shtrat ka ecur dhe ecën prof. dr. Sali Kurti, i përshtatur mirë me kohën, bujar, fisnik, humanist i pashoq, intelektual i mirëformuar dhe i zoti, që ka çarë në jetë me mençuri e sakrifica.